Rexhep Selimi flet për luftën, Gjykatën Speciale e vijat e kuqe të Vetëvendosjes

Intervista

Rexhep Selimi flet për luftën, Gjykatën Speciale e vijat e kuqe të Vetëvendosjes

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 janar 2017 Në ora: 16:25
Rexhep Selimi

“Situata në Kosovë është e rënduar pothuajse në të gjitha aspektet”. Kështu ka vlerësuar deputeti Rexhep Selimi në një intervistë për gazetën “Bota sot”. Ndërsa ka folur për rolin e tij në forcën politike që ai bën pjesë, VV, ka shenjëstruar edhe Qeverinë, kryesisht për çështjet e Demarkacionit dhe Asociacionit. Ndër të tjera ai ka komentuar edhe katër letrat e Presidentit Hashim Thaçi, dërguar Prokurorisë së Shtetit, për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës. Në fund të intervistës, ai ka sjellë një panoramë të aktiviteteve të tij, jashtë  jetës politike, si bashkëshort dhe si prind.

Bota Sot:  Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike? 

Rexhep Selimi: Sot, situata në Kosovë është e rënduar pothuajse në të gjitha aspektet, si në atë politik, ekonomik dhe të sigurisë. Kjo situatë është pasojë e qeverisjeve të keqe në vazhdimësi.

Bota Sot:  A keni shpresë , ju si forcë politike se 2017 –a, do të sjellë rezultatet pozitive në jetën politike?

Rexhep Selimi: Ne nuk mbështetemi vetëm në shpresa,  por në besimin dhe përkushtimin tonë maksimal që ta ndryshojmë gjendjen e vështirë dhe ta kthejmë ecjen e Kosovës në kursin normal të shtetbërjes. 2017-ta, duket se do të jetë vit zgjedhor, e zgjedhjet do të jenë një pikë kthese e Kosovës në drejtimin e duhur, dhe kur kjo Qeveri të bie dhe të hapet mundësia e një qeverisje ndryshe. Një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, atëherë do të jetë garanci që Kosova të kthehet në rrugën e duhur të shtet bërjes.

Bota Sot: Sa keni ju, si person  ndikim në politik bërjen e lëvizjes VV?

Rexhep Selimi: Unë jam anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, po ashtu edhe anëtar i Këshillit të përgjithshëm dhe i Grupit Parlamentar të Lëvizjes. Të drejtën time për vendimmarrje e ushtrojë në përputhje me rregullativat e këtyre organeve. Por, për vendimet më të rëndësishme në Lëvizjen Vetëvendosje vendos anëtarësia me parimin një anëtar një votë ku ketë të drejtë ushtrojnë në disa raste.

Bota Sot: Gjatë kohës së gazit lotsjellës, në hyrje të Kuvendit  janë kontrolluar  të gjithë deputetet, dhe në një moment ju z. Selimi  keni pasur një reagim të ashpër ndaj policit? Pse, reaguat në atë mënyrë?

Rexhep Selimi: Unë i nënshtrohem të gjitha kontrolleve të policisë në hyrje të Kuvendit, sa herë që ato aplikohen edhe për deputetët  e tjerë. Pra unë nuk bëj përjashtim, përkundrazi. Rasti të cilit ju po i referoheni, ka qenë një provokim i parapërgatitur dhe unë kam reaguar ndaj provokimit, jo ndaj kontrollit. 

Bota Sot: Sa mendoni se ka qenë efikase Qeveria?

Rexhep Selimi: Për fat të keq, Qeveria ka qenë efikase deri diku në shtyrjen përpara të projekteve të Serbisë në Kosovë. Natyrisht, në sajë të reagimit opozitarë, në sajë të protestave të qytetarëve dhe mbi të gjitha në sajë të vendosshmërisë së Lëvizjes Vetëvendosje, projektet kryesore anti-Kosovë nuk kanë mundur të shkojnë deri në fund, siç janë Zajednica, demarkacioni etj. Pra, nëse do ta linim që Qeveria të ishte efikase në agjendën e saj, atëherë do të realizoheshin projektet anti-Kosovë të cilat qeveria Thaçi -Mustafa, është munduar t’i realizojë. Pra ne nuk e lamë Qeverinë të ishte efikase në realizimin e të këqijave që kishte në plan. Por, në krim të organizuar e në korrupsion Qeveria ia arriti prap të jetë efikase.

Bota Sot: Kur keni kundërshtuar Demarkacionin, a e keni pasur parasysh, se kjo rrezikon miqësinë  me vendet që kanë njohur pavarësinë?

Rexhep Selimi: Ne nuk mund ta nderojmë miqësinë dhe marrëdhëniet diplomatike me vendet që na kanë njohur duke mos e njohur kështu vetveten (integritetin territorial të Kosovës) në radhë të parë. Kosova nuk mund t’i paguajë njohjet me dhënie territori, sepse me këtë logjike nuk do të mbetej asgjë nga territori. Në këtë rast edhe me Malin e Zi.  

Bota Sot: Kush duhet të jap llogari për këtë?

Rexhep Selimi: Për këtë raport jo fort komod në mes marrëdhënieve të Kosovës me Malin e Zi duhet të japin llogari ata që kanë pranuar ta tradhtojnë Kosovën në interes të Malit të Zi, ata që kanë pranuar t’ia falin mbi 8.300 hektarë tokë  Malit të Zi, ata të cilët kanë nënshkruar atë që nuk kanë të drejtë. 

Bota Sot:  Si e shihni kërkesën e kryeministrit Isa Mustafa për formimin e komisionit për demarkacionin me Malin e Zi?

Rexhep Selimi: Kryeneçësia dhe arrogance e Mustafës për ta realizuar një marrëveshje në dëm të integritetit territorial të vendit që ai e udhëheqë e bën atë një Kryeministër që me vetëdije e shkel sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Pra, Mustafa po tregohet këmbëngulës kundër Kosovës. 

Bota Sot:  Si e vlerësoni hapin që ndërmori Presidenti Hashim Thaci, lidhur me letrat drejtuar Prokurorisë së Shtetit, për zbardhjet e vrasjeve të pas luftës?

Rexhep Selimi: I ashtuquajturi President i Kosovës, me disa letra drejtuar prokurorisë, nuk ka bërë asgjë në shërbim të drejtësisë, përkundrazi, me ato letra ai veç sa ka dashur ta luaj një lojë e cila është thjesht e deshifrueshme. Por mbi të gjitha ai duhet ta dijë se nuk duhet të bëhet lojë me drejtësinë. Meqë ai nuk po e trajton drejtësinë si duhet, mundet që nesër drejtësia ta trajtojë atë.

Bota Sot: Kur do ta ketë Kosova FAK -un?

Rexhep Selimi: Kosova do ta ketë ushtrinë e saj mbrojtëse – FAK,  kur në krye do ta ketë një Qeveri që nuk e pyet Beogradin për një gjë të tillë. Nga të gjithë faktorët përcaktues për ushtrinë e Kosovës, vetëm Beogradi po kundërshton. Edhe partnerët perëndimore e amerikanë, edhe qytetarët dhe opozita, edhe vendet mike të rajonit e duan Kosovën me Forca të Armatosura. Vetëm Serbia nuk e do një gjë të tillë. E në këtë mes, Qeveria e Kosovës vetëm Serbinë po e dëgjon. Prandaj nuk kemi ushtri sot.

Bota Sot: Më 1 janar fillon punën Gjykata Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së. Si lëvizje jeni kundër gjykatës dhe mendoni se ka mundur Kosova ti shmanget krijimit të kësaj Gjykate?

Rexhep Selimi: Këtë Gjykatë e ka krijuar pushteti i tanishëm dhe mazhoranca e pushtetit në Kuvend. Me këtë pushtet të shitur s’kemi se si të presim që t’i përmirësojë dëmet që vetë i ka shkaktuar. Gjykata Speciale nuk ishte një aksident, por një plan i holluar për ta dëmtuar Kosovën, luftën e saj dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Secili deputet që e ka votuar atë gjykatë e ka dëmtuar Luftën e drejtë të shqiptarëve për liri dhe secili deputet që i ka thënë “ PO “ me votën e tij kësaj Gjykate e ka marrë përsipër gjenocidin që kurrë se kemi bërë si popull. Prandaj vetëm një qeveri e drejtë dhe e mirë mund të bëjë diçka që ta mbrojë Kosovën dhe UÇK-në nga vota e deputetëve që e votuan atë gjykatë. Të gjithë deputetët që e votuan atë gjykatë, por në veçanti ata deputetë që dikur ishin luftëtarë apo pjesëtarë të UÇK-së, me votën e tyre, e kanë tradhtuar luftën e tyre, shokët e tyre luftëtarë dhe mbi të gjitha e kanë tradhtuar idealin e dëshmorëve të UCK-së.

Bota Sot: Dihet që në Gjykatë Speciale akuzohen kryesisht pjesëtarë të UÇK-së. A janë kryer krime nga UÇK –ja?

Rexhep Selimi: Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të drejtë dhe të pastër në përputhje me të gjitha konventat ndërkombëtare mbi luftën. UÇK-ja nuk ka bërë krime, përkundrazi, ajo ka luftuar kundër atyre që kanë bërë krime në Kosovë, kundër atyre që kanë vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, kundër atyre që kanë dhunuar rreth 20 mijë femra, kundër atyre që kanë dëbuar mbi 1 milion shqiptarë nga Kosova, kundër atyre që kanë djegur mbi 120 mijë shtëpi të shqiptarëve. Ushtria Çlirimtare ka luftuar kundër të cilëve ka luftuar edhe NATO dhe shtetet perëndimore aleate. 

Bota Sot:  A  mund ta trondit skenën politike siç alarmohet nga opinionistë të ndryshëm, fryrja e listave të veteranëve?

Rexhep Selimi: Ndonëse ligji aktual ka shumë defekte dhe mangësi, nga ana e Komisionit për verifikimin e veteranëve, janë bërë shkelje drastike të ligjit. Duke e ditur se në bazë të të njëjtit ligj, deklarimi i rrejshëm dhe falsifikimi i dokumenteve me qëllim të përfitimit të statusit të veteranit është një vepër e dënueshme, atëherë nga i njëjti komision janë kryer mbi 26 mijë vepra, të cilat do të duhej të konsideroheshin si vepra penale në këtë rast. Prandaj, me vetëdije të plotë, nga personat përgjegjës të caktuar, është bërë shkelja e ligjit për veteranët duke e tejkaluar dyfishin e numrit të cilët janë në të vërtetë veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bota Sot: Si e shpjegoni ngërçin e të qenit unik të opozitës, e cila më shumë po sfidohet nga  vetvetja sesa nga qeveria?

Rexhep Selimi: Ngërçin nuk e ka bërë dhe nuk mund ta bëjë opozita në sajë të numrave që ka në parlament. Kur mazhoranca qeverisëse PDK-LDK-Lista serbe ka më shumë se dy të tretat e Kuvendit, si mund të akuzohet opozita që ka krijuar ngërç. Prandaj opozita nuk ka krijuar ngërç por ia ka zënë në ‘fyt’, Qeverisë kafshatën. 

Bota Sot: Si opozitë keni reaguar ndaj aferës “Pronto”, megjithatë kjo çështje shumë shpejt u hesht. Kush mendoni se duhet të jap llogaridhënie për këtë? 

Rexhep Selimi: Afera “ Pronto”  është vetëm një tregues faktik e asaj çka në të vërtetë ne e denoncojmë për ditë, siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Afera “Pronto” nuk është thjesht një skandal në vetvete, por tregues i  skandaleve të përditshme të pushtetit. Ne nuk do të heshtim derisa të fillojë prokuroria të mos heshtë për këtë gjë. 

Bota Sot:  Rast Dehari për Lëvizjen VV mbetet enigmatike. Përtej deklaratave keni arritur të grumbulloni materiale për të kundër argumentuar vendimin e Prokurorisë?

Rexhep Selimi: Ne e bëjmë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat e saj për arrestimin e padrejtë të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për procesin e montuar kundër tyre si dhe për vdekjen e njërit prej tyre, aktivistit Astrit Dehari. Lëvizja Vetëvendosje kurrë nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për Astritin deri sa gjithçka ta marrë përgjigjën e duhur dhe përgjegjësit ta marrin përgjigjen e merituar.

Bota Sot: Kur mendoni se do të mbahen zgjedhjet dhe sa jeni të përgatitur për këtë?

Rexhep Selimi: Ne jemi të  përgatitur për zgjedhje në secilin moment. Në këtë situatë kur qeverisja ka degraduar deri në shkallën më të ultë të saj e sidomos kur Qeveria është kapur në flagrancë në tentative për ta rrënuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, siç e thotë edhe Gjykata Kushtetuese, atëherë dorëheqja e qeverisë do të duhej të ndodhtë qysh moti.

Bota Sot: Cila nga partitë duket se ka qëndrime më të afërta me LVV -në?

Rexhep Selimi: Lëvizja Vetëvendosje ka vizionin, programin dhe platformën e saj politike me të avancuarën në skenën politike shqiptare. Ne nuk bëjmë matje krahasuar me të tjerët. Ne jemi të përqëndruar në realizimin e platformës sonë politike. Kushdo që e ndien veten afër nesh dhe programit tonë mund të jetë partner në këtë kurs. Prandaj Lëvizja Vetëvendosje është afër programit të saj, para se të jetë afër me dikë që nuk e ndjek këtë kurs. Kushdo që gjendet në shërbim të atdheut, bashkimit kombëtar dhe barazisë mund të jetë partner i yni. 

Bota Sot: Për cilat nga partitë ka VV –ja ,viza të kuqe?

Rexhep Selimi: Ne nuk udhëhiqemi nga parimi i vijave të kuqe e të verdha. Ne kemi një drejtim dhe vizion që nuk i shmangemi!

Bota Sot: Të ndërrojmë temë, cili është deputeti Selimi jashtë Kuvendit?

Rexhep Selimi: Unë jashtë Kuvendit jam çdo ditë me ata që më kanë dërguar në Kuvend,  me anëtarët, aktivistët dhe votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Paralel me aktivitetet unë përherë jam edhe pranë familjes dhe miqve të mi që i dua e i çmojë shumë.

Bota Sot: A keni ndonjë hobi?

Rexhep Selimi: Nuk e di a mund t’i quaj këto hobi por unë e dua muzikën, edhe sportin, por kohëve të fundit kam nisur ti kthehem pak pikturës. Kam nisur edhe të pikturojë bashkë me fëmijët e mi, nganjëherë! Por nuk janë vetëm këto pasionet e mia…!

Bota Sot: A e doni futbollin, sportin në përgjithësi dhe a keni ndonjë ekip të preferuar?

Rexhep Selimi: E dua futbollin shume, por më së shumti e dua kur luan Kombëtarja jonë. Kur luan kombëtarja aty ka më shumë se sa futboll, aty ka shpirt, aty ka zemër, aty ka krenari, aty ka front…Ka gjithçka nga pak.

Bota Sot: Sa e kaloni kohën me familjen tuaj dhe a flisni edhe në shtëpi për politikën?

Rexhep Selimi: Meqë jetoj dhe punojë në Kosovë, unë pothuajse çdo natë jam në shtëpi. Kosova është e vogël dhe na mban afër edhe me familjen. Kurse, në familje shumë pak flas për politikën, por jetojmë me politikën, natyrisht.

Bota Sot: Po të mos ishit deputet, cili do të ishte profesioni i juaj, që do e bënit me dëshirë?

Rexhep Selimi: Unë sot po të kisha mundësi të kthehem në uniformën e ushtrisë së vendit tim, do ta dorëzoja mandatin e deputetit. Me uniformën e Ushtrisë së atdheut tim, do të doja të jetoja dhe të vdisja!

Bota Sot: Mesazhi yt për Vitin 2017?

Rexhep Selimi: Qoftë 2017-ta vit i suksesit të shqiptarëve anembanë kudo që janë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat