Arban Abrashi tregon planet për Prishtinën, synon fitore pa balotazh

Intervista

Arban Abrashi tregon planet për Prishtinën, synon fitore pa balotazh

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 tetor 2017 Në ora: 07:31
Arban Abrashi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”, Arban Abrashi, ka shpalosur programin me të cilin synon ta udhëheqë kryeqytetin pas zgjedhjeve të 22 tetorit.

Abrashi ka thënë se synojnë fitoren pa balotazh në Prishtinë.

Bota sot: Cili është Abrashi?

Abrashi: Si gjithnjë, ndjej vështirësi të përgjigjem në veten e parë njëjës. Gjithsesi, Ju falënderoj që më jepni këtë rast të ndaj me lexuesit tuaj, qytetarët e Prishtinës dhe krejt Kosovës, disa aspekte të veçanta të jetës sime.

Jam i lindur dhe i rritur në një familje tipike kosovare. Prindërit e mi, ashtu sikurse edhe shumë prindër të bashkëmoshatarëve të mi, kanë punuar shumë për të siguruar një të ardhme sa më të mirë për ne. Unë jam munduar, po mundohem dhe do të mundohem të jem mirënjëhës për sakrificën e tyre. Tani jam duke krijuar familjen time. Nga martesa me bashkëshorten time jemi bekuar me një fëmijë të mrekullueshëm dhe po presim një fëmijë tjetër. Me shumë dashuri.

Si të gjithë të rinjtë, jam shkolluar në një kohë shumë të vështirë, kurse pas luftës kam përfunduar Fakultetin Filozofik, Departamenti i Shkencave Politike, në Universitetin e Prishtinës dhe më 2006 kam magjistruar në Universitetin e Sussex në Britani të Madhe, në fushën e Integrimeve Evropiane. Kam qenë përfitues i disa bursave prestigjioze dhe programeve ndërkombëtare për qeverisje. Nga Komisioni Evropian, për të kryer përvojë praktike në Parlamentin Evropian, në Bruksel dhe nga Programi i Edukimit Ekzekutiv në Universitetin e Harvard-it, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tani jam deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, kurse në mandatin e kaluar kam shërbyer si Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Në vitin 2010 kam shërbyer edhe si Zëvendës-Ministër në Ministrinë e Integrimeve. Kurse, më përpara kam qenë këshilltar edhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërsa, prej vitit 2008 deri më 2010 – Këshilltar i Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Kam punuar në disa organizata ndërkombëtare, si Organizata e Kombeve të Bashkuara, OSBE-ja, Banka Botërore etj.

Jam anëtar i Kryesisë së LDK-së, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Tani, jam kandidat dhe besoj së shpejti kryetar i Komunës së Prishtinës.

Bota sot: Çfarë ofron Abrashi, më shumë se të tjerët?

Abrashi: Një plan konkret qeverisjeje, me parametra të matshëm. Me ekipe kompetente për zbatimin e tij. Unë ofroj shërbim për Prishtinën dhe qytetarët e saj. Vetëm për Prishtinën e qytetarët e saj. Unë dhe qeveria lokale që do ta drejtojë nuk do ta përdorë pushtetin për të pastruar hesape politike me askë. Për interesin e Prishtinës, ne do të bashkëpunojmë me këdo dhe nuk do të lejojmë askë ta pengojë zhvillimin e saj.

Bota sot: Deri më tani askush nga kandidatët përfshirë edhe ju nuk keni treguar ekipet që do të udhëheqin departamentet e komunës. A do vendosni ju apo Partia?  Dhe kush do të jenë ata?

Abrashi: Nuk do të doja të flisja për të tjerët. Por, sigurisht nuk do të bëja gabimet që ka bërë kryetari në largim i Prishtinës. Unë nuk do të ndërtoj kabinet qeverisës të Prishtinës me kuadro të partisë sime nga komunat etj. Jo pse LDK-ja nuk ka të tillë. Ka gjithandej nëpër Kosovë kuadro që do ta udhëhiqnin me kompetencë e ndershmëri secilin sektor të qeverisjes së kryeqytetit. Por, mendoj se drejtuesit e dikastereve të komunës së Prishtinës duhet të jenë kuadrot profesionale që janë edhe të mishëruar me nevojat dhe kërkesat qytetarëve të Prishtinës, në fushat që ata do të mbulojnë. Po ashtu, nuk do të përpiqem t’i shes si të pavarur ekspertët që do t’i angazhoj për ta qeverisur Prishtinën, që më pas ata t’i angazhoj në parti, siç ka ndodhur me paraardhësin tim. LDK-ja është parti me traditë qeverisëse dhe rreth saj ka kuadro të shumtë, të denjë për të marrë përgjegjësi. Gjithashtu, LDK-ja ka demonstruar gjithmonë gatishmërinë e saj për të afruar profesionistë të profileve të ndryshme. Mua më është besuar kandidatura për kryetar të komunës dhe kam mbështetjen e plotë të LDK-së për ta qeverisur Prishtinën, me program konkret, të hartuar nga ekspertë të LDK-së dhe ekspertë të pavarur. Unë do të zgjedhë njerëzit adekuat në secilin sektor të qeverisjes së Prishtinës. Jam duke i analizuar kandidaturat e mundshme dhe kur ekipi im e sheh të arsyeshme, ne do të dalim edhe me emrat konkretë. Por, për një gjë i garantoj qytetarët e Prishtinës. As unë dhe as ekipi im qeverisës, nuk do të ndodhë kurrë t’u prijmë akteve shkatrrimtare të Prishtinës për motive politike. Po. Do të jemi në krye të protestave paqësore, nëse do të bëhet e nevojshme që përmes asaj forme të përpiqemi të realizojmë kërkesat legjitime dhe të drejtat e qytetarëve të Prishtinës.    

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për qeverisjen e deritashme të Shpend Ahmetit?

Abrashi: Prej natyrës nuk jam nihilist. Dhe as nuk dua të tingëllojë i tillë. Do t’ia pranoj që Facebook-un e përdor fort! Edhe pse vend e pavend. Por, sinqerisht, qeverisjen katër vjeçare të paraardhësit tim  e konsideroj humbje kohe për Prishtinën dhe qytetarët e saj. Ka pasur shumë demagogji e fare pak, për të mos thënë aspak, punë konkrete. Ka pasur krekosje të pakuptimtë, si rasti me ujin 24 orë dhe kogjenerimin. Tani po del se qeverisja aktuale është munduar t’i sabotojë këto projekte. Paramendo, nga 5 milionë euro që është dashur t’i ndajë për projektin e ujit, Komuna e Prishtinës, për katër vjet ka ndarë vetëm 1 milionë euro. Po ashtu, s’ka kryer detyrat për ta zgjeruar dhe forcuar rrjetin e ujësjellësit në Prishtinë. Të gjitha premtimet e tij për ujin i ka shkelur. Mos të harrojmë, kjo qeverisje ka bllokuar pa asnjë arsye edhe sektorin e ndërtimit për më shumë se një vit. I ka lënë pa punë mbi 5 mijë persona dhe ka dëmtuar shumë biznese furnizuese e shërbyese të këtij sektori. Ka akuzuar dhe ka ndërtuar padi për qeverisjen paraprake. Në fund, ka lëshuar leje pikërisht për ato ndërtime, për të cilat është munduar të akuzojë qeverisjen paraprake. Në fund të mandatit të tij, nëpër krejt Prishtinën shohim ndërtime, edhe në kundërshtim me planet dhe me udhëzimet e institucioneve. Për shkeljet e shumta në këtë sektor, unë nuk do të bëjë zhurmë siç ka bërë ai. Prishtina sot është mbushur me ndërtime, për lejet e të cilave, pushtetarët në largim janë duke u hetuar. Se lirimi i trotuareve për banorë ka qenë thjeshtë një propagandë dhe demagogji e dëshmon fakti që trotuaret tashmë janë zënë nga terasat e lokaleve, për të cilat kam ankesa të shumta nga banorët e lagjes Qendra dhe të lagjeve tjera të kryeqytetit.

Për katër vjet, qytetari i Prishtinës ka dëgjuar ankesat e qeverisjes lokale të Prishtinës e nuk ka gjetur adresë për zgjidhjen e kërkesave.

Ai ka gjetur 26 shkolla të reja, por nuk e ka vazhduar projektin për ta bërë realitet mësimin me vetëm një ndërrim në shkollat e Prishtinës. Ato që i ka quajtur çerdhe me bazë në komunitet, po del se i ka krijuar për t’i angazhuar militantët e partisë së vet. Duke propaganduar ofrimin e çerdheve publike për fëmijë të familjeve me gjendje më të vështirë ekonomike, ka bërë zgjidhje nepotike. Ndërsa, ka lënë pa përkrahje mijëra nëna të reja që synojnë të ndërtojnë karrierë profesionale dhe të bëhen qytetare aktive. Institucionin e konkursit dhe përzgjedhjes me meritë të kuadrove, ai e ka përdorur si instrument mashtrues për punësimin e militantëve të partisë së tij. Në arsim, shëndetësi e kudo ku ka mundur. Mjafton të dëgjojmë ankesat e aplikantëve të cilëve vetëm u është cingëruar telefoni, kurse nëpër intervista janë ftuar vetëm militantët e Vetëvendosje. Pasqyrë janë të punësuarit, të cilët, ose kanë qenë, ose janë bërë pjesë e Vetëvendosjes. 

Ai e ka gjetur të kryer rrjetin e sistemit shëndetësor, por nuk ka lëvizur më tej për ta shtyrë procesin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës. Meritën për shërbim profesional të mjekëve e infermirëve nuk mund ta përvetësojë qeverisja në largim e Prishtinës. Ata njerëz kanë shpërbyer gjithmonë mirë, por nuk kanë pasur kushte. Ato kushte atyre nuk ua ka krijuar qeverisja aktuale. I ka gjetur të gatshme. E nuk ka bërë asgjë për t’iu përgjigjur kërkesave të reja për Qendra të Mjekësisë Familjare. Sepse nuk ka pasur vizion zhvillimor, por është udhëhequr nga motivi i propagandës e demagogjisë.

Ai ka investuar çdo ditë për acarimin e raporteve me kompanitë publike të komunës, e ka sabotuar punën e tyre. Faturën e luftës së tij për “pushtimin” e atyre kompanive e ka paguar qytetari i Prishtinës, i cili nuk ka marrë shërbimet e atyre kompanive ashtu siç e meriton.

Secilit qytetar të Prishtinës ia ka rritur tatimin në pronë e nuk ka shtuar asnjë cent investimet përreth pronave të tyre.

Qeverisja në largim e Prishtinës e ka ulur ndjeshëm buxhetin. Por, përveç kësaj është treguar e pazonja për të realizuar projektet e parapara. Si rezultat, Komuna e Prishtinës, në katër vitet e fundit ka humbur rreth 80 milionë euro investime. Ose sepse nuk kanë ditur të realizojnë projektet ose sepse nuk kanë mundur t’i orientojnë andej kah kanë dashur.

Qytetari i Prishtinës është bombarduar çdo ditë, përmes statuseve në Facebook të kryetarit në largim, për autobusët e rinj. Disa prej tyre erdhën. Por, të tjerët po vonojnë të vijnë sepse qeverisja nuk u është përmbajtur kushteve të marrëveshjes. Ende nuk janë rregulluar as prioritet dhe as shtegu për autobusë.

Mburren me transparencë dhe barazi. Në secilin sektor të qeverisjes së tyre, vërehen qartë, të paktën klientelizmi e nepotizmi. Mbi 500 kontrata mbi vepër, të paktën 95 për qind prej tyre, për militantët e subjektit të tyre politik. Shumica dërmuese e të punësuarve në arsim, shëndetësi e sektorë të tjerë publikë, militantë të tyre politikë. Madje, shumica prej tyre, rreth 90 për qind, nuk janë fare banorë të Prishtinës.

Ka edhe shumë aspekte tjera. Projekte të dështuara. Mungesë totale e vizionit zhvillimor të Prishtinës. Por, unë e kam të qartë arsyen e kësaj qasjeje të tyre. Komuna e Prishtinës është përdorur prej tyre për propagandë politike ndaj rivalëve politikë dhe për të krijuar një imazh të rrejshëm të qeverisjes transparente. Ka pësuar qytetari i Prishtinës dhe kryeqyteti i Kosovës.

Por, dëmi është ende i riparueshëm. Besoj. E rëndësishme është që pas 22 tetorit, qeverisja e Prishtinës nuk do t’u prijë më protestave të dhunshme dhe shkatërruese të pasurisë publike e private dhe askush më nuk do të mund të sillet si hipokrit, duke u bërë sikur po kujdeset për qytetarët e Prishtinës, e bodrumet e banesave të tyre apo platotë mbi të cilat luajnë fëmijët e Prishtinës, t’i mbushin me koktej molotovi. Asetet e pushtetit lokal të Prishtinës nuk do të përdoren më për aktivitete politike, siç ka ndodhur rëndomë në këto katër vjet. 

Bota sot: Cili është premtimi juaj më i fortë të cilin të tjerët nuk e kanë, përveç atyre që kanë të bëjnë me obligime ligjore e të cilat në fushata përmendën?

Abrashi: Krejt projekti im për Prishtinën e katër viteve të ardhshme është më i fortë, më objektiv dhe më konkret se tjerët. Mendoj se veçantia qëndron te fakti që unë do t’i përkushtohem plotësisht Prishtinës dhe qytetarëve të saj. Këtë ma mundëson LDK-ja që është parti e strukturuar mirë në Prishtinë dhe programi i saj, i cili u përgjigjet të gjitha sfidave dhe është krejtësisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të Prishtinës.

Kërkoj ndjesë për mungesë modestie. Por, asnjë prej konkurrentëve të mi në këtë garë nuk ka trashëgimi më të madhe sesa unë të gatishmërisë për bashkëpunim dhe bilanc suksesi falë kësaj gatishmërie. Për Prishtinën dhe qytetarët e saj, unë do të bashkëpunoj me të gjithë. Dhe do të arrij t’i bindë të gjithë për realizimin e projektit tonë për Prishtinën e sotme dhe të nesërme.

Bota sot: z. Abrashi keni të hartuar planet konkrete dhe në cilat fusha që do ti realizonit në vitin e parë të qeverisjes?

Abrashi: Plani ekipit tim qeverisës është i strukturuar mirë dhe u përgjigjet sfidave afatshkurtëra dhe synimeve për menaxhimin afatmesëm dhe afatgjatë të kryeqytetit të Kosovës.

Prioritetet do t’i përcaktojmë shumë shpejt, por mendoj se fillimisht duhet të sanojmë dëmet që i ka shkaktuar qeverisja në largim përmes zbatimit të politikave populiste apo përmes mungesës së efikasitetit. Fillimisht do ta ulim tatimin në pronë, pastaj do të punojmë për fillimin e projektit për ndërtimin e shkollave të reja.

Paralelisht, ne do të punojmë për zhvillimin e zonave ekonomike, rrugës për Fushë Kosovë, në Veternik, rrugës për Mitrovicë, në drejtim të Obiliqit nga Qendra e Panaireve, në drejtim të Podujevës, në drejtim të Graçanicës, në zona të tjera publike dhe private, duke promovuar dhe integruar edhe komunat e vogla përreth në qasjen e zhvillimit metropolitan të Prishtinës.

Parkingjet nëntokësore do të realizohen në disa lokacione në qytet, në konsultim të ngushtë me qytetarët e atyre lagjeve. Plani ynë parasheh transportin urban hibrid (autobusët dhe taksitë, subvencionimi i veturave hibride) – duke përdorur modelet më bashkëkohore, do të mbështetet transporti urban hibrid, duke iu mundësuar taksive që përdorin këtë formë një subvencionim nga komuna dhe duke futur në përdorim autobusë të tillë.

Ne do ta zhvillojmë projektin e parkut Gërmia – si një kompleks për rekreacion i integruar plotësisht me qytetin e Prishtinës, duke e rigjeneruar pyllin e Gërmisë, siguruar qasje në anën tjetër të Gërmisë dhe zhvilluar shtigjet për ecje/vrapim.

Ne do ta realizojmë projektin për zhvillimin e Rajonit të Gollakut – do të përgatitet në master plan për zhvillimin e gjithë zonës së Gollakut. Kjo zonë do të integrohet në qytet. Master plani do të përfshijë definimin e zonave ku lejohet ndërtimi i shtëpive për banim, i objekteve hoteliere dhe turistike, i komplekseve rekreative-sportive, definimi i zonave për blegtori, definimi i tokave punuese për pemishte, definimi i pyjeve që duhet të mbrohen etj.

Projekt tjetër me rëndësi është restaurimi i qytetit të vjetër – që lidh kompleksin e xhamive të vjetra me sheshin “Ibrahim Rugova”, duke mundësuar zhvillimin e artizanaleve. Kjo zonë përfshinë këto monumente: Xhamia e Çarshisë, Çeshma, Muzeu, Xhamia e Jashar Pashës, Sahat kulla, Shtëpia e ASHAK-ut, Xhamia e Mbretit, Hamami i Madh, Kompleksi Emin Gjiku dhe Shtëpia me teqe. Po ashtu ne do të realizojmë edhe projekte tjera, të hartuara sipas kërkesave konkrete që kanë shprehur qytetarët gjatë bashkëbisedimit me ta.

Bota sot: Si do zgjidhni problemin e shkollave të stërngarkuara me nxënës?

Abrashi: Duke ndërtuar 7 shkolla të reja, atje ku tashmë është evidentuar nevoja. Dhe duke i paraprirë ndërtimit të kapaciteteve, sipas nevojave që do të shfaqen në të ardhmen, sepse Prishtina do të shkojë duke u rritur dhe zgjeruar. Duke i kompletuar me të gjitha pajisjet sipas standardeve ndërkombëtare. Por, ne nuk do të ndalemi këtu. Projekti ynë parasheh edhe rritjen e cilësisë në arsim. Përmes mbështetjes së trajnimit të mësimdhënësve aktual dhe përmes përzgjedhjes së mësimdhënësve të rinj bazuar në kriterin e kompetencës dhe meritës.

Bota sot: A do të depolitizoni emërimet e drejtorëve dhe të mos ketë më emërime të njerëzve nga vendet e tjera sikurse ka ndodhur, por secila lagje të vendos për shkollën ku është?

Abrashi: Natyrisht. Objektivi ynë kryesor është depolitizimi i arsimit. Qasja jonë garanton përzgjedhje mbi kriterin e meritës të menaxherëve të shkollave tona. Ne nuk do të kemi drejtorë partiak të shkollave. Por, as nuk do të diskriminojmë asnjë menaxher të mirë, pavarësisht bindjeve të tij politike. Ai ose ajo do të përzgjidhen në pozita menaxhuese për shkak të aftësive të tyre, e jo për shkak të bindjeve apo për shkak të shërbimeve partiake që kanë bërë ose që do të bëjnë.

Praktikat abuzuese me arsimin në komunën e Prishtinës do të marrin fund. Shkollat e Prishtinës nuk do të mund të përdoren më si strehë e militantëve partiak. Aq më pak militantëve nga komunat tjera, që janë sjellë në Prishtinë, për ironi kanë pasur vështirësi ta gjejnë vendin e punës ku janë emëruar politikisht. 

Bota sot: Kur mendoni se do të ndërtohet spitali i qytetit?

Abrashi: Menjëherë. Jemi vonë. Dhe jemi vonuar pa arsye. Qeverisja në largim ka abuzuar me këtë projekt. Infrastrukturën e shërbimit shëndetësor e ka trashëguar të gatshëm nga qeverisja e mëparshme e LDK-së. Nuk ka bërë asgjë për ta bërë Prishtinën me Spital. Po, është ankuar, sikur për çdo gjë tjetër. Ne do të fillojmë punën menjëherë dhe besoj që brenda mandatit tonë qeverisës, Prishtina do ta ketë Spitalin e vet, sipas standardeve më të mira bashkëkohore.

Bota sot: A do ta lejoni pallatin e rinisë në duar të AKP apo do t’ia riktheni qytetit i cili ka investuar në të?

Abrashi: Pallati i Rinisë do t’i takojë Prishtinës dhe qytetarëve të saj. Prishtina është kryeqytet i Kosovës dhe sikur çdo gjë tjetër në Prishtinë, edhe Pallati i Rinisë do t’u shërbejë të gjithë atyre që e vizitojnë Prishtinën. Sepse ne do të kujdesemi që nga Pallati i Rinisë të krijojmë një projekt funksional për të rinjtë, sportistët dhe afaristët dhe një projekt të dinjitetshëm që do të shërbejë si pikë reference e hartës së Prishtinës.

Bota sot: A besoni se balotazhi do të jetë i pashmangshëm?

Abrashi: Ekipi im punon i pandikuar nga pritshmëritë e sondazheve. Ne po vizitojmë çdo lagje, çdo fshat. Po takojmë secilin qytetar të komunës së Prishtinës. Jam i impresionuar me rritjen e mbështetjes për LDK-në dhe më gëzon fakti që qytetarët e Kosovës po e pranojnë me dashamirësi dhe seriozitet projektin tonë për qeverisjen e ardhshme të Prishtinës.

LDK-ja ka mbështetje të fuqishme në Prishtinë. Ne po punojmë që përreth LDK-së, sikurse gjithmonë, të bashkohen edhe ata që janë të pa-orientuar partiakisht. Prishtina ka nevojë për ndryshim, të cilin LDK-ja, si gjithmonë do ta bëjë me qytetarët. Edhe këto ditë të fushatës ne do të punojmë shumë që të fitojmë që më 22 tetor. Që të mos kenë nevojë qytetarët e Prishtinës të dalin edhe në balotazh. Edhe sepse pazaret e natës për balotazhin e vitit 2013 kundër LDK-së dhe Isa Mustafës, u kanë kushtuar shtrenjtë qytetarëve të Prishtinës.

Bota sot: Cila do të ishte kryevepra e parë që do ta ngritni në qytet?

Abrashi: Do t’ia kthejmë Prishtinën qytetarëve të saj. Bashkë me ta do ta qeverisim Prishtinën, për ta bërë atë kryeqytet të denjë të Kosovës Evropiane. Çdo projekt do ta trajtojmë me kujdesin më të madh të mundshëm. Prandaj, më lejoni të mos e veçojë asnjë. Sepse secili është më i rëndësishëm se tjetri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat