Sekretari i AKR-së jep detaje për largimin e Sejdiut dhe marrëveshjen për presidentin

Intervista

Sekretari i AKR-së jep detaje për largimin e Sejdiut dhe marrëveshjen për presidentin

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 23 shtator 2017 Në ora: 15:29
Vesel Makolli

Në një intervistë për gazetën “Bota Sot”, Vesel Makolli sekretar i Aleancës Kosova e re,  ka thënë se kjo parti gjithmonë interesin shtetëror e vë mbi interesin partiak, duke shpjeguar kështu arsyen e futjes në koalicion më partitë që aktualisht e përbejnë Qeverinë e Kosovës. Ai ka thënë se sa i përket çështjes se demarkacionit bëhet fjalë vetëm për demarkacion në mes të dy shteteve por kemi të bëjmë edhe me NATO-n, pasi që Mali i zi është anëtare i NATO-s. Makolli po ashtu është shprehur i bindur se bisedimet me Serbinë duhet të vazhdojnë dhe se janë të paevitueshme, sipas tij  është më mirë të bisedohet me vitet të tëra se të luftohet vetëm edhe një ditë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni futjen e AKR-së në qeveri bashkë më koalicionin PAN?

Vesel Makolli: Këtë nuk mundemi ta quajmë futje të thjesht por është një bashkim për formimin e qeveris i imponuar nga interesi shtetëror. Ne kemi qenë gjatë të kohës promotor i shtytjeve të proceseve përpara. Ne edhe të tjerët duhet ta dimë se koha e humbur pa institucione ka qenë shumë e dëmshme për shtetin tonë. Nuk e kemi pasur luksin që interesin partiak ta vejmë mbi interesin shtetëror. Motoja jonë ka qenë dhe është gjithmonë ‘’atdheu mbi te gjitha’’, duke u nisur nga të gjitha këto dhe nga situata ekonomike që vetëm sa është keqësuar, ne kemi vendosur që ta japim kontributin tonë në nxjerrjen e shtetit nga pat pozicionin, i cili pozicion na ka shkaktuar shumë dëme si në arene e brendshme edhe atë ndërkombëtare.

“Bota sot”: A mendoni se kjo qeveri do të jetë afat gjatë edhe përkundër kërkesave te vazhdueshme të LDK-së dhe VV dhe rrëzimin e kësaj qeverie?

Vesel Makolli: Numrat nuk jam gjithçka në këtë botë, edhe pse Pitagora e bazon filozofinë e ti në numra. Ne besojmë që kjo qeveri përbehet nga njerëz adekuat dhe të kualifikuar për ti kryer punët dhe përgjegjësit e marra andaj edhe rezultatet nuk do të mungojnë. Është një fryme entuziaste dhe shumë punuese e të gjithë pjesëmarrësve në qeveri që me punën e tyre intensive ta kompensojnë kohen e humbur tre mujore pa institucione. Na presin shumë sfida të mëdha e një ndër to është edhe liberalizimi i vizave dhe besoj se kjo qeveri me kapacitetin qe ka, më në fund do të hap dyert kosovareve dhe besoj që pas një kohe kosovaret do të dalin nga ‘’getoja’’. Edhe në vendet tjera ka pasur raste që qeveritë të cilat kane pasur numra ngjashëm si rasti ynë, dhe te njëjtët kanë qeverisur më mirë se qeveritë qe kane pasur shumicën absolutet te numrave në Kuvend. Me kapacitetin dhe punën e vet qeveria do te tregoj veten dhe opozita këtë do ta kuptoje se shpejti dhe e njëjta do te kontribuoj në realizimin e programit qeverisës dhe ne shtytjen e proceseve ekonomike dhe integruese përpara.

“Bota sot”: Largimi i Korab Sejdiut nga AKR-ja a mendoni se në një formë ka qenë dëmtim për partinë e juaj?

Vesel Makolli: Largimin e Korab Sejdiut nuk e kemi pritur pasi që ai nuk e ka pasur të obliguar ta votoj qeverinë. Ne si parti liberale nuk ja kemi imponuar dhe gjithmonë kemi thënë në deklarimet tona se Korabi është shume i vlerësuar në partin tonë dhe se e ti ka qënë me vendos për votim ose mos votimin e qeverise. Ne të dy variantet ai kishte me qënë aty ku e ka pasur vendin, Nënpresident i partisë dhe shumë i respektuar dhe vlerësuar nga të gjithë. Personalisht mua më ka habitur dorëheqja e tij , ai mbetet gjithmonë i vlerësuar nga ne dhe mendoj se vendin e ka pasur në AKR e cila edhe ja ka mundësuar hyrjen ne parlament. Normalisht që çdo dorëheqje është një lloje dëmtimi për partine por duhet ta ceku se çdo dite po aderojnë tek ne shume njerëz me backround të vlerësuara. Anëtarësia e partisë tonë çdo dite është duke u rritur numerikisht edhe me kuadro eminente.

“Bota sot”: Na tregoni cili ka qene arsyeja kryesore qe AKR vendosi ta braktis LDK-në?

Vesel Makolli: Po unë në pyetjen e pare i ceka disa nga arsyet e këtu po shtoj edhe disa: vendi jone si shtet i ri ku përveç problemeve të shumta kemi edhe problemin e punësimit. Ne kemi nevojë për investime të jashtme si dhe për njohje ndërkombëtare. Gjate periudhës tre mujore kur nuk kishim institucione nuk ka pasur as investime, as njohje ndërkombëtare dhe kemi humbur po ashtu edhe shumë grande financiare. Reputacioni ynë ndërkombëtare ka pasur shumë rënje, e mos të flasim për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, të cilat janë jetike për vendin tonë. Andaj duke i marr parasysh të gjitha këto ne vendosem me kontribue në formimin e institucioneve tona. Nuk kisha me quajt thjesht braktisje të LDK-se si e betë ju pyetjen, por do thoja kontributi i yni (duke sakrifikuar interesin partiak ) në formimin e institucioneve shtetërore. E gjitha kjo është bere dhe do e bëjmë gjithmonë kur është interesi i vendit në pyetje. Ne nuk jemi barrikaduar në pozicionet tona partiake dhe nuk e kemi shikuar interesin vetjak dhe partiak.

“Bota sot”: Është përfol shumë se pozita e presidentit të vendit i është premtuar Behgjet Pacollit. Na tregoni cila është e vërteta?

Vesel Makolli: Po në marrëveshjen që është bërë, është edhe kjo që thoni ju gjegjësisht AKR-ja do ta ketë presidentin e shtetit sipas marrëveshjes, kuptohet kur të përfundojë mandati i presidenti të aktual. Kjo është e precizuar në marrëveshje dhe e nënshkruar nga të gjithë akterët e marrëveshjes. Mendojmë se njeriu me adekuat për të qenë president i Kosovës me ketë konstalacion të forcave politike vendore është Presidenti ynë z. Behgjet Pacolli i cili kishte me sjelle një përfaqësim shumë të madhe dhe me dinjitoze te vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

“Bota sot”: Po çështja e demarkacionit si mendoni se mund te zgjidhet dhe a besoni se kjo qeveri do të mund ta shty para ketë çështje?

Vesel Makolli: Në këtë rast nuk kemi te bëjmë vetëm me një demarkacion ne mes të dy shteteve por kemi të bëjmë edhe me NATO, pasi qe Mali i zi është anëtare i NATO-s .Po ashtu kemi të bëjmë me një shtet mik i cili na ka njohur qysh në ditët e para dhe me të cilin kemi marrëdhënie shumë të mira. Kjo vërtetohet edhe nga deklaratat e udhëheqësve të shtetit Malazezë të cilët gjithmonë kane qenë konstruktive dhe miqësor ndaj vendit tonë. Kjo problematikë ka qenë prezentë edhe të tjerat shtete. Së fundi kemi problemin e Kroacisë dhe Sllovenisë të cilët këtë problem e kanë dërguar me arbitrazh ndërkombëtar. Ndoshta kjo zgjedhje kishte me qenë edhe për neve. Sido që të jetë ne duhet të mbrojmë interesat e vendi tonë dhe asnjë pëllëmbë toke nuk do ti jepet askujt.

“Bota sot”: Sa mendoni se do të ndikoj në shtimin e numrit të njohjeve të Republikës se Kosovës tash kur Behgjet Pacolli është ministër i Jashtëm i Kosovës?

Vesel Makolli: Diplomacia ndërkombëtare gjithmonë e luan rolin më të madhe për shtetin dhe për reputacionin e tij ne arenën ndërkombëtare. Varet shumë se kush është kryediplomat i shtetit. Në këtë raste kemi të bëjmë me njeriun i cili është i njohur ne arenën ndërkombëtare e lirshëm mund të themi që është kosari me i njohur në bote. Është i njohur si biznesmen, si humanist, si altruist i cili i ka vizituar mbi 120 vend të botës dhe i cili i vetëm i ka sjell shumë njohje ndërkombëtare Kosovës. Duke marre parasysh të gjitha këto z. Behgjet Pacolli është njeriu me adekuat dhe me i merituari për postin e kryediplomatit të Kosovës. Kosova dhe kosovaret, pra edhe shqiptaret në përgjithësi do te përfitojnë shumë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, i cili me punën e tij, me angazhimin e tij, me mundësit e tij do ti sjelle njohje Kosovës si dhe do te kontribuoj ne anëtarësim e Kosovës në organizmat ndërkombëtar. Ai qysh këto dite ka udhëtuar në New York ku ka pasur shumë takime me burrështetas botëror, andaj kontributi i ti në përfaqësimin dinjitoz të Kosovës ne arenën ndërkombëtare ka filluar të vërehet qysh nga ditët e para të punës se ti si ministër. Ai do të punoj gjatë terë kohës me këtë tempo dhe jemi të bindur që do të kontribuoj që Kosova të anëtarësohet në organizmat e shumtë ndërkombëtar si dhe ta fitoj edhe liberalizimin e vizave dhe kosovareve tu mundësohet lëvizja e lire si të gjithë evropianeve.

“Bota sot”: Bisedimet më Serbinë po vazhdojnë ani pse po flitet se janë në dem të Kosovës. Cili është qëndrimi i AKR-së në këtë drejtim.

Vesel Makolli: Edhe pas çdo lufte bisedimet janë të paevitueshëm është më mirë të bisedohet me vitet të tera se të luftohet vetëm dhe një dite. Kur është interesi i shtetit të gjitha forcat politike duhet të bashkohen dhe të kenë një synim. Bisedimet janë të nevojshme dhe mendojmë se do te vij koha së shpejti që edhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës, pasi që kjo është edhe për te mirën e saj. Ne si AKR gjithmonë kemi qenë dhe do të jemi në mbrojtje te interesave tona shtetërore dhe do të jemi aty ku e kërkon nevojë dhe detyra.

“Bota sot”: Po zgjedhjet lokale si i shihni. Mendoni se do të fitoni në dy nga komunat në të cilat ka qeverisë AKR deri tani?

Vesel Makolli: Jo vetëm në këto dy komuna, por ne mendoj që do të fitojmë edhe në komunat tjera. Kandidat për kryetar komune kemi në 16 komuna, kurse kandidat për asamble kemi në të gjitha komunat. Jemi të përgatitur dhe jemi duke punuar intenzivisht që të arrimë sukses. Mendojmë se suksesi nuk do të mungoj dhe se AKR-ja do të dal fituese në shumë komuna dhe do ta jep kontributin e saj në përmirësimin e situatës menaxhuese dhe të shërbime publike në shumë komuna. Qytetaret e Kosovës në nivel lokal kanë nevojë për udhëheqje me konsekuente e cila do ti përmirësoj kushtet e jetës të qytetareve dhe do të menaxhoj komunën në mënyre të drejt dhe dinjitoze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat