Prljaskaj: Nuk do të nënshkruhet marrëveshja Kosovë –Serbi me 18 mars

Intervista

Prljaskaj: Nuk do të nënshkruhet marrëveshja Kosovë –Serbi me 18 mars

Më: 9 mars 2023 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

Nuk do të këtë nënshkrim të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me 18 mars në Ohër.

Kështu thotë në një intervistë për Radio Kosovën deputetja shqiptare në parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj. Duke mos treguar detaje, ajo thotë se në këtë fazë as Kosova dhe as

Serbia nuk do e nënshkruajnë marrëveshjen.

Zonja Ermina, si qëndrojnë sot raportet Kosovë – Kroaci, duke pasur parasysh faktin që Kroacia përkrah dukshëm Kosovën?

Ermina Lekaj Prljaskaj: Në Kroaci për vizitë zyrtare ishte ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe gjatë bisedimeve dhe takimeve u fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, ku dukshëm Kroacia i jep mbështetje Kosovës, si në aspektin politik, tani edhe në atë ekonomik ku dhe zonja Gërvalla u prit në takim nga kreu i shtetit kroat, kryeministri, kryeparlamentari si dhe disa deputetë kroatë të cilët e mbështesin Kosovën. 

Cili është qëndrimi i Kroacisë për sa i përket dialogut  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet tash e disa vite dhe që në takimin e 18 marsit mund të ketë nënshkrim eventual të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Ermina Lekaj Prljaskaj: Kosova duhet të jetë dhe të qëndrojë si shtet i pavarur dhe sovran dhe njëjtë premtoi qeveria kroate se do të lobojë në këto pesë shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

A mund të pritet që ndryshim i qëndrimit të këtyre pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, të themi pas nënshkrimit eventual të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.   

Ermina Lekaj Prljaskaj: Sipas bisedimeve që patëm, sëpari është  e pamundur  këtë herë që të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e dyta, për shkak të politikës së Rusisë dhe Ukrainës, mund të ndryshojë edhe qëndrimi i këtyre pesë shteteve që nuk e njohin për momentin Kosovën.

Znj. Ermina, kur thoni që nuk do të ketë nënshkrim kësaj radhe me 18 mars, mendoni në?

Ermina Lekaj Prljaskaj: Aty nuk do të hyjë në detaje mirëpo them që asnjëra palë për momentin nuk është në atë fazë që do ta bëjë nënshkrimin dhe atë do e shohim me 18 mars.  

Kroacia ka rreth tre për qind të popullatës së saj serbe, në Kosovë janë diku rreth katër për qind. Pse duhet Kosova të krijojë Asociacion te komunave me shumicë serbe?

Ermina Lekaj Prljaskaj: Unë jam e mendimit dhe qëndrimit që Kosova nuk duhet të pranojë një  gjë të tillë. Mund të pranojë që të ketë një vetëqeverisjeje, mirëpo të ketë asociacion të tillë, jo. Varet se çka kërkohet. Unë nuk e kam lexuar propozimin, kështu që nuk mund të flas në atë drejtim.

A nuk ekziston mundësia që një asociacion i tillë të kthehet në një rast precedent për vendet fqinje dhe të paraqesë rrezik për destabilizimin e rajonit?  

Ermina Lekaj PrljaskajPo ne kemi deklarata të tilla në Bashkimin Evropian, kemi shtete të tilla që janë të pavarura, mirëpo mendoj që Kosova nuk duhet të pranojë një asociacion të tillë, sepse jo që do të bëhet precedent, po mendoj që është e palogjikshme, sepse ata së pari duhet ta pranojnë shtetin e Kosovës si shtet dhe brenda këtij shteti të funksionojnë me qeverisje lokale, siç është edhe në botën demokratike.

Kosova është vendi i vetëm që nuk ka liberalizim të vizave nga vendet e rajonit. Qeveria e Kosovës tash së fundi ka aplikuar edhe për anëtarësim në BE. Kosova a do e ketë mbështetjen e Kroacisë në  rrugën e saj integruese në BE?

Ermina Lekaj PrljaskajGjatë takimit me ministren Gërvalla, Kosovës i është ofruar mbështetje e fuqishme me gatishmëri që në çdo aspekt ta ndihmojnë Kosovën. Kroacia përveç lobimit që e bënë në BE dhe në vendet e tjera, njëjtë ka shprehur gatishmëri që të jetë afër Kosovës edhe gjatë bisedimeve që i kanë me Serbinë dhe paralelisht vazhdojnë me lobimin që e bëjnë në BE. Pra, prej Kroacisë pritet shumë dhe Kroacia ofron  ndihmën e saj dhe mendoj që tani është koha që Qeveria e Kosovës  të dijë ta materializojë këtë ndihmë që ia ofron shteti kroat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat