Zoran Zaev: Gjuha shqipe do të flitet, e garanton Kushtetuta

Intervista

Zoran Zaev: Gjuha shqipe do të flitet, e garanton Kushtetuta

Më: 7 maj 2017 Në ora: 16:15
Zoran Zaev

Kryetari i LSDM në Maqedoni Zoran Zaev, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, premton se nëse fiton partia e tij, do t’u konfiskohet prona të gjithë atyre që përfituan paligjshëm, ndërsa për çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, thotë se ligjet ekzistojnë, duhet vetëm zbatimi i tyre.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë premtoni për përdorimin e gjuhëve?

Zoran Zaev: Ligji është i qartë në Maqedoni dhe Kushtetuta jonë është evropiane dhe liberale – i garanton të gjitha të drejtat e qytetarëve, vetëm nevojitet zbatimi i tyre. As do të ndërrohet Kushtetuta, as ka nevojë për ndonjë zgjidhje ligjore. Kushtetuta e tanishme dhe ligjet e tanishme japin mundësi për realizim praktik të nevojave të qytetarëve rreth këtij aspekti. Ata vetëm këtë kërkojnë. Unë i dhashë shembujt – fëmija me talent në muzikë, thjesht, nuk mund të regjistrohet në shkollën fillore të muzikës për shkak se nuk ka profesor të teorisë së solfezhit.

Edhe Kushtetuta, edhe ligji këtë ta garanton. Pse nuk zbatohet? Gjyshja nuk mund të marrë kujdes nga person i tretë për shkak se ndokush nuk ka pasur qejf t’i përgjigjet në gjuhën shqipe në komunën ku ekziston dygjuhësia. Sot kemi shembuj eklatantë – Shuto Orizari me ligj ka të drejtë të flasë në gjuhën rome për shkak se ka mbi 20 për qind romë. Përse nuk zbatohet ligji? Krahas maqedonishtes, flasin dhe në gjuhën shqipe.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë saktësisht parashihni për përdorimin e gjuhëve?

Zoran Zaev: Asgjë jashtë Kushtetutës dhe ligjit! Vetëm realizim praktik. Këta kuazi-patriotë nga të dy anët, kuazi-nacionalistë, ashtu i quaj unë, thjesht fshehurazi, nën tavolinë, bëjnë pazarllëqe për ligjet, që në fund asgjë të mos realizohet nga ato ligje. Për këtë shkak, qytetarë tanë të caktuar, nga bashkësitë etnike më të vogla, ndihen se ky shtet për disa është njerkë e për disa nënë. Jo! Shteti duhet të jetë nënë për të gjithë, në mënyrë të barabartë, i barabartë për të gjithë, që të mund ta duam, ta ruajmë, të luftojmë; kjo e përforcon karakterin unitar të Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat