Publicisti dhe veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani, ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota Sot”, ku ka diskutuar për situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në këtë intervistë, Hasani ka theksuar sfidat me të cilat përballen komunitetet shqiptare në këto troje, përfshirë mungesën e përfaqësimit proporcional dhe diskriminimin në rritje. Ai ka folur gjithashtu për rolin që Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të kenë në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon.
Për më tepër, Hasani ka adresuar edhe çështjen e hapjes së konsulateve shqiptare, si dhe iniciativat për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi.

Intervista e plotë:
“Bota Sot”: Cilat janë sot problemet dhe sfidat kryesore, me të cilat përballen dhe ballafaqohen shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanocit, dhe gjithë Serbinë?,
Refik Hasani: Vazhdojmë të përballemi dhe ballafaqohemi ne shqiptarët, nuk ka ndryshim në të mirë, përkundrazi vërehet një përkeqësim i situatës, edhe pse në Bujanoc më 12 gusht, në Preshevë më 23 shtator 2024, dhe në Medvegjë më 3 nëntor 2024, u mbajtën 3 protesta radhazi, si formë e manifestuar, demonstrim dhe marshe paqësore, por asgjë nuk ndryshoi. Këto protesta paqësore, në mbështetje gjithë popullorë, prodhuan dhe dhanë një ALARM, dhe një MESAZH PAQEJE, ishte një mesazh ndaj Beogradit zyrtar, të ndalë diskriminimin, por edhe BE-ja, të vizitojë e të rrisë prezencën dhe monitorimin, duke garantuar të drejtat individuale dhe kolektive. Problemet, telashet, vazhdojnë se statusi politik i Krahinës shqiptare, të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, nuk është zgjidhur ende, përkundër vullnetit plebishitar të kësaj Krahine, Referendumit të datës 1 e 2 mars 1992, dhe kryengritjes së armatosur të UÇPMB-së, që mbrojti pragun dhe identitetin e kësaj Krahine, por edhe arritjes së Marrëveshjes së Konçulit. Kemi shtim të frikës, të pasigurisë, por Serbia i ka shtuar forcat e armatosura dhe shërbimet e inteligjencës, kështu aktualisht pas 23 viteve, janë 48 MINIBAZA në Zonën Tokësore të Sigurisë, kemi militarizim të lartë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
“Bota Sot”: Si e vlerësoni që në konkursin e fundit në Serbi, të gjeneratës që kohëve të fundit dhanë betimin solemn për Policinë, asnjë pjesëtar i vetëm nga komuniteti shqiptar nga Presheva, Medvegja, Bujanoci apo nga e gjithë Serbia, nuk është pranuar në Policinë Multietnike të Serbisë?
Refik Hasani: Mospranimi i asnjë pjesëtari nga komuniteti shqiptar nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, në Policinë Multietnike të Serbisë, flet më së miri për shkallën që ka arritur diskriminimi në përfaqësim në institucionet lokale dhe qendrore. Nëse vazhdon të mos pranohet asnjë shqiptar në Policinë Multietnike, atëherë për 5 deri në 10 vjet, asnjë polic shqiptar nuk do të mbetet në Serbi!?
Serbia, në zbatim të Marrëveshjes së Konçulit dhe në mbështetje të shumicës shqiptare, duhet që edhe komandanti i Stacionit të Policisë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc t’u takojë dhe të jetë nga pjesëtarët e komunitetit shumicë shqiptare.
“Bota sot”: A mendoni se institucionet shtetërore të Serbisë, mospërfaqësimin proporcional në nivelin lokal dhe qendror, si dhe vazhdimin e pastrimit etnik–diskriminimit përmes pasivizimit të adresave, i përdorin si pengesa me qëllim për mos-integrimin e shqiptarëve në jetën institucionale, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror?
Refik Hasani: Qëndron se veprimet e Serbisë – mos përfaqësimi proporcional në nivelin lokal dhe qendror – janë dhe shkojnë në vazhdim të pastrimit etnik dhe diskriminimit përmes pasivizimit të adresave. Këto kanë një qëllim, një mision dhe synojnë arritjen e një objektivi. Janë barriera që kanë dhe ushqejnë një qëllim të qartë: mos-integrimin e shqiptarëve në jetën institucionale në të dy nivelet, lokal dhe qendror.
“Bota sot”: Si e vlerësoni përfaqësimin e pakicës serbe në Parlamentin e Republikës së Kosovës – duke pasur parasysh se atyre u janë garantuar ulëse të rezervuara? A do të ishte një model i tillë i përshtatshëm edhe për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe në pjesë të tjera të Serbisë – pra, që shqiptarëve t’u garantohen ulëse të rezervuara në Parlamentin e Republikës së Serbisë?
Refik Hasani: Zgjidhja më e drejtë është që shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc dhe kudo në Serbi të jenë të përfaqësuar, duke u garantuar me 10 vende/ulëse të rezervuara në Parlamentin e Republikës së Serbisë. Na takon të përfaqësohemi me vende të rezervuara, sepse ne, shqiptarët në këtë krahinë, kemi mbajtur edhe Referendumin e datës 1 dhe 2 mars 1992, kemi organizuar luftën përmes Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB), e cila ishte një kryengritje e armatosur kundër pushtetit diskriminues të Serbisë dhe është arritur Marrëveshja e Konçulit, nën prezencën, monitorimin dhe garancitë e faktorit politik dhe ushtarak ndërkombëtar.
Një tjetër arsyetim i bazuar është se në gjithë legjislaturat e ndryshme të Parlamentit të Serbisë, që nga përfundimi i luftës së UÇPMB-së, përfaqësohemi herë me një deputet, e herë mbetemi pa asnjë deputet/përfaqësues në Parlament.
Edhe në Kushtetutën e Serbisë do të duhej të përfshiheshin të drejtat individuale dhe kolektive për shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, si dhe për krahinën e Sanxhakut. Gjithashtu, Parlamenti i Serbisë do të duhej të funksiononte si parlament me dy dhoma.
“Bota Sot”: Cilat janë gjasat reale që, duke shfrytëzuar mundësitë që kanë Tirana dhe Prishtina zyrtare, të adresojnë në instancat e BE-së dhe mekanizmat më të larta të OKB-së diskriminimin në rritje që po ndodh aktualisht ndaj shqiptarëve?
Refik Hasani: Po, Tirana dhe Prishtina zyrtare jo vetëm që mundin, por kanë obligim moral, institucional e kombëtar të ngrenë, shtrojnë e paraqesin për debat në adresimin e çështjeve në BE dhe OKB diskriminimin që po na bëhet në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në të gjitha segmentet e jetës. Deri më tani, u ka munguar vullneti dhe gatishmëria për t’u dalë në mbrojtje shqiptarëve të kësaj Krahine shqiptare.
“Bota Sot”: Si e komentoni faktin që përfaqësues të lartë të BE-së vizitojnë rregullisht vendbanimet dhe lokalitetet e pakicës serbe në Kosovë, duke gjetur vazhdimisht kohë për t’u takuar me përfaqësuesit e tyre, ndërkohë që nuk vizitojnë vendbanimet dhe lokalitetet e Preshevës, Medvegjës apo Bujanocit? A mendoni se BE-ja po ndjek dy standarde në trajtimin e këtyre dy pakicave?
Refik Hasani: Të gjithë emisarët për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që pas vitit 1999, rregullisht jo vetëm kanë vizituar vendbanimet e pakicës serbe në Kosovë, por i kanë takuar dhe ftuar edhe në instanca të BE-së në Bruksel. Nga ana tjetër, JO, nuk i kanë vizituar as nuk i kanë takuar përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit; ata kanë qenë të harruar dhe të lënë pas dore, pa u trajtuar fare diskriminimi i Krahinës shqiptare në Serbi. Kështu kanë përsëritur gabime të rënda dhe të njëpasnjëshme, duke praktikuar dy standarde për dy pakica.
BE-ja ka shkelur vullnetin plebishitar të kësaj Krahine, Referendumin e datës 1 dhe 2 mars 1992, dhe nuk ka respektuar apo zbatuar asnjë nga pikat e Marrëveshjes së Konçulit. Në këtë rast, faktori politik nga BE-ja dhe ai ushtarak nga NATO-ja dihet mirëfilli se kanë monitoruar dhe janë garantues ndërkombëtarë për zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit.
Emisarët për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk e trajtojnë fare Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, dhe këto veprime janë shkelje edhe të: Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të vitit 1948, Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave, Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, dhe Udhëzuesit mbi Nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Bota Sot”: A mendoni se kjo është një qasje e njëanshme dhe jo e drejtë e diplomacisë evropiane ndaj çështjeve të pakicave në Serbi dhe Kosovë?
Refik Hasani: Pyetje shumë me vend, dhe kjo është një qasje jo e drejtë e diplomacisë evropiane ndaj çështjeve të pakicave në Serbi dhe Kosovë. Unë e quaj edhe diskriminuese, pasi pakica serbe në Kosovë gëzon dhe ushtron këto të drejta:
Kanë vende të rezervuara në Parlamentin e Kosovës, janë në përpjesëtim të plotë në përfaqësim me Nënkryetarë Kuvendi, Komisione Parlamentare, Komisione e Agjenci të Pavarura, ministra, zëvendëskryeministër;
Komandantë të stacioneve të policisë dhe në hierarkinë e zinxhirit komandues në polici, duke përfshirë edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës;
Ushtrim pozicionesh të larta në hierarkinë e zinxhirit komandues në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Kosovës dhe në forca të tjera të sigurisë së Kosovës;
Prokurorë në Prokurorinë Rajonale dhe në të gjitha instancat e gjykatave: themelore, të apelit, gjykatës supreme dhe gjykatës kushtetuese;
Posedojnë universitetin publik në Mitrovicë;
Një kanal publik të veçantë në RTK është hapur për pakicën serbe në Kosovë;
Gjithandej kanë vendosur shtatore të mbretërve serbë, emërtime sheshesh, bulevardesh, rrugësh e të ngjashme.
Kurse në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ASNJË nga këto të drejta nuk i gëzojmë! BE-ja kërkohet të mbajë qëndrim të drejtë, dhe çfarë i afrohet pakicës serbe në Kosovë, asesi nuk mund t’i mohohet shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
“Bota Sot”: A mendoni se do të ishte e dobishme që Parlamenti i Shqipërisë të caktojë një pikë në rendin e punës për të diskutuar çështjen e pasivizimit të adresave, mos-përfaqësimin proporcional në nivelin lokal dhe qendror në Serbi, dhe për rritjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc? A do të ishte më pas e rëndësishme miratimi i një rezolute nga Republika e Shqipërisë për këtë çështje?
Refik Hasani: Plotësisht pajtohem se caktimi i një pike në rendin e punës për diskutim të çështjeve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si dhe miratimi i një rezolute nga Parlamenti i Shqipërisë, do të ndihmonte shumë. Sa jam në dijeni, asnjëherë gjatë mbajtjes së Referendumit të datës 1 e 2 mars 1992, pastaj periudhës së luftës së UÇPMB-së dhe më pas, Parlamenti i Shqipërisë nuk ka diskutuar, nuk ka reaguar, nuk ka dërguar ndonjë notë proteste, nuk ka kërkuar sqarime për diskriminimin, nuk ka shkruar dhe nuk ka ftuar Ambasadorin e Serbisë të akredituar në Tiranë ndonjë letër drejtuar instancave më të larta të Serbisë. Shqipëria nuk ka kërkuar as tërheqjen e ambasadorit të saj nga Beogradi, pasi ka marrëdhënie të plota diplomatike me Serbinë.
“Bota Sot”: A duhet që Tirana zyrtare të reagojë me ndonjë akt, si për shembull të paraqesë një Notë Proteste ndaj autoriteteve më të larta të Serbisë, lidhur me pasivizimin dhe pastrimin etnik, mos-përfaqësimin proporcional në institucionet lokale dhe qendrore, diskriminimin në rritje, përfshirë edhe mbishkrimet me gjuhë urrejtjeje, kërcënimet, fyerjet dhe ofendimet ndaj shqiptarëve, siç janë shprehjet si “Vdekje shqiptarëve”?
Refik Hasani: Në Serbi gjithnjë e më shumë po hasen dhe janë shkruar pankarta me mbishkrime ku shprehet gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet e hapura publike ndaj neve shqiptarëve. Këto aktivitete, që po manifestohen dhe kanë marrë hov e janë krijuar si dukuri në rritje, janë shndërruar në përditshmëri fyerje, ofendime dhe urrejtje, si “Vdekje shqiptarëve”, “Shiftari poshtë”, “Shiftarët do t’i vrasim”. Kryeministri, Presidenti dhe Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë duhet të dënojnë këto akte, të reagojnë në bazë të akteve dhe konventave të BE-së dhe atyre ndërkombëtare, dhe të nxjerrin një deklaratë.
“Bota Sot”: Cili është mendimi juaj për faktin që Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili është edhe Kryetar i subjektit politik më të madh në Shqipëri, PSSH, dhe që tashmë ka filluar mandatin e tij të katërt pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, ende nuk ka gjetur kohë të vizitojë Preshevën, Medvegjën apo Bujanocin?
Refik Hasani: Sa i përket pyetjes, Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, asnjëherë nuk ka gjetur kohë të vizitojë Preshevën, Medvegjën apo Bujanocin. Gjatë tre mandateve, ai ka qenë i përqendruar në nisma rajonale si “Ballkani i Hapur” – një projekt serb, i cili fatmirësisht dështoi. Gjatë kësaj periudhe, dhjetëra herë ka vizituar Beogradin, Novi Sadin, Shkupin e vende të tjera, por nuk ka gjetur kohë të vizitojë Preshevën, Medvegjën apo Bujanocin, që kanë pësuar dëmtime serioze në shtetësinë e Kosovës dhe ku po anashkalohen hapësirat shqiptare.
“Bota sot’’: A besoni se Qeveria, Parlamenti dhe Presidenca e Republikës së Shqipërisë do të ndryshojnë diskursin dhe qasjen e tyre ndaj çështjeve që lidhen me Preshevën, Medvegjën, Bujanocin, Krahinën e Sanxhakut dhe më gjerë në Serbi?
Refik Hasani: Duke ndryshuar diskursin e ndjekur ndaj Preshevës, Medvegjës, Bujanocit, Krahinës së Sanxhakut dhe shqiptarëve gjithëandej Serbisë, institucionet më të larta dhe liderët institucionalë të Shqipërisë do të zbatojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, veçanërisht:
Neni 8, paragrafi 1 – Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj, dhe paragrafi 3 – Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.
’’Bota sot’’: A mendoni se dy kryeministrat, dy presidentët dhe dy kryetarët e kuvendeve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës do të vizitojnë Preshevën, Medvegjën apo Bujanocin në një të ardhme të afërt?
Refik Hasani: Ngaqë nuk kanë vizituar Preshevën, Medvegjën apo Bujanocin, instancat më të larta dhe liderët institucionalë nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, që pas periudhës së luftës së UÇPMB-së dhe Marrëveshjes së Konçulit, na mbajnë vetëm shpresën se në një të ardhme të afërt do të vizitojnë nga afër këto hapësira shqiptare të krahinës sonë.
“Bota Sot”: Z. Hasani, ju keni realizuar një shkrim autorial dhe keni drejtuar një kërkesë publike ndaj Republikës së Shqipërisë, duke propozuar hapjen e një konzulate shqiptare në Preshevë, Medvegjë apo Bujanoc, si dhe në Krahinën e Sanxhakut. Çfarë pritni të ndodhë lidhur me realizimin e kësaj iniciative?
Refik Hasani: Po, është e vërtetë, përmes një shkrimi autorial kam propozuar inicimin e hapjes së një konsullatë shqiptare për Preshevë, Medvegjë apo Bujanoc, dhe për Krahinën e Sanxhakut. Kjo do të duhej të bëhej në interes të këtyre dy krahinave, që janë rajonet më të pazhvilluara ekonomikisht dhe më të diskriminuara në gjithë Evropën. Shqiptarët në Serbi kanë organizuar Referendumin e Krahinës së Sanxhakut, mbajtur më 25, 26 dhe 27 tetor 1992, si dhe Referendumin e Krahinës Shqiptare në Serbi, më 1 e 2 mars 1992, përveç kryengritjes së armatosur përmes Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“Bota Sot”: Si e shihni mundësinë që Republika e Shqipërisë të miratojë dhe të fillojë ndarjen e mjeteve të rregullta përmes një kodi buxhetor vjetor, të dedikuara për Preshevën, Medvegjën, Bujanocin dhe Krahinën e Sanxhakut? A mendoni se kjo iniciativë do të përkrahet dhe realizohet?
Refik Hasani: Shqipëria, ashtu siç e ceka në fillim të kësaj interviste, në bazë të preambulës së Kushtetutës në fuqi të Republikës së Shqipërisë dhe nenit 8, paragrafi 1, shpreh se mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. Uroj që të fillojë ndarja e mjeteve të rregullta përmes një vije buxhetore, KOD vjetor buxhetor, apo ndarja e një fondi të përhershëm nga buxheti i Shqipërisë, që t’u dedikohet Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
“Bota Sot”: A do të mbështetet propozimi që Republika e Kosovës të hapë një zyrë në kuadër të Zyrës së Kryeministrisë? Sa ka përparuar kjo çështje dhe çfarë mendoni se do t’u sjellë shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit kjo zyrë?
Refik Hasani: Hapja, zyrtarizimi dhe funksionalizimi i zyrës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, në kuadër të zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, është momenti i fundit që duhet të fillojë puna. Në publikimet dhe prononcimet e mia kam theksuar vazhdimisht se kjo do të sjellë përfitime të rëndësishme për shqiptarët e këtyre tre komunave. Shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit u duhet një zyrë edhe në Tiranë, në kuadër të Qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë. Po ashtu, duhet të hapin qendra informimi dhe zyra ndërlidhëse edhe në Bruksel dhe qendra të tjera të Bashkimit Evropian.
“Bota Sot”: A mendoni se legjislatura e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë dhe legjislatura e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri do të ndryshojnë diskursin ndaj Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit?
Refik Hasani: Nga legjislatura e re e Parlamentit të Shqipërisë dhe ajo e Parlamentit të Kosovës, që janë në formim e sipër, kemi shpresa që më në fund do të ndërrohet diskursi ndaj Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
“Bota Sot”: Si e vlerësoni qëndrimin institucional të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës lidhur me ngjarjet me rëndësi për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin — referendumin e 1-2 marsit 1992, kryengritjen e armatosur të UÇPMB-së dhe marrëveshjen e Konçulit të 20 majit 2001? Pse, sipas jush, nuk ekziston një qëndrim i qartë dhe i unifikuar për këto ngjarje, dhe sa është kjo e disfavorshme për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në këto treva?
Refik Hasani: Qëndrimi institucional i Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me Referendumin e datës 1 e 2 mars 1992, kryengritjen e armatosur të UÇPMB-së dhe Marrëveshjen e Konçulit, deri më tani ka munguar. As Prishtina e as Tirana zyrtare nuk kanë mbajtur një qëndrim të drejtë dhe të qartë. Megjithatë, na mbajnë shpresa që në të ardhmen e afërt këto institucione do të ndërtojnë dhe do të mbajnë një qëndrim objektiv dhe korrekt, pasi për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin ekzistojnë tri shtylla kryesore dhe fundamentale, të cilat kanë relevancë dhe përputhen me aktet dhe konventat ndërkombëtare.
“Bota Sot”: Çfarë domethënie ka për ju personalisht dhe për komunitetin shqiptar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc Referendumi i datës 1 dhe 2 mars 1992, si dhe Marrëveshja e Konçulit?
Refik Hasani: Jo vetëm për mua personalisht, por edhe për gjithë bashkëvendësit e mi, Referendumi i datës 1 e 2 mars 1992 ishte dhe mbeti një formësim i angazhimit kolektiv të organizuar të këtij rajoni. Ai tregoi pjekurinë e faktorit politik shqiptar, manifestuar si rezistencë përmes organizimit dhe pjesëmarrjes në votim në një referendum plebishitar. Ky referendum ishte udhërrëfyes për vizionin e ardhshëm politik dhe një rezistencë për të drejtat individuale dhe kolektive, për barazi të plotë me të tjerët. Me këtë referendum, kjo krahinë u shpall autonome dhe u themelua Kuvendi për Autonomi Territoriale-Politike të shqiptarëve.
Ishte një kontribut i gjithë forcave politike dhe intelektualëve shqiptarë, një akt historik i lartë, një unitet dhe veprim i përbashkët i subjekteve politike shqiptare. Ai shprehu vullnetin e pjekur politik dhe popullor për të ndërtuar të ardhmen, duke marrë përgjegjësinë për ngritjen dhe zgjidhjen e çështjes së kësaj krahine, në përputhje me aspiratat e shprehura në mënyrë plebishitare.
Po ashtu, Marrëveshja e Konçulit për mua dhe për gjithë bashkëvendësit e mi përbën një moment të rëndësishëm, pasi për herë të parë çështja e kësaj krahine u internacionalizua në nivelin më të lartë të Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo marrëveshje detyroi qeverinë e Serbisë të ulej në tryezën e bisedimeve, të organizuara, monitoruara dhe garantuara nga BE-ja, NATO dhe OKB-ja. Këto procese ishin të lidhura ngushtë me Referendumin e datës 1 e 2 mars 1992, pasi pa të, nuk do të kishte ndodhur as kryengritja e armatosur e UÇPMB-së, dhe për pasojë, nuk do të kishte as Marrëveshjen e Konçulit.
“Bota Sot”: Si e vlerësoni zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit nga pala serbe pas gati një çerek shekulli?
Refik Hasani: Marrëveshjen e Konçulit e vlerësoj plotësisht, por për fat të keq, Serbia nuk po e zbatojnë atë si duhet. Që nga nënshkrimi i saj, nuk është realizuar asnjë takim apo konsultim serioz për rishikimin apo plotësimin e marrëveshjes, edhe pse janë kaluar afro 25 vjet. Në këtë periudhë kemi dëshmi të qarta të shtimit të prezencës së forcave serbe në vendbanimet shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Aktualisht ka rreth 48 minibaza ushtarake në Zonën Tokësore të Sigurisë, që dëshmon për një militarizim të theksuar në këtë territor.
Për më tepër, amnistia për ish-ushtarët e UÇPMB-së nuk është respektuar. Shumë prej tyre, edhe pas dorëzimit të armëve, janë ballafaquar me ftesa të shpeshta informative nga autoritetet, duke treguar mungesë të vullnetit për integrim dhe pajtim.
Gjithashtu, polica multietnike nuk është instaluar në përpjesëtim me përbërjen e popullsisë shqiptare dhe as në hierarkinë komanduese, duke mos zbatuar nenet 3 dhe 4 të marrëveshjes. Kufizimet e vendosura në nenin 8 gjithashtu po shkelën, duke dëmtuar funksionalitetin dhe të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon.
“Bota Sot”: Si e vlerësoni faktin se më 12 shtator 2015, Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit miratoi një platformë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare, dhe a mendoni se do të funksionalizohet dhe do të gjejë përkrahje ndërkombëtare?
Refik Hasani: Asociacioni i Komunave me shumicë shqiptare, që përbëhet nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, ka një rëndësi të madhe historike dhe politike, duke u lidhur ngushtë me Referendumin e 1 e 2 marsit 1992, kryengritjen e armatosur të UÇPMB-së dhe Marrëveshjen e Konçulit. Platforma e përbashkët dhe vendimi për themelimin e Asociacionit janë hapa të rëndësishëm drejt artikulimit, koordinimit dhe harmonizimit të interesave të shqiptarëve në këtë rajon.
Megjithatë, duhet të njoftojmë opinionin ndërkombëtar se statusi politik i kësaj krahine shqiptare ende nuk është zgjidhur dhe nuk mund të shtyhet pafundësisht. Funksionalizimi i këtij asociacioni është i domosdoshëm për avancimin e të drejtave dhe përfaqësimit politik të shqiptarëve në Serbi dhe duhet të gjejë mbështetjen e fuqishme të komunitetit ndërkombëtar.
“Bota Sot”: A besoni se do të jetë e nevojshme draftimi i një Asociacioni të Komunave me shumicë shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc?
Refik Hasani: Lidhshmëria mes draftimit për Asociacionin e Komunave të pakicës Serbe në Kosovë dhe Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është e drejtpërdrejtë. Nëse Serbia insiston para ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk mund të pengojë apo ndalojë në asnjë mënyrë draftimin dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Serbia ka “zgjidhur” çështjen e pakicave nëpërmjet Këshillave Nacionale, ndërkohë që kërkon një Asociacion për pakicën serbe në Kosovë. Përmes kësaj interviste dua të theksoj se nëse Serbia e ka zgjidhur çështjen e pakicave me Këshilla Nacionale, atëherë duhet të pajtohet që edhe për pakicën serbe në Kosovë të aplikohet i njëjti standard. Kjo do të thotë që, sikurse në Kosovë funksionojnë Këshillat e pakicave përmes të cilave zgjidhen çështjet e tyre, edhe për serbët në Kosovë duhet të vlejë ky model, në vend të një Asociacioni të veçantë si ai që kërkohet nga Serbia.
Serbia ka themeluar deri tani 24 Këshilla Nacionale për pakicat në territorin e saj, dhe prandaj është e drejtë që edhe në Kosovë, për pakicën serbe, të ketë të njëjtat mundësi të përfaqësimit dhe menaxhimit të çështjeve në mënyrë të barabartë dhe të drejtë.
’’Bota sot’’: Çfarë mendoni lidhur me kthimin e Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë? A kanë bërë mjaftë Prishtina dhe Tirana zyrtare, apo vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje?
Refik Hasani: Mendoj se për kthimin e Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, as Prishtina zyrtare dhe as Tirana zyrtare nuk kanë bërë asgjë dhe nuk po ndërmarrin asnjë veprim politik apo diplomatik. Nuk është dhënë asnjë deklaratë për heqjen e këtij lapidari nga forcat serbe, dhe vendi ku ai ishte i vendosur nuk është rikthyer asnjëherë. Madje, as një tufë lule nuk është vendosur atje nga liderët më të lartë të Prishtinës apo Tiranës.
Fryma shqiptare nuk mbrohet vetëm në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë, por edhe në çdo cep të Komunës së Preshevës, Medvegjës, Bujanocit dhe hapësirave tjera etnike shqiptare, dhe aty duhet të ketë vëmendje të veçantë dhe mbështetje institucionale.