Anton Quni tregon kushtin e vetëm të LDK-së për koalicion me Vetëvendosjen

Intervista

Anton Quni tregon kushtin e vetëm të LDK-së për koalicion me Vetëvendosjen

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 29 maj 2017 Në ora: 15:28
Kandidati për Deputet nga radhët e LDK-së Anton Quni

Kandidati për deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Quni, ka folur për prishjen e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës. Quni në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka treguar shkakun pse PDK-ja votoi rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa. Ai ka folur edhe për zërat se është kontaktuar nga Gjykata Speciale si dëshmitar për krime lufte, derisa ka një përgjigje edhe për deputetin e PDK-së Bislim Zogaj, i cili e krahasoi atë me ministrin serb Ivica Daçiq.

“Bota sot”: Pse u prish koalicioni i partisë tuaj me PDK-në? Cili ishte shkaku kryesor?

Anton Quni: Sukseset e njëpasnjëshme që shënonte Qeveria dhe në veçanti ato në drejtim të forcimit të rendit dhe sundimit të ligjit në vend, i frikësuan të gjithë ata që kanë probleme me ligjin. Seanca e fundit në Kuvend, tregoi se LDK-ja, si parti shtetformuese, është në shenjëster të të gjitha formacioneve në vend që kanë probleme me të kaluarën e tyre.

“Bota sot”: Emri juaj është lakuar nga deputetja e PDK-së Ganimete Musliu si dëshmitar i Gjykatës Speciale? Jeni kontaktuar nga kjo gjykatë si dëshmitar deri tani?

Anton Quni: Rreth kësaj deklarate komplet sharlatane unë mund veç të përsëris atë që e thashë edhe në seancën e fundit të Parlamentit. Asnjëherë nuk jam kontaktuar nga asnjë institucion hetimor apo hetues të çfarëdo natyre, as vendor e as ndërkombëtar, qoftë si dëshmitar, qoftë si i dyshuar apo i involvuar në çfarëdo lloj ngjarje. E thashë që jam i njohur, ashtu siç mund ta di edhe opinioni i gjerë, se kam një aktakuzë të ngritur nga Serbia, nga e cila jam i dënuar me 15 vite burgim, me vendim të prerë. Më tepër se kaq, asgjë! 

Përndryshe, unë kam qenë ushtar i UÇK-së dhe në çfarëdo lloj situate nëse jam i thirrur, unë nuk do të hezitoj që ta bëj publikisht me krenari mbrojtjen e vlerave të luftës së pastër të djemve dhe vajzave  të Kosovës!

“Bota sot”: Sipas jush, deklarata si kjo e Musliut, a janë të qëllimshme?

Anton Quni: E qëllimshme dhe me tendencë për të shkaktuar huti tek kolegët e mi bashkëpartiak dhe të tjerë si dhe tek opinion i gjerë. Edhe pse më mirë do të ishte sikur këtë pyetje t’ia drejtonit koleges Musliu se çfarë deshi të thotë e çfarë synonte të arrinte me atë deklaratë pa asnjë bazë. Si kolegë që ishim në legjislaturën e kaluar, ajo ka patur mundësi të më pyeste nëse ka pasur mëdyshje rreth çështjes në fjalë dhe unë do t’i tregoja siç po e them tani që: askush kurrë nuk më ka kontaktuar për asnjë lloj informacioni apo dyshimi rreth veprimtarisë gjatë kohës së zhvillimit të luftës dhe pas saj.  

“Bota sot”: Po deklaratën e deputetit të PDK-së Bislim Zogaj, i cili ju ka krahasuar me Ivica Daciqin, si e komentoni?

Anton Quni: Më tingëllon e ngjashme me deklaratat e gatuara në kuzhinat e njëjta me ato që dikur atakonin figura ushtarake, siç janë kolonel Ahmet Krasniqi, kolonel  Tahir Zemaj, komandant Ekrem Rexha-Drini e të tjerë, për të cilët ngriteshin teoritë se janë argatë të Serbisë. Por ai dhe gjithë të tjerët duhet të kuptojnë përfundimisht se emblema e UÇK-së askënd nuk e mvesh me imunitet , sa i përket përballjes me drejtësinë, qoftë vendore, apo atë ndërkombëtare. 

“Bota sot”:  Si do të veprojë LDK-ja me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi? Do ta ratifikoni në versionin aktual nëse vini në pushtet apo do ta rinegocioni?

Anton Quni: Jemi të përkushtuar që t’i saktësojmë kufijtë e Kosovës me secilin shtet fqinj. Është shumë me rëndësi që ky proces të menaxhohet mirë, duke e kërkuar të vërtetën me forcën e fakteve, gjithnjë me transparencë si masë preventive që qytetarët të mos manipulohen padrejtësisht për interesa të ngushta partiake dhe për kauza që shkojnë në shërbim të përfitimit të poenëve politik.

“Bota sot”: Po me Asociacionin dhe Ushtrinë, cila është strategjia që do të ndiqni?

Anton Quni: LDK e ka thënë tashmë fjalën e vet sa i përket Asociacionit të Komunave serbe. Rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese duhet respektuar me përpikëri dhe asgjë nuk mund të tolerohet, të pranohet apo të implementohet jashtë rekomandimeve të saj. Gjykata Kushtetuese ia ka vënë kornizat ligjore këtij asociacioni dhe nuk do të tolerojmë në asnjë mënyrë që të dilet jashtë këtyre kornizave që i ka vendosur organi më i lartë ligjor i Kosovës.    

Në lidhje me Ushtrinë e Kosovës, ne i kemi në konsideratë përfundimet e Grupit për Rishikimin Strategjik të Sigurisë, të cilat duhet të realizohen në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe NATO-n.

“Bota sot”: Sipas jush, nëse pushtetin pas zgjedhjeve e marrin partitë opozitare, mendoni se ato do ta votonin versionin aktual të Demarkacionit?

Anton Quni: Demarkacioni është përdorë vetëm si pretekst, por nuk ishte assesi arsyeja për ta rrëzuar Qeverinë. Prandaj, edhe nuk pres aspak korrektësi e as seriozitet nga këto parti në trajtimin e kësaj çështje të interesit të lartë nacional.

“Bota sot”: I shihni zgjedhjet e parakohshme si zgjidhje apo thellim të krizës, për shkak të çështjeve të mëdha të mbetura pezull?

Anton Quni: Jam thellë I bindur që do të ishte shumë më mirë sikur kabineti qeveritar të lejohej të punonte tutje deri në afatin e rregullt zgjedhor, në mënyrë që të vazhdohej puna në implemntimin e një sërë projekteve, me të cilat ishte duke u punuar në drejtim të përmirësimit të jetës së të gjithë qytetarëve të vendit. Por, kjo dikujt i pengoi dhe tani jemi futur në zgjedhje, të cilat do t’i kushtojnë bukur shumë buxhetit të vendit. Sidoqoftë, jemi këtu ku jemi dhe qytetarët duhet ta dijnë se fitorja e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, do të sjellë siguri në vend dhe do të punojë me ngulm në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit dhe rendit, është garanci për zhvillim ekonomik dhe do t’i çojë përpara në bashkëpunim me aleatët tanë proceset e integrimeve Euro-Atlantike...

Çdo opsion tjetër, i rrezikon të gjitha këto procese dhe qytetarët e Kosovës do ta paguajnë faturën e lartë të prolongimit dhe kthimit prapa të një gjendje stagnimi në vend.

“Bota sot”: A ka gjasa që LDK-ja të arrijë një koalicion me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve?

Anton Quni: Ne momentin që VV siguron që heq dorë nga metodat e dhunshme dhe jodemokratike, atëherë mund të them që unë personalisht do të angazhohem të bëhem avokat i fuqishëm për arritjen e koalicionit pas zgjedhor. Çështjet tjera të detajuara pastaj varen nga vendimet e forumeve të LDK-së.

“Bota sot”: A është penduar LDK-ja për bashkëqeverisjen me PDK-në?

Anton Quni: Jo, sepse ai koalicion nuk është lidhur për interesa të ngushta partiake apo të individëve brenda partisë tonë, por koha e tregoi e do ta vërtetoi që ishte një lidhje e panatyrshme, e padëshirueshme, por e domosdoshme për interesat vitale të shtetit të Kosovës. Në të kundërtën, shteti  do të rrezikohej, proceset do të ktheheshin mbrapa dhe jeta e qytetarëve do të ishte e mjerueshme. Megjithë pakënaqësitë tona e pakënaqësinë që kemi shkaktuar në elektoratin tonë me këtë koalicion, koha po e tregon që ishte vetëm e vetëm për të mirën e vendit dhe të përmbushjes së obligimeve karshi aleatëve tonë ndërkombëtar dhe krijimin e kushteve për vazhdimësi të jetës institucionale dhe funksionalizimit të proceseve me rendësi jetike për shoqërinë e Kosovës.

“Bota sot”: Si e komentoni tërheqjen e Mustafës nga gara për kandidat të LDK-së për kryeministër? A është dashur që Mustafa të kandidojë edhe një herë për të parin e Qeverisë?

Anton Quni: Vendosje e një standardi të ri në politikën e Kosovës, një standard që mund të haset vetëm në vendet me demokraci të konsoliduar dhe kulturë të lartë politike.  Të hapësh rrugën dhe mundësinë, siç u shpreh edhe vet z. Mustafa, për kuadro të reja me duar të pastra, të arsimuar e të përgatitur mirë për të qenë menaxherë të suksesshëm që me programin politik të LDK-së të punojnë për Kosovën dhe qytetarët e saj, mendoj që ky vërtetë është standard i lartë dhe që i sfidon të gjithë njerëzit në krye të politikës, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin e Ballkanit.  

“Bota sot”: A do të jetë Isa Mustafa apo Lumir Abdixhiku, kandidat për kryetar të Prishtinës?

Anton Quni:
Nuk është biseduar asnjëherë. Mbetet që e ardhmja ta tregoi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat