Nga asambleiste në Lubjanë drejt parlamentit: Ganimet Shala fton diasporën shqiptare të bëhet pjesë e vendimmarrjes

Intervista

Nga asambleiste në Lubjanë drejt parlamentit: Ganimet Shala fton diasporën shqiptare të bëhet pjesë e vendimmarrjes

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 7 mars 2026 Në ora: 08:03
Ganimet Shala

Ganimet Shala ka hyrë në histori si asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e qytetit të Lubjanës, duke u bërë një zë i rëndësishëm për qytetarët dhe veçanërisht për komunitetin shqiptar në Slloveni.

E angazhuar në politikën lokale si përfaqësuese e Social Demokratëve, ajo synon të zgjerojë kontributin e saj edhe në nivel kombëtar, pasi së fundi është konfirmuar si kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 2026.

Në këtë intervistë për gazetën “Bota sot”, Shala flet për rrugëtimin e saj politik, përgjegjësinë e përfaqësimit, sfidat e integrimit, si dhe për rolin që mund të luajë komuniteti shqiptar në jetën politike dhe institucionale të Sllovenisë.

Ajo ndan gjithashtu mesazhin e saj për të rinjtë dhe gratë e diasporës që të mos hezitojnë të përfshihen në politikë dhe në vendimmarrje.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Jeni futur në histori si asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e qytetit të Lubjanës. Çfarë përgjegjësie dhe çfarë sfidash ka sjellë ky rol për ju personalisht dhe politikisht?

Ganimet Shala: Marrja e përgjegjësisë për të përfaqësuar qytetarët e Lubjanës në Kuvendin e Qytetit/Komunës, është një përgjegjësi dhe privilegj njëkohësisht. Si qytetare e Lubjanës, por edhe si shqiptare, me gjithë kapacitetet e mia jam angazhur që të përcillet zëri i qytetarëve në organin përfaqësues të komunës tonë dhe poashtu, kam bë dhe vazhdoj të bëj gjithë çfarë është e mundur që të adresoj hallet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen lubjanasit në përgjithësi, por edhe shqiptarët si pjesë e komuniteit të gjerë të qytetit tonë 

Gazeta “Bota sot”: Së fundi është konfirmuar kandidatura juaj në listën e Social Demokratëve për zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 2026. Çfarë do të thotë kjo kandidaturë për ju dhe për komunitetin shqiptar në Slloveni?

Ganimet Shala: Vërtetë jam e lumtur që subjekti im politik më ka dhënë besimin që të kërkoj besimin e qytetarëve slloven për mandat përfaqësimi në Kuvendin nacional. Unë angazhohem gjithnjë për parimet dhe vlerat që synon socialdemokracia si koncept politik. Angazhohem për drejtësi sociale, për shtet të së drejtës, për mirëqenie për të gjitha kategoritë dhe mundësi të barabarta. Angazhohem për avancimin e pozicionit të gruas dhe për fuquzimin e gruas në vendimmarrje. Konsideroj që gratë janë mjaftueshëm të zonja për t’u bë ballë sfidave më të cilat ballafaqohet shoqëria jonë dhe se ato kanë gjithë kapacitetet e nevojshme për t’u dhënë zgjidhje këtyre sfidave. Shqiptarët në Slloveni kanë qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e aktiviteteve politike këtu. Kjo është bë edhe në interes të mbrojtjes dhe avancimit të interesave shqiptare në rajon, por edhe në funksion të integrimit të tyre në jetën publike e institucionale në Slloveni. Ne kemi një strukturë shumë diverse Brenda komunitetit tonë shqiptar, gra e burra, djem e vajza të sukseshëm në ndërmarrësi, sport, profesione të ndryshme si në mjëkësi, në inxhinieri, ekonomi, nxënës e studentë të shkelqyeshëm, të cilët ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Do të angazhohem me gjithë kapacitetet e mia që të jem zëri i tyre besnik dhe mbështetja e tyre e paluhatshme në rast se do të marr mandat për të qenë deputete në Kuvendin e Sllovenisë.  

Gazeta “Bota sot”: Keni përmendur takimin spontan me znj. Tanja Fajon në mars të vitit 2022 si një pikë kthese. Si e kujtoni atë takim dhe sa ndikim pati ai në rrugëtimin tuaj politik?

Ganimet Shala: Znj. Fajon është një personalitet politik e publik që njihet gjerësisht. Ajo poashtu është një politika me vision të qartë për të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë sonë. Energjia e saj positive, vizioni i saj për vendin dhe shoqërinë tonë më ka bë të bëhem pjesë e socialdemokratëve. Mendoj që vizioni të cilin e përfaqëson Znj. Fajon dhe socialdemokratët është vision që i nëvojitet shoqërisë sonë, për një të ardhme më të begatë, më të sigurt, për një shoqëri me mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallime. 

Gazeta “Bota sot”: Sot jeni Këshilltare e Qytetit të SD në Bashkinë e Lubjanës dhe kandidate për deputete për herë të dytë. Cilat janë prioritetet kryesore që synoni të çoni në Asamblenë Kombëtare, nëse fitoni mandatin? 

Ganimet Shala: Shpresoj që votuesi do të më japë besimin për ta çuar zërin e tij në Kuvend. Shpresoj shumë që votuesit nga radhët e komunitetit shqiptar që jeton e vepron në Slloveni do të më mbështesin në këtë rrugëtim të rëndësishëm politik. Nuk dua ta ekzagjeroj, por e them me shumë emocion, si qytetare sllovene me etni shqiptare, ndihem shumë krenare për kombin tonë dhe për vlerat tona të traditës dhe historinë tonë. Poaq më bën krenare që shqiptarët në Slloveni janë gjithnjë e  më shumë pjesë aktive e jetës publike, duke treguar vetëdije të lartë për rëndësinë e përgjegjësisë dhe profesionalizimt në përfaqësim politik. Si përfaqësuese e zgjedhur, nësë pas zgjedhjeve do të kem fatin dhe besimin e nëvojshëm, në Kuvendin nacional, do të jem aktivisht e angazhuar për përfaqësimin më të mirë të mundshëm të interesave të qytetarëve sllovenë dhe posaçërisht edhe për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në Slloveni. Natyrisht, do të angazhohem me përkushtim për forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes Sllovenisë dhe Kosovës e Shqipërisë, duke dinamizuar raportet miqësore që sot ekzistojnë mes nesh.

Gazeta “Bota sot”: Sa hapësirë reale mendoni se kanë pakicat kombëtare dhe emigrantët për t’u përfaqësuar dhe për të ndikuar në politikat shtetërore në Slloveni? 

Ganimet Shala: Sllovenia është shoqëri demokratike. Natyrisht që integrimi në jetën e një vendi është I rëndësishëm për secilin individ. Secila shoqëri ka sfidat e veta. SHoqëria sllovene është shoqëri që krijon mundësi për inegrim, por që natyrisht integrimi kur je i/e huaj kërkon kohën e vet. Unë kam ardhur në Slloveni në moshë të vogël. Kam patur një jetë me shumë sfida, por nuk jam dorëzuar kurrë. NUk ka qenë e lehtë, por është me rëndësi që në jetë të jemi këmbëngulës, neës dëshirojmë të arrijmë diçka. Edhe si individ, edhe si shoqëri duhet të duam diçka dhe të punojmë fort për ta arritur. Puna gjithmonë jep frytet e saj. Unë them që ne, kushdo që mund të përkufizohet më këtë ne, por në rastin konkret po flas për ne shqiptarët, duhet të vazhdojmë të punojmë për të ardhmen tonë, kudo që jemi. Me punë, me mbështetje për njërin tjetrin, mbi bazën e profesionalizmit, mund të arrijmë shumë më lart. Kjo është një nga ato gjëra për çka unë angazhohem në politikën aktive.

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Slloveni sot, dhe çfarë roli mund të luajë politika sociale-demokrate në adresimin e tyre?

Ganimet Shala: Sfidat e secilit komunitet janë edhe sfidat e shoqërisë në të cilën jeton. Ne jetojmë në kohë zhvillimesh dramatike gjithandej dhe këto kanë efektet e tyre në jetën tonë. Na e rrisin pasigurinë, koston e jetës, ngadalësojnë zhvillimin e kështu me radhe. Shqiptarët janë të integruar në shoqërinë sllovene. Sikurse e thash më sipër jam e lumtur për arritjet tona si komunitet në përgjithësi dhe si individ në veçanti. Do të angazhohem për politika integruese, për të drejta sociale, për arsimim, për prosperitet të gjithmbarshëm.  

Gazeta “Bota sot”: Si grua, si shqiptare dhe si social-demokrate, çfarë mesazhi u dërgoni grave dhe të rinjve nga diaspora që hezitojnë të përfshihen në politikë?

Ganimet Shala: Mesazhi im, nga përvoja ime jetësore është: kurrë mos hiqni dorë nga qëllimet tuaja të mira. Ndiqni ëndërrat tuaja. Punoni fort dhe me ngul. Puna e mirë dhe e madhe jep frytet e saj. Duhet të kemi besim në vetëvete. Duhet të besojmë në të ardhmen tonë. Kjo është rruga jonë përpara. Punë, besim, këmbëngulësi, sot, neser e gjithmonë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat