Rrëfehet njeriu që e shkroi deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, tregon emocionet dhe prapaskenat

Intervista

Rrëfehet njeriu që e shkroi deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, tregon emocionet dhe prapaskenat

 Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 16 shkurt 2017 Në ora: 10:42
"Unë isha tërësisht i koncentruar në obligimin tim që brenda 16 orëve të kryeja një detyrë aq me përgjegjësi”, thotë Nimani për gazetën “Bota sot”.

Ndihet me fat që ishte përzgjedhur si artisti që do t`a kaligrafonte tekstin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në pergamenë. E ky rast, sipas artistit Shyqri Nimani, i jepet njeriut vetëm një herë në jetë.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ai ka treguar për ndjenjat dhe emocionet që përjetoi gjatë bukurshkrimit të deklaratës.   “E ndjeja se Dielli i Lirisë do t’i ngrohte zemrat e popullit tonë aq të përvuajtur. Por, unë isha tërësisht i koncentruar në obligimin tim që brenda 16 orëve të kryeja një detyrë aq me përgjegjësi”, thotë Nimani për gazetën “Bota sot”.

“Bota sot”: Profesor, a mund të na i përshkruani ndjenjat, kur morët vesh se do të jeni shkruesi i Deklaratës së Pavarësisë?

Shyqri Nimani: Viti 2008 është njëri nga vitet më dinamike, më kreative dhe më të rëndësishme në jetën time dhe në karrierën time artistike. Me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe, siç zakonisht thuhet, historike, është shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Kjo ngjarje ndodhi më 17 shkurt të vitit 2008. Them, se deshi fati që unë të jem artisti që do ta kaligrafojë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë në pergamenë, rast ky që njeriut i jepet vetëm një herë në jetë. Kisha ndjenja të jashtëzakonshme të gërshetuara me një përgjegjësi gjithashtu të jashtëzakonshme.

Por, rrjedhat morën kahje tjetër nga ajo që unë kisha paramenduar për bukurshkrimin e Deklaratës. Vetëm një javë para shpalljes së pavarësisë, më njoftuan nga Qeveria, se unë do ta bukurshkruaja me dorë këtë deklaratë. Unë mendoja, ç’është e vërteta, se teksti do të ishte në një faqe A/4 dhe do të më duheshin më së paku 5 ose 6 ditë për ta shkruar ashtu siç dëshiroja. Por ndodhi krejt ndryshe. Kur arrita në godinën e Qeverisë së Kosovës (në mbrëmjen e 16 shkurtit 2008) ma dhanë tekstin e deklaratës, i cili, për befasinë time shumë të madhe, ishte në 3 faqe të plota A/4! Vërejta se teksti kishte mjaft gabime drejtshkrimore, të cilat i korrektuam.

Sipas kërkesës së Kryeministrit, unë i solla nga studioja ime veglat, ngjyrat dhe 2 pergamenet (lëkurë viçi, nga 80 x 50 cm) të sjellur nga Muzeu i Londrës. Ndërkaq, shefi i protokollit, z. Abedin Qupeva, më pyeti se a mund të ishte edhe Qeveria e Kosovës së bashku me mua bashkautorë e kaligrafimit të Deklaratës. Unë i thashë se kjo gjë nuk kishte rëndësi në këtë çast, kur unë isha aq i ngarkuar nga frika, se a do të mund ta kryeja këtë detyrë për një kohë shumë të shkurtër – prej vetëm rreth 16 orëve. Abedini më tha se, meqë sonte është vonë, kontratën e autorësisë mund ta bëjmë javën tjetër.

“Bota sot”: A patët kohë të mjaftueshme që ta tregoni aftësinë tuaj profesionale në shkrimin e kësaj deklarate?

Shyqri Nimani: Koha ishte aq e pamjaftueshme, sa që shumë shpejt u binda se më duhej të llogarisja vetëm në kaligrafimin e tërësishëm të tekstit – e as në një mënyrë edhe në zbukurimet me iniciale ornamentale apo me vinjeta pikturale. Pasi që i kreva të gjitha përgatitjet paraprake, fillova bukurshkrimin e Deklaratës, duke filluar nga ora 9 e mbrëmjes së 16 shkurtit për ta përfunduar 15 minuta para orës 15.00 të 17 shkurtit 2008. Kohë pas kohe vinte Kryeministri i shoqëruar me disa nga bashkëpunëtorët e tij (Hajredin Kuqi, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj…) për ta parë procesin e kaligrafimit. Ndëkaq, me mua qëndronin të shumtën e kohës, Arbër Hadri (Drejtor i Muzeut të Kosovës) dhe djali im, Agoni, i cili fotografonte gjatë fazave të ndryshme të bukurshkrimit. Unë kisha dilema se me çfarë stili të shkronjave (fonteve) do të mund t’i plotësoja më së miri kërkesat optimale estetike të çastit. U përcaktova për tipin italic, sepse me të është shkruar ‘Formula e Pagëzimit’ (8 nëntor, 1462) dhe se këto shkronja janë të bukura, kanë pjertësi dinamike dhe se mund të shkruash rrjedhshëm dhe shpejt.

Por, disa orë para afatit të përfundimit, po shtangohesha nga frika, se mbase nuk do të mund ta kryeja këtë ndërmarrje kaq të pavolitshme. Gati në dorëzim e sipër, iu drejtova djalit tim, Agonit (i cili është magjistër i dizajnit) me fjalët e shtirura se për herë të parë në jetën time do të dështoja. Ai, me plot besim, më inkurajoi, duke më thënë se gjithsesi do t’ia dalim. Dhe, pas 16 orësh të shkruari pandërprerje, arriti koha e përfundimit të suksesshëm: ishte ora 2.45 pasdite, 17 shkurt 2008. Pikërisht në ato çaste, kur erdhën për ta marrë Deklaratën e gatshme, Kryeministri Hashim Thaçi me bashkëpunëtorët e tij – me ta ishte edhe gazetari i mirënjohur  tiranas i TV KLAN-it, Blendi Fevziu, i cili po xhironte tërë kohën. (Asnjëra nga televizionet e Kosovës, mbase, nuk është ftuar të xhironte). I shkëmbyem vetëm disa fjalë dhe pastaj ata nxituan drejt ndërtesës së Parlamentit, e cila gjendet vetëm disa metra larg kësaj të Qeverisë.

Image
Shkruesi i Deklaratës së Pavarësisë, Shyqyri Nimani

Dhe, pikërisht në ora 3 pasdite, Kryeministri Thaçi filloi leximin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Unë isha aq i katandisur fizikisht dhe psiqikisht, sa që më kapluan aritmitë e forta kardiale. Andaj, unë nuk vajta në Kuvend, (isha shumë i lodhur, pa gjumë dhe pa veshje formale) – për të përjetuar momentin solemn të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe të nënshkrimeve të 109  anëtarëve të Parlamentit. (Unë dhe biri im, Agoni, ngjarjen e përcollëm në televizion nga një zyrë qeveritare). Në historinë tonë kjo Deklaratë do të jetë e amshueshme. Jehona e kësaj ngjarjeje kaploi mjetet kryesore botërore të komunikimit masiv, madje edhe gazetën e përditshme japoneze ‘Asahi Shimbun’, që ka qarkullimin më të madh në botë prej 8 milionë kopjesh.  Por, sinqerisht, përgjithmonë do të më mbetët si një vragë në zemër, pamundësia e realizimit të dëshirës sime për ta kaligrafuar Deklaratën me iniciale, me zbukurime florale e faunale dhe me ngjyra metalike ari e argjendi. Të gjitha këto materiale i kisha me vedi. Ishte vetëm koha që nuk më ishte mjaftueshëm në dispozicion. Vërtet, koha është ajo që ta detyron mënyrën e veprimit. Kështu që, kam përdorur vetëm ngjyrën e zezë. Edhe Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e vitit 1776, të cilën e kam parë, është shkruar gjithashtu me një ngjyrë dhe pa asnjë zbukurim.

“Bota sot”: Në momentet sa shkruanit deklaratën, a e mendonit të ardhmen e Kosovës?

Shyqri Nimani: Të jem i sinqertë, e kam të vështirë të rikujtoj se ç’ndjenja me kishin kapluar në ato çaste të jashtëzakonshme, kur vetëm një herë në jetë mund të përjetohen. E ndjeja se Dielli i Lirisë do t’i ngrohte zemrat e popullit tonë aq të përvuajtur. Por, unë isha tërësisht i koncentruar në obligimin tim që brenda 16 orëve të kryeja një detyrë aq me përgjegjësi.

“Bota sot”: Profesor, a mund të na thoni si po e gjen Kosovën 9-vjetori i pavarësisë?

Shyqri Nimani: Pavarësia e Kosovës është përfundimisht një realitet që është ëndërruar ndër shekuj nga gjenerata të tëra. Pas vuajtjeve të tmerrshme, mizorive dhe spastrimeve etnike biblike, Populli i Kosovës tashmë e ndjen puhinë e vërtetë të lirisë, të demokracisë dhe të prosperitetit... Mbështetja thelbësore e demokracive perëndimore ndaj Kosovës kurrë nuk do të harrohet. Do të jetë një miqësi sipas traditës shqiptare dhe mirënjohje e amshueshme. Por, për fat të keq, ëndrra jonë e madhe e realizuar me sakrifica aq të mëdha po e gjen Kosovën në 9-vjetorin e Pavarësisë – përkundër arritjeve të dukshme – mjaft të katandisur pothuaj se në të gjitha sferat e shoqërisë. Kjo gjendje e krijuar nga papërgjegjësia, e dikujt më shumë dhe e dikujt më pak, paradoksalisht e ka shndërruar tërë atë entuziazëm të shpresave të mëdha në një zhgënjim të humbjes së perspektivës.

Më ka ndodhur që njerëz të thjeshtë, nga zemra e plasur, të më pyesin se “a do ta kisha bukur shkruar edhe njëherë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës?!”. Natyrisht, përgjigja ime ishte me plotë gojën pozitive. Porosia kuptimplote e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, e thënë në Ferizaj më 1999 me fjalët “Ne e fituam luftën, ju fitojeni paqen”, duhet të kuptohet njëherë e mirë nga të gjithë se ndërtimi i shtetit të Kosovës në rend të parë i takon vetë kosovarëve. Zhgënjimin tim ndaj gjendjes politike dhe shoqërore në Kosovë unë e kam shprehur në mënyrë artistike, me triptikun tim mbi katandisen e pasurive të Kosovës që përbëhet nga tri pjesë integrale: 1) Kosovo mon amour! me tekstin e Pjetër Budit (1566-1623):   “... me një fjalë, përbrenda e përjashta dhe në të gjitha anët, është si një parajsë tokësore”. 2) Kosovë o mjelca ime! me tekstin e Carl Sandburg (1878-1967):  “Populli është Çdokush, secili. Secili je ti dhe unë dhe të gjithë të tjerët. Çka thotë secili është çfarë themi ne të gjithë. E ç’është ajo që themi ne të gjithë?“.  3) Quo vadis Kosovë? me tekstin e Fan Nolit (1882-1965): “Ku e lam’ e ku na mbeti  Vaj-vatani e mjer mileti...”

Ndërkaq, për vonesat kombëtare të pajustifikueshme drejt integrimeve evropiane, kam krijuar posterin ironizues ‘Shqiptarët po shkojnë në Evropë’.

Një filozof i shquar këshillonte: “Këmbët e njeriut duhet të mbillen në atdheun e tij, por sytë e tij duhet të vështrojnë botën”.

“Bota sot”:  A duhet të rishkruhet historia?

Shyqri Nimani: Natyrisht që duhet, unë do të thosha të riplotësohet lirshëm, me të dhëna autentike dhe me parime sipas standardeve kontemporane ndërkombëtare, pa imponime ideologjike, pa pispillosje dhe pa gënjeshtrime sharlatanike. Thuhet se historinë e shkruajnë (e sajojnë) fitimtarët. Ndërkaq, britaniku George Orvell (1903-1950), autori i novelës së famshme Animal Farm (Ferma e Kafshëve), pohonte se “Ai që kontrollon të kaluarën kontrollon të ardhmen. Ai që kontrollon të tashmen kontrollon të kaluarën”. Dhe, nëse i referohemi pohimit të Orvellit, se Ai që kontrollon të tashmen kontrollon të kaluarën dhe nëse ne me të vërtetë e kontrollojmë të tashmen – atëherë na mund ta shkruajmë historinë e të kaluarës sonë objektivisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat