Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka folur për situatën aktuale në vend dhe çështjet që po e karakterizojnë atë.
Sa i përket formimit të qeverisë, Quni theksoi se partia fituese duhet, pa vonesa, të formojë institucionet. Ai vlerëson se një nga prioritetet kryesore të qeverisë duhet të jetë rregullimi i marrëdhënieve me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.
Lidhur me diskutimet brenda partisë së tij, Quni nuk i konsideron ato si përplasje, por si një ushtrim të demokracisë së brendshme. Ai shton se e drejta për të diskutuar dhe për të vlerësuar çdo çështje duhet të ushtrohet brenda strukturave partiake.
Sa i përket reformave në LDK, Quni deklaron se ato tashmë janë realizuar, duke theksuar se partia është rikthyer dhe ka rifituar besimin e qytetarëve.
Ndërkaq, për një koalicion të mundshëm mes LDK-së dhe LVV-së, Quni vëren se fyerjet e LVV-së ndaj LDK-së kanë krijuar një hendek të thellë. Megjithatë, ai shpreh shpresën që në të ardhmen të ndërtohen marrëdhënie korrekte ndërpartiake, të cilat janë të domosdoshme për ndërtimin e një bashkëpunimi të mundshëm.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në Kosovë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit?
Anton Quni: Pas certifikimit të rezultateve, për t'u siguruar vazhdimësia e funksionimit të institucioneve, të cilat do të duhej të siguronin stabilitetin politiko-ekonomik, partia fituese duhet pa asnjë vonesë të provojë që t’i krijoi institucionet e reja. Ndërkaq, prioritetet e qeverisë së re do të duhej të jenë, si: përmirësimi i raporteve me ShBA, NATO dhe BE, duke dalur kështu fillimisht nga izolimi, si dhe duke i hapur rrugë pastaj edhe angazhimit të menjëhershëm për stabilitetit dhe zhvillim ekonomik.
“Bota sot”: Si i patë ‘përplasjet’ mes anëtarëve brenda partisë tuaj? Çka ndodhi?
Anton Quni: Çdo shprehje mendimi dhe vlerësimi nuk e konsideroj domosdoshmërisht përplasje, por si ushtrim të demokracisë se brendshme, e cila meriton mirëkuptim të drejtë dhe qëllim të mirë vetëm kur ndodh brenda shtëpisë.
Pra, preferoj që e drejta për të diskutuar dhe vlerësuar për çfarëdo çështje do të duhej që të konsumohet brenda organeve të partisë - brenda shtëpisë sonë politike. Çdo formë tjetër e ngritjes së çështjeve jashtë strukturës së partisë mundet me e dëmtu shtëpinë tonë politike. LDK është shtëpia e parë dhe më e madhe e demokracisë në Kosovë, ndaj duhet ta ruajmë shtëpinë tonë - të debatojmë e të diskutojmë brenda saj dhe për të mirën e saj.
“Bota sot”: A mendoni se duhet të ketë ndryshime brenda LDK-së?
Anton Quni: Ndryshimet në LDK kanë ndodhur, dhe si pasojë e tyre ka ndodhur edhe rikthimi i LDK-së. Në zgjedhjet e fundit nacionale, shtëpia jonë politike është rritur për 71 mijë vota; jemi partia me rritjen më të madhe në vend. Ndërsa, kryetari jonë, Lumir Abdixhiku e ka marrë besimin e 85% të të gjithë votuesve tanë; një besim shembullor ndaj tij. Prandaj, jam i bindur se LDK-ja me këtë lidership e ka rikthyer besimin tek qytetarët të cilët në vitin 2021 na ndëshkuan me votën e tyre. Kështu që, mbështetja për lidershipin aktual është vetë mbështetja dhe fuqizimi i mëtejmë i LDK-së.
“Bota sot”: Zoti Quni, a duhet të pranojë LDK të bëjë koalicion me LVV? Nëse po, a duhet të ketë LDK kritere, cili është mendimi juaj?
Anton Quni: Epitetet fyese të autoriteteve të VV-së ndaj LDK-së e kanë krijuar një hendek të madh. Të cilësohet LDK-ja e afërt me regjimin e okupatorit dhe të krahasohet me kafshë, përfundimisht e polarizon shoqërinë skajshmërish dhe e rrënon besimin për partneritet eventual për bashkëqeverisje. Uroj që në të ardhmen të ndërtohen raporte korrekte ndërpartiake, të cilat janë parakusht për ndërtimin e bashkëpunimit potencial.
“Bota sot”: Kurti ka thënë se regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë, si e komentoni këtë, si qëndron situata e sigurisë në Kosovë?
Anton Quni: Beogradi gjithnjë është i interesuar që Kosovën ta prezantoj si shtet jofunksional dhe projekt të dështuar të Perëndimit. Kosovën e dëshiron të izoluar dhe ekonomikisht të pazhvilluar. Përtej kësaj, si projekt i përbashkët serbo/rus, janë të interesuar të hapin vatra te reja të krizës brenda Kosovës. Këtë e dëshmon edhe akti i fundit terrorist në Banjskë.
Fuqizimi i institucioneve të sigurisë, bashkëpunimi me partnerët strategjik dhe politikat e integrimit të të gjitha komuniteteve janë mekanizmat më të sigurt për parandalimin e çfarëdo krize.
“Bota sot”: Zoti Quni, çfarë prisni nga dialogu Kosovë-Serbi këtë vit, pas ndryshimeve në BE dhe ardhjes së Kallas e Sorensen?
Anton Quni: Përkundër ndryshimeve në emërimin e zyrtarëve të rinj të BE-së që do të ndërmjetësojnë në dialogun Kosovë-Serbi, epilogu pozitiv mundet me u siguru dhe me u arritur më shpejtë vetëm me rolin aktiv dhe të drejtpërdrejtë të SHBA-së. Ndërsa, si hap përpara të domosdoshëm për të drejtën e shtetit tonë, së pari e shoh normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-të.