Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj ka folur në një intervsitë për “Bota sot”, rreth zhvillimeve të fundit në vendin tonë.
Ai ka thënë se moskonstituimi i Kuvendit është tregues i një krize serioze politike dhe institucionale dhe sipas LDK-së, kjo situatë është e papranueshme.
Tutje, ai thotë se “ne, LDK, nuk do të jemi pjesë e kalkulimeve politike që thellojnë krizën, duke shtuar se në LDK ekziston konsensus për zgjidhjen që kemi propozuar – formimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar si rruga më e mire për dalje nga kriza”.
Më tej, deputeti i LDK-së ka folur edhe për koalicionin më LVV, për të cilin thotë se “kemi hendek të madh aktual”.
Zogaj thekson se LDK nuk është këtu për të fituar terren politik në kurriz të krizës – ne jemi këtu për ta ofruar zgjidhjen
Intervsita e plotë:
“Bota sot”: Si e vlerësoni faktin që Kuvendi ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve? A po rrezikohet demokracia institucionale në vend?
Alban Zogaj: Moskonstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve është tregues i një krize serioze politike dhe institucionale. Po flasim për një ngecje që po cenon themelin e funksionimit demokratik të shtetit. Për LDK-në, kjo situatë është e papranueshme. Prandaj, kemi propozuar krijimin e një Qeverie Uniteti Kombëtar, që do ta nxirrte vendin nga kjo bllokadë dhe do të garantonte rifillimin e funksionimit institucional me legjitimitet të gjerë politik.
“Bota sot”: Cili është qëndrimi i LDK-së për këtë situatë?
Deputeti Alban Zogaj: Qëndrimi i LDK-së është i qartë dhe i përgjegjshëm: institucionet duhet të formohen menjëherë, në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin qytetar. Ne nuk do të jemi pjesë e kalkulimeve politike që thellojnë krizën. Për këtë arsye, kemi ofruar një zgjidhje reale – Qeverinë e Unitetit Kombëtar, që do të përfshinte përfaqësim të gjerë politik dhe do të përqendrohej në stabilizimin institucional, përgatitjen e reformave dhe rikthimin e besimit qytetar. Kemi prezantuar 15 pikat tona te agjendes qeverisese!
“Bota sot”: A ekziston brenda LDK-së një konsensus për mënyrën se si të dilet nga kjo situatë? Apo ka mendime të ndara?
Alban Zogaj: LDK është parti me traditë të gjatë, ku ka debat te vazhdueshem, por në çështje kyçe, qëndrimi unifikohet. Aktualisht ekziston konsensus për zgjidhjen që kemi propozuar – formimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar si rruga më e mire për dalje nga kriza, duke shmangur ndarjet dhe përplasjet institucionale. Kjo nuk është zgjidhje për interes të LDK-së, por për interes të Republikës.
“Bota sot”: Nëse kjo situatë vazhdon, a jeni për një marrëveshje politike emergjente apo për zgjedhje të reja?
Alban Zogaj: LDK është gjithmonë në favor të marrëveshjeve politike që prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme. Prandaj kemi propozuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për krijimin e Qeverisë së Unitetit Kombëtar, me mandat të qartë dhe afat të përcaktuar. Nëse kjo refuzohet dhe kriza vazhdon, atëherë opsioni i zgjedhjeve të reja bëhet i pashmangshëm. Por zgjedhjet në kushte krize do ta thellonin edhe më tej paqartësinë politike – prandaj duhet zgjidhje para se të kërkohet vota e re.
“Bota sot”: Çfarë rrezikojmë si shtet nëse kriza politike zgjat më tej? Dhe si e sheh LDK-ja veten në një skenar zgjedhor të ri?
Alban Zogaj: Zgjatja e krizës politike do të dëmtojë rëndë stabilitetin institucional, kredibilitetin ndërkombëtar, ekonominë dhe funksionimin e shtetit. Kjo nuk është vetëm krizë politike – është krizë e rendit demokratik. LDK është e përgatitur për çdo skenar, përfshirë edhe zgjedhjet, por besojmë se një Qeveri Uniteti është rruga më e sigurt për ta shmangur rrëshqitjen në destabilitet dhe për t’i dhënë vendit një periudhë qetësie, reformash dhe përgatitjesh të ndershme për zgjedhje të ardhshme.
“Bota sot”: Pse LDK nuk po pranon një koalicion me LVV, kur këta të fundit ju kanë dërguar edhe ftesë?
Alban Zogaj: Kemi hendek te madh aktual. Derisa nuk ka reflektim nga VV për mënyrën se si e ka udhëhequr vendin dhe si i ka trajtuar institucionet, nuk mund të ketë bashkëpunim të sinqertë. Ne nuk refuzojmë bashkëpunimin – përkundrazi, kemi propozuar një model të ri bashkëpunimi: Qeverinë e Unitetit Kombëtar, ku edhe VV-ja duhet të jetë pjesë, nëse pranon t’i nënshtrohet një marrëveshjeje të qartë dhe respektimit të Kushtetutës dhe parimeve të ndarjes së pushteteve.
“Bota sot”: LDK historikisht ka pasur rol në ndërtimin institucional të Kosovës. Si do ta justifikonte ajo tani qëndrimin përballë një bllokade që po e dëmton rendin demokratik?
Alban Zogaj: LDK nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e bllokadës. Përkundrazi, LDK është subjekti i vetëm që ka ofruar një zgjidhje reale dhe përfshirëse: Qeverinë e Unitetit Kombëtar, si formë e përgjegjshme e udhëheqjes tranzitore, që e nxjerr vendin nga kriza pa kthyer prapa zhvillimin demokratik. Ky qëndrim është në përputhje të plotë me rolin historik të LDK-së si themeluese e shtetësisë dhe garantuese e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Në përmbyllje, LDK nuk është këtu për të fituar terren politik në kurriz të krizës – ne jemi këtu për ta ofruar zgjidhjen. Qeveria e Unitetit Kombëtar është një akt përgjegjësie, jo një kalkulim. Është ftesë për maturi dhe bashkëpunim, në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës.