Anton Quni flet për situatën në veri: Në bashkëpunim të mirë me aleatët, mund t’i kundërpërgjigjemi përpjekjeve që e rrezikojnë Kosovën dhe qytetarët e saj

Intervista

Anton Quni flet për situatën në veri: Në bashkëpunim të mirë me aleatët, mund t’i kundërpërgjigjemi përpjekjeve që e rrezikojnë Kosovën dhe qytetarët e saj

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 maj 2023 Në ora: 17:00
Anton Quni

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur mbi zhvillimet e fundit në vendin tonë.

Ai konsideron se situata në veri nuk është e qëndrueshme, duke theksuar se prezenca e shtuar e organizatave dhe institucioneve përgjegjëse për sundimin e rendit dhe ligjit mund të shihet si zgjidhje dhe menaxhim i përkohshëm i situatës së tensionuar.

Tutje, ai përmend ruajtjen dhe forcimin e raporteve me partnerët, që janë ndër shtyllat kryesore më të fuqishme të Qeverisë në të drejtën e saj.

Sa i përket kërcënimit serb, ai thotë se nuk besoj në ndërhyrje konvencionale ushtarake nga territori i Serbisë sepse ndryshe do të merrte një përgjigje të fortë nga autoritetet e NATO-s.

Kurse, për një marrëveshje finale Qunin thotë se vetëm njohja reciproke është garantuese e qëndrueshme për ndërtimin e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale në Kosovë dhe me çfarë hapash po ec Kosova në dialog me Serbinë dhe si e shihni qasjen e kryeministrit Kurti në këtë dialog?

Anton Quni: Vet fakti se në Veri të Kosovës, nga një pjesë e komunitetit serb po sfidohen përpjekjet institucionale të Kosovës për të qenë funksionale edhe në atë pjesë të territorit, është tregues se situata e sigurisë nuk është e qëndrueshme, duke i hapur kështu rrugë eskalimit të mundshëm në drejtime dhe forma të ndryshme. Prezenca e shtuar e organizatave dhe institucioneve përgjegjëse për sundimin e rendit dhe ligjit mund të shihet si zgjidhje dhe menaxhim i përkohshëm i situatës së tensionuar, por stabiliteti i qëndrueshëm dhe afatgjatë do të arrihet vetëm me vullnetin e mirë të të gjitha palëve për t’i ulur tensionet, si dhe me implementimin e marrëveshjeve të cilat do të garantohen edhe nga komuniteti ndërkombëtarë, gjithnjë duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Kryeministri Kurti shkarkoi ekipin menaxhues të vendosur nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, si e komentoni këtë?

Quni: Shkarkimi i ekipit nga ana kryeministrit Kurti ishte i vonshëm, sepse ata arritën që para autoriteteve ndërkombëtare të prezantojnë aspiratat e tyre antikushtetuese. Nga z. Kurti ende nuk patëm ndonjë shpjegim të arsyeshëm se si ishte e mundur që ky ekip nuk ishte paraprakisht llogaridhënës ndaj autoritetit të tij.

“Bota sot”: Po presionin ndërkombëtar që po i bëhet Kosovës rreth themelimit të Asociacionit, derisa Serbia nuk po zbaton asnjë marrëveshje, si e komentoni?

Anton Quni: Respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, ruajtja dhe forcimi i raporteve me partnerët strategjik, sinqeriteti dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve do të duhej të jenë shtyllat më të fuqishme të Qeverisë në të drejtën e saj.

lloj insistimi nga faktori ndërkombëtar është si rezultat i josinqeritetit të akterëve të dialogut për të marrë përsipër obligimet nga marrëveshjet e arritura.

“Bota sot”: Serbia thuajse përditë kërcënon Kosovën me luftë, si e shihni gjendjen e sigurisë, sa janë të organizuara institucionet e Kosovës në rast të ndonjë destabilizimi?

Quni: Unë nuk besoj në çfarëdo lloji të ndërhyrjes konvencionale ushtarake nga territori i Serbisë në atë të Kosovës. Një aventurë e tillë do të merrte një përgjigje të fortë nga autoritetet e NATO-s. Por nuk përjashtohen interferimet e Serbisë në format e luftës speciale, asimetrike, hibride, etj. Sidoqoftë, në bashkëpunim të mirë me aleatët tanë ne mundemi me i menaxhu dhe me iu kundërpërgjigj përpjekjeve të ndryshme që e rrezikojnë Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Bota sot”: Sipas jush a mund të kemi ndonjëherë marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe kur mund të ndodh kjo?

Quni: Vetëm njohja reciproke është garantuese e qëndrueshme për ndërtimin e paqes dhe fqinjësisë së mirë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, është më se e arsyeshme që veprimet të bashkoordinohen me ShBA-të, NATO-n dhe BE-në.

“Bota sot”: A jeni të kënaqur ju vet me opozitarimin në Kuvend?

Quni: Sado që ne ngrisim çështje të ndryshme dhe i adresojmë ato, gjithnjë mbetet hapësirë për të bërë edhe më shumë. Por, së paku ne si LDK në opozitë po tregojmë kulturë komunikimi, ofrojmë zgjidhje për çështje të caktuara dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim në të gjitha fushat.

“Bota sot”: Kohën e fundit jeni duke marrë pjesë si parti në tubime në diasporë, a mendoni se është rritur përkrahja ndaj LDK-së?

Anton Quni: Është fakt se në mërgatë, në veçanti në Zvicër, Gjermani, Beneluks dhe shtetet skandinave, janë fuqizuar strukturat e LDK-së me një perspektivë më të mirë. Kthimi i bashkatdhetarëve në shtëpinë e tyre politike – LDK po vazhdon me një dinamikë të jashtëzakonshme. Fokusi ynë është që të dëgjojmë zërin e qytetarëve dhe të jemi afër tyre kudo që ata jetojnë dhe veprojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat