Ministri nga LDK flet për tërheqjen e Mustafës dhe kandidimin e Hotit për kryeministër

Intervista

Ministri nga LDK flet për tërheqjen e Mustafës dhe kandidimin e Hotit për kryeministër

Nga: Dafina Xhemaj Më: 24 maj 2017 Në ora: 07:48
Gazetarja e "Bota sot", Dafina Xhemaj, gjatë realizimit të intervistës me Ministrin e Infrastrukturës Lutfi Zharku

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, kreu i Ministrisë së Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka treguar se si kanë mundur që t’u hapin rrugë investitorëve të huaj  në Kosovës. Ndër të tjera Zharku ka radhitur si suksese një sërë projektesh infrastrukturore.

“Bota sot”: Z. Ministër, me cila sfida jeni përballur në ministrinë e Infrastrukturës. Dhe çka mund të quajmë suksese gjatë këtij mandati tuajin?

Lutfi Zharku: Të jem i sinqertë dhe besojë që çdo ministër përballet me problemet e zbatimit të projekteve kapitale e që natyrisht kanë të bëjnë me menaxhimin e tyre, e ne veqanti sa i përket shpronësimeve të pakryera me kohë në përputhje me ligjin. Për shkak të procedurave të tej zgjatura, projektet që përfshihen, posaçërisht prej komunave, nuk janë të përgatitura sa duhet kurse në anën tjetër nuk është kryer shpronësimi dhe që shpesh kemi probleme të tilla që e vonojnë përfundimin e tyre.

“Bota sot”: Janë bërë shumë projekte të suksesshme infrastrukturore, po cili ka qenë ai projekt apo suksese që mund të përmbyllni këtë mandat?

Lutfi Zharku: Mund ta quaj si sukses të veqantë, projektin e fundit, posaçërisht rregullimin e Veternikut, projekti i parë në Kosovë i rrugës me katër korsi që do të kemi në hyrje dhe dalje në Prishtinë përmes Veternikut si dhe rikonstruimin e gjithë hyrjeve daljeve në Prishtinë, ku përfshihet rikonstruimi i rrugës Prishtinë – Fushë Kosovë, si dhe rikonstruimi QMI-Veternik. Tash po punojmë në rregullimin e plotë të urës në Veternik si dhe segmentit prej urës deri të kthesa apo udhëkryqi për te Pallati i Drejtësisë ku do të kemi një rrethrrotullim unikat. Besoj, që ky do të jetë një ndër projektet më të mira që do ti japë kryqytetit tonë jo vetëm një pamje ndryshe, por edhe do ta çlirojë Prishtinën nga komunikacioni, nga vonesat e ndryshme dhe kohën që e humbin të gjithë qytetarët tanë.

“Bota sot”: Sa kanë ndihmuar këto suksese në rritjen ekonomike dhe në zbutjen e papunësisë?

Lutfi Zharku: Nëse kthemi pak në anën akademike atëherë çdo investim që bëhet është rritje e GDP-së apo brutoproduktit të vendit. Prandaj çdo investim që kryhet pavarësisht a bëhet nga ana e sektorit publik apo nga ana e sektorit privat ndikon në rritjen e GDP-së dhe rrjedhimisht ndikon në rritjen e punësimit. E mira e gjithë këtyre masave që janë marrë nga ana e Qeverisë në aspektin ekonomik është që dalëngadalë fokusi nuk është në investimet publike për rritjen e punësimit, por është në investimet private. Ju e dini që kemi rritje të investimeve të jashtme, rritja ekonomike është kthyer nga 1.2% sa ka qenë në vitin 2014, në afër 4% dy vitet e kaluara. Këto nuk po thuhen për lavdata nga ana e Qeverisë, por po flasim prej të dhënave nga institucionet ndërkombëtare, Banka Botërore dhe FMN, të cilat konfirmojnë që Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon.

“Bota sot”: Si po e shihni situatën aktuale në Kosovë, tani?

Lutfi Zharku: Ajo që po shihet është se po ndahemi dalëngadalë në dy blloqe. Pas vendimeve të koalicioneve, pra po ndahemi në bllokun e djathtë në krye me LDK-në dhe bllokun e majtë. Besoj se qytetarët do ta kenë edhe më të lehtë që të votojnë për një bllok të qendrës së djathtë apo një bllok që shkon më shumë kah qendra e majtë.

“Bota sot”: Ku e sheh vetën LDK-ja në këto zgjedhje?

Lutfi Zharku: Natyrisht LDK-ja është partia e qendrës së djathtë, tradita, prona private, shteti demokratik, privatizimi, ekonomia me konkurrencë të lirë, e të tjera që janë bazë të një ekonomie moderne kapitaliste.

“Bota sot”: Si e shihni vendimin e Kryeministri Mustafa, për heqje dorë nga kandidimi për kryeministër për zgjedhjet e ardhshme?

Lutfi Zharku: Jashtëzakonisht të matur, jashtëzakonisht të mençur që mund ta bëjnë  vetëm liderët e mëdhenj.

“Bota sot”: Po vendimi për Avdulla Hotin kryeministër?

Lutfi Zharku: Me konsensus të të gjithëve, tregon frymën e LDK-së, jo vetëm për kuadro të reja, por edhe në kuptimin e njerëzve që kanë kontribuar.

“Bota sot”: A do të ketë emra të ri që do të jenë bartës të listës?

Lutfi Zharku: Besojë që do të ketë, nuk jam shumë i kyçur për këto prurjet e fundit nga shoqëria civile, por LDK-ja i mirëpret të gjithë ata që duan me kontribuar në ndërtimin e vendit përmes LDK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat