Financimi i ministrive të PDK-së, “ndan” koalicionin qeveritar

Intervista

Financimi i ministrive të PDK-së, “ndan” koalicionin qeveritar

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 janar 2017 Në ora: 19:36
Sadri Ferati

Viti 2017 nuk duhet të jetë vit i zgjedhjeve qendrore, por vetëm i atyre lokale. Kështu ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, në një intervistë për gazetën “Bota sot”. Më tej në intervistë, ai thotë,  se qytetarët e Kosovës duhet të shpresojnë që në vitin që po hymë të marrim liberalizimin e vizave, me kalimin e marrëveshjes së Demarkacionit. Deputeti Ferati po ashtu flet edhe për Gjykatën Speciale, aferën ‘Pronto’, asociacionin, përçarjet në mes të koalicionit dhe për çështje jashtë politikës.

Bota sot: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Sadri Ferati: Edhe përkundër se patëm një vit me tensione, sidomos ka pasur përdorim të dhunës në opozitarizmin e opozitës, megjithatë, Kosova ka pasur suksese dhe ka bërë një hap përpara në formimin e shtetësisë së saj dhe çështje si zhvillimi ekonomik ka krijuar shtresa, që nuk kanë mundur ta marrin veten, por problem mbetet çështja e demokracisë, por në përgjithësi kemi pasur vlerësime në disa fusha, por kemi pasur ngecje në zhvillimin e disa fushave. Por shpresoj se do të marrim lajme të mira për liberalizmin e vizave, ndërsa për vitin tjetër mbesin të njëjtat tema, duke shtuar çështjen e formimit të ushtrisë.

Bota sot: Janë disa çështje që tash e një kohë kanë mbetur pezull, Demarkacioni dhe Asociacioni. Cila mendoni se është zgjidhja për këto?

Sadri Ferati: Edhe pse është folur shumë, vërejtjet që ka pasur opozita rreth Demarkacionit, kanë mbetur në nivelin e kritikave dhe unë shpresoj, që në çfarëdo forme që ka nevojë çështja e demarkacionit t’i nënshtrohet çfarëdo formati të brendshëm të sillet për votim por më në fund të kalon në parlament edhe për hir të liberalizimit të vizave, edhe të pjekurisë institucionale por edhe për shkak të ruajtjes së raporteve të mira me Malin e Zi, që në momentin më të duhur e ka pranuar shtetin e Kosovës dhe në të gjitha fazat është treguar fqinj i mirë dhe e ka përkrahur anëtarësimin e Kosovës në institucioneve ndërkombëtare.  Pra është në interesin e Kosovës që demarkacioni të vendoset në rend dite sikur edhe asociacioni dhe Kosova do të detyrohet ta vendosë në rend dite, normalisht duke respektuar Kushtetutën, vendimin e gjykatës kushtetuese për ligjet e Kosovës dhe të tejkalohet si pikë e të mos mbetet peng i asaj çështje, ndërsa kur jemi të Asociacioni dhe Demarkacioni, mendoj se në kuadër të tyre më pas të shkohet edhe me çështjen e forcave të armatosura të Kosovës.

Bota sot:  A mendoni se do të kalojë demarkacioni kurdo që të sillet në Kuvend, pasi është thënë se koalicioni nuk i ka numrat? 

Sadri Ferati: Është e vërtetë që kemi mendime të ndryshme nga disa deputetë të opozitës por tani edhe mospjesëmarrja e listës serbe e bën të pamundur arritjen e 80 votave, por unë thashë që duhet t’i nënshtrohet një debati të brendshëm, por e mira do të ishte nëse kthehet konsesusi në këtë formë si është, por edhe nëse dikush ka argumente, edhe pse nuk e di çka është mbetur pa u thënë, mendimi im personal është që po, demarkacioni duhet të argumentohet, të sillet në Kuvend dhe të votohet.

Bota sot:  Si po ju duket propozimi më i ri i Kryeministrit Mustafa sa i përket çështjes së Demarkacionit?

Sadri Ferati: E marr më tepër si një dashje, një mesazh, se ata që mendojnë ndryshe duhet të krijojnë argumente të matshme, të kapshme dhe profesionale sepse të matet territori do të thotë se i njëjti territor që e ka pasur gjithmonë Kosova, ai po ratifikohet, në kuptimin që ratifikimi po e ruan sipërfaqen e Kosovës ashtu si është thënë deri më tash, sikur edhe sipërfaqen e komunës së Pejës, sikur edhe sipërfaqen e zonës kadastrale të fshatit Haxhaj. Dhe unë e kam kuptuar si një mesazh, urdhëroni krijoni argumente që po humbet tokë, duke e marrë këta që e kemi apo duke treguar kur e kemi pasur atë tjetrën për të cilën thuhet se e kemi humbur. Mendoj,  se është një mesazh dhe një thirrje se të krijojmë argumente dhe ta procedojmë këtë çështje.

Bota sot: Sa ndikon Asociacioni i komunave serbe ne serbizimin e Kosovës?

Sadri Ferati: Unë nuk e lidh Asociacionin me serbizimet dhe as që po e nënkuptoj këtë, por as nuk e lidhi me këtë. Asociacioni i komunave realizohet si pjesë e marrëveshjes që e kanë nënshkruar institucionet e Kosovës me atë të Serbisë dhe që ndërlidhet me të drejtat dhe përgjegjësitë e bashkëpunimit të komunave me shumicë serbe nëse ata dëshirojnë. Pra një gjë është e lejuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Bota sot: Kur sipas jush do të ndodhë liberalizmi i vizave për Kosovën, derisa çdo ditë e më shumë po kërkohet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar?

Sadri Ferati: Kur flasim për liberalizimin, ne do të kishim dëshirë që ajo të ndodhë sa më shpejt, që të kishte ndodhur tashmë, sepse po flitet që do të merren vendime edhe për disa shtete që kanë konkurruar bashkë me neve. Shpresojmë se do të krijohet një tolerancë me Kosovën, që nuk i ka përmbushur kushtin e fundit sipas meje, që është demarkacioni. Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ajo është në vazhdimësi dhe nuk është një çështje që rregullohet me një akt apo me një vendim, por kërkohet që të shihet një përparim dhe përparimi është i dukshëm me vetë rritjen e vullnetit të institucioneve të Kosovës, që të angazhohet në zbatim ligji dhe në sundimin e ligjit. Prandaj unë po besoj, që ata do ta kishin vlerësuar pozitivisht këtë sa i përket liberalizimit të vizave në raport me këtë pikë po besoj që ka mendim pozitiv dhe liberalizimi do të duhej të lejohej sa i përket kësaj pike. Ndërsa ratifikimi i Demarkacioni siç po shihet është ajo pika që do ta shtyjë liberalizimin e vizave.

Bota sot: A mendon se 2017 do të jetë viti që qytetarët mund të shpresojnë për të lëvizur të lirë?

Sadri Ferati: Do të kisha dëshiruar që diçka e tillë të ndodhë në fund të këtij viti dhe të mos e presim vitin 2017 sepse asnjëherë këto nuk janë çështje që varet vetëm nga një partner sepse duhet të shihet pastaj se në cilën situatë do të jetë më pas bashkimi evropian dhe shumë shtet me ndikim. Unë do të kisha dëshiruar që kjo të ndodhë që këtë vit, ndërsa nëse nuk ndodh këtë vit, ne duhet të përgatitemi që t’i kryejmë punët dhe de fakto ta përfundojmë çështjen e demarkacionit.

Bota sot: Ka pasur zëra nga PDK-ja për përçarje mes koalicionit. Sa është e vërtetë kjo?

Sadri Ferati: Nuk e marr në atë kuptimin se ka përçarje, por gjithmonë brenda një subjekti një grupi parlamentar gjithmonë ka çështje të ndryshme, që ka persona të ndryshëm që mendojnë ndryshe. Edhe ne partneritetin LDK-PDK  e konsiderojmë stabile, por absolutisht të pajtueshëm, sepse ka çështje që kanë dallime, që tash ne e kemi buxhetin ka dallime të ndryshme dhe mospajtime sepse PDK-ja, kërkon më shumë buxhet për komuna dhe ministritë e veta, por po besoj se edhe kjo çështje do të kalojë dhe koalicioni do të jetë stabile dhe do ta fillojmë vitin e ardhshëm nga një start të një mobilizimi për punë dhe me një stabilitet të plotë.

Bota sot: Po ashtu ka pasur deklarata nga ana e PDK-së, se në mars mund të prishet koalicioni dhe të shkohet në zgjedhje. A qëndron ky version?

Sadri Ferati: Jo unë nuk e di, se a do të prishet në mars sepse po flitet për një periudhë që vjen, unë e di që do të jetë një vit që do ketë sfida me të cilat duhet të merremi dhe duhet t’i adresojmë dhe duhet zgjedhim dhe prioriteti jonë është rezultati që do të japë kjo Qeveri dhe kjo qeverisje, njëkohësisht viti i ardhshëm do të jetë vit i zgjedhjeve lokale ku do të koncentrohet një pjesë e madhe e aktivitetit në përgjithësi të partnerëve edhe nuk e di a do të ketë, por fundja nuk është se do të ketë një dëm të madhe edhe nëse mbahen, por do të dëmtohej fushata që në të njëjtën kohë të bëhen dy fushata ajo zgjedhore lokale dhe qendrore dhe janë të dyja që kërkojnë fushata ndryshe programe të veçanta, por mbetet të shihet.

Bota sot: Realisht, a duhet të shkojë Kosova në zgjedhje të parakohshme?

Sadri Ferati: Nuk e di, realisht nuk e di a duhet të shkojë. Unë do të kisha dëshiruar që fillimisht të jenë zgjedhjet lokale e më pas qendrore, por edhe nëse shkon nuk është se humbet shumë. Janë 6 -7 muaj qeverisje, por dëmtohet procesi i fushatës dhe vetë kualiteti i zgjedhjeve, por na mbetet të shihet, nuk mund të themi se kemi ndonjë paralajmërim ose ndonjë parametër të sigurt që do të kishim thënë se ka ose nuk ka. Mbetet të shihet.

Bota sot: Afera “Pronto”, që u cilësua si skandal shumë shpejt u hesht. Kush mendoni se duhet të jap llogaridhënie për këtë?  

Sadri Ferati: Ajo është çështje kryesisht  e organeve të drejtësisë të cilat i kanë regjistrimet dhe nëse ata e vlerësojnë nëse ka apo nuk ka diçka aty. E më pas ata do të vendosin nëse do të hapin hetime.

Bota sot:  Rasti i Astrit Deharit ka qenë një temë shumë e përmendur, ndërsa në Kuvend nuk u pranua të diskutohej. A nuk i interesonte mazhorancës, zbardhja e këtij rasti?

Sadri Ferati: Ka qenë e ngutshme sepse sikur që është dëshiruar që të predikohet rezultati dhe ne nuk jemi në situatë që t’ ju paraprijmë organeve të drejtësisë dhe pikërisht Vetëvendosje është ajo që tentohet të përzihet në drejtësi dhe ajo ishte presion në drejtësi. Dhe atë ditë nuk jemi pajtuar por nuk përjashtohet mundësia që kjo çështje të jetë në rend dite në të ardhmen.

Bota sot:  Ndaj jush më herët, kanë qenë nisur disa hetime të inicuara nga Antikorrupsioni. Çfarë ka ndodhur me atë rast?

Sadri Ferati: Unë s’kam pasur asgjë nga antikprrupsioni. Ka qenë një padi private e Hasan Pretenit për një banesë që në ia kemi dhënë TMK-së dhe ai rast është mbyllur dhe ka qenë padi personale e një personi për shkak se nuk ka qenë i pakënaqur me ndarjen e banesave dhe kjo lëndë ka përfunduar në tërësi dhe rasti është zero.

Bota sot: A besoni se Gjykata Speciale do të pastrojë skenën politike të Kosovës nga të inkriminuarit?

Sadri Ferati: Ne nuk e dimë se çka do të jetë objekt i Gjykatës Speciale, por nuk përjashtohet mundësia që personat që ajo do t’i trajtojë, që ata të kenë ndikim në kuadër të subjekteve të tyre, por tash për tash nuk mund të themi se nuk dimë për kë bëhet fjalë.

Bota sot:  A keni ndonjë informacion se kush nga politikanët do të jetë pjesë  e hetimeve të Gjykatës Speciale?

Sadri Ferati: Jo unë nuk kam, por edhe pse ka pasur herë pas here publikime por kjo çështja e portaleve tek ne dhe kjo çështja e postimeve dhe dhënieve, është bërë aq shumë gati treg i gjuajtjes së informatave që njeriu nuk është i sigurte, atë që e ka lexuar është e vërtetë apo jo. Do të rezervohem të jap përgjigje duke u bazuar në informacione të paverifikuara, pra na mbetet të shihet vërtetë se kush do të jenë personat që do t’i hetojë gjykata speciale.

Bota sot: Nga një mbledhje të përgjithshme të Këshillit të LDK–së, kanë dalë zëra se ju jeni përplasur me Vjosa Osmanin e cila i ka shprehur hapur ambiciet për të udhëhequr LDK–në?  Pse ka ndodhur kjo?

Sadri Ferati: Nuk është e vërtetë. Një medium kinse nga burime të veta të brendshme ka thënë se pas fjalës sime, kinse e ka marrë fjalën Vjosa e pastaj unë, pastaj Vjosa, por kjo nuk është e vërtetë, nuk kam pasur asnjë replikë në asnjë nivel me Vjosa Osmanin.

Bota sot:  Si i keni marrëdhëniet me zonjën Osmani?

Sadri Ferati: Kemi marrëdhënie korrekte dhe kolegjiale.

Bota sot: Të kalojmë pak tek jeta private. Si është jashtë politikës zotëri Ferati?

Sadri Ferati: Një person që ka pasur ideal, të cilit ideal iu ka përkushtuar si i ri, një institucionalist, një familjar i mirë, një shok i respektuar dhe një profesionist i zellshëm.

Bota sot: A i diskutoni në familje çështjet politike?

Sadri Ferati: Shumë pak. Ka komente të ndryshme nga informacionet dhe minimalisht kam çuar në politikë edhe kur kam punuar në institucione tjera, në industri edhe në biznesin privat edhe në politikë, në të gjitha nivelet, shumë pak kam çua nga ajo në familje dhe shumë pak i diskutojmë ngjarjet politike në përgjithësi. Natyrisht nuk mund t’i ikim ndonjë komenti, por jo shumë, shumë pak.

Bota sot:  Sa keni kohë t’i përkushtoheni familjes?

Sadri Ferati: Edhe përkundër që në faza të ndryshme kam qenë shumë i zënë, zakonisht mbrëmjet ia kam kushtuar familjes, megjithatë mund të them që një deficit me kohën që kam kaluar me familjen ka qenë, sepse sidomos gjatë kohës që jam marër me biznes dhe në institucione kam pasur nevojë për angazhime plotësuese deri vonë, por jam kujdesur që në momentin që jam liruar nga angazhimet, i jam ofruar familjes. Pra, pas institucioneve, gjithmonë kohën e plotë e kam kaluar me familjen.

Bota sot: Nga sa anëtarë përbëhet familja juaj?

Sadri Ferati: Përbëhet prej 5 anëtarësh, përveç meje është nusja, gruaja ime dhe tre fëmijë, një djalë dhe dy vajza.

Bota sot:  A keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga politika?

Sadri Ferati:
Shumë shpesh. Shumë shpesh në kuptimin se çka jam duke bërë, a jam duke kontribuar mjaft, është zanat i vështirë, pastaj a po mund të realizohet qëllimi, apo s’po mund të realizohet, pastaj a po i kuptojnë të tjerët ato çka unë po dua t’i bëj përmes politikës. Pra ka pasur momente që unë kom pyet veten a jam në rrugë të mirë, në kuptimin që a jam në zanat të mirë. Që politika është e vështirë dhe jo të gjithë njerëzit duhet ta shikojnë atë se çka po merr prej politikës por a po jep për politikën. Në përgjithësi pastaj përshtypja e njerëzve, kur e ke nda me njerëzit atë dilemë, shpeshherë vendos se ndoshta duhet ta tejkaloj këtë lodhje momente, dilemë momentale dhe të vazhdoj, sepse ekziston mundësia që të jap kontribute më tej.

Bota sot:  Nëse nuk do merreshit me politikë, si çka e shihni veten?

Sadri Ferati: Meqenëse kam përfunduar fakultet më herët dhe kam punuar në kuadër të Trepçës dhe pastaj në biznes privat dhe jam i përgatitur, do t’iu kisha kthyer profesionit tim, pra biznesit, por që bazohet në profesionin tim, biznesit që bazohet në produktet e profesionit tim.

Bota sot: Çfarë prisni për vitin 2017? 

Sadri Ferati: Vërtetë viti 2017, gjithmonë jemi mësuar të themi se do të jetë sfidues se do të jetë në udhëkryq etj, por unë mendoj se përfundimisht viti 2017 do të jetë një tregues se a do të ecë Kosova shpejt në drejtim të zhvillimit, apo jo. Ajo do të jetë determinuese, përcaktuese. Viti 2017 do të jetë përcaktues, se a do ta përshpejtojë Kosova rrugën e zhvillimit dhe rrugën e integrimeve. Ndërsa në vetë zgjedhjet lokale dhe pastaj ato qëndrore kurdo që të mbahen ajo përfundimisht do ta përcaktoj se cila do të jetë demokracia që do të vendoset në Kosovë.

Bota sot: Një urim për gjithë lexuesit e gazetës “Bota sot”.

Sadri Ferati: Duke e pasur një nostalgji për “Botën sot”, sepse në të kaluarën e kam lexuar edhe më shumë, dua t’i përshëndes përzemërsisht dhe dua t’i them që kur marrin të studiojnë, gjitha shtetet kanë kaluar faza jo të lehta sikur ne  që jemi kështu, por kanë ecur shpejt vetëm ata që kanë qenë të përkushtuar, të pastër dhe kanë besuar se me një maksimalizim të punës dhe përkushtimit, është e mundshme të tejkalohen të gjitha sfidat dhe fazat në të cilat jemi. Ne nuk jemi në nivelin e kënaqshëm, mirëpo nuk do të jetojmë më mirë në rast se e rrënojmë këtë që e kemi por vetëm nëse mbi këtë e ndërtojmë më të mirën që e synojmë dhe i thërras të gjithë lexuesit e juaj që të bëhen pjesë e proceseve, nëpërmjet leximit, nëpërmjet kyçjes dhe formave  të ndryshme, që bashkarisht të ecim përpara dhe do të kisha dëshiruar që pas 1 viti t’i numërojmë këto suksese për të cilat besoj se do të jetë një vit për ndezjen e motorëve të rinj që Kosova të ecë përpara. Me shumë respekt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat