Nait Hasani kërkon zbardhjen e vrasjeve politike, autorët të marrin dënimin e merituar

Intervista

Nait Hasani kërkon zbardhjen e vrasjeve politike, autorët të marrin dënimin e merituar

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 janar 2017 Në ora: 15:31
Nait Hasani

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka vlerësuar reagimin qytetarë për të kërkuar llogaridhënie nga politika, ndërsa ka dënuar dhunën që ishte kryefjalë në vitin 2016.  Më tej, Hasani, ka shenjëstruar Komisionit shtetëror për Demarkacionin, pasi sipas të njëjtit kanë tentuar të mbulojnë humbjen e 12 mijë hektarë tokë të territorit të Kosovës.

Bota sot: Si e komentoni vitin 2016 për Kosovën, duke marrë parasysh proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, përfshirë këtu protestat për kundërshtimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi?

Nait Hasani: Viti 2016  karakterizohet, si vit i sfidave në Kosovë, këto sfida janë bartur edhe nga viti 2015. Bartja ka qenë  procesi i Demarkacionit dhe Asociacionit, edhe gjithë proceset e tjera. Këto kanë qenë sfida që shoqëria në Kosovë i ka përtypur. Viti 2016 ka qenë vit i protestave, vit i dhunës në Kuvend dhe vit i kundërshtimit, por njëherësh është edhe një vit i ndërgjegjësimit për reagim qytetar ndaj politikës. Për herë të parë pas kaq vitesh, e kemi reagim politik të qytetarëve në mbështetje të kërkesave për mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Në anën tjetër, kemi edhe veprime të fuqishme të Qeverisë, jo fort të arsyeshme për Demarkacionin dhe Asociacionin, si dhe ligjin e formimit të Gjykatës Speciale. Të gjitha këto janë reflektime, që tregojnë se viti 2016, është një vit që e ka rënduar  gjendjen në Kosovë dhe vit që e ka humbur shpresën që viti 2017 të jetë vit i shpresës.

Bota sot: Ju keni qenë kundër Demarkacionit dhe Asociacionit, cili është qëndrimi juaj tani?

Nait Hasani: Unë kam qenë dhe jam kundër marrëveshjes për Demarkacionin. Për arsye se është një marrëveshje e dëmshme për Kosovën. Është bërë një marrëveshje nga një komision shtetëror i Kosovës, i cili është zgjedhur dhe i cili, nuk i ka marrë arsyeshëm analizat e territorit të Kosovës dhe ekspertët që e kanë bërë, deputetët, gjeografët e të tjerë, ata kanë treguar që Kosova humb territor prej 12 mijë hektarë  tokë dhe nuk është e mundur që të kalojë një marrëveshje e tillë. Komisioni shtetëror e ka mbuluar këtë me një formë tjetër kinse, Kosova nuk humb në baza të kadastrit, megjithatë, Kosova ka humbur dhe humb territor. Po në aspektin e valërizimeve, nga 12 hektarë që i humbim katër mijë  hektarë tokë ia marrim Malit të Zi, prandaj Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë dhe kjo i bie që Mali i Zi të rritet në territor  për  6 mijë  hektarë  tokë. Kjo tregon që nuk do të kemi një gjendje të mirë dhe kjo marrëveshje nuk mund të kalojë në Kuvend. Aty ku ka ndërgjegje, aty ku mbrohet Kushtetuta, mbrohet territori, atëherë këtu duhet të ketë arsyeshmëri dhe duhet të ketë ndryshime. Prandaj, me këto ndryshime, duhet të  vendoset  gjendja  reale në terren ,sepse neve nuk na duhet të kemi konflikt dhe dhunë brenda vetes, ne kemi nevojë të krijojmë miq dhe raporte të mira me shtetet fqinje.

Bota sot: Shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të izoluar sa i përket vizave, janë dhënë premtime vazhdimisht, por nuk ka rezultate, të cilat janë kushtet që nuk janë përmbushur dhe kur pritet që të bëhet liberalizimi?

Nait Hasani: Izolimi i Kosovës është dënim politik. Është një dënim i kushtëzuar, Kosova ende nuk është e pavarur në kuptimin e mirëfilltë, sikurse që janë shtetet e tjera në  botë. Kosova është e varur nga shumë parakushte dhe nga marrëveshjet që janë vendosur në Bruksel. Në Kosovë dhe për Kosovën, bisedohet me Beogradin brenda Kosovës. Kosova bisedon me Serbinë për serbët e Kosovës, në vend që të bisedojë me serbët e Kosovës dhe për nevojat e tyre. Kosova ka mbetur  e izoluar përmes Serbisë me kushtet e saj me Asociacionin e komunave serbe dhe për Demarkacionin. Asociacioni i komunave serbe është një marrëveshje nga pakoja e Ahtisarit dhe nga shpallja e pavarësisë. Ajo ka mundësi të zgjidhet, por ajo duhet të zgjidhet në formën e Asociacionit të komunave që e kemi në Kosovë e  jo një Asociacion serb, i cili do të ketë përgjegjësi politike. Asosacion me përgjegjësi politike në aspektin e territorit, në aspektin e planifikimit hapësinor, në aspketin e policisë, në aspektin e drejtësisë, në aspektin e punësimit dhe në aspektin e gjykatës së apelit, një  Asociacion i  tillë  është i papranueshëm për mua. Kjo do të thotë, se ne po e krijojmë një autonomi të serbëve në Kosovë, prandaj krijimi i një autonomie kulturore e territoriale apo çfarëdo forme tjetër e serbëve në Kosovë, e humb kuptimin e Kosovës multietnike. Që Kosova të jetë e qytetarëve të Kosovës dhe multietnike, ne nuk kemi nevojë që të kemi një Gjykatë të Apelit në Mitrovicë dhe nuk kemi nevojë që të krijojmë një Asociacion i cili do të ketë policinë, drejtësinë, gjykatën e apelit, planifikimin hapësinor, pra një  asosacion që do të ketë një udhëheqje politike. Kjo tregon se një Asociacion i tillë është politik dhe nuk duhet lejohet të  krijohet dhe nuk duhet të kalojë. Ndërsa, një Asociacion sikur që kemi, i cili i jep këshilla për ministritë, për qeverinë, për Kuvendin në përmirësimin e ligjeve, për përmirësimin e kushteve njerëzore dhe të qytetarëve serb, atëherë është në rregull, por  krijimi i Asociacionit në formën e tillë që e kërkojnë dhe që e kanë pranuar  t'ia bëjnë serbëve, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim me parimet e shtetit  demokratik dhe   parimet e mia politike.

Bota sot: I përmende marrëveshjet, Asociacionin dhe Demarkacionin që nuk lejojnë liberalizimin e vizave, sipas jush krimi dhe korrupsioni nuk janë dukuri që paraqesin pengesë për liberalizim të vizave?

Nait Hasani: Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dukuri edhe të vendeve të tjera. Mund të them se të gjitha shtetet, edhe të perëndimit kanë. Këtu kërkohet ulja e krimit të organizuar dhe korruspionit, këto nuk do të ndalen asnjëherë, nuk ka mundësi t'i ndalë asnjë Qeveri, as e perëndimit, as Amerika, e as askush tjetër, në secilin vend janë pjesë atij vendi, por mund dhe duhen të ulen, prandaj  këto nuk janë kushte që të mos ketë liberalizim. Kusht për liberalizimin janë Demarkacioni dhe Asociacioni. Demarkacioni është kusht shkaku i papjekurisë politike të institucioneve dhe e qeverisë së Kosovës dhe sot Asociacioni është në një gjendje të cilën e kanë trajtuar dhe që është në kundërshtim me Kushtetutën. Në 24 pika Asociacioni kundërshtohet nga Gjykata Kushtetuese. Këto pra nuk duhen të pranohen.  Prandaj ka izolim, si pasojë e papjekurisë së qeverisë për këto dy kushte  të padrejta demarkacioni dhe  asosacioni.

Bota sot: Kemi parë e kemi dëgjuar  deklarata kohëve të fundit nga zyrtarë të koalicionit që vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohëshme, çfarë nuk është duke funksionuar brenda koaliconit PDK-LDK?

Nait Hasani: Koalicioni është duke funksionuar, mospajtimet në koalicion nuk janë pjesë e asaj që vendin mund ta çojnë në zgjedhje. Në koalicion mospajtimet janë për shkak të Demarkacionit dhe Asociacionit. Janë dy kushte që lidhen njëra me tjetrën në bazë të raporteve dhe parimeve. Këto janë mospajtime, por ndryshe koalicioni funksionon dhe është një gjë tjetër luftimi i dukurive negative.

Bota sot: Kosova ka kaluar një sërë procesesh me ngjarje të rëndësishme të vendit, a është vendi i gatshëm për zgjedhje parlametare sipas jush?

Nait Hasani: Për zgjedhjet flasin opozita vazhdimisht,  por përgjegjësia për zgedhje i takon pozitës. Prandaj, pozita nuk është e gatshme të shkojë në zgjedhje sepse përveç që e ka numrin e deputetëve, e ka pasur edhe një qeverisje deri diku stabile. Ajo e ka mundësinë të shkojë në zgjedhje vetëm atëherë  kur e sheh të arsyeshme për nevoja politike në të mirën e shtetit. Në zgjedhje tash për tash nuk shkohet sepse janë tri parakushte që duhet të ecin përpara, është Demarkacioni, Asociacioni dhe Gjykata Speciale, procese që duhet të zgjidhen.

Bota sot: Në rast të zgjedhje të parakohshme, a do të kandidojë PDK-ja e vetme apo do të formonte koalicon me ndonjë parti?

Nait Hasani: Tash çështja nëse shkohet në zgjedhje varet nga rrethanat politike. Në kohën se kur shkohet në zgjedhje, a do të shkohet në zgjedhje në një rrethanë të tashme a po të mëvonshme. Mendoj që PDK-ja, ka pasur brenda  vetes një grup të partive të vogla që janë pjesë e koalicionit. Formimi i koalicionit parazgjedhor është i mirë nëse krijohet në bazë të një stabiliteti. Shkuarja në zgjedhje e vetme është një siguri me e madhe e partive politike. Mendoj që PDK-ja në zgjedhje duhet ta bëjë një fushatë të mirëfilltë me një program politik për  arsim  cilësor, shëndetësi për të gjithë qytetarët dhe për zhvillim ekonomik dhe  për sigurinë e qytetarëve në luftë kundër dukurive negative dhe terrorizmit. PDK-ja duhet të shkojë e vetme në zgjedhje që të ketë mundësi të krijojë një balanc politik dhe udhëheqje politike në Kosovë, kurse me partitë e vogla shumë herë humbet kredibiliteti, kur ato krijojnë privilegje që janë shumë të dëmshme për qeverinë. Kështu që, shkuarja në zgjedhje vetë do të thotë krijimi i një qeverie të mirëfilltë dhe stabile.

Bota Sot: Do të thotë që, PDK-ja ka vija të kuqe për partitë e tjera?

Nait Hasani: Nuk mund të them që ka vija të kuqe. Vija të kuqe duhet të ketë vetëm me LDK-në, sepse janë dy partitë më të mëdha në vend. Nëse këto shkojnë në koalicion, atëherë nuk ka zgjedhje. Do të thotë me të tjerat mund të kesh koalicion. Është mirë të krijohet koalicion pas zgjedhjeve që të ketë mundësi më të lehta të qeverisjes.

Bota Sot: Gjykata Speciale do të fillojë punimet me 1 janar, a do ta dëmtonte imazhin e Kosovës dhe a po dëmtohet lufta e UÇK-së me gjykimin e ushtarëve të saj?

Nait Hasani: Gjykata Speciale është gjykatë politike që unë e kam kundërshtuar në Kuvendin e Kosovës. Nuk e kam votuar në Kuvendin e Kosovës sepse është gjykatë që merret vetëm me çështjen e shqiptarëve dhe luftën e UÇK-së. Kjo Gjykatë Speciale është gjykatë etnike, gjykatë kundër luftës së UÇK-së, kundër lirisë sonë. Prandaj, një gjykatë e tillë do të ishte e mirë nëse do të ishte në  Kosovë për gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie dhe race e cila do t'i kishte dënuar  veprimet e serbëve që kanë bërë krime në Kosovë. Kjo gjykatë që do të merret vetëm me luftën e UÇK-së, do të ketë si qëllim shkatërrimin dhe humbjen e imazhit por edhe të kredibilitetit të luftës sonë për liri. Kjo do të bartë pasoja në të ardhmen pikërisht, sepse ne kemi luftuar për liri dhe kjo e dëmton atë ndjenjën  e luftës tonë për liri. Kjo është kundër luftës time për  liri dhe kur është kundër luftes time për liri, është kundër Kosovës, unë kam luftuar për lirinë e Kosovës, tash të ngriten aktakuza pse kemi kuftuar kundër Serbisë, kjo është ta amnistosh Serbinë për krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë. Nuk po dënohet gjenocidi serb në Kosovë, ndërsa po dënohen ata ushtarët e UÇK-së,  që kanë luftuar kundër Serbisë. Kjo për mua është e papranueshme dhe e padinjitetshme, një gjë e tillë që i bëhet UÇK-së dhe Kosovës është e padrejtë historike me përgjegjesi fatale në të ardhmen.

Bota Sot: Po flitet se cak i kësaj Gjykateje do të jenë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj e zyrtarë të tjerë, çfarë mendoni a janë të vërteta këto dhe sipas jush a duhet të japin dorëheqjen e tyre këta nëse ngrihen aktakuzat ndaj tyre?

Nait Hasani: Çështja është se Gjykata Speciale ka çështjen e luftës dhe kush ka qenë pjesë e luftës për liri, mund të jetë pjesë e akuzave. Serbia i ka vendosur në listën e Interpolit një numër të ushtarëve dhe janë potencialisht mundësitë që të preken të gjithë. Nuk përjashtohet asnjë, a do të ngritet për Hashimin, a për Fatmirin, a për Jakupin, a për Kadrin a per atë a po për këtë, kjo është një çështje jo aq e rëndësishme, sa është e rëndësishme që po ngriten akuza kundër luftës se UÇK-së. Po unë them që UÇK-ja, nuk ka bërë asnjëherë krime, tani të ngritet një akuzë për krim dhe të bësh barazimin e UÇK-së me krimin dhe gjenocidin serb, është e tmerrshme e papranueshme, prandaj kjo është një presion politik i bërë nga Serbia. Ajo dëshiron që krimet e veta dhe gjenocidin që ka bërë në Kosovë kundër  shqiptarëve t'i barazojë me vrasjet e policëve dhe ushatrëve  serb të  vrarë nga UÇK-ja në Kosovë kinse ka bërë krime, sepse nuk kemi veprime që UÇK-ja ka bërë krime. Është bërë një luftë, lufta ka qenë kundër policisë  dhe ushtrisë serbe. Ne i kemi 2500 dëshmorë e rreth  5000 invalidë  të  luftës  së  UÇK-së, që kanë luftuar për lirinë e Kosovës dhe nëse do të ishin gjallë të gjithë ata dëshmorë, i bie që edhe Adem Jashari edhe dëshmorët e të tjerët, do të ishin pjesë e akuzave pse kishin luftuar kundër Serbisë. Ushtarët e UÇK-së, që janë gjallë jans dëshmorë të gjallë  të Kosovës, do të thotë që lufta jonë nuk mund të barazohet me asnjë  çmim me asnjë parakusht, me dhunën, terrorin dhe gjenocidin që e ka bërë Serbia kundër popullit shqiptar në Kosovë. Gjykata Speciale mund të ngrejë akuza ndaj kujtdo, por ato janë politike, të padrejta, të padinjitetshme dhe e dëmtojnë imazhin e Kosovës, per shkak të papërgjegjshmërisë politike të  qeverisë së Kosovës.

Bota sot: Si i komentoni vrasjet e pasluftës, çfarë duhet të bëjnë institucionet e drejtësisë për t'i zbardhur këto raste?

Nait Hasani: Këto vrasje janë çështje, për të cilat është kërkuar që drejtësia në Kosovë t’i gjykojë që nga  fillimi, prej '99-ës dhe vitit 2000 e çdoherë. Këndej në Kosovë kanë qenë atëherë organet e drejtësisë së UNMIK-ut dhe kanë qenë dhe janë tash organet e EULEX-it. Këto raste duhet të zbardhen dhe secili ta marrë dënimin e merituar dhe njëherë e mirë të  pushojnë akuzat politike mes partive.

Bota sot: Ka kaluar një muaj që nga vdekja e aktivistit Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, hetimet ende nuk janë mbyllur, çfarë mendoni a mund të ishte vetëvrasje kjo?

Nait Hasani: Ekspertiza ka treguar që ai ka bërë vetëvrasje. Kjo është një çështje e drejtësisë. Është kërkuar debat dhe është e arsyeshme që të kërkohet debat, të diskutohet dhe në bazë të ekspertizës dhe në bazë të përgjegjësisë së gjykatës dhe prokurorit që kanë pasur lëndën dhe që trajtimin e tyre e kanë trajtuar si luftë kundër terrorizmit dhe  veprimet e tilla janë që ai pse ka qenë pjesë me shumë njerëz  brenda dhomës. Nëse është akuzuar për terrorizëm, ka qenë e nevojshme të ketë një trajtim të veçantë e që gjykata pse nuk e ka bërë një formë të tillë. Është e dhimbshme humbja e një jete të një njeriu, e një aktivisti politik dhe është e papranueshme për mua që gjykata të hesht  dhe të presin protesta dhe forma tjera që të ngritet kjo çështje, ajo duhet të japë vlerësimin e vet, prokuroria duhet të japë materialin ekspertizë dhe të debatohet dhe në Kuvend pse jo. A është vetëvrasje, a ka indikacione se si e kush e ka bërë? Pse e ka bërë? Kush e ka nxitë? Për çfarë arsye? Etj.

Bota sot: Lista Serbe ende nuk është kthyer në Kuvend, zyrtarë të kësaj liste kanë deklaruar që nuk kthehen nëse nuk formohet Asociacioni, a mendoni se do ta zbatojë Qeveria këtë kusht?

Nait Hasani: Hiç mos të kthehen. Ne nuk kemi nevojë për ta, ata kanë nevojë për neve. Qeveria do duhet ta formojë asociaconin në përputhje me kushtetutën dhe vërejtjet që  ka  dhënë kushtetuta në formimin e asosacionit.

Bota sot: A është duke i bërë Serbia kushte Kosovës në favor të saj përmes Listës Serbe?

Nait Hasani: Serbia ka bërë kushte vazhdimisht. Prej luftës e këndej, ka vërë kushte përmes mekanizmave ndërkombëtarë që i ka shfrytëzuar dhe ka vendosur  kushte të ndryshme dhe marrëveshjet që vijnë nga Brukseli ose për kodin telefonik, ose për Asociacionin , për Mitrovicën etj për të mbrojtur Listën Serbe dhe Serbinë  në  Kosovë  përms Listës  Serbe.  Ata në vazhdimësi  kanë vendosur  kushte për Kosovën dhe të gjitha pikat që i kanë vendosur, e kanë pasur një trajtim në Bruksel në bisedime Kosovë - Serbi. Serbia është njohur ndërkombëtarisht, ndërsa ne ende nuk jemi të njohur nga të gjitha shtetet e OKB-së që të kemi të gjitha të drejtat tona politike. Po të kishim të drejtat tona politike, atëherë do të kishim një trajtim të barabartë në raport me Serbinë ne Bruksel dhe do të kishim biseduar  me Serbinë si shtete e jo përmes Brukselit me Serbinë  për serbët në Kosovë, por  do të kishim biseduar me serbët për të drejtat e tyre qytetare.  Për çdo kusht që ka vendosur Serbia që është vendosë atje në Bruksel, ne si Kosovë  nga paaftësia  për të ngulur  këmbë  për të  mbrojtur çështjen  e Kosovës si shtet në Bruksel, ne  kemi diskutuar me  Serbinë  sikur Kosova  të ishte pjesë  e Serbisë për çështjen energjetikës, për policinë,  për  drejtësinë,  për  çdo  gjë  që  ata kanë  dashur të diskutojnë  e që nuk është e arsyeshme të diskutohet e nuk duhet të diskutohet.  Prandaj, ne mund të bisedojmë me serbët e Kosovës nëse kanë ose jo rrymë, që  të  kenë siguri,  që të vëllim ekonomik , shëndetësi  e arsim por jo ta diskutojmë me Serbinë për territore brenda territorit tonë.  Në Kosovë ende nuk kemi një sovranitet të plotë të shtetit të Kosovës, dhe kjo tregon se Serbia vazhdimisht do të na  vendosë kushte  derisa nuk e bëjmë Kosovën shtet sovran e stabil. Njëra prej atyre kushteve të Serbisë është, që të mos krijohet dhe Ushtria e Kosovës, që ne mos ta kemi ushtrinë. Ushtria ka doktrinën e mbrojtjes së territorit të shtetit, kurse policia është ajo që merret me menaxhimin e sigurisë së qytetarëve dhe çështjeve të brendshme të shtetit, atëherë njohja e territorit dhe krijimi i ushtrisë, është një çështje që edhe Mitrovica të jetë pjesë e Kosovës dhe mos njohja e ushtrisë dhe Mitrovica po konsiderohet se është pjesë e shkëputur e saj dhe këtë Serbia e bën përmes Listës Serbe dhe marrëveshjeve të ndryshme.

Bota sot: A mendoni se Kosova,  duhet ta shfrytëzojë të drejtën kushtetuese për të miratuar ligjin dhe të organizojë referendum për bashkimin me Shqipërinë?

Nait Hasani: Në Kushtetutën  e Kosovës  ekziston një nen ku e lejon të drejtën e referendumit. Kushtetuta e lejon këtë të drejtë, por ne nuk kemi ligj për referendumin. Prandaj, në bazë të atij neni që është në Kushtetutë, duhet të nxjerret ligji për referendum , varësisht se çfarë çështje do t'i trajtohet ne referendum. Dhe një ligj i nxjerrë për referendum me pyetjen për bashkimin me Shqipërinë, Kosova ka mundësi ta bëjë, por kjo ende nuk lejohet nga Bashkësia Ndërkombëtare që ta bëjë. Kosova një referendum të tillë, mendoj mund ta bëjë pasi ta arrijë një sovranitet të plotë të shtetit dhe që të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara. Unë uroj që këtë ta kemi sa më parë dhe atëherë ta kemi një ligj për referendumin dhe t'ua japim mundësinë qytetarëve tanë që vetë të vendosin se a duan të bashkohemi ose jo me Shqipërinë. Nëse dëshirojnë të bashkohen, atëherë  është një çështje që mund të realizohet në parimin demokratik. Njerëzit nuk kanë besuar që Anglia do të dalë nga Bashkimi Evropian, por qytetarët anglez kanë vendosur që kjo të ndodh dhe  kjo duhet të vendoset përmes referendumit të qytetarëve se a dëshirojnë të bashkojnë ose jo kombin tonë. Nëse qytetarët e shohin kombin tonë që duhet të jetë i shkapërderdhur në  disa  shtete,  atëherë  le ta marrin përgjegjësinë vetë  përmes  referendumit. Unë personalisht jam që ta kemi një komb të bashkuar. Një vend i bashkuar do të jetë i fuqishëm politikisht edhe ekonomikisht në bashkimin evropian. Në politikë, po ashtu, një mbijetesë e fuqishme politike brenda rajonit të Ballkanit dhe e kemi një mundësi më të mirë të jetës tonë të përgjithshme, që ta kemi ushtrinë dhe të gjitha organet e drejtësisë në kuptimin e shtetit politik. Andaj, një referendum i tillë krijon mundësinë e jetës dhe zhvillimit të vendit. Unë jam që ta kemi referendumin, jam që ta kemi një shtet të përbashkët. Jam që ta kemi një Shqipërinë. Andaj, unë jam që të bashkohemi me Shqipërinë.

Bota sot: Si keni arritur ta ruani balancin në  mes angazhimeve private dhe publike?

Nait Hasani: Angazhimet publike për mua janë bukur të rënda që duhet të përballem çdo ditë në Kuvendin e Kosovës, me ligjet, me materialet që vijnë ne Kuvend. Në këtë aspekt, e falënderoj familjen që më kanë mbështetur  dhe më kanë kursyer në aspektin privat. Në angazhimet private, është gruaja që  merret më shumë  me kujdesin e fëmijëve domethënë përveç punëve që i ka ajo në forcat e sigurisë si stomatologe dhe specializimit të vet, ajo merret edhe me  fëmijët, domethënë  nga çështjet private më kanë liruar. Kështu  unë kam mundur ta ruaj angazhimin tim në parti dhe në Kuvend dhe  për këtë  e  falenderoj shumë familjen.

Bota Sot: Si e keni ndërtuar jetën familjare?

Nait Hasani: Jetën familjare! Unë i kam prindërit, vëllaun dhe pesë motrat. Vëllau i ka gruan dhe dy fëmijë dhe ata tash  janë në Gjermani prej  20 vite gjithashtu fëmijët i studiojnë atje.  Unë me gruan time njihemi që  moti  prej viteve '90-ta,  pra para luftës,  para burgut.  Kemi punuar bashkë ne ilegalitet. Ajo ( Fatmirja ) gruaja ime ka qenë pjesë e angazhimeve në njësitet guerile te UÇK-së  që  në fillimet e UÇK-së  në atë kohë. Kështu që, prej asaj kohe njihemi me gruan time dhe pjesa e burgut na ka ndarë me gruan  për rreth 6 vite, pas daljes nga burgu me 2002 jemi martuar dhe tani kemi tre fëmijë: dy djem dhe një vajzë. Njëri djalë është në klasën e tetë, kurse tjetri në klasën e gjashtë, ndërsa vajza është në klasën e parë. Gruaja ka të përfunduar  Fakultetin  e Mjekësisë, drejtimi Stomatologji. Ajo punon në  Forcat e Sigurisë së Kosovës si stomatologe. Jetën e jetoj gjysmën në Prishtinë dhe gjysmën në fshatin Randobravë atje  ku dhe  kam  lindur, atje ku i kam edhe prindërit babën dhe nënën. Kjo është një jetë familjare e tillë. Një jetë modeste familjare!

Bota sot: A jeni njeri nostalgjik, a i riktheheni fotove të vjetra?

Nait Hasani: Gjërat e vjetra janë pjesë e kujtesës. Ato që i kam parë, ato që i kam përjetuar. Ato janë pjesë e kujtesës që shfaqen dhe ato me japin një ndjenjë. Ndjenjat tregojnë sinqeritetin dhe pastërtinë shpirtërore të njerëzve dhe kur unë i kujtoj rastet e ndryshme, ato më japin besim, me japin  fuqi, me mundësinë për të parë një gjendje më të mirë, më të bukur, se sa  një gjendje ku kemi qenë. Andaj, nostalgjia është një kujtesë e mirë që të bën ta kujtosh të kaluarën dhe si nevojë për me ecë e me ndertu me  mire e me bukur  të ardhmen e vendit  tone, te shtetit tone.

Bota sot: Nëse do ju thoja Nait prind, burrë dhe politikan, çfarë mbiemri do të shtoni në secilën prej këtyre emrave?

Nait Hasani: Po, unë do t ‘i merrja mbiemrat Prind i mirë, burrë i mirë  dhe politikan i sinqertë.   Jeta na ka detyruar që të jemi pjesë e politikës dhe në angazhimet politike neve na njohin më shumë se sa në jetën familjare dhe mbiemri do të ishte prind i mirë dhe për burrë  i mirë  themi  se për këtë dhe  duhet  ta  pyesim dhe  gruan, haha, po ne themi se burrë  i fortë, i zoti, i vendosur, i qëndrueshëm  dhe është shoqëria e Kosovës, jeta e Kosovës,  lufta për Kosovën, sakrifica për Kosovën që  m’i  japin mbiemrat si epitete. Edhe është ajo që i duam njerëzit dhe duam ta përmirësojmë  jetën e qytetarëve, ta ndryshojnë jetën e tyre, ta bëjmë  më të mirë. Kjo mund të arrihet, unë them që shoqërinë e Kosovës duhet ta përmirësojmë nga vetja të gjithë për këtë  dhe jemi ne politikë dhe jemi  politikanë. Prandaj, duhet ndërgjegjësim dhe marrje e përgjegjësive nga individë të caktuar në institucione të caktuara. Nëse ka ndërgjegje ka përgjegjesi dhe kur ka përgjegjësi, atëherë ka mundësi të krijohet mbiemri prind, burrë dhe politikan.

Bota sot: Si është një ditë e juaja perfekte?

Nait Hasani: Ditë perfekte, do t’i thoja ditëve  të ndryshme. Çdo ditë është interesante dhe e veçantë, une nuk kam e nuk pranoj ngarkesa e presione politike, une nuk kam inate, une nuk pranoj presione dhe nuk i bëj askujt presion, bëj presion në zbatim të ligjshmërisë në shtetin tonë.  Dhe një ditë për mua është nga mëngjesi deri në mbrëmje me punë, me takimet pune në Kuvend, me njerëz te ndryshëm për halle të ndryshme të shoqërisë, me  biseda, me debate, me qëllim të përmirësimit më të mirë të kushteve për shoqërinë tonë. Dhe unë jam Kosovë.

Bota sot: Cilat janë sfidat në jetë për të cilat ndihesh fatlum?

Nait Hasani: Fatlum ndihem unë që kam arritur ta krijojë një familje të shëndoshë. Fatlum jam që e kam gruan, prindërit dhe  fëmijët që ma kanë ndryshuar  jetën dhe më kanë bërë  më të ndjeshëm e më njerëzor. Fatlum jam që kombi im nuk është  shpërngulur i degëdendur  anë e kënd  botës si zogjtë e qyqes, por është në Kosovë, populli im është kombi ku ka mundur t'i përballojë gjenocidit e krimit serb.  Jam fatlum që i mbjetuam burgjeve, torturës kriminale serbe dhe që jetojmë e punojmë në Kosovë në tokën tonë.

Bota sot: Cili është rezultati më i mirë që e ke pasur gjatë jetës?

Nait Hasani: Rezultati më i mirë i imi së bashku me  shokët është krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) , një jetë  në luftë kundër Serbisë për lirinë e Kosovës. Rezultatet e tjera janë anagzhimet në Kuvendin e Kosovës në ndërtimin  e shtetit të Kosovës dhe që t’i miratojme ligjet  në të mirën e qytetarëve te Kosoves.

Bota sot: A keni marrëdhënie të ngushta me familjen tënde? Mendon se fëmijëria jote ka qenë më e lutmur se mesatarja?

Nait Hasani: Unë jetoj me familjen e gjerë, pra me prindërit, me motrat, me vëllaun, me kushërinjtë, me të afërmit dhe me gjithë të tjerët në  shoqëri në Kosovë.  Jeta ime ndoshta kishte me qenë më ndryshe sikur mos të isha pjesë e jetës politike dhe e burgjeve, pjesë e torturës e torturave  që  na  shkaktuan shumë  inspektorë shqiptarë  e serb që mbronin  titizmin e Millosheviqin. Në moshën e re timen ende pa i mbushur 18 vjet, unë kam qenë pjesë  e torturave të  inspektoreve shqiptare që nga viti 1983 dhe e torturave nëpër burgje nga gardianët shqiptarë pse mbronim kërkesën Kosova Republikë dhe nga ky aspekt  rinia ime ka  qenë pjesë e burgjeve dhe nuk ka  qenë rini po ia ka vlejtë një jetë  lufte për liri që  në rini, pra fëmijëria ime ka  qenë  një mesatare  e rinisë sonë të asaj kohe, mirëpo jeta e burgut i ka paraprirë këtyre kushteve të mëvonshme. Jeta e burgut dhe angazhimi politik, atëherë  kur kam shkruar një shkronjë, një fjalë, në mure, në  asfalte në rrugë,  në tabela të zeza në shkollë: Kosova Republikë , atëherë dhe sot ka një kuptim në gjakun tim. Kosova Republikë është një ngjarje e madhe në jetën e njeriut që u krijua me njerez real me luftë të  armatosur është ëndërr shekullore e  gjeneratave të popullit shqiptar të përvuajtur e vrarë e shpërngulur nëpër  botë. Të gjitha këto janë ngjarje të mëdha. Ndoshta do të kisha një jetë tjetër, por me që jam këtu, jam ky që jam, jam Nait Hasani ku me njohin guri dhe druni, toka  dhe ajri, fshati e qyteti që  jetoj më ta në lirinë e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat