Gjon Buçaj: Më 1991 Ramizi komplotoi kundër VATRËS

Intervista

Gjon Buçaj: Më 1991 Ramizi komplotoi kundër VATRËS

Nga: Gilmana Bushati Më: 27 shtator 2017 Në ora: 20:22
Gjon Buçaj

Në vitin 1991 u bë një komplot për ta futur “Vatrën” në duar të një grupi të lidhur me qeverinë e Ramiz Alisë, por dështoi. Sado negative, edhe ajo tentativë mbetet në kujtesë si një përvojë për të mos u përsëritur.

Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” kryetari i shoqatës “Vatra” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjon Buçaj, tregon për historinë e lavdishme të kësaj shoqate në mbrojtje të çështjes shqiptare, pasi ky ishte objektivi kryesor që nga themelimi i saj 100 vite më parë. Bucaj thekson se kjo shoqatë e ka arritur të realizojë objektivat e saj historikë dhe se aktualisht dy objektivat kryesorë të saj janë; çështja çame dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Bucaj thotë se nuk është e lehtë që të lobosh për një çështje, siç është çështja kombëtare shqiptare, pasi lobe të tillë si ai grek së bashku me atë serb kanë punuar kundër çështjes shqiptare.

Sipas tij, këto dy lobe kanë qenë të mbështetur nga qeveritë përkatëse, ndërsa qeveritë shqiptare nuk kanë pasur të njëjtin kontribut në realizimin e lobimit për çështjen shqiptare. Ai shpreson që qeveritë shqiptare të ndryshojnë politikë sa i takon këtij fakti. Nga ana tjetër, Buçaj sqaron, se është e vërtetë që lobimi për një çështje të caktuar kushton nga ana financiare, por sipas tij, një gjë e tillë nuk ndodhi në rastin e ndërhyrjes së forcave perëndimore në Kosovë. Kryetari aktual i “Vatrës” shprehet se ajo që mbetet në historinë e kësaj shoqate është ndërhyrja që Noli bëri pranë presidentit amerikan Wilson për mos copëtimin e Shqipërisë. Ndërsa një nga historitë më të trishtueshme është përpjekja e fundit e regjimit komunist në 1991 që ta fuste në kthetrat e tij këtë shoqatë. Buçaj e vë gishtin pikërisht të presidenti komunist i vendit, Ramiz Alia.

Zoti Gjon ky përvjetor i rëndësishëm i Vatrës, por edhe i Shqipërisë, ju gjen në krye të kësaj organizate, që ka dhënë aq shumë për kombin. Ky është një privilegj apo është një përgjegjësi e madhe për ju?

Në këtë rast privilegji dhe përgjegjësia shkojnë bashkë, por unë kam fatin t’i ndajë me bashkëpunëtorë të shumë viteve, të cilët janë idealista të përkushtuar. Në prag të 100-vjetorit të “Vatrës” radhët janë duke u shtuar dhe kështu punët për kremtimin bëhen më të lehta. “Vatra” është e të gjithëve.
Vatra gjatë gjithë historisë së saj 100 vjeçare ka qenë në krye të lobimit pro shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A mendoni se ia arriti qëllimit të saj?
Përpjekjet e “Vatrës” kanë qënë gjithmonë pjesë e përpjekjeve gjithëkombëtare, madje dhe duke prirë në momente kritike, për të arritur ku jemi sot. “Vatra” ka meritën kryesore për krijimin dhe mbajtjen e lidhjeve miqësore me Amerikën dhe, si rrjedhim, roli i këtij vendi të madh të demokracisë ka qenë shumë i madh, jo vetëm kur Presidenti Wilson shpëtoi Shqipërinë, por edhe në kohët më të afërta. Sot kemi Kosovën të lirë dhe të pavarur, Shqipërinë anëtare të NATO-s, me viza të liberalizuara dhe me përspektivën e integrimit në BE. Këto janë arritje të mëdha për të cilat përkrahja e Amerikës ka qenë vendimtare. Zgjidhja e çështjes Çame dhe bashkimi kombëtar, janë dy qëllime ende të paarritura, të cilave “Vatra” dhe të gjithë shqiptarët duhet t’u përkushtohen me seriozitetin më të madh.

Kjo shoqatë e ka pasur të vështirë punën duke pasur parasysh se lobingjet më të fuqishme në SHBA, ku dallohet ai grek, kanë punuar kundër çështjes kombëtare shqiptare? Cilat kanë qenë pengesat më të mëdha?

Pengesat kryesore kanë qënë pikërisht aktivitetet antishqiptare të grupevet ndikuese (lobiste) greke dhe serbe, të ndihmuara gjithmonë nga shtetet përkatëse, në vijë me platformat kombëtare, të mbështetura nga qeveritë, akademitë (pseudo) shkencore dhe kishat e tyre. Në krahasim me këto, prania e Shqipërisë në krah të “Vatrës” nuk ka qenë kurrë në nivelin e duhur, por le të shpresojmë se kjo do të ndryshojë. Kombi shqipëtar është në rrugë të mbarë, por nuk ka dyshim se do të ketë nevojë për një “Vatër” të fortë edhe në të ardhmen.

Në një vend demokratik si SHBA-ja, sa mund të kushtojë nga ana financiare një lobing për një çështje të caktuar, e sidomos për çështje të tilla, siç është çështja shqiptare?

Lobby në Amerikë është një veprimtari që kushton para, por shumëkush e kupton gabimisht si një “quid pro quo”, si të thuash ti më bën këtë punë të caktuar, unë të paguaj çmimin e saj. Po të ishte kështu, sa mund të na kushtonte edhe një raketë e vetme amerikane e gjuajtur mbi objektet ushtarake serbe gjatë luftës për lirimin e Kosovës? Lobisti duhet të mbledhë dokumenta, të krijojë rrethanat e përshtatshme për personelin ose për vetë ligjëvënësin apo zyrtarin, që ai apo ajo të njihet me problemin, të bindet se kërkesa është e drejtë dhe është në pajtim me parimet e të drejtave të njeriut ose me interesat e politikës amerikane. Duhet të shpenzojë për udhëtime që bën vetë ose, kur është nevoja, për udhëtime faktmbledhëse të zyrtarit. Pra, ky është një proces që kushton dhe kërkon kohë e përkushtim. Mënyrë tjetër ndikimi është edhe kontakti direkt i personaliteteve me influencë, siç ishte ai i Fan Nolit me Predidentin Wilson, të cilit i kërkoi shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi i mëtejshëm. Por edhe në këso rastesh informimi është esencial.

Vatrën para se ta drejtonit ju e ka drejtuar një figurë e njohur si ajo e Agim Karagjozit? Çfarë ju la si trashëgim ai në këtë shoqatë?

Agim Karagjozi i përket gjeneratës nacionaliste të shqiptarëve që u larguan pas Luftës së Dytë Botërore, për t’i shpëtuar komunizmit dhe për të vazhduar përpjekjet kundër tij. Fjala nacionalizëm tek ne nuk e ka kuptimin e ekstremizmit, por është sinonim i shqiptarizmit të kulluar, nga i cili Agim Karagjozi është frymëzuar në veprimet gjatë gjithë jetës së tij. Që kur erdhi në Amerikë, ai u angazhua në “Vatër” me përkushtim e dashuri, në aktivitet të pandërprerë më se 50 vjeçar. Për 18 vite e udhëhoqi me dinjitet si kryetar i përkushtuar, i matur, i respektuar dhe i dashur nga shokët, të cilët e zgjodhën Kryetar Nderi kur ai e la kryesinë për arsye të moshës. Është kryesisht meritë e tij mbledhja e të hollave për blerjen e ndërtesës ku “Vatra” ka sot selinë e vet në New York. Kur qendra e saj u transferua, zoti Karagjozi mbajti ekuilibrin mes New York-ut dhe Boston-it, me maturinë dhe me besimin që gëzonte tek vatranët e vjetër, për të cilët mendimi për fatin e vazhdimësisë së “Vatrës” në rrugën e traditës ishte parësor. Besoj se është me interes për lexuesit tuaj të dinë pse “Vatra” është tani në New York e jo në Boston. Duke parë se vatranët e vjetër ishin pakësuar e moshuar dhe të rinjtë nuk afroheshin, kryetari i atëhershëm Peter Lukas, u tha delegatëve të Degës së New Yorku-t, përafërsisht: “për t’a mbajtur “Vatrën”, merreni në New York, sepse atje është komunitet i gjërë shqiptarësh, kurse këtu nuk ka kush interesohet më”. Ky ishte një hap që siguroi vazhdimësinë e saj në atë kohë. Në një ceremoni në New York, At Artur Liolini pat thënë, se u bë mirë që “Vatra” u transferua në New York, pse këtu është tani qendra kryesore e shqiptarëve të Amerikës.

Zoti Buçaj cila ka qenë ngjarja më e rëndësishme për Vatrën, po ajo ngjarje të cilën dëshironi ta harroni që është pjesë e historisë së saj?

Nuk ka ngjarje të “Vatrës” që dëshiroj të harroj. Jeta e saj është histori njëshekullore e pandërprerë veprimtarish e ngjarjesh që secila ka rëndësinë e vet. Ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme është vetë themelimi i saj, mbi parime kombëtare dhe në frymë demokratike që i qendrojnë kohës. Më e rëndësishmja mund të konsiderohet intervenimi i bashkëthemeluesit të saj, Fan Nolit, tek Presidenti Woodrow Wilson, i cili e siguroi duke i thënë se votën që kishte do ta përdorte për Shqipërinë. Pothuaj e të njëtës rëndësi është edhe paraqitja e Nolit në Lidhjen e Kombeve në dhjetorin e vitit 1920. Me rëndësi historike janë edhe shumë veprime e ngjarje të tjera, si shkuarja e vullnetarëve me në krye Aqif Përmetin për të luftuar për Shqipërinë, shkuarja e Bandës së “Vatrës” për të ngritur moralin e shqiptarëve dhe për t’i nxitur të luftonin për atdhe e tjera. Për pjesën tjetër të pyetjes, mund të them se “Vatra” ka pasur edhe vështirësi, por gjithmonë i ka kapërcyer. Nga këto po përmënd një ku kam qënë vetë dëshmitar. Në vitin 1991 u bë një komplot për ta futur “Vatrën” në duar të një grupi të lidhur me qeverinë e Ramiz Alisë, por dështoi. Sado negative, edhe ajo tentativë mbetet në kujtesë si një përvojë për të mos u përsëritur.

Çfarë përgatitjesh po bëhen për 100 vjetorin e Vatrës, kë keni ftuar? Po për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, a keni menduar ndonjë aktivitet dhe a mund të na zbuloni ndonjë detaj?

Manifestimet kryesore do të zhvillohen në qytetin e New York-ut, me 28 dhe 29 prill 2012. Në ditën e parë, e shtunë me 28 prill, do të mbahet një konferencë shkencore në “The Hemsley Park Lane Hotel”. Ligjërues shqiptarë e të huaj do të trajtojnë tema të ndryshme për shpalljen e Pavarësisë, për themelimin e “Vatrës”, për protagonistë dhe për veprime që u paraprinë apo që i pasuan këto dy ngjarje me rëndësi për mbijetesën e kombit tonë. Në kumtesat e kësaj konference dhe në botime të kryera ose që janë në përgatitje, do të ndriçohen ngjarje e figura me disa nga të cilat publiku lexues do të njihet për herë të parë. Për nder të pjesmarrësve dhe të mysafirëve, ku janë ftuar përsonalitete të njohura të kulturës dhe të politikës kombëtare e të huaj, do të shtrohet një darkë solemne të dielën me 29 prill, në “Pier Sixty”, pranë lumit Hudson. Në “Vatër” kemi ndjekur traditën të nderojmë dhe të çmojmë klerikët të cilët, krahas me besimin në Zotin, predikojnë edhe besimin në shqiptarizëm, në frymën e Rilindasve tanë. Prandaj në kremtime do të kemi udhëheqës të lartë shpirtërorë të besimeve tona dhe mendojmë se do të realizohet një ceremoni ndërfetare për të dëshmuar frymën e bashkëjetesës vëllazërore të shqipëtarëvet me besime të ndryshme por të një gjaku. Përsa i përket 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk e kemi finalizuar ende pjesën e programit që i përket 28 Nëntorit në mënyrë specifike, por dua të theksoj se dhe aktivitetet e prillit në New York janë pjesë e manifestimeve gjithëkombëtare të këtij qindvjetori. Këtë koncept të kremtimeve gjithpërfshirëse e kemi sjellur në trojet shqiptare në qershorin e vitit të kaluar, në një udhëtim gjatë të cilit u takuam me personalitetet më të larta shtetërore, qeveritare, akademike dhe fetare të cilët, mesazhin e “Vatrës”, e pritën me vlerësim shumë pozitiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat