Eurodeputeti Mandl: Asociacioni, si Tiroli Jugor – pa organ legjislativ

Intervista

Eurodeputeti Mandl: Asociacioni, si Tiroli Jugor – pa organ legjislativ

Më: 29 mars 2023 Në ora: 17:11
Anëtari i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl

Anëtari i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, ka treguar prishtshmëritë e tij se çfarë pret pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, nëse ajo ndodh.

Ai, në një intervistë ekskluzive për klankosova, ka deklaruar se beson që pala kosovare do ta zbatojë planin evropian për dialogun që është propozuar së fundi. Sipas tij, nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe përshkruhet si vetëmenaxhim, duhet të merret për shembull një strukturë e ngjashme me Tirolin e Jugut.

Mandl ka folur edhe për mosnënshkrimin e aneksit të planit për zbatim të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për eurodeputeti theksoi se “Do të jetë një lehtësim për popullin serb kur liderët e tij vendosin të sillen me përgjegjësi dhe të nënshkruajnë”.

Pozitën dhe opozitën në Kosovë i ka këshilluar që të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën në punën që duhet bërë për Marrëveshjen e Ohrit.

Pos dialogut, eurodeputeti tha se për kosovarët është i vonuar liberalizimi i vizave, duke shtuar se nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të jetë në fuqi udhëtimi pa viza.

Intervista e plotë me Lukas Mandl:

Çka prisni pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër?

Mandl: Mund të jetë një hap përpara. Por nuk është ende njohja, madje as njohja de-facto.

A do të arrijnë palët që ta zbatojnë së shpejti këtë marrëveshje?

Mandl: Kam besim të plotë tek zyrtarët e Kosovës që ta zbatojnë pjesën e Kosovës. Me Serbinë do të shohim. Me kalimin e viteve shumë gjëra janë premtuar por nuk janë realizuar ende.

 Si e komentoni çështjen e Asociacionit që u përshkrua si vetëmenaxhim i komunitetit serb?

Mandl: Rezultati duhet të jetë një strukturë e ngjashme me Tirolin Jugor. Sigurisht që komunat veriore të Kosovës nuk do të kenë një organ legjislativ të izoluar. Kjo do të shkaktonte rrëmujë. Por një vetëmenaxhim do të ishte në rregull; si në Tirolin Jugor. Duhet të mendojmë për njerëzit e rregullt që meritojnë një jetë të denjë.

Çka mendoni se do të sjellë takimi i radhës në mes të kryenegociatorëve?

Mandl: Shpresojmë se ata do të bindin udhëheqësit e tyre që të nënshkruajnë dhe zbatojnë pa vonesë të mëtejshme.

Qeveria në Kosovë nuk mori mbështetje nga opozita për këtë marrëveshje, si e komentoni këtë?

Mandl: Pjesë të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare e kanë vlerësuar lartë stabilitetin e politikës së Kosovës tash e disa vite. Kjo është më e rëndësishme se disa tensione të vogla në politikën e brendshme. Prandaj rekomandoj që qeveria të bashkëpunojë ngushtë me parlamentin në tërësinë e tij, domethënë edhe me opozitën; dhe që opozita ta respektojë rolin e qeverisë për të përfaqësuar dhe kontrolluar.

Serbia nuk deshi ta firmos marrëveshjen, ndërsa Kosova po. Çfarë duhet të veprohet në këtë drejtim?

Mandl: Udhëheqja serbe ka vendosur të demonstrojë një qasje me gjysmë zemre duke mos nënshkruar dhe ka lënë një derë të fshehtë për të lënë sërish logjikën e lirisë dhe paqes, të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Do të jetë një lehtësim për popullin serb kur liderët e tij vendosin të sillen me përgjegjësi dhe të nënshkruajnë.

Liberalizimi i vizave për kosovarët duket të jetë afër. Çka e dënoi Kosovën që të mos i hiqen vizat?

Mandl: Siç e dinë të gjithë, një pakicë e shteteve anëtare, qeveritë hezitonin të vendosnin për të për shumë vite. Që nga 1 janari do të jetë në fuqi udhëtimi pa viza dhe do të jetë shumë i vonuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat