Markusz: Demarkacioni i rëndësishëm për integrimin e Kosovës

Intervista

Markusz: Demarkacioni i rëndësishëm për integrimin e Kosovës

Më: 3 maj 2017 Në ora: 12:29
Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz rikonfirmo mbështetjen e vazhdueshme të Budapestit për Republikën e Kosovës në shumë pore të zhvillimit, përfshirë infrastrukturën, sportin, bujqësinë, demokratizimin dhe në arsimimin. Markusz në intervistën dhënë për “RTKLive” tha se Hungaria ka dëshmuar mbështetje edhe politike për Kosovën, që nga dita e Pavarësisë duke e njohur Kosovën si shtet dhe duke e mbështetur atë si në aspektin politik edhe në atë zhvillimor.

Diplomati hungarez i akredituar në Kosovë foli edhe për idenë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, duke e cilësuar këtë si çështje vendore, ndërsa Marrëveshjen e demarkacionin e konsideron shumë të rëndësishme për vendin. Ai gjithashtu u fokusua në ndërtimin e një stadiumi të ri kombëtarë, për të cilin tha se “Sporti ka një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e kombit”.

Si e vlerësoni bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Hungarisë?

Markusz: Kosova dhe Hungaria gjithmonë kanë pasur marrëdhënie shumë të mira. Hungaria ishte një prej shteteve të para e cila e njohu pavarësinë e Kosovës, në mars të 2008-ës. Vendi im gjithashtu siguroi një mbështetje praktike në vitet e para të pavarësisë nëpërmjet trajnimeve të administratës shtetërore në nivele qendrore dhe lokale dhe zyrtarëve të policisë, në Budapest. Kohët e fundit, ekspertët e Asamblesë tonë kombëtare kanë koordinuar tre projekte të BE-së në Kuvend për të mundësuar një funksionim më të mirë. Mendoj se në dy vitet e fundit, ne kemi dhënë një shtytje të konsiderueshme në marrëdhëniet tona. Disa vizita të nivelit të lartë kanë ndodhur kohët e fundit. Në dhjetor të vitit 2015, Hashim Thaçi, ministri i punëve të jashtme dhe zëvendëskryeministër në atë kohë pati një vizitë zyrtare në Budapest. Vitin e kaluar, kryeministri Isa Mustafa vizitoi Budapestin dhe në nëntor 2016, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli zhvilloi një vizitë zyrtare në Budapest.
Ministri ynë i Punëve të Jashtme erdhi në Prishtinë dhjetorin e kaluar. Sidoqoftë, bashkëpunimi ekonomik ende duhet të përmirësohet, pasi ndodhët akoma shumë larg nivelit të marrëdhënieve politike. Me Maqedoninë fqinje vendi im ka gjashtë herë më shumë vëllim tregtar sesa me Kosovën. Nuk e shoh të arsyeshme që kjo gjendje të qëndrojë kështu edhe në të ardhmen. Shpresojmë se kjo iniciativë e re që filloi më 7 prill midis Prishtinës dhe Budapestit do të lehtësojë kontaktet midis komuniteteve të biznesit.

Ka pasur një interes në rritje të Hungarisë për të mbështetur Kosovën?

Markusz: Dy elementë kryesorë të politikës së jashtme hungareze janë të kontribuojnë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të mbështesin zgjerimin e BE-së dhe NATO-s në këtë rajon. Zhvillimi ekonomik është shumë i rëndësishëm si nga pikëpamja e stabilitetit ashtu edhe nga përgatitja për anëtarësim në BE. Kjo është arsyeja pse ne përqendrojmë vëmendjen tonë në diplomacinë ekonomike në marrëdhëniet hungareze-kosovare. Ky ishte qëllimi i nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë 62 milionë euro dhjetorin e kaluar që mund të shpenzohen për përmirësimin e infrastrukturës së Kosovës në fushën e menaxhimit të ujit, bujqësisë dhe transportit.
Ne gjithashtu sigurojmë 50 bursa për çdo vit për studentët kosovarë për të bërë studimet e tyre universitare në Hungari. Ne mendojmë se ky investim do t’i shërbejë mirë të ardhmes së Kosovës. Natyrisht, kjo është e vërtetë nën një kusht: studentët do të kthehen në shtëpinë e tyre pas përfundimit të studimeve dhe do të punësohen këtu. Në këtë drejtim ekziston një përgjegjësi e përbashkët e qeverisë sonë dhe qeverisë suaj. Edhe investitorët nga vendi im kanë filluar të tregojnë interes sadopak. Ka përgatitje për të ndërtuar një fabrikë të re që grumbullon makina bujqësore në Kosovë. Kjo mund të sjellë një përparim në bujqësinë lokale nëpërmjet shpërndarjes së inovacioneve të fundit teknologjike.

Ka një propozim nga bizneset hungareze për të ndërtuar Stadiumin Kombëtar të Kosovës, a mund të na tregoni më shumë për këtë?

Markusz: Sporti ka një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e kombit. Ndoshta është e lehtë të shihet këtu në Kosovë pas medaljes së parë olimpike të artë në historinë e vendit. Futbolli ka një forcë të jashtëzakonshme për ndërtimin e komunitetit, kështu që në fund të fundit kemi bërë më të mirën për të siguruar që Kosova të fitojë një anëtarësim në UEFA në samitin e organizuar në Budapest. Në euforinë e këtij suksesi Hungaria ofroi ndihmë teknike dhe financiare në ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës. Kompanitë hungareze janë gati të sjellin ekspertizën e tyre inxhinierike në Kosovë, pasi ata kanë ndërtuar kohët e fundit një duzinë stadiumesh në Hungari, duke përfshirë stadiumin tonë të ri kombëtar. Një stadium që duket se plotëson nevojën e Kosovës, u përurua në mes të 2014, dhe ky stadium është Arena Groupama në rrethin e Budapestit “Ferencváros”.

Kush do të financojë këtë projekt?

Markusz: Disa kosto janë ndarë nga buxheti i shtetit të Kosovës. Ka edhe negociata të vazhdueshme për skemën më të mirë të mundshme financiare për shtetin e Kosovës.

Cilat janë projektet që Hungaria do të mbështeste këtë vit dhe vitin e ardhshëm?

Markusz: Hungaria dhe Republika e Kosovës sapo kanë ratifikuar një marrëveshje kredie që do të hyjë në fuqi më 14 maj 2017. Ka dy fusha kryesore për bashkëpunim brenda marrëveshjes: menaxhimi i ujit dhe mbeturinave dhe infrastruktura rrugore. Përveç projektit të rezervuarit të Batllavës dhe futjes së sigurisë rrugore të sistemit shumëfunksional të rrugëve dhe jemi gati të ndihmojmë në zgjidhjen e problemeve të mëtejshme të Kosovës në ujësjellësin dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Hungaria po ndihmon gjithashtu Kosovën që të rindërtojë sektorin e qershisë së kokosit në bashkëpunim me USAID. Ka ardhur transporti i parë me 50 000 pemë. Ne do të vazhdojmë këtë punë dhe jemi gati të ndajmë përvojën në sektorë të tjerë të bujqësisë. Hungaria është e hapur për bashkëpunim edhe në fusha të tjera, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, ndërtimit dhe vizioneve më të mira urbane.

Ju vini nga një vend që ka përjetuar një tranzicion, si i shihni zhvillimet politike dhe tranzicionin në Kosovë?

Markusz: Më lejoni të përqendrohem këtu në gjënë më të rëndësishme: integrimi në BE kërkon një punë të madhe dhe konsensus kombëtar. Nëse Kuvendi nuk e bën punën e nevojshme dhe forcat politike gjithmonë gjejnë justifikime për të mos marrin pjesë në seancat parlamentare atëherë të gjitha deklaratat politike janë të boshe. Më lejoni të marr edhe një shembull të mirë! Mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë për fermerët për të modernizuar dhe siguruar teknologjinë e re është një lëvizje shumë e mirë që rrit konkurrencën në këtë sektor. Kosova mund të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në BE vetëm me një ekonomi të fortë dhe konkurruese. Ekziston një konkurrencë e ashpër ekonomike në Bashkimin Evropian dhe interesi i të dobëtëve nuk vihet gjithmonë në rend të ditës. Nëse nuk e bëni punën në këtë fushë shumë njerëz do të zhgënjehen me BE. Ky është një mësim i rëndësishëm nga periudha jonë e tranzicionit.

A ka ndonjë ide për të mbajtur zgjedhje të parakohshme?

Markusz: Unë kam punuar në këtë “atmosferë të parakohshme zgjedhore” që kur erdha dy vjet më parë. Nëse ka zgjedhje të parakohshme apo jo kjo varet nga vendimi i politikanëve lokalë. Ajo që mund të them nga pikëpamja e një ambasadori është se kjo pasiguri e vazhdueshme ka një efekt negativ në marrëdhëniet dypalëshe. Është e vështirë të planifikoni vizita kur nuk e dini nëse partneri do të jetë në pozitë në 2-3 muaj. Kjo mungesë e stabilitetit politik gjithashtu i bën investitorët potencialë të mendojnë dy herë para se të sjellin para në Kosovë. Unë po pyes se a është një imazh i mirë që ‘Qeveria e Kosovës kurrë nuk e mbanë deri në fund mandatin e saj’.

Ka disa vite që votimi i demarkacionit ka stagnuar, çfarë mendoni për këtë?

Markusz: Marrëveshja është nënshkruar saktësisht 20 muaj më parë. Pse nuk është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, të gjithë e dimë. Një gjë është e qartë: ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është një nga kriteret për liberalizimin e vizave. Institucionet e BE-së kanë qenë mjaft të qarta për rëndësinë e këtij kushti që nga fillimi. Megjithatë, kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për vendin tuaj edhe pa kërkuar BE-ja. Unë mendoj se një vend që përballet me dhjetëra shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duhet të sigurohet që kufiri i saj të shënohet siç duhet së paku me shtetet që e njohin.

Cili është vlerësimi juaj lidhur me zhvillimet aktuale të transformimit të FSK-së në një ushtri? A mbështesin autoritetet hungareze themelimin e ushtrisë?

Markusz: Unë mendoj se ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli thënë kohët e fundit në këtë mënyrë që “transformimi duhet të jetë një proces transparent dhe kombëtar gjithëpërfshirës i të gjitha bashkësive dhe partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti, partnerët kryesorë dhe NATO në mënyrë që të shter të gjitha mundësitë e koordinimit për krijimin e ushtrisë “. Qeveria ime mund ta mbështesë plotësisht këtë çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat