“Nuk bëjmë koalicion me LDK-në e PDK-në”

Intervista

“Nuk bëjmë koalicion me LDK-në e PDK-në”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 mars 2017 Në ora: 14:06
Anton Berisha

Anton Berisha, anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se AAK-ja nuk do të bëjë koalicion me LDK-në dhe PDK-në.

“Nuk do të kemi koalicion me PDK-në dhe as më LDK-në, ngase  që të dyja i konsiderojmë përgjegjëse për situatën e krijuar në Kosovë”, ka thënë Berisha.

Ai në këtë intervistë ka folur për demarkacionin, bisedimet me Serbinë, ushtrinë, diplomacinë e për shumë tema të tjera.

Bota Sot: Së fundmi, emrat e krerëve të shtetit janë lakuar se pjesë e një listë të përgatitur nga nja organizatë për ekzekutim. Si e përktheni ju këtë situatë?

Anton Berisha: E përkthej si rezultat i një gjendje zhgënjyese që derivojnë 'ide' të marra që nuk kanë të bëjnë me shoqëri normale.

Bota Sot: Kosova po kalon nëpër disa procese. Mendoni se ka kapacitet që të përballet me të gjitha?

Anton Berisha: Çdo shtet duhet të përballet me proceset deri në marrjen e drejtimit të duhur. Kapacitetet duhet të ndërtohen hap pas hapi.

Bota Sot: Ne fazë emergjente është miratimi i marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi. Do të kalojë apo a duhet të kalojë ky demarkacion?

Anton Berisha: Mendoj që deputetët nuk do të votojnë këtë variant të Demarkacionit. Duhet të rishqyrtohet puna e komisionit dhe të fillohet me një ekip konsessual.

Bota Sot:  Po ashtu është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A duhet gjithsesi që të themelohet ky asociacion?

Anton Berisha: Themelimi i Asociacionit është një proces që ka dalë jashtë kornizave që parasheh kushtetuta. Mendoj që ai duhet t'i kthehet natyrës së vet emrit, bashkëveprimit ndërmjet komunave, e jo të jetë bashkësi me pretendime shtetërore.

Bota Sot:  A mendoni se në Kosovë do të sundojë rendi dhe ligji?

Anton Berisha: Mendoj se është një proces i vështire dhe mjaftë i gjatë. Por gjithashtu besoj që rrugës do të ketë edhe përmirësime.

Bota Sot:  Po çohet shumë pluhur në lidhje me transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. A do të bëhet Kosova me ushtri të veten?

Anton Berisha: Kosova duhet të bëhet me ushtri. Rajoni është i armatosur dhe nuk ka arsyetim që Kosova të mos ndërtojë kapacitete ushtarake.

Bota Sot: Si i komentoni zhvillimet e fundit në skenën politike?

Anton Berisha: Zhgënjyese. Të kornizuara në interesa të ngushta dhe shkurtpamëse.

Bota Sot:  Një pjesë e caktuar e shoqërisë së Kosovë ka qenë kundër bisedimeve me Serbinë. Sipas jush a është dashur të anulohen këto bisedime?

Anton Berisha: Bisedimet me Serbinë për fat të keq janë shndërruar në ndërhyrjen e tyre në shtetin e Kosovës dhe në hapjen e rrugës së tyre për në BE. Në anën tjetër, për në atë rrugë Evropiane ne nuk na është dhënë asgjë përveç fjalive monotone: se perspektiva e Kosovës është në BE. Natyrisht se është dashur këto bisedime të riformatohen e në raste edhe të anulohen në këtë format

Bota Sot: A mendoni se Kosova po humb nga këto bisedime?

Anton Berisha: Po e thashë me lartë se do humbasë.

Bota Sot: Si e vlerësoni diplomacinë e Kosovës?

Anton Berisha: Diplomacinë e Kosovës e  vleresojë si jo ndikuese në forcimin e shtetit të Kosovës.Mirëpo kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi diplomat të vyeshëm dhe të përkushtuar, ashtu sikurse ka të tillë krejt koti, por ne përgjithësi pa rezultate të prekshme.

Bota Sot: A ka ndikuar kriza politike negativisht sa i përket tërheqjes së investitorëve të jashtëm?

Anton Berisha: Natyrisht se kriza politike në vend ka ndikuar shumë në tërheqjen e investitorëve të jashtëm dhe mendojë se kjo krizë do të vazhdojë edhe më tej të ndikoj.

Bota Sot: Sivjet do të mbahen zgjedhjet lokale. Ka pretendime që të mbahen edhe ato qendrore. A është e përgatitur partia e juaj për këto zgjedhje?

Anton Berisha: AAK ka qenë gjithmonë aktive në të gjitha aktivitetet e kësaj periudhe. Edhe në planin e brendshëm ne jemi përforcuar mjaft mirë dhe besoj që tani jemi të përgatitur,  për zgjedhje në të dy nivelet.

Bota Sot: Cilat janë pritjet partisë suaj për zgjedhjet lokale 2017?

Anton Berisha: Pritjet tona janë të rifitojmë komunat që i kemi humbur në zgjedhjet e fundit dhe të fitojmë edhe në komunat e tjera.

Bota Sot:  Po për çështje të koalicioneve parazgjedhore dhe paszgjedhore keni biseduar?

Anton Berisha: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka synim fitimin e zgjedhjeve qendrore dhe udhëheqjen e vendit. Kurse përcaktues për koalicionin pas zgjedhor do të jetë vota e popullit.

Bota Sot:  Ia keni vënë vijën e kuqe ndonjë partie politike për të dy koalicionet e mundshme?

Anton Berisha: Nuk do të kemi koalicion me PDK-në dhe as më LDK-në, ngase  që të dyja i konsiderojmë përgjegjëse për situatën e krijuar në Kosovë.

Bota Sot: Në Kosovë thuajse, asgjë tjetër nuk flitet përpos krimit të organizuar dhe korrupsionit. Çka po bëhet me Kosovën, kush e ka sjellë në këtë gjendje?

Anton Berisha: Kosovën në këtë gjendje mendojë se e kemi sjellë të gjithë ne ngapak, por më së shumti koalicioni aktual PDK-LDK. Pasi edhe vet BE-ja është  treguar e mbyllur dhe jo përkrahëse në vitet e fundit, e që nuk është aspak në rregull.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat