Nga AAK flasin për zhvillimet e fundit: Ja pse e mbështesim planin franko-gjerman!

Intervista

Nga AAK flasin për zhvillimet e fundit: Ja pse e mbështesim planin franko-gjerman!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 mars 2023 Në ora: 18:30
Muharrem Nitaj

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj. 

Nitaj u shpreh që situata politike në vend është e komplikuar, ndërsa ka kritikuar qeverisjen Kurti.  

I pyetur për planin franko-gjerman, Nitaj u shpreh se është më i duhuri duke marrë parasysh gabimet që janë bërë gjatë këtij procesi. 

Ndër të tjera sekretari i AAK-së, thotë që Qeveria Kurti duhet të përmirësohet në shumë fusha, në mënyrë që qytetarët të mos jenë ata që dëmtohen. 

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend? 

Muharrem NitajE shoh të komplikuar situatën politike në vend. Më të komplikuarën që prej shpalljes së pavarësisë. Ajo është rënduar së tepërmi, edhe për shkak të ngurtësisë apo ndoshta edhe ideologjisë së Kryeministrit në përballjen me sfidat që ka pasur vendi në këto 2 vjet. Është menaxhuar keq situata në veri dhe ajo ka prodhuar pasoja, edhe në funksionimin e brendshëm të shtetit, por edhe në planin ndërkombëtar. Partnerët tradicionalë ndërkombëtarë, për të parën herë kanë filluar të na shohin me sy të keq dhe gjithnjë e më shpesh të na e "tregojnë shkopin"!

“Bota sot”: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdon ende. Si i keni parë ju këto bisedime?

Nitaj: Nuk është se ka pasur kush e di çfarë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ka pasur takime, por dialogu, nëse mund të quhet i tillë, është bërë, kryesisht, midis ndërmjetësve dhe Serbisë e për Kosovën, ndërsa Kosvës në këtë proces, më tepër se sa dialog, i është kërkuar miratimi.

“Bota sot”: Është ofruar plani franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë. A mendoni që i plotëson të gjitha kriteret që të pranohet një propozim i tillë?

Nitaj: 
Jo, nuk i plotëson të gjitha pritjet që kemi pasur. Por ajo që duhet kuptuar është se ky propozim, është më i miri i mundshëm, duke pas parasysh gjithë gabimet që i kemi bërë gjatë këtij procesi.

“Bota sot”: Ju si AAK keni mbështetur çdo propozim ku janë të pajtimit edhe ndërkombëtarët. A do të thotë kjo që si opozitë jeni duke bërë diferencen për të mirën  e vendit? 

Nitaj: Jo nuk e kemi mbështetur çdo propozim që ka ardhur nga ndërkombëtarët. Ju kujtoj “taksën qindpërqind ndaj Serbisë”, të cilën nuk e hoqëm asnjëherë, megjithë presionin bukur të madh! Kemi pasur insistim që të mos nguteshim as me krijimin e ushtrisë, por është bërë. Ka pasur edhe raste të tjera, por që natyrisht, janë të pakrahasueshme me peshën që ka propozim-domumenti evropian, i cili pa asnjë dyshim përmban njohjen faktike të shtetit të Kosovës. Kjo nuk ka fare të bëjë, nësë duam ta  bëjmë diferencën me të tjerë e për të mirën e vendit. Kjo është shumë më serioze se sa kaq. 

Ne, pas shumë analizash, bisedash, takimesh, informatash dhe garancish, jemi bindur se plani evropian, që e ka edhe vulën e ShBA, është interes i Kosovës dhe popullit të saj. Prandaj ai është i pakundërshtueshëm dhe prandaj e kemi mbështetur pa asnje ekuivok.

Mos harroni se ka pasur një përpjekje të normalizimit të marëdhënieve me Serbinë edhe para luftës, dhe kanë ekzistuar disa propozime amerikane, të cilat i ka pasë pranuar presidenti Rugova, por që i ka pas refuzuar Millosheviqi. Dhe  çdo propozim i radhës, ka pasë qenë më i keq për palën refuzuese, kështu e deri në bombardimin e Serbisë! 

Unë nuk dua të bëj krahasime se tash është tjetër kohë, por është e sigurtë se refuzimi i këtij plani, do të ishte katastrofik për të ardhmën e Kosovës. Gjërat kanë ndryshuar dhe unë nuk besoj që do të ketë rast më të mirë se ky e as ditë më të mira për përmbylljen e kësaj marëveshjeje!

Presidenti Ibrahim Rugova ka pasë thënë se "shpija mbahet me miq"! Dhe ne nuk mund ta mbajmë Kosovën pa miq.

“Bota sot”: Ju se fundmi jeni zgjedhur sekretar i përgjithshëm i AAK-së. Cilat janë disa nga parimet që keni në këtë rrugëtim?

Nitaj: 
Që të ndikojë për aq sa mundem që Aleanca të jetë sa më e hapur, horizontalisht sa më e shtrirë, e koordinuar me degë e  forume që i ka e ku njëra prej vlerave kryesore të saj të jetë demokracia e brendshme. Natyrisht të gjtha këto, për ta patur të fokusuar veprimin politik në realizimin e interesave kombëtare e shtetërore. Që të bëjmë opozitë të mirë që nuk lidhet me përfitimet e ditës dhe të ngritemi në nivelin e kërkesave të qytetarëve për të fituar besimin e tyre për përgjegjësi të reja. 

“Bota sot”: Lufta në Ukrainë po vazhdon ende, a mendoni që Serbia mund të ndikohet nga Rusia për ndonjë veprim të radhes në veri të vendit?

Nitaj:
 Serbia në shpirt është me Rusinë, por në mendje është shumë më e kthjellët se sa që kujtojmë ne. Ajo po afrohet gjithnjë e më shumë me Perëndimin por veç ne nuk po e shohim këtë. Ose nuk po na pëlqen ta shohim. 

Nëse ne jemi të padijshëm e bëjmë gabime, siç kemi bërë gjithë këto kohë, PO, ajo edhe mund ta shfrytëzojë rastin për ta tensionuar situatën në veri. Prandaj është jetike për Kosovën që ta përmbyll marrëveshjen me Serbinë. Sot është koha! Çdo ditë e shtyrë është më e pafavorshme për ne.

“Bota sot”: Në fund, cilat janë disa nga paknaqësitë që keni ndaj Qeverisë Kurti. Sipas jush ku duhet të përmisohet? 

Nitaj: Janë shumë. Dështime në ekonomi, në investime kapitale, në paga, në tatime, në politika sociale, në punësime, kapje të bordeve, pafuqi në zbutjen e krizës nga çmimet, dështime në siguri, FSK, AKI... 

Ai do të duhej të përmirësohej në çdo segment të qeverisjes! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat