Albin Kurti për televizionin zviceran: Unë jam kryeministri i ardhshëm i Kosovës, ja pse nuk do e harrojmë kurrë ndihmën e Zvicrës

Intervista

Albin Kurti për televizionin zviceran: Unë jam kryeministri i ardhshëm i Kosovës, ja pse nuk do e harrojmë kurrë ndihmën e Zvicrës

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 13 qershor 2017 Në ora: 23:11
Albin Kurti

Koalicioni i “Krahut të luftës” në fakt i ka fituar zgjedhjet, megjithatë partia opozitare Vetëvendosja si parti e vetme është partia më e fuqishme. Televizioni zviceran ka kryer një intervistë ekskluzive me themeluesin dhe kandidatin për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurtin, shkruan “Bota sot”.

SRF: Kush është kryeministri i ardhshëm i Kosovës?

Albin Kurti: Unë besoj se jam unë.Pas këtyre zgjedhjeve ne jemi partia më e madhe e Kosovës dhe kemi dyfishuar votat. Kjo kundër një koalicioni me 16 parti dhe një tjetri me shtatë parti, të cilët kanë humbur shumë mbështetje. Këtë fundjavë kemi shkaktuar një valë entuziazmi në Kosovë.

SRF: Çfarë do arrini si kryeministër i Kosovës?

Kurti: Menjëherë sapo të marrim qeverinë do zbatojmë 40 prioritetet tona për Kosovën. Mes pikave është edhe ngritja e një fondi për financimin e rindërtimit të vendit dhe për ti dhënë shtytje ekonomisë tonë. Kjo vlen veçanërisht për nxjerjen e mineraleve, sektorit energjitik dhe bujqësisë. Na duhet një bankë për zhvillim me kamata të ulëta. Krimi i organizuar dhe korrupsioni i përhapur kudo duhet të luftohen. Janë të nevojshëm gjykatës dhe prokurorë të kualifikuar më mirë – dhe këtu na duhet përkrahja e BE.

SRF: Ju vleni si nacionalist i majtë. A do shkaktoni stuhi në rajon?

Kurti: Ne jemi të majtë në krahasim me skenën tjetër politike, sepse duam të mënjanojmë pabarazinë me politikën tonë sociale. Kosova është vend pa sigurime shëndetësore. Nëse dikush pëson në një aksident në autostradë, ai ka sigurim për veturën, por jo për pasagjerët. Në këtë ambient ne mund të dukemi radikal, por ne jemi majtistë të rëndomtë.

SRF: Por ju mbani etiketën “nacionalist”?

Kurti: Ne nuk e quajmë veten nacionalistë në kuptim të nacionalizmit ballkanik, i cili është i ndërlidhur me luftën dhe gjakderdhjen. Por, ne besojmë se kombi është koncept i rëndësishëm në politikë dhe ide e rëndësishme. Këtë nuk duhet t’ia lëmë të djathtës. Ne nuk do ta përdorim kombin kundër shoqërisë. Nëse njerëzit e kombeve të ndryshme bëhen bashkë, ky është një shans për të shfrytëzuar të përbashkëtën – në kuptimin social të kontakteve.

ImageAlbin Kurti gjatë intervistës për televizionin zviceran

 

SRF: Si do i vijoni bisedimet me Serbinë?

Kurti: Dialogu me Serbinë është bllokuar, sepse fillimisht ka nevojë për dialog mbi dialogun. A duam ne të bisedojmë me njëri-tjetrin? Në thelb ne nuk jemi kundër bisedimeve, por duhet të ketë principe.

 Paralelisht duam të fillojmë bisedime me serbët e Kosovës – të cilët ne nuk duam ti konceptojmë si serbë por në rrafshin social si mjek, studentë, shofer taksie, marangozë, të papunë, burra dhe gra. Nuk janë të gjithë serbët të njëjtë, siç nuk janë të gjithë shqiptarët të njëjtë. Ne duam të bisedojmë për një të ardhme më të mirë dhe të shfrytëzimit të pasurive natyrore, në vend të historisë dhe pajtimit.

SRF: Në Beograd qeveris presidenti Aleksandër Vucic – gjithashtu me mbështetje të BE. Me atë duhet të bashkëpunoni?

Kurti: Serbia luan një lojë të dyfishtë me BE dhe Rusinë. Ne duam që shteti i Kosovës të anëtarësohet në BE dhe në NATO. Por, Serbia duhet t’i jap fund lojës së dyfishtë. Ky vend duhet të ballafaqohet me të kaluarën e vet. Ende nuk ka shprehur keqardhje për krimet në të kaluarën. Është me rëndësi që zoti Vuçiq t’i qaset kësaj teme dhe nuk mjafton vetëm deklarata se “unë nuk jam Vucici i 1988”, atëherë ministër informativ nën regjimin e Miloshevicit. Këtu bëhet fjalë që shoqëria serbe duhet të merret me atë që është vepruar në emër të saj përpara 20 viteve.

SRF: Së shpejti mund të vijnë aktpaditë e para të Gjykatës Speciale për ish udhëheqësit e UÇK. E mbështesni punën e kësaj gjykate?

Kurti: Gjykata e Kosovës duhet të merret me këtë temë. Ne jemi vend i pavarur dhe kemi nevojë për ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar. Por unë nuk besoj në sukses, nëse kjo Gjykatë Ndërkombëtare vendoset në vendin tonë.

Më të rëndësishme sesa krimet e luftës janë “krimet në kohën e paqes” në fushën ekonomike. Deri tani kemi pasur tre gjykime ndërkombëtare dhe kjo e katërta nuk besoj se do sjell diçka të re. Pra Gjykatat nuk mund të importohen, por mund të ndihmohet drejtësia lokale.

SRF: Çfarë prisni nga Zvicra dhe diaspora shqiptare në Zvicër?

Kurti: Zvicra e ka ndihmuar shumë Kosovën: herën e parë si vend emigrimi i banorëve të Kosovës gjatë luftës, në anën tjetër ishte ministrja e parë e jashtme Micheline Calmy-Rey e cila foli ndërkombëtarisht për pavarësinë e Kosovës. Këtë nuk do e harrojmë kurrë. Tani është me rëndësi që më pak banorë të Kosovës të emigrojnë drejt Zvicrës. Për këtë duhet më shumë investime të diasporës dhe Zvicrës drejt Kosovës.

Banorët e Kosovës në Zvicër punojnë fortë. Shumë sosh janë biznesmenë të suksesshëm. Ata mund të jenë një urë e fuqishme lidhëse për thellimin e bashkëpunimit mes Zvicrës dhe Kosovës./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat