Ekskluzive/ Serwer: Serbia e ka njohur de fakto Kosovën, ja kur do të vjen njohja de-jure dhe çka do të ndodhë me Asociacionin

Intervista

Ekskluzive/ Serwer: Serbia e ka njohur de fakto Kosovën, ja kur do të vjen njohja de-jure dhe çka do të ndodhë me Asociacionin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 mars 2023 Në ora: 10:01
Daniel Serwer

Serbia tashmë de fakto e ka njohur Kosovën, por jo de jure. Kështu është shprehur eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer. Duke folur në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Serwer ka parashikuar që Serbia do ta kalojë pengesën për njohjen e Kosovës, pas largimit nga pushteti të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, profesori e ka cilësuar si të dobët dhe pa përmbajtje marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 marsit në Ohër.

Duke komentuar refuzimin e Vuçiqit për nënshkrimin e marrëveshjes për shkak të “vijave të kuqe”, Serwer parashikon që ndaj Serbisë nuk do të ketë sanksione nga ndërkombëtarët.

Ndërkaq, lidhur me pikën më të nxehtë të planit franko-gjerman (Asociacionin e Komunave me shumicë serbe), eksperti nuk sheh asnjë mundësi për një “asociacion” me pushtet ekzekutiv.

Ai ka pyetur Serbinë, nëse mund të ofrojë marrëveshje reciproke për komunitetet shqiptare në Serbinë jugore.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Serwer, si e keni parë arritjen e dakordimit për planin zbatues, të asaj që quhet Marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në takimin e Ohrit?

Daniel Serwer: Marrëveshja e 18 marsit është pa përmbajtje dhe fokusohet në procedurë, pa vendosur megjithatë afate. Është një marrëveshje e dobët, nëse është fare marrëveshje.

“Bota sot”: Palët u pajtuan për një prej pikave më të rëndësishme – nisjen e menjëhershme të krijimit të një mekanizmi të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Si do të realizohet ky mekanizëm, përderisa Serbia dëshiron Asociacion me kompetenca ekzekutive, ndërsa për Kosovën kjo përbën shkelje kushtetuese?

Daniel Serwer: Marrëveshja parashikon nisjen e menjëhershme të negociatave për mekanizmin e vetë-menaxhimit. Nuk shoh asnjë mundësi për një “asociacion” me pushtetet ekzekutive. Komunat e Kosovës tashmë kanë një pjesë të mirë të autoritetit vetë-menaxhues. Do të isha i interesuar të dija se çfarë kërkon më shumë Serbia, me kusht që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe nëse Beogradi është i përgatitur të ofrojë marrëveshje reciproke për komunitetet shqiptare në Serbinë jugore.

“Bota sot”: Si e keni parë kundërshtimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për ta nënshkruar në letër “marrëveshjen” e Ohrit, a mendoni se kjo do të jetë një marrëveshje e qëndrueshme dhe e zbatueshme për të dyja palët?

Daniel Serwer: Jo. Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes së shkurtit, që janë kryesore.

“Bota sot”: Si mendoni se do të ndikojë në proceset integruese dhe në liberalizimin e vizave për Kosovën, nëse kjo e fundit nuk e zbaton pikën që lidhet me vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë?

Daniel Serwer: Kjo varet nga BE-ja, e cila nuk është treguar bujare me Kosovën.

“Bota sot”: Ndonëse diplomatët evropianë konfirmuan se palët janë të detyruara që të zbatojnë plotësisht çdo nen të Marrëveshjes, Vuçiq paralajmëroi se nuk do ta zbatojë pjesën e marrëveshjes lidhur me anëtarësimin e Kosovës në OKB. A besoni se do të ketë sanksione ndaj Serbisë për “vijat e kuqe”, apo do të vazhdojë “përkëdhelja” nga BE-ja?

Daniel Serwer: Jo. Zbutja do të vazhdojë. Duket se nuk ka kufi.

“Bota sot”: Si e shihni kërkesën për zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë nga neni 7 i planit evropian? A mendoni se kjo paraqet rrezik për Kosovën?

Daniel Serwer: Jo. Mendoj se statusi i kishës është një çështje e rëndësishme që duhet zgjidhur, duke përfshirë pronën e manastirit në Deçan.

“Bota sot”: Megjithëse nuk e përfshin njohjen reciproke, plani franko-gjerman, u përshkrua si shumë i dobishëm për të dyja palët, në veçanti për Kosovën. Sipas mendimit tuaj, a pritet që ky plan të çojë në njohje reciproke dhe kur?

Daniel Serwer: Mendimi im është se Serbia tashmë de fakto e ka njohur Kosovën, por jo de jure. Nuk mund të parashikoj se kur do ta kalojë atë pengesë. Me shumë mundësi vetëm pasi Vuçiq të jetë larguar.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjithë rolin e kryeministrit Albin Kurti, në këtë marrëveshje, çfarë duhet të (mos) kishte bërë Kurti që nuk e ka bërë, sipas jush?

Daniel Serwer: Unë nuk do t'ia bëj profesorin kryeministrit, por mendoj se po vjen koha kur një propozim për "vetëmenaxhimin" është në rregull. Kurti thotë se nuk do të jetë territoriale apo monoetnike. Unë jam i interesuar të mësoj atë që ai ka në mendje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat