Liberalizimi i vizave, demarkacioni, ndikimi rus në Kosovë, flet ekspert i integrimeve evropiane

Intervista

Liberalizimi i vizave, demarkacioni, ndikimi rus në Kosovë, flet ekspert i integrimeve evropiane

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 janar 2018 Në ora: 08:33
Avni Mazreku

Liberalizimi i vizave, Demarkacioni, ndikimi rus në Kosovë, njohjet dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare janë çështje shumë me rëndësi për Kosovën. E për të gjitha këto, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka folur profesori dhe eksperti i çështjes së integrimeve evropiane Avni Mazreku.

Bota sot: Si e vlerësoni vitin 2017 për Kosovën sa i përket proceseve të integrimeve evropiane?

Avni Mazrreku: Viti 2017 mund të konsiderohet vit zgjedhor. Që nga fillimi i vitit kemi pasur tendenca të ish partnerëve të koalicionit shumë të paqartë, se dëshirojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme, e që rezultoi edhe ashtu. Prandaj, partitë politike që participojnë në parlament, ishin të orientuara më tepër në funksion të përgatitjes së opinionit publik për platformat e tyre politike, se sa për shtyrjen e agjendës integruese të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe rrjedhimisht viti 2017 mund të konsiderohet si vit zgjedhor, duke pasur parasysh që në këtë vit kanë ndodhur zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit dhe po ashtu edhe zgjedhjet lokale të parapara sipas ligjeve në fuqi në Kosovë. Prandaj, kjo mendoj që edhe ka rezultuar në njëfarë neglizhence ku mund të thuhet në funksion të realizimit të agjendës së qeverisjes në Kosovë, rrjedhimit edhe agjendës integruese të Kosovës në BE.

Bota sot: Sa mendoni se ka ndikuar në këto procese vonesa e formimit të institucioneve?

Avni Mazrreku: Zgjedhjet konsumojnë energji, shtyrje të agjendave normale, të stabilizimit ekonomik, politik të vendit por edhe atij juridik dhe koha që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit deri në konstituimin e institucioneve të dala nga këto zgjedhje, normalisht që ka qenë kohë relativisht e gjatë dhe ka ndikuar në vonesa të caktuara, vonesë në zbatimin e agjendës që ka të bëjë me integrimin e marrëveshjes për stabilizim-asocim, sepse kjo marrëveshje është korniza apo platforma qeverisëse e çdo vendi të Ballkanit Perëndimor dhe do të duhej të ishte platformë qeverisëse edhe në Kosovë. Kosova ka ngecur në zbatimin e marrëveshjes për stabilizim asocim dhe ngecja e Kosovës në zbatimin e kësaj marrëveshje nënkupton edhe një ngecje në intensitetin e ecjes së Kosovës drejt anëtarësimit të saj në BE, sepse matje në fakt nga BE ndaj një shteti aspirant për tu anëtarësuar në BE, varet nga intensiteti i zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Bota sot: Liberalizimi i vizave është një nga çështjet më aktuale në vend. Si e vlerësoni punën që po bëhet për këtë nga institucionet në vend?

Avni Mazrreku: Mendoj që në Kosovë është folur pak si nga mediat, si nga qeveritarët, ata që janë përgjegjës për realizimin e kësaj të drejte nga qytetarët e Kosovës, pasi lëvizja e lirë është e drejtë e tyre dhe mungesa e lëvizjes ndikon në zhvillimin e individëve, ndërmarrjeve dhe zhvillimin e shtetit. Çka unë dua të them është se është folur pak për këtë problem, por mendoj se kritik edhe për anëtarësimin e Kosovës në BE është çështja e mungesës së pesë njohjeve nga pesë shtete anëtarë të BE-së. Askush nuk i garanton, as nuk mund t’i garantojë Kosovës se Kosova do të përfitojë lëvizje të lirë të vizave në zonën Schengen edhe nëse ratifikohet marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, kur dihet se mënyra si merret vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, varet nga qëndrimi i shteteve. Sistemi i votimit që përdoret në këshillin e BE-së, është një sistem i votimit që quhet sistem i votimit të shumicës së kualifikuar. Kjo nënkupton se për të marrë një vendim final, për fazën e fundit ku Kosova i kalon të gjitha procedurat paraprake si në Komision, që në njëfarë mënyre ne kemi kaluar Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian, të gjitha këto procedura dhe zhbllokohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, çështja duhet të procedohet në Këshillin e BE-së, përkatësisht konfiguracionin e ministrave të brendshëm dhe këshilli i BE-së, ku është përgjegjësi e ministrave të brendshëm të 28 shteteve anëtare të vendosin pro apo kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Dhe si ndodh ky votim? Sistemi i shumicës së kualifikuar, i stipuluar me Traktatin e Lisbonës, që ka hyrë në fuqi në vitin 2009 dhe e ka nxjerr këtë sistem, e sipas shumicës së kualifikuar nënkupton që 55 për qind e shteteve të BE-së të votojnë pro një vendimi eventualisht pozitiv, në këtë rast pro liberalizimit të vizave me Kosovën dhe këto 55 për qind të shteteve anëtare duhet të përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së, që mendoj se në këtë version Kosova nuk e ka problem, kur dihet se 23 shtete e kanë njohur Kosovën dhe ky është versioni më optimist. Por ekziston rreziku sepse ky sistem i votimit, i shumicës së kualifikuar e mundëson edhe përdorimin e minorancës bllokuese dhe minoranca bllokuese përdoret edhe nëse arrihet ky 55 për qindëshi i shteteve. Por, e mira është që kjo nuk është e drejta e një shteti, por kompozohet nga katër shtete anëtare, e që këto shtete duhet të përfaqësojnë 35 për qind të popullatës së BE-së. Në këtë rast, pritjet janë që pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën mund ta përdorin minorancën bllokuese, por fatmirësisht këto shtete nuk e përfaqësojnë 35 për qind të popullsisë së BE-së. Mirëpo, skenari i frikshëm për Kosovën është se ka shtete që e kanë njohur Kosovën, por kanë hezitime sa i përket qëndrimit pro për liberalizimin e vizave. Prandaj, një vendim definitiv për lëvizjen e lirë është vështirë të parashihet, pasi kjo varet nga qëndrimi i shteteve. Kjo situatë na sjell në përfundim se segmentet institucionale të Kosovës që janë përgjegjëse për të punuar në fushën e politikës së jashtme, nuk kanë pasur strategji të qartë për njohjet nga vendet që ende nuk e kanë njohur ende Kosovën sepse mungesa e njohjes nga këto shtete, e vendos Kosovën në një pozitë shumë të pafavorshme dhe Kosova nuk mundet të definohet si palë kontraktuale e BE-së. Për ta ilustruar më tepër për lexuesit tuaj të nderuar, nëse e lexojnë me kujdes raportin për stabilizim asocim, atje në mënyrë shumë të qartë vërtetohet qëndrimi i Bashkimit Evropian neutral për statusin e Kosovës, që nënkupton se BE ende nuk e ka njohur subjektivitetin juridik ndërkombëtar të Kosovës, rrjedhimisht nuk e njeh Kosovën si palë kontraktuale, rrjedhimisht marrëveshja për stabilizim asociim mes Kosovës dhe BE-së është marrëveshja e vetme që ndonjëherë e ka bërë BE me një shtet e që ajo marrëveshje nuk e ka kaluar procesin e ratifikimit nga ana e shteteve anëtare. Nga ana e ministrisë së integrimeve evropiane së fundmi është folur se Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat, që është komplet jashtë sensit të mendohet se Kosovës mund t’i konfirmohet statusi i vendit kandidat kur dihet që Kosovën nuk e kanë njohur këto pesë shtete e që konfirmimi për statusin kandidat tani më nuk merret për këtë temë sipas sistemit të shumicës së kualifikuar por sipas sistemit të votimit konsensual, që nënkupton se të gjitha shtetet duhet të votojnë pro, për konfirmimin e statusit kandidat. E çka na del si prioritet në fushën e integrimeve evropiane, është çështja e këtyre pesë njohjeve sepse pa këto pesë njohje Kosova nuk ka raporte normale me BE-në, prandaj është e domosdoshme që mekanizmat institucional të Kosovës ta kenë prioritet çështjen e pesë mos njohjeve nga ana e pesë shteteve anëtare të BE-së.

Bota sot: Vazhdimisht thuhet se ratifikimi i Demarkacionit është kushti kryesor për liberalizim të vizave. Sa qëndron kjo dhe cilat janë kushtet tjera që Kosova duhet të plotësojë për liberalizim?

Avni Mazrreku: Mendoj se janë dy çështje që duhet të jenë të qarta sa i përket demarkacionit. E para, BE asnjëherë nuk ka thënë se në momentin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkimin e kufirit, Kosova do të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave, por zyrtarët e BE-së kanë përdorur një gjuhë të kujdesshme duke thënë se do të zhbllokohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, që nënkupton se vendimin final nuk mund ta prejudikojë askush, asnjë zyrtar i BE-së. Prandaj çështja e demarkacionit nuk e vendos Kosovën automatikisht në pozitën që i liberalizohen vizat. Vlen të përmendet këtu edhe një element që po ashtu institucionet e Kosovës, ministria e integrimeve nuk ka njohje të mjaftueshme për këtë temë. Kur komisioni evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën në ministrinë e integrimeve është festuar se Kosova ka fituar regjimin e lirë të vizave dhe qytetarët kanë menduar se brenda një jave do ta realizojnë këtë të drejtë. Komisioni evropian është vetëm një stad në procesin e marrjes së vendimit final dhe tani ne jemi në stadin ku çështja e liberalizimit të vizave trajtohet nga ana e parlamentit evropian. Dhe vetëm pas zhbllokimit të këtij procesi, vazhdon procedura për marrjen e vendimit final. E vendimin final e merr këshilli i BE-së. Pra, pasi të kryhen procedurat në PE, shkon te këshilli i BE-së dhe vendimin final nuk mund ta prejudikojmë se si do të jetë. Ka pasur qasje të gabuar, sa i përket institucioneve të Kosovës që t’i përmbushin ato kritere teknike sa i përket liberalizimit të vizave. Prandaj në këtë drejtim duhet të ndërrohet strategjia.

Bota sot: Sa mendoni se po zvarritet çështja e demarkacionit nga institucionet dhe sa jeni optimist që do të zgjidhet kjo çështje?

Avni Mazrreku: Historia e çështjes së demarkacionit na ka treguar se kjo nuk zgjidhet pa pasur kompromis nacional, së paku të partive parlamentare në Kosovë. Qeveria paraprake ka pasur një mazhorancë të theksuar në parlamentin, mirëpo edhe pse e ka pasur atë nuk ka arritur ta përfundojë këtë proces. Çështja e demarkacionit, asociacionit, e anëtarësimit në NATO, BE, çështja e vizave duhet që të shihen si tema nacionale nga faktorët politik dhe në qoftë se këto janë dhe duhet të shihen si të tilla, atëherë duhet të kenë edhe qasje të një konteksti nacional i cili arrihet duke pasur kompromise. Prandaj, qëndrimi duhet të jetë unik sa i përket faktorëve institucional. Kemi dallime, andaj para se të mendohet një zgjidhje unilaterale, duhet të ketë një qasje ku arrihet kompromis nacional sa i përket kësaj çështje. Kjo çështje do të zgjidhet në një formë ose tjetër. Por çka kuptojmë ne nga tërë ky proces është se faktorët politik parlamentar dhe institucional të Kosovës e zvarrisin një çështje të tillë për kaq vite, kjo është dëshmi e ngecjes së ecjes së Kosovës në procesin e shtetformimit të saj. Kosova duhet të dëshmojë kapacitetet politike dhe institucionale për probleme që mund të jenë të rënda, komplekse, me pasoja për parti të caktuara politike dhe duhet ta eliminojë idenë apo qasjen se nga secili proces partitë duhet të përfitojnë në kontekstin e tyre partiak apo individual.

Bota sot: Luftimi i krimit dhe korrupsionit është po ashtu një kusht tjetër mjaft i rëndësishëm për liberalizim të vizave. Sa mendoni se po bëhet kjo?

Avni Mazrreku: Mendoj se sikur për shumë çështje tjera, ka pasur më shumë konotacion deklarativ, se sa pragmatik në funksion të luftimit të krimit dhe korrupsionit. Korrupsion ka në secilin shtet por varet në çfarë shkalle ka. Lufta kundër tyre mund të ndodh vetëm atëherë kur institucionet përkatëse të shtetit janë vërtet të pavarura, profesionale dhe të shkëputura nga ndikimit e faktorëve që janë të involvuar apo organizatave kriminale, sepse vetë fjala krim i organizuar tregon që ai është funksional, është brenda atyre institucioneve që janë përkatëse për ta luftuar atë. Prandaj reformat që i stipulon procesi i aksesionit, anëtarësimit të Kosovës në BE, ato mund të ndikojnë në efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por përveç kësaj duhet të tregohet nga një aspekt efikas çështja e politikanëve për të luftuar krimin dhe korrupsionin, sepse çështja e vullnetit politik është kushti për ndërmarrjen e hapave konkret në reformimin e strukturës sonë institucionale, që janë përgjegjëse për  këtë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Bota sot: Përmendët që tani jemi në një stad të tërë procesit të liberalizimit të vizave. Kur sipas jush, mund të jetë finalja që të kemi liberalizim të vizave?

Avni Mazrreku: Nuk jam ithtar i asaj që të flas për vite, kam folur për këtë temë që nga viti 2009. Në vitin 2010 është folur për një periudhë prej 6 muajsh që do të hiqen vizat, atëherë kur Kosova as nuk i ka filluar negociatat me Komisionin Evropian. Nuk jam për të folur për afate, por një afat që mund të flitet është afati pas vendimit politik nga ana e këshillit të BE-së, mund të themi hipotetikisht që vendimi për heqjen e vizave për Kosovën mund të ndodh nesër, atëherë minimuni është 3 muaj kohë që të përgatitet hyrja në fuqi e atij vendimi politik. Mirëpo, për çfarëdo afati tjetër kohor që flasim para marrjes së këtij vendimi, është vështirë e parashikueshme sepse ne nuk e dimë qëndrimin e shteteve për një çështje që ka të bëjë me politikën e jashtme të shteteve, pasi ai vendim mund të ia afektojë lëvizjet e jashtme një shteti. Ministri i brendshëm e sheh nëse liberalizimi i vizave për Kosovën afekton shtetin e tij dhe voton pro ose kundër. Për këtë ministria e jashtme, ajo e integrimeve, zyra e presidentit dhe mekanizmat tjerë të lobojnë në funksion të këtyre temave sepse në fund janë shtetet që votojnë pro ose kundër.

Bota sot: Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga QKSS del se Rusia ka ndikim në Kosovë. Si mund të reduktohet ky ndikim?  

Avni Mazrreku: Reduktimi i ndikimit rus në rajon në përgjithësi, por në Kosovë në veçanti ndodh vetëm duke pasur institucione shtetërore efikase, përgjegjëse për detyrat që ato i kanë. Ne e kemi pak vështirë ta tregojmë se çka është interes rus por nga një pikëpamje e përgjithshme, interesi rus është që Ballkani perëndimor të jetë jostabil në planin juridik dhe ekonomik. Andaj nuk mund të themi se jostabiliteti vjen nga ndikimi rus pasi për këtë mungon edhe efikasiteti i institucioneve të Kosovës. E nëse e shtrojmë pyetjen hipotetike se Rusia a e ka të studiuar këtë situatë në Kosovë, përgjigja ime do të ishte po dhe në qoftë se shteti rus e përdor këtë fragjilitet institucional në Kosovë në funksion të destabilizimit të mëtutjeshëm, nuk hezitoj që të them po. E dimë që Rusia e ka penguar dhe vazhdon ta pengojë anëtarësimin e Kosovës dhe shtetformimin, për shkak se Kosova është shtet i dështuar, nuk mund të funksionojë si shtet sepse nuk ka institucione të forta. Rusia ka penguar Malin e Zi për tu anëtarësuar në NATO dhe kështu bën edhe me Kosovën, dhe sa më shumë që e man peng Rusia njohjen e Kosovës nga 5 shtetet dhe që politika e Jashtme e Kosovës të mos lobojë, atëherë vazhdon ndikimi rus.

Bota sot: Kosova ka gjithsej 114 njohje. Sa janë të mjaftueshme kaq për 10 vjet shtet?

Avni Mazrreku: Edhe kjo çështje ka pasur qasje deklarative. Dimë Mali i Zi ka pasur vetëm 62 njohje por është anëtarësuar në Kombet e Bashkuara. Në gjithë këtë mendoj se ka ndikuar ish ministri i jashtëm Enver Hoxhaj duke e trumbetuar suksesin e politikës së jashtme që na ka arritur një njohje nga ky apo ai vend dhe njohjet nuk mund të thuhen sukses, pasi sovraniteti i vendit artikulohet nga roli i shtetit në organizata ndërkombëtare, e këtu Kosova ka dështuar. Kosova ka dështuar të anëtarësohet në UNESCO, nuk është anëtarësuar ende në Këshillin e Evropës, nuk është anëtare e asnjë organizate të rëndësishme, përveç dy organizatave financiare, që kanë ardhur si rezultat i ndikimit amerikan dhe që duhet tu falënderohemi shtetit amerikan e që janë FMN dhe Banka Botërore. Kemi dështuar në anëtarësimin në UNESCO dhe ende nuk kemi raporte normale me BE-në, pasi BE nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, për shkak të fusnotës. Edhe SHBA janë të fuqishme sa kanë ndikim dhe rol në organizata ndërkombëtare. Serbia e ka penguar Kosovën në anëtarësimin në UNESCO, e ka penguar me këtë fusnotën e famshme të Edita Tahirit dhe në çdo anëtarësim tjetër. Sikur Kosova të ishte pjesë e këshillit të Evropës, nuk do të kishte nevojë për gjykatën Speciale, pasi Këshilli i Evropës e ka një gjykatë që quhet gjykata evropiane për të drejtat e njeriut, që ka trajtuar raste të ngjashme, do të mund të trajtonte edhe këtë çështje dhe Kosova nuk do ta kishte këtë ngarkesë. Pra, nuk po them që 114 njohje nuk e kanë asnjë lloj vlere por nuk janë determineusi kryesor i sovranitetit të Kosovës në politikën e jashtme. Determinuesi kryesor është anëtarësia e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Bota sot: Si e komentoni çështjen e “tërheqjes” së njohjeve që nuk u sqarua sa duhet nga MPJ-ja e u trumbetua nga Serbia?A mund të ndodhë tërheqja e njohjeve?

Avni Mazrreku: E drejta ndërkombëtare nuk është e drejtë e kodifikuar. Çështja e tërheqjes së njohjeve nga shtetet nuk është e sanksionuar me të drejtën ndërkombëtare. Praktika ndërkombëtare deri tani nuk e kanë njohur aktin e tërheqjes së njohjes dhe nuk preventohet kjo mundësi që ta përdorin shtetet. Por ne kemi parë praktika jo të mira, që janë edhe tragjike ose dështim total i segmenteve tona të politikës së jashtme, ku kemi pasur shtete që edhe pse e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Rasti i Japonisë dhe Polonisë janë shokuese, ku këto dy shtete që e kanë njohur Kosovën por kanë votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Bota sot: Një mesazh për lexuesit e gazetës “Bota sot” për vitin e ri 2018...

Avni Mazrreku: Gazeta “Bota sot” ka qenë një ndër gazetat e para që e ka informuar opinion publik të Kosovës, edhe para luftës edhe pas luftës dhe vazhdon të jetë një nga gazetat më kredibile në Kosovë. Unë i përshëndes të gjithë lexuesit tuaj dhe u uroj festat e fundvitit, bashkë me stafin e juaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat