Koloneli amerikan: Veriu i Kosovës është tragjik, Vuçiqi është jashtëzakonisht i lidhur me Putinin!

Intervista

Koloneli amerikan: Veriu i Kosovës është tragjik, Vuçiqi është jashtëzakonisht i lidhur me Putinin!

Më: 12 mars 2023 Në ora: 17:00
Koloneli amerikan në pension Jeffrey Fischer. Foto ilustrim nga "Bota sot"

Serbia po bëhet gjithnjë e më shumë më e izoluar, thotë në një intervistë për The Geopost, koloneli amerikan në pension Jeffrey Fischer duke shtuar se Aleksandar Vuçiqi ende i ka sytë kah Kremlini e së është jashtëzakonisht i lidhur me Vladimir Putinin.

Sipas Fischerit, Serbia është një ishull në një oqean të NATO-s.

“Ajo që më shqetëson gjithmonë është se Serbia gjatë 7 vjetëve të fundit është bërë gjithnjë e më shumë më e izoluar dhe edhe pse janë të izoluar, presidenti Aleksandar Vuçiq ende i ka sytë kah Putini dhe ai është jashtëzakonisht i lidhur, ata janë vëllazëri sllave me Moskën dhe me Putinin”, thekson Fischer.

Ai shton se Perëndimi po i jep shumë mundësi Vuçiqit, por se ai po graviton me Putinin.

“Perëndimi po i jep presidentit Vuçiq shumë mundësi. Ata (Serbia) janë një partner për ‘Paqe për Kombet’, ata kanë filluar hapjen e kapitujve të tyre për në Bashkimin Evropian, por, ai thjesht nuk duket se graviton vërtet drejt Perëndimit dhe ajo marrëdhënie që ai ka me Putinin duket të ketë qenë e palakueshme, deri para pak muajsh”, shton ai.

Koloneli amerikan pohon se strategjia kryesore e Putinit është shpërbërja e NATO-s.

“Strategjia numër një e Vladimir Putinit për një kohë shumë të gjatë ishte shpërbërja e NATO-s, atij nuk i pëlqente aleanca që shikonte Rusinë nga lindja, ai e urrente atë. Kur shikonte Perëndimin dhe pa këtë front të unifikuar të kombeve demokratike, të rreshtuar të gjithë së bashku, nuk i pëlqeu, kështu që do të ndërmerrte mijëra veprime për ta copëtuar NATO-n, ai nuk donte që ajo të rritej, ai nuk donte që ajo të shkelte tokën e tij”, pohon koloneli amerikan.

Intervista e plotë

The Geopost: Një vit pas pushtimit rus në Ukrainë, si e shihni situatën e sigurisë në Evropë dhe Ballkan?

Jam i njohur ngushtë me atë që po ndodh në Ukrainë dhe Rusi dhe sigurisht, kam qenë i stacionuar si atashe i lartë ushtarak i caktuar në Prishtinë dhe Kosovë për dy vjet, pra, gjithashtu mjaft i njohur me Ballkanin.

Por për pyetjen tuaj, unë mendoj se nëse reflektojmë për vitin e kaluar, gjëja e parë që është shumë tragjike është se ka pasur një humbje masive jetësh, po flasim për qindra mijëra ushtarë nga të dyja palët, ne e marrim këtë nga të dyja palët dhe kjo është katastrofike, sepse kjo nuk duhej të ndodhte.

Ekziston një person në këtë botë që mori vendimin për ta bërë këtë të ndodhë dhe ai është Vladimir Putin, presidenti i Rusisë. Pra, është e rëndësishme që sot të diskutohet për propagandën dhe dezinformimin, sepse ai është mbreti i saj nëse dëshironi. Unë mendoj se Vladimir Putin sot është pak i zhgënjyer, mendoj se ai me të vërtetë besonte se ky do të ishte një ekskursion tre deri në gjashtë muaj në Kyiv, ai do t’i presë kokën vendit, ai do t’i shkëputte kryeqytetin nga pjesa tjetër, ai do të gjente Vlodymir Zelenskyn, do ta fuste në burg dhe përfundimisht Ukraina do të konsumohej në Rusi.

Është e qartë se kjo nuk ndodhi dhe ai duhej të tërhiqej nga veriu, të kthehej në Bjellorusi dhe tani luftimet janë të rënda në frontin lindor në Ukrainë. Ai ka humbur shumë jetë, ka humbur shumë tanke, ka humbur shumë burime dhe asete, kështu që mendoj se është mjaft i mërzitur.

Nëse jeni nga pala ukrainase dhe perëndimore, mendoj se jeni të befasuar dhe optimist, ka shumë pak njerëz që një vit më parë mendonin me të vërtetë se Ukraina kishte një shans në këtë luftë dhe tani i shohin ata duke i bërë ballë asaj që perceptohej të ishte ushtria e dytë më e madhe ose e dyta më e fuqishme në botë, kjo është mjaft mbresëlënëse. Kjo flet shumë për sasinë e operacioneve të informacionit dhe dezinformimit dhe propagandës që Rusia përhapi për aftësitë e saj ushtarake.

Me të vërtetë shumë prej tyre ishin të fryra ose të ekzagjeruara ose nëse jo gënjeshtra të plota. Pra, ne po flasim për dezinformata të ndryshme thjesht në aspektin se çfarë mendohej se ishin aftësitë e tij ushtarake dhe çfarë u panë në të vërtetë.

The Geopost: Si i komentoni lidhjet e ngushta mes Serbisë dhe Rusisë?

Për mua është shumë interesante, unë sapo shkrova thrillerin tim të dytë fiksional të quajtur “Represalja Ballkanike”, i cili është 100 për qind për këtë çështje, fërkimet dhe tensionet mes Serbisë dhe Kosovës dhe oligarkëve, të pasurve, Vladimir Putinit të fuqishëm, ata janë të gjithë në libër.

Gjëja interesante është se, ish-ambasadori im në Kosovë, Greg Delawie argumenton se kjo është aq afër realitetit sa nuk mund të bëhet më. Pra, mendoj se kam aftësi të flas për këtë çështje dhe ajo që më shqetëson gjithmonë është se Serbia gjatë 7 vjetëve të fundit është bërë gjithnjë e më shumë më e izoluar dhe edhe pse janë të izoluar, presidenti Aleksandar Vuçiq ende i ka sytë kah Putini dhe ai është jashtëzakonisht i lidhur, ata janë vëllazëri sllave me Moskën dhe me Putinin.

Në këtë pikë, Serbia është një ishull në një oqean të NATO-s, ata janë plotësisht të rrethuar nga vendet e NATO-s, po të isha unë, do të shikoja shumë më shumë nga Perëndimi se sa nga lindja, mendoj se Perëndimi po i jep presidentit Vuçiq shumë mundësi. Ata (Serbia) janë një partner për “Paqe për Kombet”, ata kanë filluar hapjen e kapitujve të tyre për në Bashkimin Evropian, por, ai thjesht nuk duket se graviton vërtet drejt Perëndimit dhe ajo marrëdhënie që ai ka me Putinin duket të jetë e palakueshme, deri para pak muajsh.

Ata kanë filluar të shohin shenja se marrëdhënia e Vuçiqit dhe Putinit po thyhet, Vuçiq është në një situatë vërtet të vështirë nga perspektiva e tij strategjike dhe unë do të shpjegoj për këtë. Ai nuk e mbështet dhe e ka thënë shumë herë, nuk e mbështet Rusinë që shkel kufijtë e Ukrainës dhe sigurisht duhet ta thotë këtë, sepse nëse ai thotë se e mbështet pushtimin dhe se integriteti i kufijve të shteteve nuk është i sigurtë dhe i vendosur, atëherë ekziston një argument që Kosova duhet të ketë pavarësinë e saj, kështu që ai nuk mund t’i ketë të dyja.

Ai ose mund të mbështesë se dëshiron një Serbi e plotë dhe nuk dëshiron që Kosova të ekzistojë ose mund të mbështesë Putinin dhe të thotë se ai duhet ta ketë Serbinë, por ju nuk mund t’i keni të dyja. Pra, ai ka filluar të ketë sfida me Moskën dhe me Kremlinin dhe ndoshta kjo është një gjë e mirë.

The Geopost: Si e shihni situatën në veri të Kosovës dhe cilat janë sfidat e sigurisë së vendit në të ardhmen?

Veriu i Kosovës është tragjik, kur isha atje nga viti 2016 deri 2018, kjo ishte periudha kohore kur u vra Oliver Ivanoviq, ai u qëllua në mes të ditës, u vra me armë dore jashtë zyrës së tij dhe në atë kohë askush nuk e pa atë, të gjitha kamerat e sigurisë dhe CCTV-të ishin fikur ose nuk punonin dhe kjo është thjesht tragjike, sepse ajo që Ivanoviq me të vërtetë donte të bënte, ishte të punonte me Kosovën dhe të gjente një rrugë përpara dhe kjo nuk i shkonte për shtati dikujt në Beograd apo kushdo që e vrau, ngado të jetë.

Unë mendoj se pasionet ndaj etnive janë jashtëzakonisht të forta në rajon dhe është e kuptueshme, nuk e hedh poshtë këtë, unë e shikoj situatën nga një këndvështrim tjetër, unë jam një amerikan, unë jam një gjermano-amerikan, por kam gjak gjerman, gjak britanik, gjak francez në mua, kam shumë etni të ndryshme brenda meje, por unë jam një amerikan dhe ky është flamuri nën të cilin qëndroj.

Ju nuk keni të njëjtën ndjenjë në Kosovë dhe mendoj që Kosova të ekzistojë vërtet si një komb multietnik, kjo është një gjë e mirë. Unë do të them se kur isha atje, përpjekja ime kryesore në strategjinë për të ndihmuar Kosovën ishte që ta bëj Kosovën që ta çojë FSK-në drejt një ushtrie të vërtetë.

Unë do t’ju them se përderisa keni ende FSK-në keni një Ministri të Mbrojtjes dhe ishin përpjekjet që unë i bëra së bashku me liderët tuaj të lartë në nivel strategjik që Kosova të ketë ushtri dhe çfarë dua të them me këtë, strategjia jonë ishte që të mbifryj FSK-në me serb të Kosovës, me fjalë të tjera, për të pasur në fakt një përqindje të serbëve të Kosovës në FSK edhe më të madhe se përqindja që ekzistonte në popullatë sepse ishte shumë e vështirë për Beogradin të argumentonte se FSK-ja nuk ishte asgjë më shumë se UÇK në një tjetër uniformë nëse kishte një numër të madh të serbëve në FSK.

Pra, këtu keni një shembull të përsosur ku multietniciteti në FSK u njoh nga kombet evropiane si Gjermania dhe Anglia dhe gjithashtu Shtetet e Bashkuara dhe pastaj ata thonë, mirë, kjo nuk është vërtet UÇK-ja, FSK-ja është vërtet multi-etnitet dhe besojmë se tani ndoshta nuk është koha e duhur, por nuk do të stopojmë, nuk do të pengojmë, kështu që Kosova kaloi nga Ministria e FSK-së në Ministrinë e Mbrojtjes dhe kjo ishte një ditë e mrekullueshme dhe unë jam shumë krenar për Kosovën për këtë, por për këtë u deshën përpjekje në një marrëdhënie multietnike për të avancuar.

The Geopost: Rusia po përpiqet gjithmonë të ndërhyjë në shtetet e Ballkanit që janë edhe shtete anëtare të NATO-s, shembullin e kemi me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi që po përgatiten për zgjedhje parlamentare në javën e ardhshme, përkatësisht muajin e ardhshëm, cili është komenti dhe mesazhi juaj?

Komentet e mia për miqtë e mi në Ballkan janë të jeni të vendosur dhe t’i qëndroni besnik kombit tuaj, besoni në sundimin e ligjit dhe besoni në demokraci, besoni në lirinë e demokracisë.

Gjëja e bukur e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kroacisë, Shqipërisë është se të gjithë këta njerëz kanë shijuar demokracinë, kanë shijuar lirinë dhe shijon mirë, më pëlqen.
E zemëron Putinin që këto kombe mund të jenë të lira, se mund të kenë zgjedhje demokratike dhe ai urren, në thelb, konceptet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe demokratike, ndaj u them të qëndrojnë besnikë.

Keni 100 për qind të drejtë, ata u përpoqën të ndërhynin në Mal të Zi, me kryengritje të mundshme në Maqedoninë e Veriut.

Strategjia numër një e Vladimir Putin për një kohë shumë të gjatë ishte shpërbërja e NATO-s, atij nuk i pëlqente aleanca që shikonte Rusinë nga lindja, ai e urrente atë. Kur shikonte Perëndimin dhe pa këtë front të unifikuar të kombeve demokratike, të rreshtuar të gjithë së bashku, nuk i pëlqeu, kështu që do të ndërmerrte mijëra veprime për ta copëtuar NATO-n, ai nuk donte që ajo të rritej, ai nuk donte që ajo të shkelte tokën e tij.

Unë mendoj se është e rëndësishme të theksoj, po, NATO ka përparuar, por këto kombe dolën vullnetarisht dhe thanë se duan të anëtarësohen, NATO nuk po shkon te ata dhe nuk do t’i rëndojë, nuk do t’i mbizotërojë dhe nuk do t’u përdredhë krahun dhe do t’u thotë se duhet të bëheni pjesë e aleancës sonë.

Aleanca është një gjë aq e mirë sa kombet e thonë vullnetarisht “do të doja të bashkohem me klubin tuaj” dhe kjo është një gjë e mirë, por aty ku Vladimir Putin bëri një nga gabimet e tij më strategjike ishte sulmi në Ukrainë, sepse nëse qëllimi i tij i vërtetë strategjik ishte shpërbërja e NATO-s, ai veprim vetëm sa e forcoi NATO-n që të ishte më e fortë se sa ka qenë në tre dekadat e fundit, NATO është e bashkuar në një front të përbashkët, të gjithë liderët e NATO-s po marshojnë në të njëjtën ritëm, ata po shkelin me të njëjtën këmbë dhe po lëvizin në të njëjtin drejtim, kështu që përpjekja e tij për të shkatërruar NATO-n ka dështuar në mënyrë katastrofike në dy vitet e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat