Oficeri madhor që përloti të gjithë shqiptarët përmes ekranit...

Intervista

Oficeri madhor që përloti të gjithë shqiptarët përmes ekranit...

Albert Z. Zholi Nga Albert Z. Zholi Më 28 janar 2017 Në ora: 17:40
Gani Muho

Gani Muho: Vajza më vdiq 17 - vjeç, djali 25, gruaja 60. Brengat dhe dhimbjet nuk m’u ndanë asnjëherë. Pas 40-vjetësh vendosa të kërcej valle popullore...

Një histori jetësore mes reales dhe irreales, mes të vërtetës dhe imagjinatës, mes zbutjes zemërore dhe dëshirës për të hyrë thellë në ngjarjet jetësore. Jetë imagjinare, apo mes legjendës dhe përditshmërisë së pabesueshme?! Njeriu i thjeshtë ka një botë shpirtërore tejet të çiltër, magjepse. Kjo çiltërsi të çon deri në pabesueshmëri, pasi ka brenda linja fëmijërore, por dhe ngjarje magjepse mbijetese që arsyeja njerëzore disa herë nuk i përkufizon realisht. Jeta e z. Gani i ngjan një romani të dhimbshëm, por dhe shumë mesazhor. Dhimbja atë e ka bërë më të fortë, por edhe më të ndjeshëm, më njerëzor, më të lidhur me aktualitetin rrëqethës . Kur flet me të duket sikur bota e tërë është e pastër, pa kompromise, pa prapaskena, pa vrasje dhe hidhërime të modifikuara. Me Ganiun fati nuk është treguar shumë bujar. Dy fëmijët i kanë vdekur në moshën e 17 dhe 25 vjeç. Vdekje tragjike, që një zemër prindi me zi e përballon. I kanë vdekur kur ai i donte si dritën e syve. Kur donte ti shihte të martuar. Ai tashmë jeton në Shtëpinë e të moshuarve. Ai ka një zemër të bukur dhe të madhe. Jeta e trishtë e ka bërë më të menduar, por më të lidhur me njerëzit dhe me botën në tërësi. Punoi për 30 vjet oficer kufiri dhe vështirësitë e kalitën që ti bëjë ballë këtyre ngjarjeve të paimagjinueshme. Për të, Top Chanel realizoi dhe një emision special tek “Dua të të të bëj të lumtur”...

Z. Gani, diçka për fëmijërinë tuaj, ku lindët dhe morët mësimet e para dhe më tej?

Kam lindur në fshatin Pandalejmon të Sarandës në 4 qershor të vitit 1932. Në këtë fshat mora mësimet, mësova se ç’është dashuria prindërore dhe ajo shoqërore, Familja ime ishte e thjeshtë. Isha i dashuruar me fshatin dhe mendoja se aty kishte çdo gjë që më duhej mua. Rrugica, sheshe, livadhe, përrenj, dele, dhi, lopë, qen dhe mace. Më dukej se bota ishte e imja. Aty fillova dhe shkollën fillore me një çantë prej rrobe. Ishim të varfër por kishim dashuri për njeri-tjetrin.

Ku shkuat pas shkollës 7-vjeçare?

Në moshën 14 vjeçare unë shkoj në Shkollën “Skënderbe” në Tiranë. Nga viti 1948-1952. Nuk ishte një zgjedhje por një zgjidhje për një jetë më të mirë. Në shkollë kishte rregull, disiplinë, kishte orar veprimesh. Uniforma ushtarake më pëlqente dhe kur dilnim në Tiranë na shihnin me kureshtje të gjithë. Hanim më mirë se në shtëpi dhe kushtet nuk ishin të këqija. Pastaj kur dilja në Tiranë mahnitesha me madhësinë e saj, me bukuritë, me dyqanet, me njerëzit e shumtë.

Po pas shkollës “Skënderbej”, si e vazhduat shkollimin?

Në vitin 1952 kur mbarova shkollën “Skënderbej” shkova në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve. Por aty nuk më pëlqeu ndaj shkova në Shkollën e Ministrisë së Brendshme, dega e kufirit. Këtu studiova nga viti 1954 deri ën vitin 1958. Shkolla ishte me shumë disiplinë dhe mësova shumë mirë. Kishte ca ndryshime nga Shkolla e Bashkuar. Kur mbarova shkollën më çuan ën Kukës, në pikën Kufitare të Morinës. Isha me detyrë komandant poste. Sa ushtarë kishte posta kufitare dhe a kishte filluar kloni (rrethimi i kufirit të vendit me tela me gjemba). Posta kishte 50 ushtarë. Ishin nga rrethe të ndryshme. Në dimër na mbulonte bora. Rrija me muaj pa dalë nga posta. Shërbim i përhershëm. Ushqimi kishte filluar të përmirësohej por ne ishim të rinj dhe kishim uri. Vështirësitë ishin të mëdha.

A ka pasur shkelje kufiri dhe si reagonit?

Po banda diversantësh a keni pasuar në këto kohë? Ishin vitet e para dhe kishte kalime të shumta të kufirit. Shumë pronarëve dhe tregtarëve nuk u rrihej në Shqipëri. Kishte nga ata që me gjithë bagëti iknin nga toka jonë. Ne disa herë bënim sikur nuk shikonim pasi nuk donim të krijonim konflikte. Bandat ishin të shumta por ende nuk kishin filluar përleshjet e vërteta. Gjatë ditës kur ne shikonim se kishte lëvizje gjatë kufirit I kthenim me qetësi banuesit apo ata që donin të iknin. Ushtarët i instruktonim mirë që të mos kishim përleshje me zjarr. Kaluam shumë situate të vështira. Kishte dhe provokime. Kloni nuk kishte filluar ende. Ai filloi në vitin 1962.

Ku shkove pas Morinës?

Pas katër vjetësh më çuan në Peshkopi, në degën e Brendshme të kufirit. Pra nga viti 1962 deri në 1966. Aty situata ishte ndryshe. Nuk isha në kufi por në qendër. Por shërbimet nuk na u ndanë. Shkonim vazhdimisht me shërbim në pikat e kufirit dhe kontrollonim. Shkeljet e kufirit ishin bërë të zakonshme. Shpesh herë flinim pa u zhveshur. Rrinim në gatishmëri. Këmbët na bëheshin me plagë pasi nuk mundnim ti hiqnim këpucët për ditë të tëra.

Si vazhdoi ngritja juaj në detyrë?

Në vitin 1966 më transferuan në degën e Brendshme Burrel një vit dhe ën vitin 1967 vij në Tiranë në Ministrinë e Brendshme në degën e kufirit. Detyra ime ishte në personel - organizimin. Drejtor Drejtorie ishte Avni Buxheli, i cili më përkrahu pa masë. Atëherë kufiri ishte pika më e dobët. Të gjithë donin të iknin nga ajo degë pasi kishte shumë vështirësi.

Kush ishte Ministër në këtë kohë në Ministrinë e Brendshme?

Në këtë kohë ministër ishte Kadri Hazbiu. Ishte një njeri shumë kërkues dhe shumë i aftë. Kur fliste të mbërthente. Sytë e tij të shtangnin.

A ke pasur takime me Kadri Hazbiun dhe si ishte ai me vartësit?

Unë kam pasur disa takime pune me Kadri Hazbiun. Pra kemi folur për çështjet e kufirit. Ai kërkonte të dinte me hollësi çdo gjë. Njihte me detaj kufirin. Pyeste për furnizimin, për armatimin, për ndërrimin e patrullave, për parullat dhe shkeljet në kufi. Kishte një memorie të jashtëzakonshme. Të mbushte mendjen për çdo gjë. Ishte bashkëpunues. Dukej i sertë, por në biseda ishte shumë miqësor. Nuk të ndërpriste kurrë, bënte vërejtje me mend dhe habiteshe me hollësitë e tij. Të përshëndeste kur të shikonte,  nuk i nënvleftësonte njerëzit. Ruaj mbresat më të mira për atë njeri. Kur bënte mbledhje të mëdha fliste shkurt dhe prerë. Të fliste me logjikë. Nuk zgjatej shumë, ishte konkret.

Kur u martuat dhe sa fëmijë patët?

Unë u martova në vitin 1957 kur isha në Burrel. Pra sapo përfundova studimet. Kur erdha në Tiranë mora shtëpi dhomë e kuzhinë tek Politeknikumi “17 nëntori”. Gruaja ime Luljeta punonte arkëtare. Në vitin 1972 dola në pension. Me Luljetën dhe lindim dy fëmijë, Agroni dhe Vjollca dy fëmijë. Ata ishin gjithçka për mua dhe gruan time. Kisha një familje të shkëlqyer. Djali mbaron për inxhinieri elektronike dhe siguron një punë. Sa gëzim sa madhështi ën familjen tonë. Ishte një djalë i mbarë. por ja, fati nuk e deshte djalin të na jepte lumturinë e krijimit të familjes. Në moshën 25 vjeçare, në kulmin e rinisë, bukurisë, punës atë e zë korrenti. U shua një jetë, u shua një gëzim, u shua një yll që nuk do më vinte kurrë. Ai ishte ylli im ndriçues, ishte jeta ime e dytë. Ai nuk do vinte më ën shtëpi. Me kë do bisedoja unë në mbrëmjet e gjata? Agron ku je? E dëgjon zërin tim? Një boshllëk i madh. Tani mbetëm me një fëmijë, vajzën Vjollcën. Ajo ishte 17 - vjeç. Një ditë ajo donte të shkonte në ekskursion. Ata e donin shumë dhe nuk donin tja prishnin. Aty në ekskursion Vjollca prek një bimë helmuese. E fut në gojë. Ajo se dinte që kjo bimë në dukje e bukur do të sillte vdekjen e saj. Helmi po bënte punën e vet. Po i depërtonte në trup. Vajza e bukur po ndiente dhimbje. Po ndiente rrëqethje. Kur prindërit e prisnin për ta bërë nuse ajo iku përgjithmonë në jetën e përpjetme. Një vdekje e rëndë. Një vdekje tronditëse. Një vdekje e pabesusheme. Ne rrinim sit ë ngrirë. A kishte kuptim jeta e ne të dyve pa Vjollcën deh Agronin. Çdo gjë na dukej si një ëndërr e keqe. Nuk donim ta besonim. Nuk donim ta bënim pjesë të jetës së besueshme. A mund të largohen kështu dy engjëj?

Po pse jeni sot në Shtëpinë e të moshuarve, a kishit shtëpi?

Po ne kishim shtëpi. E kisha marrë qysh në kohën e Enverit kur punoja në Ministrinë e Brendshme në degën e kufirit. Kishim shtëpi të mirë. Por në vitin 1997 edhe për ne ndodhi tragjedia. Të nxitur nga kërshëria dhe dëshira për të patur dy lekë mënjanë e shitëm shtëpinë dhe e futëm ën firmat piramidale. Kjo ishte katastrofa e tretë. Ngelëm pa shtëpi. Ishim me qira por tashme pa lekë. Kështu u detyruam të mos jetojmë bashkë me gruan. Shkua secili në shtëpitë e të afërmve për ët përballuar jetesën. Shkatërrim total. Kjo ishte një ndarje e madhe. Por nuk mund të rrihej tek të afërmit. Koha ka ndryshuar. Koha ka bërë shumë transformime në mentalitetet dhe sjelljet e njerëzve. Pas 5 vitesh ne bashkohemi tek Shtëpia e të moshuarve në Tiranë. Ishte një bashkim lotësh, malli, vuajtjesh. Pak vite më parë Luljeta ikën nga kjo jetë. Ikën nga brenga e shitjes së shtëpisë, pasi ngelëm pa asgjë në jetë. Ngelëm në mëshirë të Shtëpisë së Moshuarve. Një jetë tragjike,

Si janë ditët në Shtëpinë e të moshuarve?

Kam ardhur në qendrën e Shtëpisë së të Moshuarëve këtu në Tiranë, më 16 qershor 2006. Në fillim e kisha shumë të vështirë. Por avash, avash,  u ambientova. Këtu një ndihmë të madhe më ka dhënë  një njeri, dua ta përmend: Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve, z. Ilir Çumani. Sa mori vesh që isha këtu, ai erdhi dhe filloi të më takonte çdo ditë me familjen e tij. Ai u interesua që unë të sistemohesha në kushte shumë të mira këtu në Shtëpinë e të Moshuarve.  Falë atij, unë kam në dispozicion një dhomë  vetëm ku jetojku jetoj në qetësinë time, në avenirin tim. Jetoj  pa njeri tjetër në dhomë. Jam shumë i moshuar dhe plaku do rehatinë e vet. Dy fëmijët e Ilirit, gruaja dhe  ai vetë u bënë si familja ime, si fëmijët e mijë. Besoj se dhe djali imp o të ishte gjallë nuk do të bënte kaq shumë. I jam borxhli. Iliri dhe familja e tij vijnë dhe më takojnë, më marin në shtëpinë e tyre, më çojnë në vende të ndryshme. Madje  në 80 – vjetorin,  z. Ilir,  bashkë me familjen e tij ma kanë festuar lartë, në Malin e  Dajtit me një drekë madhështore. Nuk kam fjalë falënderimi. Por surpriza më e bukur e jetës time,  ishte kur në nëntor të vitit që shkoi,  z. Ilir Çumani së bashku me televizionin e Top Channel më përgatitën dhe me dedikuan një emision të posaçëm kushtuar jetës dhe veprimtarisë time. Kjo surprizë  që u organizua enkas dhe në fshehtësi të plotë për mua, këtu ku jetoj në Shtëpinë e të Moshuarve më ka lumturuar përtej një gëzimi të pamatë. Më ka bërë djalë të ri. Si mund ta harroj unë këtë...?!  Më duket se më është ngjallur im bir. Mirënjohje pa fund këtij njeriu të rrallë. Nuk mund ta besoja se në këtë moshë, kur njeriu jeton vitet e fundit të jetës së tij, në një pleqëri të thellë të më gjëndej pranë një njeri si ai. Ështe një ëndërr...

Por dua të shtoj falënderimet edhe për drejtoreshën e Shtëpisë  së Moshuarve,  znj. Anila Peçi. Unë kam ndërruar 6 drejtorë,  por si Anila nuk vjen më drejtues tjetër. Po ke një plak në shtëpi,  të vjen endja vërdallë. Ne jemi aty 50 pleq dhe ajo kurrë nuk mërzitet. Kjo është gjë e madhe...

Ke nostalgji për jetën ushtarake?

Shumë, shumë. Jetë e vështirë por edhe e bukur. Në kufi kishte ngjarje, kishte situate, kishte përplasje me bandat, por në mes të borës ne kishim një shoqëri të madhe me ushtarët. Ishim si një familje. Ishim si një familje e madhe të bashkuar. box Surpriza, në valle pas 40 vjetësh Programi “Dua të të bëj të lumtur” Top Chanel dhe një pjesë e aktorëve të Portokallisë organizojnë një drekë festive për Gani Muhon. Stafi i Portokallies i thirrte Komandant Ganiu. Midis tyre dhe trupa e baletit e Top Chanell. Aktori Gazmend paja i afrohet dhe e pyet: Cilat këngë të pëlqejnë kapedan?  - Këngët labe, i përgjigjet Ganiu. Dhe ja aktori me disa aktorë të tjerë të Portokallies ja merr këngës labe të krijuar enkas për Ganiun: Teksti i këngës:

 

Jeta është det me dallgë/,

Herë nga ngre, herë na fundos/,

Por Ganiut që është burrë/,

Kurrë shpresa nuk ju sos/,

Ju që mundni ta shikoni/,

Ganon nga Pandalejmoni/,

Toka pretë të dalë dielli/,

Të ketë dritë në anët tona/,

Për Ganiun u hap qielli/,

Kur si diell ju shfaq Mona...

 

Befasitë e këtij takimi nuk mbarojnë. Nga magnetofoni përhapen tingujt e këngës popullore “Në majë të selvisë moj, bilbili këndonte”. Çohen të gjithë të moshuarit dhe aktorët e portokallies. Çast emocionues. Ja për një moment pas 40 vjetësh çohet në valle dhe Ganiu. Ganiu i dhimbjeve të mëdha. Ganiu që nuk kishte kërcyer kurrë, që kur i kishte ndërruar jetë djali. Mes miqve dhe shokëve, ai hedh këmbët sipas muzikës, por lotët e tradhtojnë. Ato i rrjedhin çurkë. Çfarë dite është për të sot? Kujtese, gëzim i vonuar, pasqyrë jetësore? Ajo është çdo gjë për të, por mbi të gjitha është një ditë që nuk do përsëritet më kurrë. Kapedani doli në valle në moshën 85-vjeçare. Falënderimet Jam 85-vjeç por sot ndihem shumë herë më i ri. Nuk e prisja këtë ditë. Dikush u kujtua për mua. Në Shtëpinë e të Moshuarve ndihem si në shtëpinë time. Sot aty ka njerëzit e duhur. Ka një personale shumë të mirë, e para infermieret dhe mjeket. Janë goca që na trajtojnë si prindërit tanë. Kuzhinieret shumë të mira. Na ushqejnë si prindit e tyre. Dua të përmend dhe dy punonjëset sociale. Janë si dy yje. Na plotësojnë çdo kërkesë.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat