Si e bindi Veseli Haradinajn? Zyrtari i AAK-së tregon detajet si erdhi deri te koalicioni me PDK-në

Intervista

Si e bindi Veseli Haradinajn? Zyrtari i AAK-së tregon detajet si erdhi deri te koalicioni me PDK-në

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 19 maj 2017 Në ora: 07:56
Muharrem Nitaj e Ramush Haradinaj

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem  Nitaj, e konsideron si hap të rëndësishëm lidhjen e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës. Nitaj, gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, ka shpjeguar në detaje mënyrën se si erdhi deri tek koalicioni me PDK-në.

Po ashtu, ai ka treguar edhe arsyen se përse nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje. “AAK-40, VV-40, Nisma 20 dhe shoqëria civile 10 kandidatë për deputetë. VV e ka pasur edhe eksluzivitetin e zgjedhjes ndërmjet kandidatit për kryeministër apo bartësit të listës, por ata kërkonin më shumë dhe kjo e nxirrte jashtë lojës AAK-në”, ka thënë Nitaj.

“Bota sot”: Z. Nitaj, a mund të na thoni se si erdhi deri te vendimi për t`iu bashkuar PDK-së?

Muharrem Nitaj: AAK ishte përballë dy zgjidhjeve, ose të pajtohej me rrezikun që Kosovën ta drejtojnë Pacolli e Mustafa, edhe për katër vjet të tjera, dhe me këtë të zhvlerësohej gjithë puna e bërë në përfundimin e qeverisjes së keqe të vendit, ose të pranonte ofertën e PDK-së, me kryeministër Haradinajn. Për ne ishte e rëndësishme që të bëhëj zgjidhja më e mirë e mundshme, dhe pikërisht kjo ishte zgjidhja më e mirë, në raport me situatën e krijuar.  Tani zgjidhje përfekte nuk ka, por fakti që një bllok i tërë politik rreshtohet pas kandidaturës së Haradinajt për kryeministër, mendoj se ishte zgjidhje e mirë.  

“Bota sot”: U përfol shumë se kjo gjë ishte planifikuar më herët, se edhe mocioni që rrëzoi qeverinë Mustafa kishte për qëllim bashkimin tuaj me PDK-në, cili është versioni juaj?

Muharrem Nitaj: Jo kjo nuk është e saktë. U thashë se si rrodhën ngjarjet në raport me PDK-në. Bile për hirë informimit të opinionit, oferta ka ardhë nga PDK-ja dhe jo nga ne.

“Bota sot”: Si arritët ta bindni PDK-në sa i përket postit të Kryeministrit?

Muharrem Nitaj: Nuk kishim nevojë ta bindnim fare. Thashë oferta ka qenë e tyre dhe ata e kanë parë mbështetjen që ka Haradinaj në popull, dhe po besoj, se kjo ka qenë arsyeja pse ata janë përcaktuar për këtë format.

“Bota sot”: A e favorizoi mbajtja në Francë z. Haradinaj?

Muharrem Nitaj:  Kjo çështje le t’u mbetet për komentim analistëve dhe filozofëve. Unë nuk besoj se fatkeqësia e dikujt, mund t’i interpretohet si favor. Sidoqoftë, këtë po e lë në diskrecionin e njerëzve që ta kuptojnë si të duan. Unë nuk do të doja që askush ta ketë fatin e Haradinajt, që të mbahet peng për katër muaj, me fletarreste të Serbisë. Kjo ka qenë një goditje e madhe që i është bërë atij dhe Kosovës njëkohësisht.  

“Bota sot”: A keni marr oferta për koalicion nga LDK-ja apo edhe ndonjë subjekt tjetër?

Muharrem Nitaj: Nuk mund të thuhet se ka pasur ofertë. Ka pasur interesim që të ndodhte ndonjë përafrim, por që nuk janë konkretizuar.

“Bota sot”: Cilat janë shanset që koalicioni juaj t`i fitoj zgjedhjet?

Muharrem Nitaj: Tani ne jemi në fushatë faktike zgjedhore. Unë po mundohem të jem modest dhe të mos bëjë propagandë, por të gjithë treguesit flasin se në këto zgjedhje, Ramush Haradinaj do të jetë fitues.

“Bota sot”: A e keni bërë ndarjen e posteve të tjera, përveç postit të Kryeministrit?

Muharrem Nitaj:  Formula është AAK dhe Nisma në njërën anë dhe PDK, në anën tjetër, janë në përmasa të barabarta në qverisjen e ardhshme. Tani detajet nuk kanë rëndësi, por ky është parimi.

“Bota sot”: Përse nuk arritët të gjenit gjuhën e përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, si opozitë e bashkuar?

Muharrem Nitaj: Sepse VV-ja nuk ishte e gatshme ta pranonte një ofertë që i kishim bërë para një viti e sa. Oferta për VV-në ka qenë:  AAK-40, VV-40, Nisma 20 dhe shoqëria civile 10 kandidatë për deputetë. VV e ka pasur edhe eksluzivitetin e zgjedhjes ndërmjet kandidatit për kryeministër apo bartësit të listës, por ata kërkonin më shumë dhe kjo e nxirrte jashtë lojës AAK-në. Prandaj nuk ka ndodhur ky koalicion.   

“Bota sot”: Si do t`ju përgjigjeshit kritikëve të koalicionit PDK-AAK-NISMA?

Muharrem Nitaj: Unë e kuptoj reagimin e njerëzve. Unë i kuptoj edhe kur janë të acaruar, sepse disa njerëz në PDK, për fat të keq e kanë pasur një “nam të keq”!Por ka një përcaktim të PDK-së, që “t’i nxjerr jashtë lojës” njerëzit e “namit të keq”. Kjo një dhe e dyta, Ramush Haradinaj dhe AAK, nuk po bëhen aksesorë të PDK-së. Përkundrazi. Vizioni i Haradinajt-Kryeministër, është kursi i qeverisë së re.

Unë personalisht nuk besoj se ka njeri më të përshtatshëm se sa Ramush Haradinaj, për të qenë kryeministër i vendit.  Jam i bindur se kjo do të kuptohet nga shumica absolute e qytetarëve, edhe nga ata, që nuk kanë arritur ta kuptojnë menjëherë këtë veprim të AAK-së.

“Bota sot”: Sa përputhet programi juaj me atë të PDK-së?

Muharrem Nitaj: Programet e partive politike nuk kanë qenë të këqija asnjëherë. Problemi është se ato nuk janë zbatuar. Tani mbetet edhe një fazë e harmonizimit të këtyre programeve.

“Bota sot”: A do të keni qëndrim të njëjtë sa i përket marrëveshjes për Demarkacionin e  kufirit me Malin e zi?

Muharrem Nitaj: Ky qëndrim nuk do të ndryshojë me asnjë çmim. Bile këtë e kanë kuptuar edhe shumica e deputetëve të partive të deridjeshme qeverisëse. Demarkacioni duhet të korrigjohet.

“Bota sot”: Si do t`i gjendet zgjidhja e këtij problemi?

Muharrem Nitaj: Zgjidhja është vetëm një. Marrëveshja e demarkacioni, e nënshkruar nga qeveria Mustafa, duhet të rrezohet në përbërjën e re të Kuvendit të Kosovës.

Hapi i dytë është krijimi i një komisioni të ri dhe përpilimi i një marrëveshjeje të re, me korrigjimet e nevojshme. Nëse për këtë të fundit, nuk do të ketë gatishmëri bashkëpunimi nga Mali i Zi, atëherë demarkacioni kalon në arbitrazh, siç kanë vepruar shumë shtete në raste të ngjashme. As ne nuk jemi ndryshe nga pjesa tjetër e Botës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat