Deputetja e “Guxo”: Kemi një opozitë kalkulante, lakmitare ndaj pushtetit para shtetit

Intervista

Deputetja e “Guxo”: Kemi një opozitë kalkulante, lakmitare ndaj pushtetit para shtetit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 27 shkurt 2023 Në ora: 08:00
Deputetja nga Lista “Guxo”, Jeta Statovci

Deputetja nga Lista “Guxo”, Jeta Statovci, ka folur në një intervistë për “Bota sot” mbi zhvillimet që po ndodhin në vendin tonë.  

Ajo ka thënë se në këto ditë është fat që kemi një Qeveri të fuqishme dhe stabile që po i bën ballë sfidave dhe presioneve.  

Statovci ka thënë se koeficienti i pagave do të rritet akoma në të ardhmen, meqë ekonomia e Kosovës po jep indicie se ka kapacitet për të gjeneruar stabilitet.  

Kurse, për presionin ndëkombëtar për formimin e Asocicaionit deputetja ka deklaruar se, AKS në formën e nënshkruar, ka rënë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe misioni primar i çdo Qeverie, institucioni shtetëror, është respektimi i Kushtetutës. 

Ajo ka thënë se duhet unitet më i madh në ruajtje në interesave tona vitale.  

Për deputeten Statovci njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë.  

Intrvsita e plotë:  

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend?   

Jeta Statovci: Në përgjithësi është një situatë e pritshme si pasojë e ngjarjeve që kanë ndodhur viteve të fundit, nisur me pandeminë e vazhduar me luftën në Ukrainë që ka komplikuar shumë edhe stabilitetin e rajonit tonë. Pra është fat që kemi një Qeveri të fuqishme, stabile, meqë kështu po arrijmë të kontrollojmë presionet dhe sfidat që kanë dalë. Janë dy sfida të mëdha për Kosovën, ajo e sigurisë si në rrafshin diplomatik apo edhe militar, dhe sfida ekonomike, e cila do të ishte shumë më e lehtë menaxhueshme sikur Kosova të kishte ndërtuar me kohë një sistem normal të drejtësisë, një privatizim konkurrent dhe të liruar nga presionet partiake, e me një përgjegjësi ndaj gjendjes sociale e cila u injorua për shumë vite.   

Mirëpo, vlen të përmendet progresi i Kosovës dhe forcimin e sundimit të ligjit, dhe me demokratizimin më të konsoliduar në rajon. Avandim në luftën kundër korrupsionit, gjë që është treguar edhe në raportin e organizatës ndërkombëtare “Transparency International” për vitin 2022. Kurse, raportet e Bankës Botërore, konfirm politikave ekonomike dhe sociale, tregojnë se Kosova pritet të ketë rritje më të lartë ekonomike për dy vitet vitet e rradhës nga vendet e Ballkanit Perendimorë.  

“Bota sot”: Qeveria ditët e fundit ka marrë vendim për rritjen e koeficientit të pagës për sektorin publik, mendoni se është i mjaftueshëm për situatën aktuale ekonomike?  

Jeta Statovci: Paratë e koeficientit të rritur kaq sa është rritur, janë gjeneruar me shumë mund e shumë kujdes, sepse janë krijuar në kohë krize ekonomike, energjetike dhe të sigurisë. Për më tepër, Kosova nuk ka vetëm sektorin publik dhe koeficientin e këtij sektori, ka fëmijë, ka pensionerë, ka veteranë, ka familje në gjendje shumë të rëndë sociale, dhe një Qeveri e cila promovon barazinë, duhet të mendoj sa më barabartë që është e mundur. Koeficienti është rritë, do rritet akoma në të ardhmen, meqë ekonomia e Kosovës po jep indicie se ka kapacitet për të gjeneruar stabilitet. Lajm i mirë është se vlera e koeficientit do të rritet dhe viteve të ardhshëm, për t’u përshtatur zhvillimit ekonomik në vend.   

Duhet cekur që për ktegorin e pagave në sektorin publik, janë ndare 105 milion euro nga Qeveria. Kemi një numër rekord të të punësuarve që përfitojnë rritje mbi 40%, dhe Kosova për herë të parë zvogëlon diferencen e pagave nga 1 me 20 sa ç'ishte, në kuotat e Bashkimit Evropian sa është bërë me këtë ligj.   

Në kuadër të kësaj, kemi rritje të pagës mesatare në 730 euro në sektorin publik që është ndër pagat më të larta në rajon konform GDP së vendit.  

“Bota sot”: Po me pagat në sektorin privat çka do të bëhet?  

Jeta Statovci: Duhet të bëhet e qartë se Qeveria i ka detyrat e limituara në tregun ekonomik, pra pagat në sektorin privat duhet të bëhen nga sektori privat. Këtë vit, jam optimiste se bazuar në kompetencat tona, do të kalojë Projektligji i Pagës Minimale dhe në lexim të dytë. Vlen të përmendet se ne kemi rritur numërin e inspektorëve fillimisht, që të mos ketë abuzime qoftë me çmime, punëtorë apo të formave tjera. Kemi mbështetur sektorin privat herë përmes masave, herë përmes energjisë, tani ka edhe platforma tjera që do të stimulojnë fillimisht punësimin. Ka qenë strategji e Qeverisë që të rritet punësimi fillimisht, të largojmë të rinjt nga rruga dhe të ju gjejmë nga një punë, pastaj me gjenerimin më të madh ekonomik dhe efektin multiplikativ të përmirësojmë kushtet. Dua të përmend shumë masa që janë ndërmarr nga Qeveria, si lansimi i platformës Superpuna, ku vetëm në kavën e parë mbi njëmijë të rinj janë regjistruar dhe verifikuar. Sektori privat varet bukur shumë nga një strukturë e fuqishme e bizneseve shumë të mëdha që në të kaluarën kanë qenë fort të lidhura me organet shtetrore. Kjo ka bërë që ato të mos inspektohen, ngase lidhjet kanë bërë të veten. Këto fenomene do të luftohen më fuqishëm në 2023-tën. Stabiliteti energjetik, rritja ekonomike, siguria dhe lufta e korrupsionit janë rruga e vetme që sektori privat të shënoj rritje në përgjithësi, e të pagave në veçanti.  

“Bota sot”: Ndërkombëtarët po bëjnë presion të vazhdueshëm për themelimin e asociacionit që po thuhet se është në kuadër të planit evropian për dialogun, cili është qëndrimi juaj rreth kësaj?  

Jeta Statovci: Presioni për të implementuar atë që është nënshkruar, tejkalon shumëfish presionin e para nënshkrimit. Pra, koha kur Thaçi e Mustafa përballeshin me presionin për nënshkrimin e AKS, ka qenë koha kur presioni ka qenë më i vogël, meqë nuk ka pasur sfida të sigurisë në këtë nivel që kemi sot. Por mbase ka pasur presione tjera që tashmë po i paguajmë ne. AKS në formën e nënshkruar, ka rënë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe misioni primar i çdo Qeverie, institucioni shtetëror, është respektimi i Kushtetutës. Sidoqoftë, ne kemi arritur një sukses në diplomaci, meqë nga negocimi vetëm për AKS, tashmë po diskutohet për plane më të zgjeruara, që cak kanë njohjen reciproke, normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, dhe prespektiven afatgjate në mekanizmat ndërkombetarë. Për më tepër, është sinjal pozitiv për Kosovën, se SHBA-të po theksojnë se Kushtetuta jonë nuk do të cenohet, dhe kemi 6 pikëshin e qartësimit prezantuar nga Kryeministri Kurti. Këtu bëhet fjalë për fatin e Kosovës, këtu na duhet unitet më i madh në ruajtje në interesave tona vitale, kam frikën se kjo po mungon nga një politikë kalkulante opozitare, si lakmi ndaj pushtetit para shtetit.  

“Bota sot”: Si e vlerësoni qëndrimin e kryeministrit Kurti në raport me Serbinë, dhe a mendoni se do të ketë njohje reciproke mes dy vendeve?   

Jeta Statovci: Qëndrimi i Kryeministrit Kurti po vazhdon të jetë real. Pra janë reale, parimore dhe të ligjshme, kërkesat për trajtim të barabartë, parimi i reciprocitetit, respektimi i Kushtetutës së Kosovës, mos harrimi i masakrave që shteti serb bëri në Kosovë dhe kërkimi i drejtësisë.   

Nuk ka asgjë që Kosova, qoftë përmes Kryeministrit Kurti apo Presidentes Osmani po kërkon që nuk është e drejtë, dinjitetshme dhe e ligjshme dhe në ruajtje të funksionimit të shtetit. Mos të harrojmë, Kosova është ndër vendet e vetmë që të drejtën e saj për pavarësi e ka të dëshmuar dhe legjituar në letër, dhe fillimin e saj e ka me përplot kompromise që e bëjnë kushtetutën tonë, kushtetutën me tolerante në botë.

Për sa i përket njohjes reciproke, kjo nuk ka alternativë. Ose të normalizuar si rajon e në BE, ose vazhdon cikli i këtyre problemeve që nuk i konvenonjë askujt. Një gjë duhet bërë e qartë, Kosova është realitet i pa kthyeshëm.  

“Bota sot”: Kryeministri Kurti ka thënë se nuk do ta pranojë Asociaciacioni me kompetenca ekzekutive, derisa ka vendosur kushte si bazë për këtë, çfarë mendimi keni ju si “Guxo” rreth kësaj?   

Jeta Statovci: Partia GUXO është edhe rezultat i luftës për të mbrojtur sovranitetin e vendit, përveç rezultat i një lufte për demokratizim të brendshëm. Një nga arsyet kryesore të koalicionit LVV-GUXO ka qenë pikërisht ndalja e lëshimeve të vazhdueshme ndaj Serbisë, teksa kjo e fundit ka vazhduar të jetë agresive në politikat e saj ndaj Kosovës. Partia GUXO, fillimisht përmes Vjosa Osmanit, tashmë Presidente, e pastaj përmes Ministres Gërvalla, ka shprehur vazhdimisht qëndrimin e saj se do të respektoj Kushtetutën e Kosovës, dhe çdo vendim që del nga Gjykata Kushtetuese. Pra nuk kemi të bëjmë me dëshira politike, por me ligjet e Kosovës. Jemi në linjë të plot për të ruajtur kushtetutshmërinë, karakterin multietnik të vendit tonë, dhe stabilitetin e funksionimit të shtetit tonë duke garantuar të drejta të barabarta për të gjithë.  

“Bota sot”: Jeni kryetare e listës “Guxo” në Prishtinë, si qëndron partia juaj, jeni në rritje si parti?  

Jeta Statovci: Kësaj pyetje më së miri i përgjigjet Kuvendi madhështor që kemi pasur në Prishtinë. Partia GUXO tashmë ka një ekip përherë e më të konsoliduar si në Qendër, ashtu edhe në Prishtinë. Tashmë kemi strategjinë tonë politike dhe plan pune konform objektivave kyçe dhe involvimit të kuadrove të reja. Ne pretendojmë një shtrirje të fuqishme në Prishtinë, të tillë që do të ndërpres përfundimisht atë që u nis me vrasjen e Rexhep Lucit, e që përfundoi me një kaos urbanistik, të trafikut, të cilësisë së ajrit e të estetikës në Kryeqytetin tonë. Partia GUXO ka ndihmuar ndryshimin në nivel Kosove, pas shumë vitesh, do ta bëj edhe në nivel lokal zgjedhjet e ardhshme.  

“Bota sot”: Si e shihni aktivitetin e opozitës kundrejt pozitës?  

Jeta Statovci: Në varësi të temave, kam pritur që opozita të bëj presion që Kosova të rrisë kërkesat në dialog, dhe jo e kundërta. Opozita jonë ka bërë presion që Kosova të ulë kërkesat në dialog dhe për këtë kam vlerësime jo të mira. Sidoqoftë, opozitës i duhet një kauzë për të prodhuar politikë, se si i zgjedh kauzat është çështje e tyre, por se si shihen ato, është çështje e popullit. Unë nuk shoh aktualisht kauza serioze të kësaj opozite.  

“Bota sot”: Po raporti juaj me Lëvizjen Vetëvendosje brenda Kuvendit dhe po ashtu në institucione sa jeni të koordinuar?  

Jeta Statovci: Problemi më inekzistent në politikën e Kosovës është raporti LVV-GUXO, ne kemi nisur rrugëtim mbi baza parimore, dhe kur ka parime, nuk ka probleme. Ne kemi për qëllim demokratizimin e më tutjeshëm të shoqërisë kosovare, largimin e strukturave shtet-kapëse, pavarësimin e gjyqësorit dhe ruajtjen e sovranitetit. Këto të gjitha janë shumë herë më të rëndësishme se LVV e GUXO marrë së bashku. Raportet tona janë të ndërlidhura nga përgjegjësitë që kemi, dhe konsistenca që kemi proklamuar ka krijuar standard të ri në politikën e Kosovës. Ne jemi nisur në një mision të përbashkët, deri në përfundim të këtij misioni do jemi bashkë, pastaj mund të merremi edhe me çështje ideologjike apo të ngjashme. Raportet janë të mira, konstruktive, dhe po thellohen.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat