Ruka: Ky është gabimi më i madh i Edi Ramës

Intervista

Ruka: Ky është gabimi më i madh i Edi Ramës

Nga: Albert Z. Zholi Më: 31 maj 2017 Në ora: 20:02
E'them Ruka

Një ndër emrat më të rëndësishëm në vite të Partisë Socialiste, Prof. Dr. Et’hem Ruka, ish ministër i Arsimit dhe ish ministër i Pushtetit Vendor, si dhe disa herë deputet i Parlamentit për Partinë Socialiste, në këtë intervistë me gazetën “Albanian Free Press”, analizon zhvillimet e fundit politike në vend. Z.Ruka ndalet në marrëveshjen e 18 majit mes Ramës dhe Bashës dhe vlerëson se partitë politike mund të kenë humbur nga vetja, por ajo që ka fituar më shumë, është Shqipëria. Duke konstatuar shumë kritika në adresë të z. Rama, Ruka pohon se opinioni publik nuk mund të shpërfillet, por shton se “ata që drejtojnë janë "të dënuar" të marrin vendime të rëndësishme edhe nëse karriera e tyre personale, vihet në rrezik”.

Z.Ruka vlerëson se “gabimi më i madh i Ramës, është se do të vrapojë shpejt dhe bëhet keq kur të tjerët nuk kanë forcë ta ndjekin”. Kurse shton se Rama, “është kryeministri më qytetar që kemi patur në këto vite, i cili krijoi modele të cilat kopjohen çdo ditë, edhe nga vetë opozita”.

Ndërsa lidhur me një aleancë të mundshme paszgjedhore PS dhe PD, z.Ruka tregohet i kujdesshëm kur thotë se “është ende herët për të shtruar pyetje të tilla”. Sipas tij, marrëveshja duhet provuar në dy pika kryesore, “në ecurinë e reformës në drejtësi dhe realizmin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestuara”.

“Kur këto sfida të realizohen me sukses, - thotë z.Ruka, - koha do të imponojë zgjidhjen më të mirë”.

Si do ta cilësoni marrëveshjen e arritur mes Ramës dhe Bashës, a ishte në kohën e duhur dhe a u realizuan kërkesat e PD-së?

Pa asnjë mëdyshje, e konsideroj marrëveshje të rëndësishme, me gjithë ndjeshmërinë e lartë që ka krijuar brenda spektrit politik dhe në gjithë segmentet e tjera të jetës shoqërore. Ishte një marrëveshje e papritur dhe e paimagjinuar, por e përpunuar me kujdes e durim nga faktori ndërkombëtar, që shikon më larg për të ardhmen tonë, sesa shikojmë ne për veten. Asgjë nuk mund të jetë e përsosur, por një marrëveshje e cila sjell qëndrueshmëri, garanton zgjedhje të lira e të gjithëpranuara, që krijon premisa për ecurinë ekonomike të vendit, që i hap rrugë, fillimisht, katarsisit në fushën e drejtësisë dhe më vonë me segmentet e tjera të shoqërisë, forcon rolin e shqiptarëve në rajon si faktor stabiliteti, konsolidon orientimin euroatlantik të rajonit, nuk ka si të mos pranohet e mbështetet! 

Jetëgjatësia e saj do të varet nga luajaliteti i nënshkruesve, por edhe qëndresa ndaj shkopinjve nën rrota, që nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë. Çadra e PD-së nxori në pah mjaft të lara dhe të palara. Në fund të fundit, kuptuam se ca nga padija e ca me ndërgjegje, ca të nisur nga interesat e veta e ca nga militantizmi, ishin gati ta çonin vendin në një katastrofë të re destabilizuese.

Sot, Shqipëria po merr frymë më lirisht, falë përpjekjes së një pjesë të mirë të politikës shqiptare dhe, mbi të gjitha, përpjekjeve të palodhura të BE-së, veçanërisht Gjermanisë së cilës duhet t’i jemi mjaft mirënjohës. Padyshim SHBA-së që mund të ndryshojë Presidentin e saj, por jo politikën në raport me shtetet e tjera. Pa mbështetjen e këtyre aleatëve që marrin vendime të rëndësishme në skenën botërore, çfarë mund të ishim ne?

Së fundi, si qytetar i thjeshtë e ndjej për detyrë të falënderoj, thellësisht, ambasadorët Lu dhe Vlahutin, të cilët nuk u kompleksuan aspak nga fyerjet dhe sulmet e pafundme të një pakice dhe të shpreh bindjen se do të mbahen mend gjatë edhe si miq të vërtetë të Shqipërisë, për përpjekjet e jashtëzakonshme në integrimin euroatlantik të vendit!

Në kauzën e çadrës sa vend zë kjo marrëveshje dhe sa ngelen të kënaqur militantët e PD dhe PS me të? 

Unë besoj se, partitë politike mund të kenë humbur nga vetja, por ajo që ka fituar më shumë, është Shqipëria. Kam parë shumë kritika në adresë të z. Rama. Opinioni publik nuk mund të shpërfillet, por ata që drejtojnë janë "të dënuar" të marrin vendime të rëndësishme edhe nëse karriera e tyre personale, vihet në rrezik. Unë, personalisht, e mbështes fort Edi Ramën në këtë ndërmarrje, megjithëse në Shqipëri ka kaq shumë minavënës, saqë do të mundohen ta hedhin në erë këtë marrëveshje. Jam i bindur se nuk do të mundin, për sa kohë në themelin e kësaj marrëveshje qëndron Europa e Bashkuar dhe SHBA. Mua nuk më interesojnë aspak llogaritarët të cilët, çdo ditë, thonë se kush fitoi më shumë, Basha apo Rama. I vetmi sondazh që duhet bërë, është: çfarë përfiton e ardhmja e Shqipërisë, nga kjo marrëveshje.

A ishte çadra zëri kryesor në arritjen e marrëveshjes dhe pse bëri kaq lëshime Rama? 

E drejta e opozitës për të demonstruar dhe protestuar, është një e drejtë kushtetuese. Në këtë plan nuk ka vend për diskutim. Maratona e gjatë e kësaj proteste, pati të mirat dhe të metat e saj. Protesta ishte paqësore, me gjithë gjuhën e fortë dhe shpesh me karakter dhune. Pa marrëveshjen nuk do të dihej se cili do të kishte qenë fati i kësaj partie dhe i vet drejtuesve të saj. Rama i dha oksigjen për mbijetesë Lul Bashës.

PD-ja luftoi për kauzën e zgjedhjeve të lira, megjithëse në mjaft raste i ka masakruar ato; luftoi kundër kriminalizimit të administratës dhe këtë e duan të gjithë. Luftoi kundër kultivimit të kanabisit, por vetë nxiti "shkollat profesionale" për kultivimin e kanabisit në Lazarat e Dukagjin. Për mendimin tim, çadra mund të ketë tronditur, por nuk arriti ta përmbyste opinionin që kanë shqiptarët për historinë e qeverisjes së PD-së gjatë tranzicionit shqiptar. Për fat të mirë, çadra i ka dhënë mundësinë Bashës, të largojë pjesën e përfolur nga vazhdimësia politike, por për fat të keq, stigmatizoi si grup "armiqësor" kujtesën historike të saj, Eduard Selamin, - një ndër drejtuesit e PD-së në kohë të vështira. Jozefina Topallin, - një figurë emblematike dhe të papërsëritshme për PD-në; Astrit Patozin, - kryetar i grupit parlamentar, për shumë kohë, dhe gazetar i njohur i së djathtës. Padyshim dhe Majlinda Bregun si një deputete me mendje të hapur dhe europianiste e spikatur. Nuk e dëgjova asnjëherë Bashën nga çadra, të distancohej nga fyerjet dhe sulmi në kor kundër tyre dhe kjo më trishton.

Sa për Ramën, askush mos të kujtojë se është një politikan pa përvojë dhe që trembet, ndaj tërhiqet e bën lëshime. Rama si të gjithë ne, është qenie njerëzore që gabon. Gabimi më i madh i tij, është se do të vrapojë shpejt dhe bëhet keq kur të tjerët nuk kanë forcë ta ndjekin. Për mendimin tim, është kryeministri më qytetar që kemi patur në këto vite, i cili krijoi modele të cilat kopjohen çdo ditë, edhe nga vetë opozita. Kryeministri Rama ka shumë mbështetje në elektorat, ashtu siç ka edhe të pakënaqur, të cilët jam i bindur se do të votojnë përsëri për të dhe partinë e tij. Rama në dallim nga Basha, ka mbështetje të fortë ndërkombëtare, dhe kjo nuk meritohet me konjuktura të vogla, por me vizione të mëdha. Populli ka intuitën e vet mahnitëse dhe di të ndajë egjrën nga gruri.

Pse u tërhoq Basha nga qeveria teknike?

Është mjaft e thjeshtë. Basha dhe partia e tij, pa pranuar këtë marrëveshje, do të kishte qenë në buzë të greminës dhe izoluar ndërkombëtarisht.

Në këto kushte të zhvillimit të ngjarjeve, a e ndjen PS veten të aftë për fushatë dinjitoze?

Nuk kam asnjë dyshim se PS-ja, do të jetë forca e parë në zgjedhjet e radhës. Ajo nuk ka asnjë arsye për të qenë e kompleksuar, përkundrazi ka bërë gjithçka të mundur për të çuar Shqipërinë, sa më shpejt, drejt Europës dhe për të filluar katarsisin institucional brenda vendit. Çdo parti që është në qeverisje, ka për çfarë të kritikohet dhe duhet t´i pranojë, me modesti, gabimet në emër të së ardhmes. Reformat e ndërmarra nga kjo qeveri në fushën e administrimit të energjisë elektrike, reforma administrative, e pensioneve, kundër diplomave false, për arsimin profesional, reforma për rilindjen urbane, suksesi në legalizimet e zonave informale, rritja ekonomike mbi 3.5%, investimet për kanalizimet dhe ujitjen në bujqësi, moratoriumet për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit, etj., e mbi të gjitha, reforma në drejtësi, janë asete të forta të kësaj force politike, në këto zgjedhje.

LSI, jashtë bisedave të marrëveshjes. Mos vallë ka rënë pesha e LSI-së në elektorat?

LSI-ja është një forcë politike e majtë, e cila ka ardhur vazhdimisht në rritje dhe ka luajtur rol kyç në zhvillimet politike të vendit. Kjo forcë ka krijuar identitetin e vet dhe, shpesh, është treguar pragmatike për të arritur synimet. A do të vazhdojë ta luajë rolin e saj të peshores edhe në ardhmen? Mbetet për t’u provuar, por pa u anashkaluar. Lidershipi i kësaj partie, është mjaft dinamik dhe i motivuar në punën me strukturat e veta.

Po Berisha, a pati rol në këtë marrëveshje?

Pa dyshim që po. Berisha mbetet udhëheqësi shpirtëror i PD-së. Askush nuk mund të besojë se mund të ketë vendimmarrje në PD, pa kaluar nga zyra e doktorit. Basha, në dallim nga Rama që është i lirë, mund të veprojë vetëm nën hijen e Berishës. Emërimet e fundit për ndryshimet në kuadrin e marrëveshjes, janë prova më e mirë se Berisha luan edhe urat më të vogla në këtë parti.

Cili ishte roli i ndërkombëtarëve në këtë marrëveshje? A ishte roli i tyre kryesor?

E shpjegova edhe më lart. Ata kanë punuar me durim të admirueshëm dhe tepër të koordinuar për të zgjidhur ngërçin politik në Shqipëri. Në këtë përpjekje u bënë bashkë të majtë e të djathtë, europianë dhe amerikanë. Besoj se, tashmë, është e qartë, për të gjithë, se problemi nuk qe Edi Rama, por lidershipi i PD-së. Pa ndihmën e tyre, kjo marrëveshje nuk kishte shanse të ngjizej. Unë besoj se këta faktorë e monitorojnë në vazhdimësi këtë marrëveshje, sepse ata e dinë që pa u tharë boja e saj, mund të hidhet sërish në erë.

Besoni në një aleancë paszgjedhore PS dhe PD?

Është ende herët për të shtruar pyetje të tilla. Marrëveshja duhet provuar në dy pika kryesore, në ecurinë e reformës në drejtësi dhe realizmin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestuara. Kur këto sfida të realizohen me sukses, koha do të imponojë zgjidhjen më të mirë. Fati i Shqipërisë është i shenjtë, ai i partive është i rëndësishëm, por jo i domosdoshëm! Përvoja ka treguar se partitë lindin e vdesin, por kombet e civilizuara përparojnë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat