Deputeti i VV-së tregon se cila do të jetë metoda që do ta ndalin Demarkacionin e Asociacionin

Intervista

Deputeti i VV-së tregon se cila do të jetë metoda që do ta ndalin Demarkacionin e Asociacionin

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 11 tetor 2017 Në ora: 08:37
Ali Lajçi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi thotë se subjekti i tij politik në asnjë mënyrë nuk do të lejoj që të miratohet Asociacionin i komunave me shumicë serbe, duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, e jo në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, Lajçi thotë se kjo marrëveshje duhet të miratohet vetëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se 23 pika të kësaj marrëveshje bien ndesh me kushtetutën dhe rrjedhimisht rrezikojnë themelet e shtetësisë së Kosovës.

Ai më tej fletë edhe për këmbëngulësin e kryeministrit Haradinaj për të mos shkarkuar ministrinë Nenad Rikallo, dhe problemet që do t’i ketë ai me PDK-në sa i përket marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Bota sot: Si e komentoni vonesën e Listës Serbë në seancën për zgjedhjen e Qeverisë për të votuar qeverinë Haradinaj? A tregon kjo se Qeveria Haradinaj është e varur plotësisht nga Lista Serbe dhe rrjedhimisht nga Beogradi?

Ali Lajçi: Tashmë dihet se ky relacioni i Listës Serbe me përbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe rrjedhojat e politikës serbe rreth Kosovës, janë një dëshmi e cila ka qenë gjithherë sunduese dhe mjaft e rrezikshme për shqiptarët. Tanimë ka zbritur ajo hegjemonia shtetërore dhe është duke u transferuar në Kuvend të Republikës së Kosovës nëpërmjet kësaj liste, e cila e dëshmon, për shkak se ende as Serbia e as ndonjë institucion nuk i ka dënuar krimet në popullatën shqiptare. Po ashtu Lista Serbe e cila vazhdon të thirret në Beograd e nuk ka dënuar asnjëherë krimet e Serbisë në Kosovë. Prandaj edhe shumë projekte të cilat janë dërguar në mënyrë shumë të tërthortë, nëpërmjet ndoshta edhe Këshillit të Evropës,  pastaj janë instrumentalizuar dhe janë plasuar në Kosovë, siç është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Këto janë tendenca përmjet të cilës Serbia dëshiron të zhbëj gradualisht dhe të luaj një rol denigrues të shtetit të Kosovës. 

Bota sot: Si e vlerësoni punën e deritanishme të Qeverisë Haradinaj?

Ali Lajçi: Ende është herët, por edhe nuk ka ndonjë punë që e dallon shumë. Një zhvlerësim i komisionit për demarkim është i mirë dhe dëshiron një përshëndetje. Të shohim deri ku dhe si do të vazhdoj më tej, dhe a do të ketë një konsekuencë deri në fund. Besoj se me gjithë problemet që do t’i dalin Haradinajt në këtë proces, sepse ka hyrë në një relacion bukur të vështirë ku shumica dhe madje vet presidenti Thaçi e mbron këtë versionin aktual të kufirit me Malin e Zi që është humbje e territorit.

Bota sot: A e shihni të qëndrueshme Qeverinë Haradinaj, duke u bazuar që në Kuvendin e Kosovës ajo ka vetëm 61 vota?

Ali Lajçi: Po nuk mund të themi se kjo qeveri do të jetë edhe aq e qëndrueshme, por nëse punon mirë, bien vendime të mira, ok. Por, në qoftë se bien vendime të liga e tjera, atëherë ka rrezik e nuk do të rrimë duar kryq.

Bota sot: A mendoni se Haradinaj do të mund t’iu kërkoj përgjegjësi ministrave të PDK-së dhe të AKR-së për punë dinamike siç po e quan ai, kur kemi parasysh rrezikun e prishjes së koalicionit?

Ali Lajçi: Këto janë problemi të një qeverie e cila ka një grupim, i cili është i kushtëzuar për shkak të pozitave të ministrave dhe përfitimeve të tjera të ndryshme të cilat i japin një imazh të brishtë qeverisë.

Bota sot: A mendoni se tërheqja e Qeverisë për mos aplikim në INETERPOL, por edhe në UNESCO, mund të vij si kusht i Listës Serbe në këmbim të votimit të Qeverisë? Nëse po, cilat do të ishin pasojat për shtetin e Kosovës?

Ali lajçi: Këto janë pasoja të dëmshme për vendin. Faktikisht tërheqja është një gjë që nuk do të duhej të ndodhte. Pra tërheqja në momentin e fundit për të mos aplikuar në UNESCO dhe në INTERPLO tregojnë për një defanziv të Kosovës nga ana e Serbisë.

Bota sot: Si do t’ia dal kryeministri Haradinaj të riinegocioj me Malin e Zi, Marrëveshjen e Demarkacionit kur partneri i saj kryesor në koalicion, PDK-ja është për versionin aktual të kësaj marrëveshje?

Ali Lajçi: Demarkacioni paraqet problemin kryesor për Haradinajn. Ndoshta, ai kur ka hyrë në koalicion me PDK-në nuk e ka analizuar këtë çështje si duhet, por e ka bërë kështu kuturu dhe tash do t’i dalin probleme.

Bota sot: Përfaqësuesit e Listës Serbe janë deklaruar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të bëhet në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, e jo në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si e komentoni ju këtë?

Ali Lajçi: Jo kjo nuk do të lejohet, sepse me këtë marrëveshje preken themelet e kësaj kushtetute, ashtu e brishtë si është në nivelin që i jep sovranitet të Kosovës. Madje, këtë e ka konfirmuar vendimi i Gjykatës Kushtuese që konstaton se 23 pika të kësaj marrëveshje bien ndesh me kushtetutën në fuqi. Mendo në atë kohë një kryeministër që ishte Isa Mustafa,  i cili e kishte nënshkruar vet këtë marrëveshje, thoshte se tekstit të kësaj marrëveshje nuk ka nevojë t’i hiqet asnjë pikë dhe asnjë presje, edhe pse vet e kishin paraparë për dërgim në kushtetuese.

Bota sot: Si e komentoni deklaratën e menjëhershme të kryeministrit Haradinaj për ministrin e Bujqësisë Rikallo, se institucionet e shtetit nuk kanë ofruar fakte së Rikallo ka qenë i përfshirë në maltretimin e shqiptarëve, dhe rrjedhimisht ai nuk do të shkarkohet nga posti i ministrit?

Ali Lajçi: Institucionet tona nuk janë edhe në atë kuptim të besueshme, sepse nuk ushtrohet sistemi i drejtësisë dhe ligjshmëria është jashtë kontrollit dhe sistemi i drejtësisë i kapur. Prandaj nuk kemi asnjë krim të identifikuar si duhet. Prandaj, gjëja më e mirë për tu bërë për të përmirësuar drejtësinë në Kosovë, është miratimi i ligjit për vejtingun, në mënyrë që sa më shpejt do të mund të perifrazohen të korruptuarit në sistemin e drejtësisë të cilat kanë edhe kabahate të tjera juridike, politike etj.

Bota sot: Si e komentoni që Haradinaj sa ishte në opozitë u printe protestave për shkarkimin e Jabllanoviqit, kurse për rastin Rikallo nuk po ndërmerr asgjë?

Ali Lajçi: Po kjo është shumë keq kur duhen të mbrohen pozitat edhe të shikoj edhe anën ma tej faktike, sepse ndoshta këtu do të ishte më lehtë një përgjegjësi e kryeministrit që të shkarkonte ose vet të tërhiqej ministri Rikallo, sesa të bëhej ajo çfarë u bë. Sa i përket rastit të Jabllanoviqit, ai u shkarkua kur ish-kryeministri nuk ishte në nivel që ta shkarkonte atë. Bile të ishte si duhet sistemi i drejtësisë, ai do të duhej edhe të ndiqej penalisht.

Bota sot: Cili do të jetë bashkëpunimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së si parti opozitare për të kundërshtuar Qeverinë Haradinaj?

Ali Lajçi: Në disa çështje që janë në interes të vendit sigurisht që do të ketë bashkëpunim, sepse llogaritmi si pjesë e përbashkët e opozitës.

Bota sot: Cilat metoda do t’i përdor Lëvizja Vetëvendosje nëse Qeveria i sjell në Kuvend marrëveshjen e Demarkacionit dhe Asociacionit me versionin aktual?

Ali Lajçi: Në radhë të parë mjeti më i përshtatshëm është vota, sepse nuk e kemi tash problem, pasi që jemi dyfishuar sa i përket ulëseve në Kuvend. Për territor ne do të veprojmë konform kushtetutës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat