A pranon LDK-ja që Kryeministri të jetë nga Vetëvendosje?

Intervista

A pranon LDK-ja që Kryeministri të jetë nga Vetëvendosje?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 2 gusht 2017 Në ora: 08:20
Lirije Kajtazi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, e konsideron të nevojshëm qëndrimin e LDK-së në opozitë edhe për një mandat. Sipas saj, LDK-së i nevojitet një rishikim i pozicionit të saj në raport me proceset, vetveten dhe anëtarësinë. Në anën tjetër, deputetja Kajtazi ka theksuar se LDK do të thellonte negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje, nëse e njëjta do të pranonte vazhdimin e politikave të mira të LDK-së.

Bota Sot: Zonja Kajtazi si e vlerësoni procesin zgjedhor të 11 qershorit?

Lirije Kajtazi: Përkundër faktit se ciklet zgjedhore në Kosovë që nga pavarësia, asnjëherë nuk përmbyllin afatin e rregullt katërvjeçar, por të gjitha zhvillohen para afatit, mundë të vlerësoj se qytetarët janë organizatorët dhe mbarëvajtësit e tyre. Prandaj merita ju takon qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët përkundër këtyre parregullsive të cilat shkaktohet vazhdimisht nga PDK, ata prapë se prapë i përgjigjen kënaqshëm ftesës për dalje në zgjedhje.

Bota Sot: Fituat përsëri mandatin e deputetes, cili do të jetë kontributi juaj në Kuvendin e Kosovës?

Lirije Kajtazi: Është tepër me rëndësi që institucionet të përmbushin obligimet e veta ligjore me standarde të shërbimit dhe zhvillimit, ku qytetari e ndien vetën të mbrojtur dhe ndërtues i vendit njëkohësisht. Në të kundërtën, do të dominoj pasiguria, mosbesimi dhe pakënaqësitë për të jetuar në vend. Si rrjedhojë, manipulimi me të pakënaqurit mund të jetë të ndryshme, në kauza e krijuara e të veshura me petkun patriotik, mund të gjejnë truall të përshtatshëm edhe ata që nuk i duan të mirën Kosovës. Prandaj, nuk kam ndryshuar aspak, vazhdoj të mos e keqpërdor besimin qytetar; mbetem e përkushtuar të punoj në zhvillimin e demokracisë, e cila është çelësi i zhvillimit të gjithmbarshëm të Kosovës, zhvillim ky i cili mundëson rritje të mirëqenies dhe dinjitetit të çdo qytetari, me fokus, luftë e pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është baza e cila neve na afron më afër integrimeve në BE, NATO dhe miqësi të përhershme me SHBA.

Bota Sot: Çfarë mendimi keni për rezultatin e arritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje?

Lirije Kajtazi: Më me kënaqësi do të kisha folur për rezultatet e qeverisjes se LDK të cilat janë pranuar botërisht nga institucione kredibile ndërkombëtare, e që për paradoks nga të gjitha grupet politike ju pre rruga. Për kundër synimit, ne nuk dolëm të parët, ndërkohë që rezultatet e qeverisjes ishin evidente. Nuk pati asnjë aferë korrupsioni në qeverinë Mustafa, kishte zvogëlim të shpenzimeve, kishte rritje ekonomike në nivel vendi,  të investimeve kapitale, kishte rritje të buxhetit etj etj. Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa ka punuar në kushte të jashtëzakonshme, në presion flagrant nga opozita e cila nuk zgjidhte mjete si dhe në presion të përditshëm nga Serbia e cila provokonte në mënyra të ndryshme. Në këto kushte të arrihet rezultat, do të thotë shumë. Qytetarët nuk e vlerësuan? Është çështje për analizë të niveleve tjera, por faktorë determinues i këtij rezultati mendoj se është lodhja e qytetarëve nga keqqeverisja e PDK në vazhdimësi. Sido që të jetë rezultati është ky dhe ne duhet ta pranojmë, por mendoj se në këtë proces, në rezultatin e LDK ndikoi edhe moskordinimi i duhur, apo mosbalancimi i listës kandiduese me fuqinë reale të partnerëve. Nga 110 kandidatura, LDK, 38 i rezervoi partnerëve. Ndërsa unë vazhdoj të besoj se kjo nuk ishte fuqia e partnerëve të koalicionit, nga se ato asnjëra nuk ishin parti parlamentare. Mendoj se gjysma e këtyre emrave nga LDK, do ta kishin mobilizuar votën më shumë se lista e ofruar nga partnerët.

Bota Sot: Si e vlerësoni situatën pas-zgjedhore?

Lirije Kajtazi: Ky sistem zgjedhor dhe interpretimi i Gjykatës Kushtetuese nga zgjedhjet e kaluara prodhon këto situata të cilat edhe po manifestohen. Sikur të përfillej postulati i parë i demokracisë, që është shumica, dhe sikur brenda subjekteve politike të kishte më tepër ndërgjegje, situata do të ishte lehtë e përballueshme. Mirëpo tani kemi një rezultat çfarë kemi dhe një interpretim të Gjykatës Kushtetuese nga zgjedhjet e kaluara, i cili do t’i rri varur në qafë Kosovës derisa të ndërrohet sistemi zgjedhor. Shto kësaj, edhe vendet e rezervuara nga pakica serbe, kemi një kornizim të hapësirës vepruese brenda të cilës duhet të operohet. PDK, AAK, kanë eksploatuar keq përcaktimin e LDK për tejkalim të vetvetes në dobi të stabilitetit të vendit. Madje, edhe faktori ndërkombëtarë duke dashur të krijoj stabilitet, këtë e ka bërë mbi kurrizin e LDK-së duke i ngopur rebelimet me pushtet. Kjo LDK-së i ka kushtuar në raport me elektoratin, për aq më shumë që orientimi i saj i djathtë, që bëri kthesë në historinë e Kosovës, nuk është aq populist, prandaj kësaj radhe ne do t’i analizojmë mirë vendimet tona.

Bota Sot: Cili është pozicioni i LDK-së në raport me formimin e qeverisë së re?

Lirije Kajtazi: Siç thash, LDK-së i nevojitet një rishikim i pozicionit të saj në raport me proceset, vetveten dhe anëtarësinë. Vendimi do të jetë refleksioni i kësaj analize.

Bota Sot: Shumë nga anëtarët e partisë suaj kanë shprehur se do të preferonin opozitën para një koalicioni me PDK-në, po qëndrimi juaj si është?

Lirije Kajtazi: Ne nuk kemi harruar se pjesë e matematikave të mocionit ishte edhe PDK.

Bota Sot: LDK ka qenë kritikuese edhe ndaj veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, në ndërkohë LDK ka nisur negociatat për bërjen e qeverisë së re me Vetëvendosjen, cili është komenti juaj?

Lirije Kajtazi: Vetëvendosje është derivat i PDK, dhe në jemi të vetëdijshëm për këtë, por negocimi  është vlerë e LDK, dhe është derë e hapur në të mirën e Kosovës. Ne do të thellonim negociatat nëse VV në këtë rast do të pranonte vazhdimin e politikave të mira të LDK, aq më tepër kjo do t’i bënte mirë VV në pjekurinë e saj politike. Por, ne mbesim kritikues të veprimeve jodemokratike të VV dhe të politikave të saj, sidomos në raport me BE dhe SHBA.

Bota Sot: Sa do të mund të ishte e pranueshme për ju dhe votuesit e partisë suaj një qeverisje me Vetëvendosjen?

Lirije Kajtazi: LDK-së do t’i bënte mirë një mandat në opozitë, dhe për një kohë të shkurtë qytetarët do të kenë reflektimin e fuqisë qeverisëse të VV. Një bashkëqeverisje PAN-VV do të jetë amalgamë e mirë!

Bota Sot: A do të pranoni që Kryeministri të jetë nga radhët e Vetëvendosjes?

Lirije Kajtazi: Unë pranoj çdo gjë që derivon nga shumica parlamentare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Bota Sot: A ka gjasa të “shit-blerjes”, së deputetëve, për t`iu bashkuar koalicionit PAN, pasi një gjë e tillë po përmendet mjaft?

Lirije Kajtazi: Për këtë kategori nuk kamë dëshire të bisedoj. Fatkeqësisht në rrugën time politike tridhjetë vjeçare, kamë hasur edhe kategori të tilla të cilat karrierën e vet politike e kane ndërtuar duke u shitur.

Bota Sot: Po me partnerët tuaj të koalicionit sa jeni bashkëpunues dhe a mund të ndodh që të dalin kundër qëndrimeve tuaja sa i përket koalicionit me PAN-in?

Lirije Kajtazi: Deri tani, parterët tanë janë treguar korrekt.

Bota Sot: A ka rrezik për zgjedhje të jashtëzakonshme në këtë situatë?

Lirije Kajtazi: Varët nga presidenti se sa do të jete në nivelin për të kuptuar postulatin e parë të demokracisë, që siç thash është shumica. Kjo është shëndeti i Kosovës për të cilin ne të gjithë duhet të reflektojmë, por presidenti ka obligim kushtetues dhe moral.

Bota Sot: Sa ka nevojë LDK-ja për reformim dhe nga ku apo nga çka duhet të fillohet?

Lirije Kajtazi: Në këtë rast unë dua të ju shtroj pyetje juve dhe gjitha mediave dhe analistëve: reformimi i partinës a është pyetje ekskluzive vetëm për LDK apo edhe për partitë tjera? Apo fundja vetëm LDK njeh reforma?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat