“Pushtetarëve të kriminalizuar nuk u konvenon liberalizimi i vizave”

Intervista

“Pushtetarëve të kriminalizuar nuk u konvenon liberalizimi i vizave”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 9 qershor 2017 Në ora: 16:32
Adea Batusha

Kandidatja për deputete nga Vetëvendosja, Adea Batusha në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka numëruar arsyet pse qytetarët duhet të bëjnë ndryshime në zgjedhjet e 11 qershorit. Batusha flet për qeverisjen e kaluar, për demarkacionin e bisedimet me Serbinë. Sa i përket bisedimeve, Batusha thotë se duhet ndërprerë ato, ndërsa duhet zhvilluar bisedime vetëm me serbët e Kosovës.

Bota sot: Pse qytetarët duhet të votojnë Vetëvendosjen?

Adea Batusha: 
Po bëhen 12 vjet prej kur Lëvizja VETËVENDOSJE! ekziston, ka punuar dhe punon vazhdimisht që t'i identifikojë e luftojë problemet që i ka Kosova. Përgjatë këtyre 17 viteve të fundit e kemi parë ekonominë tonë duke kolapsuar për shkak mungesës së eksportit e privatizimeve të ndërmarrjeve që janë jetike për shtetin tonë, kemi qenë dëshmitarë teksa na është cunguar sovraniteti nga dialogu dhe marrëveshjet me Serbinë,dhe në përballemi menjë sistem të drejtësisë ku ka gjyqtarë, prokurorë e komandantë policie që dirigjohen nga Klani 'Pronto'. Lëvizja VETËVENDOSJE! është i vetmi subjekt i cili me një konsistencë, vullnet dhe dije i ka kundërshtuar që në fillim këto të këqija dhe vazhdon ta bëjë të njëjtën gjë dhe sot.

Ne besojmëqëqytetarëttashmëqartazijanëbindur se VETËVENDOSJE! është e vetmja rrugëdalje nga kjo humnerë në të cilën na kanë futur ata që kanë qeverisur këto 17 vite. Është parë sidomosj avët e fundit me këto koalicione që ndodhën, të cilat na treguan se këto parti janë në panik të jashtëzakonshëm, por edhe që nuk e kanë asnjë parim apo "vije tëkuqe" që nuk e shkelin.

Bota sot: Si e vlerësoni qeverisjen e fundit?

Adea Batusha: Qeverisja e fundit mund të përmbledhet në një fjalë: skandaloze. Koalicioni i cili ra, kishte një figurë të brishtë si Isa Mustafa dhe në anën tjetër shefin e nëntokës, Kadri Veselin. Këta të cilët u bënë bashkë për t'i çuar përpara 'Zajednicën' e Demarkacionin, dështuan në mënyrë spektakulare. Për më shumë se një vit u penguan nga një rezistencë madhështore nga qytetarët të cilët në anjë moment nuk pranuan që t'i bëhej dëm Kosovës.

Premtime kudo e realizime askund. Varfëria u thellua dhe ato 200,000 vende të punës nuk u hapën kurrë. Përgjithësisht kemi pasur një Qeveri e cila ka vepruar aty për aty për shkak se ajonuk do t'ia dijë për popullin e vet. Dhe në fund ndodhi një nga rastet më flagrante që kemi parë pas luftës në Kosovë e ky ështëprocesi gjyqësor  i montuar politikisht ndaj meje dhe 5 aktivistëve në gusht të vitit të kaluar. Pushteti kriminal burgosi Astrit Deharin pa asnjë dëshmi apo provë të vetme, ku si pasojë ai e humbi jetën brenda burgut të Prizrenit. Regjimi nuk dha asnjë përgjegjësi për këtëçështje, madje ka vazhduar punën e tijsikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ky pushtet përveç që nuk ka bërë asnjë të mirë për qytetarin e Kosovës, e ka thelluar të keqen duke e lënë popullin të papunë e të izoluar, e duke persekutuar politikisht ata që i kundërshtojnë.

Bota sot: Nëse uleni në karrigën e deputetes, në cilën fushë do të kontribuoni?

Adea Batusha: Nëse unë zgjedhem nga populli për ta përfaqësuar atë, patjetër që do ta çojë programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përpara ashtu siç do të bëjnë të gjithë deputetët e këtij subjekti. Përbrenda alternativës sonë do të mundohem të përqendrohem në përmirësimin e kushteve për të rinjtë e për të rejat përmes rritjes së cilësisë së arsimit. Duhet që së bashku me qytetarët të punojmë palodhshëm për një shoqëri sa më të barabartë për gratë edhe burrat. Dhe në fund do të fokusohem tek rregullimi i sistemit të drejtësisë i cili është dëshmuar se nuk funksionon gati se hiç, dhe është e domosdoshme që në Kosovë të gjithë pa dallim të ndihen tësigurtë brenda shtetit të tyre. Drejtësia duhet vënë për gjithë në mënyrë të drejtë e jo në bazë të përkatësisë politike siç ka ndodhur me mua dhe 5 aktivistëve të tjerë.

Bota sot: Si do të veprojë Vetëvendosja karshi dialogut me Serbinë?

Adea Batusha:
Ne që nga viti 2005 kemi qenë kundër këtij dialogu që ka rezultuar vetëm në copëtimin e mëtutjeshëm të Kosovës. Këto negociata u zhvilluan pa kushte dhe pa asnjë kornizë të definuar mbi atë se çka është e diskutueshme dhe çka jo, pasi qëpër pushtetarët e deritanishëm gjithçka duhet vënë në tavolinë. Ne jemi të interesuar që të zhvillojmë bisedime me serbët lokalënë Kosovë. Integrimi i tyre në shoqëri varet kryekëput nga mënyra e qeverisjes nëpërgjithësi. Zhvillimi ekonomik, industrializimi i vendit, hapja e vendeve të reja të punës domosdoshmërisht çojnë tek një harmonizim i marrëdhënieve mes shqiptarëve e serbëve të Kosovës. Këtë dialog të cilin e kemi parë deri më sot vetëm sa i ka stigmatizuar serbët ngase shteti i Serbisë me leje të Kosovës, me këmbëngulje i mban strukturat paralele gjallë duke sjellur paramilitarë nga Serbia për ta tensionuar situatën. Por, serbët që jetojnë këtu nuk janë të deleguar nga Beogradi, ata e duan një jetë brenda një Kosove të pavarur e sovrane, andaj është e rëndësishme që dialogu të bëhet me ta e jo me shtetin e Serbisë e cila vazhdon t'i përqafojë aspiratat e saj ekspansioniste e shoveniste.

Bota sot: Po për demarkacionin, cila do të jetë zgjidhja juaj?

Adea Batusha: E kemi thënë disa herë që ne nuk jemi kundër demarkimit të kufijve në parim, por jemi kundër këtij demarkacioni i cili ia humb Kosovës më shumë se 8,000 hektarë tokë. Ky demarkacion që nga fillimi ka qenë i hartuar gabimisht, sikurse qeverisja PDK-LDK ashtu ka qenë edhe demarkacioni, i mbrapshtë. Ne besojme që kjo marrëveshje duhet kthehet nga e para dhe të bëhet ashtu siç duhet, duke i përfshirë ekspertët tanë dhe duke e caktuar vijën kufitare bashkë me Qeverinë e Malit të Zi nëmënyrë që Kosova të mos humb as edhe një milimetër territor, ngase nuk kemi tokë për të falur.  Me qeverisjen tonë, demarkacioni patjetër që do të përfundojë, por do të ketë epilog të drejtë i cili nuk ia cenon territorin vendit tonë.

Bota sot: Pse Vetëvendosja nuk arriti të bënte marrëveshje me LDK-në për koalicion?

Adea Batusha: Ne asnjëherë nuk kemi qenë të interesuar për pazare politike, gjithmonë e kemi qartësuar  sesi duhet qeverisur Kosova dhe këtë e ka ditur LDK-ja. Nuk ka pasur diskutime me LDK-në për ndonjë koalicion. Ka pasur kërkesa për takime nga ana e tyre, dhe në një takim që është mbajtur me ta, kanë pasur një kerkesë sa të çuditshme, aq naive. Kanë kërkuar të “blejnë paqe” me ne, pra të mos merremi me ta gjatë fushatës.

Bota sot: A do të bënit koalicion pas-zgjedhor me LDK-në, apo i qëndroni parimit të vijave të kuqe?

Adea Batusha: Pas zgjedhjeve të 11 qershorit ne besojmë fuqimisht se do të jemi forca e parë politike në vend. Qeverisja jonë do të bazohet plotësisht në programin tonë qeverisës të cilin e kemi publik për të gjitha subjektet politike. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e gatshme të bashkëpunojë me këdo që e pranon këtë program, përveç me PDK-në e cila mbetet vijë e kuqe për ne. Ne nuk jemi kundër që pas zgjedhjeve të bashkëpunojmë me LDK-në nëse ata janë të gatshëm të jenë pjesë e qeverisjes sonë ku bazë do të kemi programin tonë që siguron zhvillim, drejtësi dhe barazi për të gjithë. Por, për çdo koalicion tek ne vendosin strukturat, pra asnjëherë nuk është vendim i një individi apo një klani të caktuar njerëzish, siç ndodhë me partitë e tjera që hyjnë në “koalicione të territ”.

Bota sot: Nëse fitoni zgjedhjet, ku do t’i filloni ndryshimet?

Adea Batusha: Fokusi ynë kryesor natyrisht se do të jetë ekonomia. Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdimisht ka shpjeguar se modeli qeverisës duhet të jetë ai i një shteti zhvillimor, ku së pari industrializohet vendi duke përdorur resurset natyrore e njerëzore, rritjen e subvencioneve dhe grantet për bujqësinë, investohet në rritjen e vlerës së ndërmarrjeve publike të cilat sjellin të ardhura të majme, si dhe zvogëlohet importi qe ia mundëson prodhuesve vendor të rimëkëmben.

Kjo pashmangshëm që ndikon në zvogëlimin e varfërisë dhepapunësisë, duke i hapur rrugë barazisë e cila eshtë çelësi për realizimin e mirëqenies qytetare.  Kjo barazi mund të vijë atëherë kur qytetarët nuk luftojnë vetëm për të mbijetuar, ngase ajo jetë nuk është as e drejtë e as e dinjitetshme.

Bota sot: A ka vendosur Vetëvendosja për kandidatin për Prishtinën?

Adea Batusha: Kjo pyetje më duket pak e çuditshme paksa, marrë parasysh se tani jemi në zgjedhje nacionale. Sidoqoftë, mund ta them atë se Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka të rregulluar me Statutin e saj çështjen e kandidatëve për kryetarë komunash. Në secilën komunë, propozohet ose vetëpropozohet kandidati apo kandidatët për kryetarë, dhe anëtarësia jonë në atë komunë vendos se kush është ai i cili është kandidat. Pra nëse kemi disa emra, anëtarësia jonë voton dhe cili merr vota më shumë , është kandidat në atë komunë. Nëse kemi një kandidat, anëtarësia e ka mundësinë që të votojë për, kundër ose të abstenojë. Kjo vlen për secilën komunë, edhe Prishtinën. Megjithatë, duhet theksuar se është vërejtur gatishmëri e Shpendit që të jetë në krye të Prishtinës edhe për një mandat, e në anën tjetër anëtarësia jonë në Prishtinë, por edhe në tërë Kosovën, sikurse edhe qytetarët e Prishtinës, janë shumë të kënaqur me punën e bërë nga ai deri tani. Rrjedhimisht, ekziston vullnet e mbështetje e madhe që Shpendi të jetë në krye të Prishtinës. Edhe personalisht them që duhet t’i besohet edhe një mandat sepse Prishtina ka nevojë për qeverisjen që e kemi parë përgjatë kësaj kohe.

Bota sot: Çfarë po ndodhë me procesin gjyqësor ndaj juve dhe kolegëve tuaj?

Adea Batusha: Mua së bashku me Frashërin, Atdheun e Egzonin na janë bërë 9 muaj prej se jemi padrejtësisht në arrest shtëpiak. Gjatë kësaj periudhe janë mbajtur disa seanca ku janë paraqitur gjoja provat e Prokuroisë si dhe është shpalosur mbrojtja e pakontestueshme nga ana e avokatëve tanë. Para disa ditëve kemi kuptuar se kërkesa jonë për t'u liruar nga arresti ështërefuzuar pa asnjë bazë ligjore, siçështë edhe rasti në vetvete, një shkelje e plotë e të drejtave tona, meqë nuk ka asnjë provë dhe dëshmi të vetme që ne kemi të bëjmë me këtë vepër penale. Ne akuzohemi për një akt që mund të cilësohet nga një më të rëndat brenda Kodit Penal, dhe fakti qëështë proces totalisht i montuar, është fatkeqësi jo vetëm për ne që po e mbajmë këtë mbi supet tona, por për tërë sistemin e drejtësisë në Kosovë ku askush nuk është i sigurtë po që se e kundërshton pushtetin.

Bota sot: Cili besoni se do të jetë epilogu i këtij procesi?

Adea Batusha: Epilogu i këtij procesi është i qartë, ne në fund do shpallemi të pafajshëm. Ky proces i montuar politikisht që në krye ka klanin ‘Pronto',  kishte për qëllim ta shpallte Lëvizjen VETËVENDOSJE! terroriste, por pas 11 qershorit nuk do ta ketë mundësinë të kthehet në Qeveri e të burgosë të rinj e të reja më. Por për ne nuk çon peshë vetë lirimi jonë, për ne është e rëndësishme që të vihet drejtësia për Astritin, i cili po të mos ishte në burg, do të ishte në shtëpi me prindërit, bashkëshorten dhe tash vajzën e sapolindur. Ky rast tragjik i cili nuk i theu vetëm  ata që e njohën, por gjithë shqiptarët kudo ngase ishte rasti më i rëndë që mund t'i ndodhte Kosovës.

Bota sot: Si mund të arrihet liberalizimi i vizave?

Adea Batusha:
Së pari mendoj se liberalizimi i vizave nuk është problemi kryesor i Kosovës.  Kurse, sa i përket vonesave në këtë proces, arsyeja pse ne jemi ende të izoluar, është pikërisht për shkak pushtetarëve të kriminalizuar të cilët preokupim kryesor e kanë pasur mbajtjen e bizneseve të tyre gjallë. Kushtet të cilat i ka BE-ja në raport me liberalizimin e vizave janë shumë të qarta, të zhduket krimi i organizuar dhe korrupsioni. Kjo gjë nuk mund të ndodh nëse kriminelët e klanit 'Pronto' vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet. Andaj mënyra e vetme që të hapet rruga ndaj liberalizimit të vizave është nëse në Kosovë qeveris një subjekt i cili njëmend beson se qytetari është radhë të parë dhe që krimin e korrupsionin do ta zhduk përgjithmonë e ky subjekt është Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat