Dushi i bindur: LDK do ta fitojë Prishtinën

Intervista

Dushi i bindur: LDK do ta fitojë Prishtinën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 nëntor 2017 Në ora: 09:14
Florian Dushi

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, i konsideron si të mira zgjedhjet lokale të 22 tetorit, gjersa pret një proces të suksesshëm zgjedhor, edhe në balotazhin e 19 nëntorit.  

Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është rritur, do të vazhdojë të rritet falë punës dhe ofertës së saj, kadrovike dhe programore, të cilës qytetari po ia falë besimin për shkak se është oferta më e mirë.

Bota sot: Z. Dushi çfarë të metash u shfaqën gjatë procesit zgjedhor për pushtet lokal?

Florian Dushi: Është me rëndësi të theksohet që në fillim se, zgjedhjet lokale ishin mirë të organizuara dhe si të tilla kaluan në një frymë tejet demokratike duke plotësuar shumicën e standardeve ndërkombëtare të kërkuara në një proces zgjedhor. Të metat, ishin të njëjta me ato të zgjedhjeve të mëhershme, edhe pse në një nivel më të ulët. Ato ndërlidhen kryesisht me pasaktësitë e përmbajtjes së listës së votuesve, informimin jo të mirë të votuesve dhe numërimin e votave, përkatësisht përshkrimin e pasaktë të votave në formularët e rezultateve dhe kjo sidomos sa i përket rezultateve të kandidatëve për asambletë e komunave.

Bota sot: Një nga ato që u përmendën ishte heqja e balotazhit. Mendoni njëjtë apo ndryshe, thjeshtësimin e zgjedhjeve lokale?

Florian Dushi: Në rastin e zgjedhjeve për kryetar të komunave, kemi disa opsione që i gjejmë të praktikohen në shtete të ndryshme të botës. Njëri është ky që ne tani aplikojmë, i dyti, është heqja e raundit të dytë dhe opsioni i tretë është zgjedhja e kryetarit nga ana e kuvendit komunal (ashtu siç ishte para vitit 2007). Natyrisht të gjitha këto opsione duhet të analizohen, vlerësohen në përputhje edhe me rrethanat tona dhe të vendoset nëse duhet të vazhdohet në këtë mënyrë (me dy raunde) apo duhet të përcaktohemi për ndonjërën nga dy opsionet tjera, meqë secila prej tyre ka përparësitë dhe mangësitë e veta. Unë personalisht jam në favor të thjeshtësimit dhe shkurtimit të mënyrës dhe kohës së zgjedhjes së kryetarit të komunës.

Bota sot: Si ish anëtar i KQZ-së mendoni se ligji për zgjedhjet lokale po mundëson krijimin e aleancave të panatyrshme?

Florian Dushi: Po, nga praktika ne njohim bashkim të atyre që kanë të kaluar të përbashkët politike, por që për vite të tëra aktrojnë rivalin e njëri-tjetrit apo improvizojnë “konflikte” në skenën tonë politike siç është për shembull rasti i zgjedhjeve në komunën e Prishtinës në vitin 2013. Të tilla “aleanca” do të vazhdojmë t’i kemi, sidomos, nga subjekte dhe kandidatë që nuk udhëhiqen nga ndonjë parim apo program, por thjesht, qëllim të vetëm kanë fitimin apo ruajtjen e pushtetit, me çdo kusht. Këto aleanca, në rast të fitores pastaj, janë dëshmuar si aspak produktive dhe kanë vepruar gjithmonë duke pasur parasysh vetëm interesat që ishin edhe arsye e vetme e lidhjes së këtyre aleancave. Prandaj, në Kosovë duhet të gjendet një zgjidhje e re e cila vullnetin fillestar të qytetarëve të shprehur në zgjedhje nuk do ta sakrifikonte përballë aleancave (pazareve) të subjekteve të ndryshme politike tashmë të njohura për këtë mënyrë të veprimit.

Bota sot: Çfarë duhet të ndryshojë në fakt sipas jush?

Florian Dushi: Sa i përket zgjedhjes së kryetarit të komunës, mundet për shembull që fituesi të përcaktohet që në raundin e parë, por duke e përcaktuar pragun e pjesëmarrjes në zgjedhje si kusht që i pari me vota pastaj të shpallet edhe kryetar komune.

Bota sot: Zgjedhjet e sapo mbajtura lokale, a do të determinojnë aleancat e ardhshme qeverisëse?

Florian Dushi: Nuk mendoj se do të mund të ndryshojë diçka në këtë drejtim. Ne për herë të parë në këtë qeveri kemi në një aleancë, aleatët e vërtetë politikë e ideologjikë, me vetëm një problem, numrat e pamjaftueshëm. Prandaj, LDK, në këtë fazë, do të vazhdojë rolin e saj të një opozite konstruktive, por shumë energjike për të dëshmuar para qytetarëve tonë se subjekti ynë është alternativa e vetme që ofron zhvillim dhe integrim të Kosovës.

Bota sot: Si anëtar i LDK-së çka ka ndikuar sipas jush, në rritjen e partisë në këto zgjedhje?

Florian Dushi: Lidhja Demokratike e Kosovës është rritur, do të vazhdojë të rritet falë punës dhe ofertës së saj, kadrovike dhe programore, të cilës qytetari po ia falë besimin për shkak se është oferta më e mirë. Prandaj, ne do të vazhdojmë punën tonë, angazhimin tonë me shumë përkushtim, jo për të bllokuar e rrënuar, por për ta bërë më të lehtë zhvillimin e Kosovës, shtetit më të ri me të cilin qytetarët që sakrifikuan shumë, do të ndiheshin krenarë. Për të rifituar besimin e qytetarëve, LDK do të punojë në tri nivele, në institucione (Kuvend), në strukturat e partisë (në shtrirjen e tyre horizontale) dhe drejtpërdrejt më qytetarët, kjo formë e punës padyshim garanton rritjen akoma më të madhe të LDK-së.

Bota sot: Me cilën parti LDK-ja ndien më shumë afërsi programore që mund të çojë në një koalicion të ardhshëm?

Florian Dushi: Në të vërtetë kjo është pika më e vështirë për LDK-në. LDK, duke e pasur parasysh interesin e vendit, në të kaluarën, iu desh të ndërtojë koalicione vërtet të panatyrshme, por që megjithëkëtë ne secilin koalicion prezenca e LDK-së garantonte mirëqeverisje, zhvillim dhe partneritet me faktorin ndërkombëtar, si parakusht esencial për zhvillimin dhe integrimin e vendit në strukturat evro-atlantike. Kështu, LDK të njëjtin problem duket se do ta ketë edhe në të ardhme (nisur nga rezultatet e zgjedhjeve dhe përbërja e kuvendit), kjo edhe për faktin se shumica e partive parlamentare sot kanë orientime të majta programore gjë që bie ndesh me programin e LDK-së që është partia e vetme (nga partitë parlamentare) e djathtë, prandaj dallimet programore të LDK-së me partitë tjera janë të mëdha, dhe atë në çështje që me të drejtë konsiderohen si kruciale e që kanë të bëjnë me, sigurimin e lirisë qytetare, ndërtimin e demokracisë reale, ekonominë e tregut, sundimin e ligjit, partneritetin me BE-në dhe SHBA-në etj.

Bota sot: Tashmë keni arritur një marrëveshje me AAK-në për koalicion, sa mund të ndihmojë kjo në rikthimin e Prishtinës?

Florian Dushi: Lidhja Demokratike e Kosovës është e sigurt se në Prishtinë do të fitojë, qoftë edhe si e vetme. Këtë e garanton qytetari i lirë e paqësor i Prishtinës. Do të fitojmë sepse, Prishtina nuk është qeverisur në këto katër vite, ajo thjeshtë iu ka shërbyer kryetarit aktual dhe subjektit të tij si një “trampolinë” për t’u ngjitur në nivele të tjera, më të larta të pushtetit (në qeveri), qoftë edhe duke e shkatërruar, djegur e demoluar Prishtinën siç ishte rasti me protestat në të cilat pjesëmarrës ishte edhe vetë kryetari aktual i Prishtinës. Por, pavarësisht kësaj, ne tashmë kemi arritur së paku një koalicion i cili fitoren tonë në Prishtinë do ta bëjë ta padiskutueshme.

Bota sot: A i ka të kompletuar LDK-ja kabinetet qeverisëse për komuna apo kjo do të lihet për momentin e fundit, sikurse po ndodhë në praktikë nga të gjitha partitë pa dallim?

Florian Dushi: Kabinetet zakonisht ndërtohen pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke pritur edhe rezultatin e zgjedhjeve për kuvendet komunale. Por, nuk përjashtohet mundësia që kandidatët për kryetar apo subjekti mund të ketë disa orientime edhe në këtë fazë.

Bota sot: Si e shihni zgjerimin e kabinetit qeverisës me më shumë se 50 zëvendës ministrash?

Florian Dushi: Zgjerimi i kabinetit qeverisës tashmë ka marrë përmasa të papara ndonjëherë në Kosovë. Ky numër kaq i madh i të angazhuarve në kabinet është në shpërputhje të plotë më nevojat reale të Kosovës. Për më tepër, gjithë këta të angazhuar, përveç tjerash janë edhe ngarkesë enorme për buxhetin e varfër të Kosovës. Nuk ka asnjë logjikë, asnjë arsye dhe asnjë qëllim që mund të justifikojë emërimin e gjashtë zëvendësministrave në një ministri apo pesë në tjetrën. Prandaj, kjo lirisht mund të shihet vetëm si “eskalim” i lidershipit të partive politike që përbëjnë koalicionin qeverisës për të përmbushur dëshirat e të gjithë atyre (sidomos partive të vogla) që janë pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

“Bota sot”: U hodhën mjaft dyshime lidhur me betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, se të njëjtit nuk janë betuar nën shtetin dhe flamurin e Kosovës, ju si ish zëvendësministër i drejtësisë si e komentoni gjithë këtë proces të integrimit?

Florian Dushi: Sa i përket mënyrës së betimin, unë nuk dua të merrem me spekulime me që asgjë të konfirmuar nga Zyra e Presidentit të shtetit nuk kemi. Megjithatë, në asnjë mënyrë nuk dua të besoj që gjyqtarët dhe prokurorët serbë betimin e tyre nuk e kanë bërë sipas procedurave të parapara me aktet më të larta juridike të Republikës së Kosovës, ndryshe, kjo do të përbënte një shkelje serioze dhe të paprecedent. Në anën tjetër, unë mund të them, se integrimi i tyre në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës i cili funksionon në bazë dhe sipas kushtetutës dhe ligjeve tona, veçmas funksionalizimi i këtij sistemi në komunat veriore të Kosovës është shumë me rëndësi për shtetin tonë. Të gjithë e dimë se, në mungesë të funksionalizimit të sistemit të drejtësisë në atë pjesë të Kosovës me shumicë serbe, që ka ndodhur ekskluzivisht për shkak të pengesave të qeverisës së Serbisë, është krijuar një zonë “strehë-parajsë” për kriminelët më të mëdhenj të regjionit që jo vetëm për ne, por rrezik paraqesin për të gjitha shtetet e regjionit, e edhe më gjerë. Për këtë arsye, në fund të fundit, me rëndësi është që atje tash e tutje do të punohet në funksionalizimin dhe forcimin e sundimit të ligjit, gjë që do të ndikojë pozitivisht edhe në jetën e qytetarëve banorë të përhershëm të asaj pjese, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat