“Serbia ka shtuar armatimin në Luginë, Ballkani pikësynim i Rusisë”

Intervista

“Serbia ka shtuar armatimin në Luginë, Ballkani pikësynim i Rusisë”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 shkurt 2017 Në ora: 12:53
Intervistë me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptarë për Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptarë për Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu, ndërsa ka folur mbi gjendjen politike në Kosovë, ka nënvizuar se e njëjta reflektohet në Preshevë.  Sipas të njëjtit, të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, shkelen për ditë, në të gjitha segmentet e jetës. Musliu, thotë, se nuk i kanë  humbur shpresat, se një ditë do të bashkohen me Kosovën, ndërsa është shprehur kundër formimit të Asociacionit në Kosovë.  Sipas të njëjtit, Asociacioni është një mini-shtet brenda shtetit të Kosovës.

Bota sot: Si e vlerësoni gjendjen politike në Kosovë?

Jonuz Musliu: Ç’është e vërteta, gjendja politike në Kosovë dhe në trojet e tjera etnike, nuk është e volitshme. Të gjitha pakënaqësitë, që vijnë si rezultat i mos-unitet, mos-koordinimit pozitë-opozitë, sjellin trazira dhe anarki në përmbushjen e obligimeve institucionale, si ndaj çështjes së demarkacionit, asociacionit, ushtrisë e projekte të tjera kapitale për bashkëkombësit jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e viset e tjera të etnikumit shqiptar. Gjendja e rënduar politike në Kosovë, natyrisht se reflektohet edhe në lindje të saj, në Luginë të Preshevës. Beogradit sa herë t’i prishet terezia me serbët në Kosovë, pastaj mos-funksionimi i dialogut të Brukselit e mos-realizimi i marrëveshjeve midis palës shqiptaro-serbe, revanshohet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. E kemi thënë disa herë se me një Kosovë, të fortë, stabile e të qëndrueshme ekonomikisht, përfiton edhe Lugina e Preshevës, e cila me sy e zemër është e drejtuar nga ajo.

Bota sot: Po për atë në Shqipëri e Maqedoni, ku në Shqipëri ka protesta e në Maqedoni ende nuk është formuar Qeveria?

Jonuz Musliu:
 Atë që thash për Kosovën, vlen edhe për shtetin amë Shqipërinë dhe Maqedoninë fqinje, në të cilën jetojnë vëllezërit tanë, të cilët edhe mbajnë pushtete deri në Qeveri. Por, për fat të keq, shqiptarët në këto dy shtete po vuajnë nga lakmia e bajraktarizmit dhe luftës për pushtet, e cila i ka ndarë e përçarë në shumë grupe, duke i parcializuar deri në ekstremitet. Protestat në Shqipëri dhe së shpejti edhe në Maqedoni, që kanë një emërues të përbashkët: luftën për pushtet, do ta nxehin si shumë pranverën e këtij viti. Besojmë se akoma në botën shqiptare ka koka të kthjellëta, që dinë të mendojnë urtë e me maturi politike, për t’i ikur këtyre aferave të rrugëve e për t’iu kthyer rrugëve institucionale për zgjidhjen e problemeve. Më kujtohet dikur kur bëheshin protesta në Shkup, një deputet shqiptar pati thënë: “Më mirë zhurmaxhi në Parlament, se sa brohoritës në Bit Pazar”

Bota sot: Si janë raportet në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc?

Jonuz Musliu: Sa i përket raporteve ndëretnike, nuk kemi probleme edhe aq të theksuara. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë probleme me pushtetet qendrore, të cilat janë diskriminuese, madje edhe ndaj problemeve më elementare të ekzistencës: në punësim, shkollim, qarkullim të lirë, integrim etj. Ndërsa sa i përket raporteve në suaza të pushteteve lokale: në Preshevë, parlamenti lokal është krejtësisht shqiptar, pa asnjë këshilltarë të pakicave tjera serbe e rome, ndërsa në Bujanoc e Medvegjë, përbërja e Kuvendeve është multietnike, njashtu edhe qeverisjet lokale.

Bota sot: Sa respektohen të drejtat e shqiptarëve atje?

Jonuz Musliu: 
Të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, shkelen për ditë edhe atë në të gjitha segmentet e jetës. Beogradi nuk i respekton të drejtat shqiptare në Luginë, ndonëse është nënshkrues i shumë marrëveshjeve me ndërkombëtarët për avancimin e të drejtave të pakicave në Serbi. Tashti kur është në prag përpunimi i Konventës së Bashkimit Evropian rreth statusit të gjuhëve rajonale dhe të pakicave në Serbi, ne në kuadër të Këshillit Nacional, kemi ofruar shifra dhe fakte të bollshme për mosrespektimin e gjuhës shqipe në dokumentet zyrtare, duke llogaritur edhe ato të identifikimit. Po ashtu të drejtat e shqiptarëve në shkollimin e lartë, furnizimin me tekste mësimore, nostrifikimin e diplomave, moslejimin e përdorimit të lirë të simboleve kombëtare dhe zbatimit në praktikë të dygjuhësisë si dhe shumë probleme të tjera, që nuk janë në kompetencë të komunave, zvarriten dhe nuk zgjidhen deri në pafundësi nga organet qendrore. Një nga problemet më të theksuara është ajo e pasivizimit të vendbanimeve shqiptare dhe shlyerja nga evidence e gjendjes civile të shqiptarëve në Luginë.

Bota sot: Sa shpresoni se Lugina një ditë do të bashkohet me Kosovën?

Jonuz Musliu: Ne nuk i kemi humbur shpresat, se një ditë do të bashkohemi me Kosovën, pjesë integrale të së cilës kemi qenë gjithmonë gjatë historisë. Tashti i mbushim 25 vjet nga organizimi i Referendumit të 1 e 2 marsit të vitit 1992, kur populli i Luginës së Preshevës e shprehi vullnetin politik, duke votuar “Për Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës”.  Pastaj, gjatë viteve 1999-2001, në Luginë të Preshevës ka pasur një luftë të armatosur e cila nxori në sipërfaqe Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc e cila më vonë solli edhe Marrëveshjen Paqësore të Konçulit dhe shumë marrëveshje të tjera politike dhe institucionale. Nga këto veprime dhe ato të mëhershmet gjatë historisë, populli i Luginës së Preshevës asnjëherë nuk ka heq dorë për realizimin e kërkesave legjitime për bashkim me Kosovën.

Bota sot: Sipas jush, a duhet të formohet Asociacioni i komunave serbe?

Jonuz Musliu: 
Për këtë pyetje kompetentë janë për të dhënë përgjigje profesionale autoritetet e Kosovës, mirëpo pasi që pyetni edhe unë kam një përgjigje: po që se ndodh diçka e tillë, çfarë nuk është e favorshme për Kosovën  edhe ne në Luginë e kemi të formuar në letër një Asociacion të komunave shqiptare. Mendoj se Asociacioni është një mini-shtet brenda shtetit të Kosovës, po sikur të jetë kjo e formuar në kuadër të institucioneve legjitime. Shikoni çfarë telashenxjerrin institucionet paralele në veri të Kosovës edhe ashtu siç janë të shpërndara, por sikur të jenë si Asociacioni, ato do të bëhen edhe më të sikletshme dhe shumë shqetësuese.

Bota sot: A do të kërkoni autonomi me Kosovën, nëse formohet ky asociacion Asociacioni?

Jonuz Musliu: Ne jemi në përcjellje të zhvillimeve politike që po ndodhin në Prishtinë dhe Beograd dhe do të veprojmë sipas recetës së reciprocitetit. Çka do të lejohet për serbët e Kosovës, nuk do të pranojmë të mohohet për shqiptarët e Luginës. Ky është parimi dhe nuk pranojmë që ai të injorohet.

Bota sot: Së fundmi keni thënë se Serbia e ka shtuar armatimin në kufi me Kosovën. Si është gjendja aktualisht?

Jonuz Musliu: Çështja e lëvizjes së forcave të armatosura serbe përgjatë zonave kufitare ndryshon me ndryshimin e situatës politike ndërshtetërore. Është e vërtetë se ka forca të shtuara të policisë, xhandarmërisë dhe ushtrisë në Luginë dhe vazhdimisht kemi kërkuar që ato të largohen dhe në vend të tyre të jetë policia multietnike e denjë për të vënë rend e rregull. Por, Beogradi nuk është angazhuar me OSBE-në, që policia multietnike të avancohet e as nuk ka punuar në drejtim të zvogëlimit të forcave të armatosura në kufi me Kosovën.

Bota sot: Cili është mendimi juaj lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt? Me çka lidhet ai dhe a besoni në ekstradimin e tij në Serbi?

Jonuz Musliu: Arrestimi i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë në bazë të një flet-arresti të lëshuar nga Interpoli, ka ngritur shqetësimin dhe reagimin edhe të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Ne jemi kundër një arrestimi të tillë dhe arrestimeve të tjera, të cilat mund të acarojnë edhe më shumë raportet Kosovë – Serbi dhe ta vejnë në pikëpyetje procesin e dialogimit në Bruksel. Besoj se autoritet franceze do ta lirojnë Ramush Haradinajn, pa kushte, ngase është një gjykim i padrejtë dhe i pabazë.

Bota sot: Treni që deshi të hyjë në Kosovë u cilësua si provokim i Serbisë. Çfarë mendoni ju për këtë?

Jonuz Musliu: Po, ishte një provokim i rëndë dhe shumë tendencioz. Mirë u bë që autoritetet e Kosovës nuk e lanë të hyjë treni propagandistik, i cili shërbente nga Beogradi dhe disa qarqe ruse si Kali i Trojës, për ta aneksuar veriun e Kosovës. Kështu duhet të veprojë Kosova si shtet, për t’i mbrojtur kufijtë e saj sovranë, pa dallim rreziqeve që mund të vijnë më vonë. Shteti nuk është shtet, nëse nuk i del zot kufijve të vet. Ne trenin propagandistik serb e kemi gjykuar, si një provokim me paramendim.

Bota sot: Një çështje e përfolur ka qenë edhe muri në Veri që u rrëzua, por tani do të ndërtohet një tjetër në formë parku. A e ndan ky park Mitrovicën?

Jonuz Musliu: Te ne në Luginë të Preshevës, një lojë të tillë e quajmë: “Jo buka po kulaçi”. Muri dhe parku, pak kanë dallim, që të dyja paraqesin ndarje. Se si të evitohen këto barriera defa-defa më së miri e dinë institucionet e Kosovës, të cilat kanë ardhur në pushtet me votën e popullit.

Bota sot: A po tenton Rusia të shtrijë ndikim e saj në Ballkan?

Jonuz Musliu: Po, ajo veç është e shtrirë vetëm i duhet edhe pak trazira, që të sostifikohet. Ballkani është pikësynim i Rusisë, e cila ka filluar t’i tregoj muskujt me Malin e Zi dhe kështu do të veprojë edhe me shtete e tjera Ballkanike. SHBA-të dhe vendet e tjera euroatlantike janë të njoftuara për këto lëvizje dhe besojmë se do t’ia ndalin turrin ofanzivës ruse në Ballkan.

Bota sot: A ka përkrahje Lugina nga Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë?

Jonuz Musliu:
 Lugina e Preshevës nga Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë e ka vetëm përkrahjen morale. Sa i përket asaj materiale, s’kemi çka të themi. Fondi për zhvillimin e Luginës i paraparë me Rezolutën e Parlamentit të Kosovë, në vitin 2013, ka ngel vetëm në letër, po ashtu siç kanë ngelur si premtim edhe 450 mijë eurot e Ministrisë së Kulturës së Kosovës për Luginën, të cilat nuk po zbatohen në praktikë. E njëjta vërejtje vlen edhe për Shqipërinë, e cila nuk e përkrah materialisht Luginën e Preshevës, edhe pse ajo ka nevojë për të dyja bashkë.

Bota sot: Si është zotëri Musliu jashtë politikës?

Jonuz Musliu: Si qytetarët e tjerë të Luginës. Nuk pranoj dallime. Jashtë misionit tim si politikan, takohem me njerëz të kategorive të ndryshme, veçmas të ish ushtarëve të UÇPMB-së, të cilët sot llogariten kategoria më e rrezikuar e shoqërisë sonë. Po mundohemi, që bashkërisht t’i shtrojmë problemet, përballë një shteti, i cili lëre që nuk i zgjidh problemet, por edhe i krijon më shumë në mënyrë që ta realizoj synimin shekullor për zbrazjen etnike të Luginës.

Bota sot: Nga kush përbëhet familja juaj dhe sa keni kohë t’i përkushtoheni?

Jonuz Musliu: Unë kam bashkëshorten, tre djem, renë dhe nipin, që jetojmë në një bashkësi familjare në Konçul, në vendlindjen time. Kam edhe vëllezër e prindër që jetojnë e veprojnë në Kosovë dhe perëndim. Për shkak angazhimeve në jetën politike e institucionale, pak më bie hise të qëndroj në familje, përveç vikendeve që janë të mirëseardhur për familjen time që bashkërisht t’i kalojmë këto pushime. 

Bota sot: Një mesazh për lexuesit e gazetës Bota sot..

Jonuz Musliu: Bota sot, është një gazetë me karakter kombëtar, të cilën e kam adhuruar gjithmonë. Dëshiroj që edhe më tej të vazhdoj këtë rrugë se vetëm ashtu mbrohemi e vetëdijesohemi si komb. Bota sot lexohet edhe në Luginë përveç formës së saj online edhe e printuar. Lexuesve të gazetës Bota sot dhe stafit të saj drejtues i dëshiroj rritë të mbarë dhe suksese në misionin e saj informativ. Suksese…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat