Ismaili: Po punojmë që ta përmirësojmë gjendjen në shëndetësi - Bota Sot
Ismaili: Po punojmë që ta përmirësojmë gjendjen në shëndetësi

Intervista

E premte, 19 tetor 2018

Ismaili: Po punojmë që ta përmirësojmë gjendjen në shëndetësi

Më: 23 dhjetor 2017 Në ora: 10:56
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili

Radio Evropa e Lirë: Ministër Ismaili, çfarë po ndërmerrni aktualisht që sistemi i shëndetësisë të jetë më efikas dhe në shërbim më të mirë për qytetarët?

Uran Ismaili: Realisht, jemi në një seri hapash që kanë për qëllim të kenë një sistem më të mirë shëndetësor dhe shërbime më të mira, duke filluar nga ndryshimet që jemi duke i bërë në Qendrën Klinike Universitare. Por, në anën tjetër, duke e marrë parasysh që jemi duke bërë planifikime më të mira që lista e barnave e esenciale të përmirësohet, e edhe vijueshmëria në punë e mjekëve tanë të shtohet, në mënyrë që të kemi një sistem më të përgatitur për kërkesat e qytetarëve tonë.

Radio Evropa e Lirë: Kur do të furnizohen institucionet e shëndetit publik me barnat e listës esenciale, në mënyrë që pacientët të mos detyrohen t’i blejnë nga shiringat deri te barnat më të shtrenjta?

Uran Ismaili: Furnizimi tashmë ka filluar të përmirësohet. Tre muajt e parë kur ka filluar punën Qeveria e Kosovës, kemi pasur problem shumë të madh me furnizim. Ndërsa tash ka filluar të përmirësohet, edhe pse ende nuk është në gjendjen që duhet të jetë, por ka hapa përmirësimi dhe do të shohim gjatë vitit 2018,sidomos gjashtë mujorin e parë, muaj për muaj do të shohim një përmirësim deri në një plotësim të plotë të të gjithë listës së barnave esenciale.

Radio Evropa e Lirë: Pse nuk po fillon zbatimi i Ligjit për sigurimet shëndetësore?

Uran Ismaili: Sigurimet shëndetësore kërkojnë disa hapa të mëdhenj, të cilët duhet kryhen paraprakisht e që është funksionalizimi i Fondit për shëndetësi, pra krijimi i institucioneve të cilat janë në gjendje të mirë me këtë çështje, e që për momentin ato nuk ekzistojnë në formën e duhur. Unë konsideroj se ky proces do të ketë një ngritje kualitative gjatë vitit 2018, pra deri në fund të vitit. Mirëpo, ende nuk jam në gjendje të jap një datë të saktë se kur do të fillojmë, pasi është një çështje shumë me rëndësi dhe nuk mund të jap një datë spekulative.

Atë çka mund të them është se ju do ta shihni se unë do të punoj shumë dhe do të jem transparent para publikut se deri ku kemi arritur dhe çfarë punë ka mbetur për t’u bërë.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë këtyre katër viteve të fundit, është vërejtur ikje e stafit shëndetësor nga Kosova për në vendet e BE-së. Si mund të parandalohet ky fenomen dhe të ruani stafin profesional në Kosovë?

Uran Ismaili: Realisht, ne duhet krijojmë vende pune për ta, dhe kemi filluar me 300 vende të reja të punës që i kemi tashmë në Qendër Klinike. Duhet ende vende pune që pas një rrugëtimi të gjatë akademik, të mos na enden rrugëve këta njerëz, por të jenë në gjendje të punësohen dhe të punojnë për qytetarët tanë. Edhe ashtu ne nuk kemi kuadër të mjaftueshëm. Po ashtu, të kenë një vend më dinjitoz se ku punojnë dhe të ketë investime në ato vende. Po ashtu, t’u sigurojmë barna e material që u nevojitet atyre dhe së fundi, natyrisht, një nivel pagash më të kënaqshëm.

Radio Evropa e Lirë: A do të duhej të rregullohej çështja e punësimit të stafit në institucione publike dhe private, marrë parasysh se punësimi në dy institucione shpesh është vlerësuar se ndikon në rënien e efikasitetit të sistemit shëndetësor në institucionet publike?

Uran Ismaili: Kjo është e ndarë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka pasur tentativë për t’i ndarë, por që gjykata ka thënë se nuk është e drejtë t’u kërkohet një gjë e tillë mjekëve. Kjo ka ndodhur kur unë nuk kam qenë ministër, dhe në Gjykatë Kushtetuese nuk mund të kërkosh ndryshime.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test