Luftërat në Lindjen e Mesme dhe tragjedia që kulmoi në Alepo

Intervista

Luftërat në Lindjen e Mesme dhe tragjedia që kulmoi në Alepo

Ridvan Emini Nga Ridvan Emini Më 29 dhjetor 2016 Në ora: 15:32
Mentor Tahiri, politolog dhe njohës i mirë i rrethanave politiko-ushtarake në rrafsh të gjerë ndërkombëtar.

Vitin 2016 sa i përket Lindjes së Mesme, e karakterizuan disa ofensiva ushtarake, në radhë të parë ajo e forcave qeveritare Irakiane të përkrahura nga SHBA-të drejtuar Mosulit, si dhe ajo e regjimit të Assadit të suportuar nga Rusia por edhe forca të tjera brenda regjionit e që eskaloi në fund në tragjedinë humanitare në Alepo. Si do të reflektoj kjo në vitin e ardhshëm kjo gjithsesi mbetet të shihet. Por, një është e qartë, vuajtja dhe tragjedia njerëzore në veçanti në rastin e Sirisë ka marrë përmasa biblike dhe madje përflitet për rreth gjysmë milion të vrarë. Tragjedia e Alepos sensibilizoi gjithë opinionin botëror, por këto reagime megjithatë nuk kanë gati asnjë efekt në vetë gjendjen atje. Në ndërkohë në Siri vazhdon ndërhyrja ushtarake ruse, e cila i ka krijuar regjimit në Damask kushte që të jetë superior ushtarakisht.

Image
“Angazhimi rus në Siri i ka krijuar ISIS-it hapësira territoriale lehtë të kontrollueshme, për vetë faktin se kryengritësit që dikur përveç se luftonin trupat e Assadit, po e luftonin edhe ISIS-in, tani e tutje nuk kanë fuqi të mjaftueshme për të kontrolluar territore të gjera siç pritej bazuar në kapacitetet e tyre ushtarake organizative që i kishin para humbjeve që pësuan nga sulmet ajrore ruse. Këtu edhe fshihet një aleance e fshehtë dhe deklarativisht e pashpallur ndërmjet regjimit në Damask dhe ISIS”.

Lidhur me të gjitha këto, “Bota Sot” zhvilloi një bisedë me z.Mentor Tahiri, politolog dhe njohës i mirë i rrethanave politiko-ushtarake në rrafsh të gjerë ndërkombëtar.

“Bota Sot”: Iraku dhe Siria janë një kohë të gjatë arenë luftimesh. Megjithatë sikur vëmendja e opinionit botëror është përqendruar kryesisht në luftimet rreth Mosulit, sa i përket Irakut, kurse sa i përket Sirisë, Alepo është fjala kryesore. A kanë këto dy fushëbeteja ndërlidhje mes tyre ?

Mentor Tahiri: Këto janë dy fushëbeteja të ndryshme, të cilat janë pjesë e konfliktit të madh i cili aktualisht po ndodh në Lindjen e Mesme, por jo domosdoshmërisht të lidhura me njëra tjetrën ngase siç mund të vërehet ISIS, i cili aktualisht po luftohet në Irak nuk është duke u luftuar substancialisht në Siri, dhe më shumë mund të themi se ai po manovron në territore të cilat janë lënë të hapura nga palët e tjera ndërluftuese. Në Irak ka një mobilizim të madh të forcave të kombinuara të ushtrisë zyrtare Irakiane dhe grupimeve paramilitare kryesisht shi’ite, të cilat po përpiqen të marrin kontrollin mbi Mosul, duke sulmuar qytetin nga drejtimi jugor dhe ai lindor, aleatët e të cilëve në këtë rast janë forca të armatosura të Regjionit Autonom të Kurdistanit, të cilat për gjatë tërë vitit kanë kontrolluar vendbanime në veri të qytetit. Në rastin e Mosulit, vërehet se kontrolli disavjeçar që e kishte ISIS mbi qytetin, i ka mundësuar që të barrikadohet në qytet dhe të zhvilloj mjaftueshëm infrastrukturën e cila tani po i mundëson që t’i rezistoj forcave që në kualitet dhe kuantitet janë më superiore.

Gjithashtu, përvoja që si duket patën civil të fiseve sunite në rastin e vënies nën kontroll nga ana e qeverisë irakiane të disa qyteteve si në rastin e Tikritit, ku fitorja qeveritare u përjetua si fitore shi’ite, dëmshëm ka krijuar rrethana të mosbashkëpunimit të fiseve sunite në luftën kundër ISIS-it në Irak. Kjo po reflekton qartë në Mosul dhe duhet të jetë një tregues se si fitoret ushtarake duhet të jenë të paraprirë e më pas edhe të pasuara me masa adekuate politike. Sikur edhe gjetiu në shembujt e tjerë të terrorizmit në botë, grupeve terroriste u krijohet hapësirë që të gjejnë elemente të përkrahjes në mesin e popullatës civile, aty ku nga ana e shtetit nuk ka trajtim politik të barabartë. Pamundësia për të mbizotëruar lehtë mbi Mosulin nga ana e forcave qeveritare dhe grupimeve që i përkrahin ato, i ka mundësuar ISIS-it që të manovroj në hapësirën në lindje të qytetit, territor ky i cili shtrihet përtej kufirit irakiano-sirian. Në pjesën siriane të territorit që e kontrollon, ISIS ka mbajtur vazhdimisht nën kontroll bastione në Raqah, si dhe në rrethinat e qytetit të pasur me naftë Deir ez-zor. Në ndërkohë preokupimi i forcave të Assadit dhe i aviacionit rus me kryengritësit në pjesën veri-perëndimorë të Sirisë, ka bërë që të lihet plotësisht bosh qyteti i Palmirës, të cilin ISIS e riktheu sërish nën kontrollin e tij fare lehtë, thjeshtë duke marshuar qindra kilometra nëpër territorin shkretinor në lindje të Sirisë.

Nëse krahasojmë ngjarjet në Alepo nga ku u tërhoqën kryengritësit, me ato në Palmira ku ISIS “defiloi”, shohim se regjimi i Assadit nuk konfrontohet fare me ISIS-in, kurse edhe propagandimi rus se gjoja aviacioni i tij ka cak të goditjes terrorizmin, nuk qëndron ngase i njëjti është i përqendruar në sulme ajrore mbi forca kryengritëse në hapësirën veri-perëndimore të Sirisë, e që ishte përcaktuese për spastrimin e kryengritësve në Alepo. Krahasimi në relacionin Alepo dhe Palmira, shpërfaqë gjithë kompleksitetin e luftës shumëdimensionale në Siri, por edhe sa i përket involvimit të akterëve të tjerë regjional. Angazhimi rus në Siri i ka krijuar ISIS-it hapësira territoriale lehtë të kontrollueshme, për vetë faktin se kryengritësit që dikur përveç se luftonin trupat e Assadit, po e luftonin edhe ISIS-in, tani e tutje nuk kanë fuqi të mjaftueshme për të kontrolluar territore të gjera siç pritej bazuar në kapacitetet e tyre ushtarake organizative që i kishin para humbjeve që pësuan nga sulmet ajrore ruse. Këtu edhe fshihet një aleance e fshehtë dhe deklarativisht e pashpallur ndërmjet regjimit në Damask dhe ISIS.

“Bota Sot”: Pra, sipas kësaj që thuhet se nuk qëndron pretendimi rus se ata po luftojnë terrorizmin në Lindjen e Mesme?

Mentor Tahiri: Pretendimi se po luftohet terrorizmi ka qenë arsyetim i mençur për të ‘përligjur’ involvimin ushtarak rus në Siri. Por, njëkohësisht është shfrytëzuar edhe fakti se në sy të OKB-së por edhe përgjithësisht edhe në kuadër të sistemit ndërkombëtar, qeveria në Damask mbetet autoritet ndërkombëtarisht i pranuar dhe legjitim, kurse në rastin e involvimit rus, ata po thirren edhe në faktin se janë të ftuar të nga autoritete botërisht të pranuara si legjitime. Mbase, trajtimi si qeveri legjitime është edhe fitorja më e madhe politike e Assad deri tani.

Në kuadër të gjithë sistemit ndërkombëtarë, nga të gjitha organizatat supranacionale është e vetmja Liga Arabe e cila ia ka mohuar Assadit të përfaqësoj Sirinë në kuadër të kësaj organizate. Liga Arabe me kohë ka njohur krahun politik të Ushtrisë së Lirë Siriane, si përfaqësues legjitim të popullit sirian. Kështu ‘Këshilli Kombëtarë’ një organizëm politik i krijuar para pesë viteve, kishte një mundësi që të dëshmohet si përfaqësues legjitim i Sirisë. Por, mospërkrahja politike nga faktorë të tjerë si dhe mos ofrimi i përkrahjes për Ushtrinë e Lirë Siriane, ka bërë që kjo e fundit të dobësohet dhe të jetë plotësisht në margjina të konfliktit  në Siri.

Me dobësimin e Ushtrisë së Lirë Siriane është krijuar hapësirë për formimin e grupimeve të ndryshme të armatosura në radhët e kryengritësve, gjë që në njërën anë rezulton me një mos koordinim total politik dhe ushtarak  të fraksioneve kryengritëse, me ç’rast në mesin e disa fraksioneve ka motive ideologjike që bien plotësisht ndesh me vet konceptin me të cilin nisi kryengritja kundër Assad. Në anën tjetër qeveria në Damask dhe aleati i saj rus, kanë arritur mirë që në aspektin propagandistik të linçojnë imazhin e kryengritësve, kurse luftën ndaj tyre ta paraqesin si vazhdimësi e luftës kundër terrorizmit.

“Bota Sot”: Megjithatë është e dukshme se pavarësisht pretendimit të Damaskut zyrtarë dhe pretendimit rus se gjoja po luftohet terrorizmi, në rastin e Alepos ndodhi një tragjedi njerëzore dhe kjo ishte e dukshme. Përse bota nuk mundi të bëjë më shumë për Alepon?

Mentor Tahiri: Stigmatizimi i kryengritësve dhe paraqitja e tyre nga ana e shumë mediave të ndikuara nga propaganda ruse si grupime terroriste, ka krijuar në masë të madhe një ambient që i la kryengritësit në Siri të mbesin të vetmuar në luftën e tyre kundër regjimit të Assadit. Shtuar këtu  edhe sulmet ajrore ruse si dhe sulmet me helikopter të forcave të Assadit, në caqe jo vetëm ushtarake, por edhe ato civile, kryengritësit në Alepo më as nuk kishin ç’farë të mbronin, ngase këto sulme jo vetëm që shkatërruan infrastrukturën e tyre, por edhe pamundësuan jetën e mëtutjeshme të civilëve në Alepo.

Megjithatë rasti i Alepos, respektivisht të pjesës lindore të qytetit, e cila për vite me radhë dhe qysh nga fillimi i kryengritjes në Siri, ishte bastion i rezistencës kundër Assadit, më tutje tregon se përveç mbizotërimit ushtarak që është mundësuar për shkak të ndihmës ruse, regjimi në Damask, nuk ka mjete të tjera për të shtrirë legjitimitetin në mesin e shumicës së popullsisë në Siri. Në Alepo, jo vetëm që në bazë të marrëveshjes u tërhoqën forcat e mbetura kryengritëse, por ishin qindra e mijëra civil që gjithashtu u tërhoqën me ta dhe u evakuuan në zona që mbeten jashtë kontrollit të Assad-it. Ky është një tregues i qartë se kryengritësit kanë një përkrahje të gjerë në mesin e popullatës, pavarësisht tkurrjes së territoreve që ata po i mbajnë nën kontrollin e tyre. Aq më tepër brutaliteti në Alepo tregon se ka humbur krejtësisht komunikimi i autoriteteve në Damask me shumicën e popullsisë.

Image
“Pavarësisht superioritetit në armatim që ka Damasku dhe aleatët e tij rus, rrjedha e deritanishme e luftimeve në Siri, ka treguar se këto bastione të izoluara është vështirë të mposhtën ushtarakisht. Qoftë në rastin e Homsit, qoftë në rastin e Alepos, mposhtja e kryengritësve është realizuar vetëm pas marrëveshjeve të cilat i kanë mundësuar të njëjtëve të evakuohen me gjithë armatimin e tyre”.

Forcat e Assad-it me sulmet e tyre me helikopter, të cilat i realizuan para mposhtjes së kryengritësve në Alepo, kanë goditur caqe civile me ‘bomba barele’ të cilat nuk kanë asnjë element të një arme ushtarake, por që qartazi janë përdorur për të shkaktuar sa më shumë viktima civile. Mu për dëmin jo proporcional që shkaktojnë pasi që iu mungon plotësisht edhe një precizitet i goditjes, dhe si të tilla nuk kanë efekt ushtarak por vrasin civilët në zona dendur të populluara, ‘bombat barele’ ishin edhe subjekt i një rezolute të aprovuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me ç’rast palët ndërluftuese thirren të mos i përdorin ato.

“Bota Sot”: A mund të konsiderojmë se pas Alepos, gradualisht po shuhet lufta në Siri dhe si ndikon kjo më tutje sa i përket interesimit të aktorëve regjional ndërkombëtarë  lidhur me Lindjen e Mesme?

Mentor Tahiri: Mposhtja e kryengritësve në Alepo, është deri tani fitorja më e madhe ushtarake e regjimit të Assadit.  Me shumë arsye në zhargonin ushtarak, Alepo është quajtur ‘nëna e betejave’. Alepo që dikur i kishte mbi 2 milion banorë, ishte edhe qendra më e madhe e banuar në Siri. Tani, forcat kryengritëse kanë humbur jo vetëm bastionin më të madh ushtarak por edhe bazën e tyre kryesore të përkrahjes politike. Më parë kryengritësit kanë humbur edhe vet qytetin ku kishte nisur kryengritja, Homs. Tani ata janë të përqendruar në bastione të izoluara  në veri dhe në perëndim të Alepos, ku baza më e madhe mbetet qyteti Idlib, si dhe bastione të vogla më të izoluara në hapësirën ndërmjet Damaskut dhe rrafshnaltës Golan. Pavarësisht superioritetit në armatim që ka Damasku dhe aleatët e tij rus, rrjedha e deritanishme e luftimeve në Siri, ka treguar se këto bastione të izoluara është vështirë të mposhtën ushtarakisht. Qoftë në rastin e Homsit, qoftë në rastin e Alepos, mposhtja e kryengritësve është realizuar vetëm pas marrëveshjeve të cilat i kanë mundësuar të njëjtëve të evakuohen me gjithë armatimin e tyre.

Lufta në Siri sikurse u dëshmua më parë edhe me luftën në Irak, nuk mund të përfundoj ushtarakisht pa vendime të caktuara politike. Rasti i qyteteve të rrethuara të cilat një nga një ranë në duart e regjimit në Damask, përjashton mundësinë e trajtimit të njëjtë të territorit kryesor të kryengritësve në veriperëndim të Sirisë. Jo vetëm për faktin se ky territor mbështet në kufirin turk, por dhe për shkak të përkrahjes së popullatës atje, kryengritësit atje kanë një bazë më të qëndrueshme ushtarake, e cila nuk lejon që fitorja e Assadit në Alepo, të konsiderohet as përafërsisht si fitoren e luftës në tërësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat