Doris Pack: Meta ende mund ta ndryshojë politikën shqiptare

Intervista

Doris Pack: Meta ende mund ta ndryshojë politikën shqiptare

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 15:39
Doris Pack

Doris Pack është një emër i njohur për shqiptarët. Politikania gjermane, ish-deputete e Parlamentit Europian dhe aktualisht Presidente i forumit të gruas të Partive Popullore Evropiane (PPE) dhe Kryetare e Bordit Këshillimor të “A Soul for Europe”.

 Pack ishte në Tiranë për të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Lidhja Demokratike e Grave në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer”. Por, si një politikane “veterane” me njohuri të mira për situatën në Shqipëri dhe Ballkan, është gjithmonë e vlefshme të marrësh opinionet dhe komentet e saj mbi situatën aktuale politike. Patëm një bisedë interesante me znj. Pack mbi disa tema në lidhje me politikën shqiptare dhe rajonale, Ballkani përballë BE-së dhe situatën në Evropë. Çfarë mendon ajo për politikanët më të lartë shqiptarë, mbi performancën e qeverisë, për gjendjen e reformave, për zërat rreth ambasadores së BE-së në Tiranë, pse është ajo aq e shqetësuar në lidhje me trafikun e drogës dhe situatën me kanabisin në vend, ngërçin politik në Maqedoni dhe akuzave në lidhje me "ndikimin e Sorosit”...

 - Znj. Pack, ju falënderojmë që gjetët kohë për këtë bisedë. Do të doja të filloja me një përshtypje apo mendim tuajin për këto 3 vite e gjysmë të qeverisjes së koalicionit të majtë, pothuajse një mandat...

 Më duhet të them se unë e shoh si një mandat jo dhe aq të suksesshëm. Në përgjithësi, qeveria ka dështuar në luftën kundër korrupsionit, siç kishte premtuar. Disa pjesëtarë të Parlamentit janë gjetur fajtorë për krime të ndryshme, disa të tjerë janë akuzuar dhe disa prej tyre tashmë janë jashtë Parlamentit. Rastet janë bërë publike, nuk do të ndalem në detaje, por këto gjëra nuk duhet të kishin ndodhur. Nga ana tjetër, unë shoh që të rinjtë duan të largohen nga vendi; vetëm pak investime të reja janë bërë dhe ata nuk gjejnë alternativa të tjera përveçse largimit nga vendi. Kjo më bën shumë të trishtuar.

 - Po sa i përket performancës së Kryeministrit Rama? Unë kam parasysh që ai duhet të jetë një person më shumë popullor jashtë vendit se sa paraardhësit e tij ...

 Natyrisht ai është një aktor shumë i mirë në arenën ndërkombëtare, por ai duhet të jetë me të vërtetë i interesuar në qeverisjen e vërtetë dhe rezultatet konkrete për njerëzit e vërtetë, dhe kjo gjë nuk ka rënë shumë në sy. Ju jeni votuar, jo për të qenë popullor në arenën ndërkombëtare, por për të rregulluar gjërat në vendin tuaj.

 - Ky koalicion qeverisës ka një partner strategjik, z. Ilir Meta dhe LSI-në; si do ta përcaktoje elementin LSI: si një korrektues të disa politikave qeverisëse apo si pengesë?

 Unë besoj se z. Meta mund të kishte bërë më shumë, mund të kishte guxuar dhe të kontribuonte më shumë. Ju e dini, mua më kujtohet që kur ishte fare i ri pa asnjë fuqi të vërtetë brenda Partisë Socialiste në takime të ndryshme ndërkombëtare. Ai ishte një i ri me shumë vlera, shumë energji dhe me propozime të mira. Ai mund të kishte ndryshuar politikën shqiptare shumë më tepër nga sa ka bërë: ndoshta ai ende mund ta bëjë këtë gjë nëse është i përkushtuar me të vërtetë.

 - Ndërkaq, Partia Demokratike në opozitë, anëtare e Partive Popullore Evropiane ku edhe ju ishit pjesë, ka një udhëheqës të ri, z. Basha. A keni ndonjë koment për të?

 E shoh Basha si një udhëheqës të ri me të vërtetë i interesuar për të bërë ndryshime. Takimet e tij në Evropë janë mirëpritur, pasi ai ka ide dhe propozime të mira. Unë mund të përmend iniciativën e partisë së tij për dekriminalizimin e Parlamentit dhe administratës. Por sigurisht që ai nuk është në pushtet, partia e tij është minorancë dhe në fakt ai nuk mund të ndryshojë asgjë në të vërtetë. Mbase njerëzit presin më shumë nga ai, por unë e di se nuk është e lehtë të mbash peshën e opozitës, kur jeni një lider i ri.

 - Znj. Pack, reforma në drejtësi ka qenë refreni i politikës dhe medias në Shqipëri këto muajt e fundit. Për aq sa ju i keni ndjekur ngjarjet ose më mirë të themi peripecitë e kësaj reforme që në hapat e parë, a jeni optimiste apo shpresëplotë për rezultatin?

 Shikoni, gjëja më e rëndësishme është implementimi. Ne e dimë dhe ju e dini se Shqipëria ka ligje shumë të mira në letër. Kur është fjala për zbatimin, çdo gjë ndryshon. Sigurisht që reforma në drejtësi është kaq shumë e nevojshme. Një gjyqësor i pavarur është një shtyllë e fortë në një vend vërtetë demokratik. Në Gjermani, për shembull, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, nuk mund të imagjinohet për të ndërhyrë ose për të vënë nën presion gjyqtarët për përfitime politike. Politikanët bëjnë atë që bëjnë ata, ata votohen për të ardhur në pushtet apo për të ikur nga pushteti, por sistemi gjyqësor mbetet aty, ai është i paprekshëm. Kjo duhet të ndodhë edhe në Shqipëri. Nuk mund të them nëse dobësia e gjyqtarëve shqiptarë qëndron në faktin se disa prej tyre vijnë nga sistemi i vjetër, apo sepse disa prej tyre nuk janë profesionistë ose të korruptuar; por unë jam e bindur kur them se askush nuk duhet të ndërhyjë në sistem. Kur kjo të ndodhë, shqiptarët do të kenë bërë një hap të rëndësishëm përpara. Për momentin unë nuk e di; vetëm zbatimi i reformës do ta tregojë. Unë do të shtoja se një pjesë e këtij procesi është gjithashtu edhe një reformë zgjedhore për të cilën duhet të bien dakord të gjitha palët me shpejtësi, pasi nuk ka mbetur shumë kohë.

 - Në anën tjetër ka pasur shumë zëra dhe akuza për një ndërhyrje të parregullt të faktorit ndërkombëtar në këtë reformë ....

 Siç e thashë edhe në konferencën për shtyp; këto reforma po bëhen me bashkëpunim dhe kontributin e ndërkombëtarëve dhe kjo mund të quhet normale. Por nëse vërtetohen akuzat se ambasadorët tanë (përfaqësues të Bashkimit Evropian) përpiqen të vënë presion mbi Tiranën zyrtare në votimin dhe zbatimin e reformave, ndërsa në anën tjetër dëgjojmë lajme për blerje vilash të shtrenjta dhe gjëra të tilla, atëherë unë ndihem e turpëruar. Sepse është e turpshme për Bashkimin Evropian që t’ju kërkojë, që t’i kërkojë shqiptarëve të luftojnë korrupsionin në një kohë që disa prej nesh janë përfshirë në çështje të ngjashme.

 - Znj. Pack, ju keni ndjekur përpjekjet e Shqipërisë dhe krizat periodike për një kohë të gjatë në vitet e shkuara. Në fakt, çështja e trafikut të drogës ka qenë gjithmonë aty. Çfarë ka ndryshuar tani që ju bën ta theksoni atë edhe më shumë si një problem të rëndë?

 Sigurisht, trafiku i drogës nuk përbën një lajm, dhe jo vetëm shqiptarët e bëjnë atë. Por ju e shikoni, situata kanabisit që ishte vetëm një fenomen lokal në Shqipëri tani është përhapur në të gjithë vendin. Nuk e them unë, por media e thotë këtë, sasitë e kapura nga forcat e policisë evropiane e thonë këtë. Pra, çfarë është kjo? Kjo tregon mungesë të vullnetit në luftën kundër trafiku të drogës, që tenton të bëhet e organizuar dhe në këtë mënyrë, krimi i organizuar hyn apo influencon edhe politikën. Dua t’ju rrëfej diçka personale. Unë kam humbur vajzën time për shkak të drogës dhe kjo është arsyeja pse unë kurrë nuk do të theksoj mjaftueshëm se sa e rëndësishme është lufta kundër drogës. Të rinjtë shqiptarë nuk gjejnë dot alternativa të tjera dhe ata mendojnë së mund të fitojnë lehtësisht para nëpërmjet kanabisit. Por, në terma afatgjatë vendi po shkatërrohet; me një përqindje të lartë papunësie njerëzit gjithnjë e më shumë duan të largohen.

 - Dy fjalë për vendin tonë fqinj, Maqedoninë, ku ka edhe shumë shqiptarë, dhe mbi krizën politike atje. Partitë shqiptare kanë nënshkruar një platformë të përbashkët, ndërsa Gruevski, fitues me një diferencë të vogël, fajëson atë që ai e quan “influencën e Sorosit” në vend...

 Problemi i Maqedonisë është situata e saj në përgjithësi, jo thjesht rezultati i zgjedhjeve. Ky vend i vogël nuk mund të bëjë progres drejt integrimin europian për shkak të përplasjeve për emrin me Greqinë. Nuk e imagjinoj dot se frika e Greqisë se Maqedonia mund të zgjerohet deri në Selanik mund të bëhet një realiltet! Por ky qëndrim ka shtyrë partitë maqedonase drejt qasjeve nacionaliste.

 Nga ana tjetër, shqiptarët shkojnë edhe më larg kur kërkojnë që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në të gjithë vendin edhe atje ku nuk ka shqiptarë. Unë them se Maqedonia ka qenë shumë më mirë para 15 vjetësh, pasi u firmos Marrëveshja e Ohrit. Tani gjithçka është bërë më e vështirë. Sigurisht që ka diçka për të cilën duhet të shqetësohemi rreth çështjes ‘Soros’: atje keni një njeri shumë të pasur me organizatat, sponsorizimet dhe median e tij? çfarë axhende mund të ketë një njeri i vetëm kaq i pushtetshëm? Interesi i njerëzve të thjeshtë? Nuk mendoj kështu. Për këtë arsye nuk mendoj se zgjidhja janë zgjedhjet e reja apo një qeveri me bazë të gjerë, por shqiptarët dhe sllavët në Maqedoni duhet të fokusohen te gjërat e tyre të përbashkëta: një vend i begatë e i integruar në BE dhe NATO. Kjo është e vlefshme për të gjitha vendet e Ballkanit, sigurisht.

 - Një pyetje të fundit. Ekziston (jo vetëm) një perceptim se problemet brenda Bashkimit Europian kanë spostuar vëmendjen ndaj Ballkanit kohët e fundit. A është e vërtetë kjo? Dhe në fund të fundit a është vetë BE në rrezik?

 Kjo është një pyetje me vend. BE është duke përjetuar problemet e veta dhe ky është një fakt. Kriza ekonomike, një valë euroskepticizmi është rritur dhe situata e paqartë me presidentin e ri të SHBA-ve kanë shkaktuar këtë situatë pasigurie. Britania vendosi të largohej nga BE, (pavarësisht se unë mendoj se ata do të humbasin më shumë se sa BE dhe britanikët pothuajse janë penduar për këtë hap të pafat)? por ky është gjithashtu rasti nga i cili vendet europiane duhet të mësojnë si të rrinë të bashkuar dhe të flasin njëzëri pavarësisht se kush drejton Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Unë besoj te kjo moto dhe mendoj se pasi të përfundojnë zgjedhjet në disa vende të BE-së, ne do të kthehemi të punojmë së bashku. E thënë kjo, unë jam e bindur se BE-ja ka bërë një ftesë për vendet e Ballkanit që prej vitit 2003 në Selanik: Shqipëria dhe vendet e tjera kanë të drejtë të aplikojnë për t’u anëtarësuar pasi të kenë arritur standardet e nevojshme. Ftesa është ende e vlefshme? BE ka një Komisioner për Zgjerimin dhe siç mund ta shihni, po shpenzon shuma të konsiderueshme parash në vendet tuaja. Kështu që, po, ndoshta vëmendja mund të jetë larguar paksa, por BE dëshiron t’i ketë pjesë të saj vendet e Ballkanit, sepse ata i përkasin Europës. Ballkani Perëndimor rrethohet nga anëtarë të BE-së dhe nuk është thjesht logjike që kjo zonë të bëhet pjesë e BE-së. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat