Deputetja e VV-së i përgjigjet akuzave të Kadri Veselit

Intervista

Deputetja e VV-së i përgjigjet akuzave të Kadri Veselit

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 6 shtator 2017 Në ora: 12:37
Fatmire Mulhaxha- Kollçaku

Nënkryetarja e Lëvizjes vetëvendosje Fatmire Mulhaxha- Kollçaku në një intervistë për “Bota sot” Ka thënë se krizën institucionale po shkakton koalicioni PAN qëllimisht sepse  sipas saj ata nuk janë të gatshëm ta kuptojnë se këtë herë, shumica e qytetarëve ka votuar për ndryshim. Mulhaxha-Kollçaku po ashtu ka thënë se si është e mundur që një pretendent për postin e Krye parlamentarit, për më tepër një ish- Krye parlamentar t’u drejtohet deputetëve me një gjuhë të tillë dhe me tone kërcënuese, duke aluduar në polemikat e fundit të Kadri Veselit në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje po ashtu ka Presidenti Hashim Thaçi, Duke u bazuar, jo vetëm nga rrethanat me të cilat u zgjodh si President, por edhe në veprimet e tij të mëvonshme, tashmë është e qartë se ai nuk përfaqëson një figurë unifikuese në vend.

Bota sot: Si i vlerësoni dështimet e një pas njëshme te seancave në Kuvendin e Kosovës dhe mos konstituimin e Kuvendit?

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku: Ajo çfarë po ndodh në Kuvend të Kosovës, në rend të parë është mosrespektim i Kushtetutës së Republikës së Kosovë dhe rregullores së Kuvendit. Ne e kemi një rezultat zgjedhor, i dal nga zgjedhjet e fundit parlamentare dhe i cili rezultat, ka sjellur ndryshime të mëdha në skenën politike. Për pushtetarët e deritanishëm, ky ishte nje zhgënjim i madh. Edhe pse deputetët e zgjedhur kanë kryer betimin, ne ende nuk po arrijmë ta bëjmë konstituimin e Kuvendit. Bazuar në fitoren e pamjaftueshme të koalicionit PAN, ata po refuzojnë që të propozojnë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, duke e ditur se nuk i kanë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur atë kandidat. Zvarritja e këtij procesi dhe bojkotimi i seancave janë të papranueshme, si dhe përbëjnë shkelje kushtetuese.

Bota sot: Mendoni se akuzat dhe kundër akuzat ne mes drejtueseve te partive politike po qojnë drejt një krize të thellë instucionale?

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku: Në fakt, situata është shumë e qartë. Këtë krizë institucionale po e shkaktojnë qëllimisht, përfaqësuesit e koalicionit PAN, sepse nuk janë të gatshëm ta kuptojnë se këtë herë, shumica e qytetarëve ka votuar për ndryshim. Ata, disa herë gënjyen opinionin publik, se e kanë shumicën e nevojshme për t’i krijuar institucionet. Hera e parë ishte kur Presidenti e thirri seancën konstituive më 3 gusht, duke na siguruar se kishte informacion nga i kandiduari për Kryeministër nga radhët e koaliconit PAN, se e kanë shumicën e mjaftueshme. Ndërsa, hera e dytë ishte më 24 gusht, kur me një arrogancë të paparë kërkuan kohë shtesë për të bërë pazare politike.

Bota sot: Pati akuza nga Kryetari i PDK-së në drejtim tuajin në seancën e fundit, si do t`iu përgjigjeshit këtyre akuzave?

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku: Shtrohet pyetja se si është e mundur që një pretendent për postin e Kryeparlamentarit, për më tepër një ish- Kryeparlamentar t’u drejtohet deputetëve me një gjuhë të tillë dhe me tone kërcënuese? Të gjithë duhet të dinë se ka perënduar koha kur me Kosovën kanë udhëhequr ata që e sollën vendin në gjendjen e tanishme. Fatkeqësisht, Kosova edhe sot, njihet shumë më shumë për korrupsion, nepotizëm dhe krim të organizuar institucional, se sa për ndonjë arritje tjetër. Nëse kësaj ia shtojmë rritjen e vazhdueshme të papunësisë, të varfërisë së skajshme si dhe gjendjen e mjerueshme, pothuajse në të gjitha sektoret, është lehtë e kuptueshme pse qytetarët votuan për ndryshim. Dhe, ky ndryshim do të ndodhë.

Bota sot: Cila mendoni se është alternativa e zgjidhjes se ngërçit politik aktualisht në Kosovë?

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku: Thjesht, respektimi i procedurave. Të gjithë deputetët duhet ta kryejnë obligimin e vet ligjor, të thirret vazhdimi i seancës konstituive, ku ata që kanë të drejtën të propozojnë të parët ta bëjnë këtë gjë. Nëse kandidati i parë nuk merr vota të mjaftueshme, e gëzojnë të drejtën e propozimit të një kandidati tjetër, që do të ishte një figurë më e pranueshme për shumicën e deputetëve, e që nuk dyshojmë se në radhët e tyre ka një të tillë. Kjo do t’i hapte rrugë propozimit të kandidatit për Kryeministër. Duke qenë se jemi të bindur që koalicioni PAN nuk e ka shumicën për ta zgjedhur kandidatin e vet, Presidenti ka obligim kushtetues që këtë të drejtë t’ia kalojë subjektit më të madh në vend, Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Bota sot: Si do ta vlerësonit një koalicion të mundshëm mes VV dhe LAA. Mendoni se duhet tu jepet mundësia e krijimit të qeverise, dhe deri ku kane shkuar bisedimet në këtë drejtim?

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku: Sa i përket Koalicionit të mundshëm mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe koalicionit LAA, ne ishim shumë të qartë në këtë pikë. Duke pasur parasysh, që edhe votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës votuan për ndryshim, duke votuar njerëzit që sjellin një frymë të re, ne mendojmë se në rast të përafrimit programor të bazuar në parime, një koalicion i tillë do të ishte i mundshëm.

Bota sot: Si e vlerësoni rolin e Presidentit Thaçi në këtë situatë, është thënë mjaft shpesh se ai po bën shkelje kushtetuese cili është komenti juaj?

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku: Duke u bazuar, jo vetëm nga rrethanat me të cilat u zgjodh si President, por edhe në veprimet e tij të mëvonshme, tashmë është e qartë se ai nuk përfaqëson një figurë unifikuese në vend. Edhe sjellja e tij, karshi krizës së fundit dhe bllokadës në Kuvend, tregon se ai e ka të pamundur për t’u zhveshur nga petku i PDK-së.

Bota sot: A besoni se Thaqi do t’iu mandatoj për formimin e qeverisë, në rast të dështimit të koalicionit PAN?

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku: Ai, vetëm duhet ta kryejë obligimin e tij kushtetues dhe asgjë më tepër. Kjo do të thotë, që me rast të dështimit të koalicionit PAN, kjo e drejtë i kalohet Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Bota sot: Sa është e rëndësishme shumica shqiptare në Kuvendin e Kosovës?

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku: Ajo çfarë ka rëndësi, është që ne të vendosim vetë për fatin tonë dhe në asnjë rrethanë mos të lejohet që këto vendime të merren në Beograd. Derisa ka deputetë që ulen në ulëset e Kuvendit të Kosovës, e në të njëjtën kohë i njohin vetëm institucionet zyrtare të Serbisë, kjo do të jetë e papranueshme.

Bota sot: A do të nevojitet ndërhyrja e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e ngërçit politik dhe si e vlerësoni rolin e deritashëm të tyre?

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku: Miqtë ndërkombëtarë janë këtu që të na mbështesin në krijimin e institucioneve demokratike, gjë të cilën duhet ta bëjmë ne vetë. Ne duhet të fillojmë të sillemi si njerëz të pjekur dhe si popull shtet-formues. Është e kuptueshme, se ata që deri tani e konsideruan Kosovën si pronë të tyre, dhe kanë zhvatur e keqpërdorur pasurinë publike, nuk do të jenë ata që do ta bëjnë zgjidhjen e ngërçit politik. Ata janë të interesuar për vazhdimin e gjendjes së tanishme dhe nuk janë të gatshëm ta lënë pushtetin me asnjë kusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat