“PDK –ja, të heqë stigmatizimin e subjektit të korruptuar”

Intervista

“PDK –ja, të heqë stigmatizimin e subjektit të korruptuar”

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 3 janar 2017 Në ora: 13:59
Lirie Kajtazi me kryeministrin Isa Mustafa

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lirije Kajtazi, gjatë një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deputetët nga PDK-ja të cilët po kërkojnë zgjedhje po iu pengon qeverisja e mirë e LDK-së. Nga ana tjetër, sipas Deputetes Kajtazi, dëmi që opozita i ka shkaktuar Kosovës kapë shifra marramendëse të cilat i tejkalojnë qindra dhe mijëra herë shumën e mëditjeve që ata kanë marrë.

“Bota sot”: Zonja Kajtazi, si e vlerësoni punën e Kuvendit për vitin 2016?

Lirije Kajtazi: Viti që lamë pas, ishte vit i vështirë për jetën parlamentare në Kosovë. Kuvendi ka pas një plan të punës, i cili në kushte normale është dashtë të realizohej, nga se koha e realizimit të tij ka qenë e mjaftueshme.  Kur flas për realizimin unë nuk nënkuptoj votimin e çdo ligji që vjen në Kuvend. Realizim do të thotë trajtim i ligjeve dhe problematikave me të cilat Kuvendi i Kosovës ka obligim kushtetues dhe ligjorë të merret. Mendoj, se opozita nuk ka qenë e arsyeshme; ajo ka huq kursin e veprimit parlamentar dhe demokratik. Përdorimi i gazit në Kuvend i cili me ligjet në fuqi konsiderohet i ndaluar për përdorim, ka qenë gjëja më e shëmtuar që i ka ndodhur jetës parlamentare dhe demokracisë kosovare në konsolidim.  

“Bota sot”: Si i komentoni sjelljet e opozitës në Kuvend përgjatë këtij viti, kur dihet se pavarësisht bojkotimit të seancave ata kanë vijuar t`i marrin mëditjet?

Lirije Kajtazi: Mëditjet janë dëmi më i vogël që opozita i ka shkaktuar Kosovës. Dëmi që opozita i ka shkaktuar Kosovës kap shifra marramendëse të cilat i tejkalojnë qindra dhe mijëra herë shumën e mëditjeve që ata kanë marrë. Ky dëm është ekuivalent me atë që klasa politike e korruptuar, sistemi i drejtësisë, sistemi i sigurisë etj., i kanë shkaktuar Kosovës duke e bërë atë shembull të keq të funksionimit të një shteti, i cili u krijua me sakrificë dhe me ndihmën e demokracive perëndimore. Imazhet e shfaqura në mediat prestigjioze botërore të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, së bashku me raportimet për korrupsion, portretizojnë më së miri propagandën serbe për “Kosovën si shtet jofunksional”. Ky dëm nuk riparohet me para. Ky dëm ka përmasa të mëdha që në kushtet e zhvillimeve të përgjithshme globale, Kosovës mund t’i kushtojë shtrenjtë.

“Bota sot”: Përse nuk arritët ta bindët z. Shpejtim Bulliqi, se marrëveshja për demarkacionin ishte në rregull?

Lirije Kajtazi: Kjo është çështje e tij dhe e jona njëkohësisht.  As nuk u bind, as nuk ishte bindës, mbetet të shohim në vazhdim.

“Bota sot”: Çka nëse opozita nuk e pranon kërkesën e Kryeministrit Mustafa për matje të sërishme të vijës kufitare me Malin e zi?

Lirije Kajtazi: Unë sa e kam kuptuar këtë proces, Kryeministri ka ofruar gatishmëri t’i dëgjoj të gjitha palët. Ka kërkuar argumente dhe fakte valide për pronësinë e pjesëve të kontestueshme të pranueshme nga të gjithë akterët duke përfshirë këtu edhe bashkësinë ndërkombëtare, por të cilat deri më sot nuk i ka prezantuar askush. Të bërit opozitë në demokraci nuk do të thotë refuzim, por pjesëmarrje në procese duke ofruar alternativa apo diskurse.

“Bota sot”: Si i komentoni zërat nga PDK-ja, të cilët kërkojnë zgjedhje të parakohshme?

Lirije Kajtazi: Janë zëra të cilët anëtarësia e PDK –së,  nuk duhet t’i marr seriozisht, janë zëra të atyre që qeverisja e mirë e LDK –së, iu ka prerë rrugën disa keqpërdorimeve ndaj shtetit. Është moment i përshtatshëm që PDK –ja,  të heqë stigmatizimin e subjektit të korruptuar duke e mënjanuar këta individë.(Kjo i bën nder edhe anëtarësisë së saj)

 “Bota sot”: Një kërkesë të tillë tash e sa kohë e ka edhe opozita, a mendoni se ka arsye të mjaftueshme që do ta çonin vendin në zgjedhje të parakohshme?

Lirije Kajtazi: Në zgjedhje shkohet vetëm, nëse si rezultat i veprimeve të pozitës dhe opozitës ka krijuar rrethanë e cila votuesit i krijon bindje për ndryshimin e raporteve politike. Mendoj, se kjo nuk është arritur. Zgjedhjet eventuale do të prodhojnë rezultat të përafërt. Unë ndihem mirë, nga qeverisja e kryeministrit Mustafa dhe ministrave të LDK -së. Qeverisja ka performancë të mirë. Ne, që nga pas lufta kemi një qeverisje pa skandale dhe me performanca të mira duke stabilizuar politikat fiskale, duke rritur buxhetin e shtetit, duke  krijuar rritje ekonomike. Kur kemi parasysh rrethanat në të cilat është qeverisur, kjo është më shumë se shkëlqyeshëm. Ne jemi dëshmitarë të obstruksionit të partive serbe, të agresivitetit të opozitës e cila fizikisht ka sulmuar në shtëpi private në rrugë Kryeministrin, ministrat, punëtorë të administratës shtetërore.

“Bota sot”: Kujt duhet t`i adresohet faji për dështimin e liberalizimit të vizave për këtë vit?

Lirije Kajtazi: Obstruksionit të opozitës e cila ka krijuar kauza të pa qena.

“Bota sot”: Përse, nuk u respektua peticioni i qytetarëve ku kërkohej seancë për Astrit Deharin?

Lirije Kajtazi: Kjo çështje nga komisioni që drejtoj unë është duke u trajtuar sipas procedurave dhe nuk ka as gjë për tu  kontestuar. Së shpejti do të jetë në një nga seancat e radhës. 

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e organeve kompetente në zbardhjen e këtij rasti, pasi kishte shumë dyshime në opinion për mënyrën se si vdiq Dehari?

Lirije Kajtazi: Është rast të cilin e kam përjetuar rëndë, dhe nuk do të doja që kjo të përdorej për çështje politike. Rasti duhet të trajtohet sipas ligjit. Shteti ka obligim që të ofroj transparencë dhe vullnet në zbardhjen e rastit. Kjo, mendoj se është duke u bërë, deklarimet e pamatura dhe kundërthënëse e lëndojnë procesin. Mendoj se Kuvendi nuk është vendi i përshtatshëm që ndihmon në zbardhjen e rastit, ky e komplikon më shumë.

 “Bota sot”: Ndërkohë që vitet kalojnë, ende nuk është zbardhur asnjë nga vrasjet politike të ish aktivistëve të LDK-së, si e komentoni këtë?

Lirije Kajtazi: Këto vrasje janë realizuar nga profesionistët dhe në kohë ku shteti ka qenë i brishtë. Këto mendoj se janë arsyet, pse këto vrasje nuk janë zbuluar deri tani. Por, është një maksimë popullore e cila rrëfen se nuk  ka vrasje, e cila nuk është zbulohet. E di që ata që kanë urdhëruar këto vrasje dhe ata që i kanë kryer, duhet të bëjnë jetë të vështirë. Çdo ditë që kalon është më e rëndë për ta. Në anën tjetër edhe familjarët e viktimave kanë jetë të vështirë deri në zbardhjen e rastit për të afërmit e tyre, por jeta e tyre është më e qetë nga se të afërmit e tyre ishin qytetarë të devotshëm të këtij vendi, ata kontribuuan shumë që ne të jemi këtu ku jemi. Dhe dita kur të zbardhet e vërteta për të afërmit e tyre është dita që do t’ua lehtësoj pak dhimbjen, dhe ajo ditë do të vijë.

“Bota sot”: A prisni nga Gjykata Speciale që t`i zbardhë këto vrasje?

Lirije Kajtazi: Thashë që nuk ka vrasje e cila nuk është zbuluar. Është thënia popullore se për një të tillë “ferra ka folur”

“Bota sot”: A ka përçarje brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Lirije Kajtazi: Ne jemi parti stabile demokratike.  

“Bota sot”: A duhet të ketë reformë në LDK?

Lirije Kajtazi: Zgjedhjet demokratike brenda partive i reformojnë partitë, dhe ne në vazhdimësi mbajmë zgjedhje në të gjitha nivelet, duke filluar prej nëndegëve, degëve dhe në qendër.

“Bota sot”: Me cilën parti do të bënit koalicion parazgjedhor në rast se vendi shkon në zgjedhje?

Lirije Kajtazi: Kjo është pyetje e cila nuk e ka kohën. Zgjedhjet janë ende larg, por mendoj se LDK –ja,  është parti shtetformuese dhe në as një mënyrë nuk do ta rrezikoj funksionimin e sistemit shtetërorë. LDK –ja,  do të bëjë luftë politike për të marrë pushtetin me qëllim që ta qeverisë vendin në rrugën e zhvillimit dhe integrimit euroatlantik “me miqësi të përhershme me SHBA” siç thoshte presidenti historik Rugova. Dhe ky sistem zgjedhor që kemi tani nuk ofron alternativa të shumta për të zgjedhur, kështu koalicionet janë të pa shmangshme nëse nuk ndërrohet sistemi zgjedhor. Ne qytetarëve ju garantojmë qeverisje të mirë.

“Bota sot”: Së fundi u rizgjodhët në postin e Kryetares së forumit të gruas në LDK, çka do të thotë kjo për juve?

Lirije Kajtazi: Do të thotë shumë. Nderim dhe përgjegjësi, nga se gjithë ato gra të mira të anëtarësisë së Forumit te Gruas, gjithandej Kosovës, në një proces shumë të shëndoshë dhe demokratik më besuan një post i cili orienton dhe menaxhon jetën politike të grave brenda LDK -së. Kjo është nderë i madh për mua. Shfrytëzoj nga rasti t’i falënderoj për besimin që më dhanë dhe të premtoj se nuk do t’i zhgënjej.

“Bota sot”: Më herët kolegia juaj Vjosa Osmani ka shprehur hapur ambiciet, për të udhëhequr LDK –në. A do ta mbështesnit ju, nëse sërish ajo ndërmerr një hap të tillë?

Lirije Kajtazi: Thashë më lart se LDK-ja organizon zgjedhje të gjitha nivelet, dhe procesi është demokratik. Ka të drejtë të kandidohet çdo kush dhe votimi është i lirë. Edhe në procesin e fundit zgjedhor ku Vjosa ishte kandidate, vota ime ishte pro kandidaturës së saj, dhe ajo ka qenë publike.  

“Bota sot”: Partitë politike, nuk i bëjnë transparente financat. Pse ndodh  kjo? Çfarë e pengon LDK–ën, për të bërë publike financat?

Lirije Kajtazi: Nuk e pengon aspak, me përgjegjësinë më të madhe deklaroj se LDK-ja,  mban financa sipas ligjeve në fuqi dhe personi i autorizuar për këtë është kredibël dhe profesional. Evidencat ekzistojnë dhe mundet çdokush t’i auditojë. Ligji për qasje në dokumentacion zyrtar i mundëson çdo kujt ta shikojë dokumentacionin, i cili dokumenton procedurat hyrjes dhe daljes së parasë të cilat LDK –ja.  i shpenzon për nevojat e veta. Nuk kam informacion se palëve të interesuar për të parë këtë dokumentacion i është refuzuar kërkesa.

“Bota sot”: Si i komentoni katër letrat e Presidentit Hashim Thaçi, dërguar Prokurorisë, për zbardhjen e vrasje politike dhe atentatin ndaj Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova?

Lirije Kajtazi: Dua të mendoj se është një vullnet i mirë, mund të ketë edhe ai rrëfimin e vet.

 “Bota sot”: Dhe për në fund, si fillon një ditë e juaja e zakonshme?

Lirije Kajtazi: Në ora shtatë, përcjell burrin për në punë dhe djalin për në shkollë,  përgatitem për punë. Ledinës, vajzës time i lë porositë eventuale pasi ajo ka mësim pasdite. Nga mëngjesi deri vonë është orari im i përditshëm dhe mbrëmja më kthen afër tyre me detyrat që kane ata dhe unë për të nesërmen.

“Bota sot”: Nga kush përbëhet familja juaj e ngushtë?

Lirije Kajtazi: Kam burrin Fadilin me të cilin jemi martuar ne vitin 2000, vajzën Ledinën dhe djalin Arianitin

“Bota sot”: Ju bie shpesh që si deputete të udhëtoni jashtë vendit, a i mungoni familjes dhe si arrini ta kompensoni këtë mungesë?

Lirije Kajtazi: Kjo është gjëja më e komplikuar e punës time, mungesa e familjes më bë të ndihem keq dhe udhëtimi jashtë shtetit duhet të ketë arsye të fortë. Unë ato i reduktoj udhëtimet në masën e arsyeshme.

“Bota sot”: Cilin specialitet të cilin e gatuan ju, e preferon më shumë familja juaj?

Lirije Kajtazi: Ushqimet e rastit, pa ndonjë preferencë të veçantë është përditshmëria. Pastaj kur kemi kohë, gatuaj gjithçka, duke filluar nga ushqimi tradicional dhe recetat.

“Bota sot”: Sa respektohen të drejtat e grave në vendin tonë?

Lirije Kajtazi: Mendoj se ligjet në fuqi e rregullojnë mirë pozitën e gruas në jetën shoqërore. Respektimi i të drejtave të gruas është çështje globale. Kosova nuk është keq kur kihet parasysh koha e shkurtër e shtet formimit dhe pushtimet shekullore të cilat vinin me kultura dhe ligje diskriminuese. Vazhdojnë ti bëjnë rezistencë përparimit edhe varfëria edhe barrierat kulturore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat