Deputetja e LDK-së flet për zbulimin e vrasjeve politike, tregon qëndrimin e LDK-së për demarkacionin

Intervista

Deputetja e LDK-së flet për zbulimin e vrasjeve politike, tregon qëndrimin e LDK-së për demarkacionin

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 27 janar 2018 Në ora: 10:51
Valentina Bunjaku Rexhepi

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi, konsideron e se vrasjet e pasluftës janë njolla e zezë e vendit. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ajo ka deklaruar se këtë njollë nuk mund ta largojnë ata që kanë bërë krime dhe sot janë në pushtet”. Deputetja Bunjaku Rexhepi, vlerëson se Qeveria Haradinaj, do ta rrezojë vetveten.

”Bota sot”: Kur do të fillojë LDK-ja mocionin e saj për rrëzimin e Qeverise Haradinaj?

Valentina Bunjaku Rexhepi: LDK-ja siç e dini është partia e cila interesat e vendit dhe ato qytetare i shqyrton dhe i vendos para atyre partiake. Ne si opozite përcjellim dhe vlerësojmë punën e qeverisë, kritikojmë dhe sugjerojmë punën e saj. Qeveria Haradinaj, qartë po shihet se nuk e ka prioritet zhvillimin e vendit, integrimin e saj në bashkimin evropian  dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbyll sytë para kësaj gjendjeje. Mocionin për rrëzimin e saj do ta fillojmë në momentin kur të kemi numrat, por si duket kjo qeveri do ta rrezojë vetveten, në këtë rast po mendoj me partnerët qeverisës.

”Bota sot”: A  prisni mbështetjen e VV-së?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Opozita gjatë mandatit të kaluar, bëri gjithçka për të rrëzuar qeverinë Mustafa. Vetëvendosje në atë mandat pati rolin dominant duke përdorur veprime të dëmshme për vendin. Ata përdoren mjete dhune, forcë të paparë dhe ne ishim dëshmitarë të asaj katrahure, qëllimi i të cilave veprime solli rrëzimin e saj, kthim mbrapa dhe një gjendjet të re tani. LDK nuk mundet të veprojë më metoda të njëjta, ne kemi program dhe parime tjera të cilat janë institucionale, ndërsa tani edhe në Vetëvendosje nuk është i njëjti qëndrim. Institucionet e vendit krijohen, vetëm në metoda të mirëfillta dhe demokratike andaj edhe mbështetja e VV karshi LDK-së mund të bëhet vetëm në parime të tilla dhe në asnjë formë tjetër.

”Bota sot”: Si e komentoni 100 ditëshin e qeverisë Haradinaj?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Qeverisja Haradinaj, dëshmoi për 100 dite dështimin e saj. Shumë skandale, favore partiake dhe forma degraduese të zhvillimit. Vetë mënyra e formimit të saj nënkuptoi se sa e qëndrueshme mund të jetë. Janë bërë banale me emërimet e numrit rekord të ministrave, zv. ministrave, bordet e shumta nëpër ndërmarrje publike. Rritja e pagave në kundërshtim me realitetin qytetarë, shpenzimet enorme nëpër festa e gjithçka tjetër. Çdo ditë presim ndonjë skandal të radhës dhe e gjithë kjo gjendje ka një emërues të përbashkët, Dështim.

”Bota sot”: Pse LDK-ja nuk e ka formuar ende një komision që heton vrasjet e pasluftës?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Vrasjet e pasluftës janë plaga më e rendë e LDK-së dhe e vendit në epokën e re. Dora e zezë me vrasjet e njerëzve dhe veprimtareve  më të çmuar i dha një goditje të rëndë vendit. LDK nuk e besoj që mundet pa faktorin ndërkombëtar të formoj një komision për hetimin e këtyre vrasjeve. Një komision i tillë, nuk ka mundur të kryejë një mision të tillë derisa kriminelet enden të lirë kudo, madje urdhërdhënësit e tyre si duket gjenden edhe nëpër institucione të vendit. Ne nuk mundemi të paragjykojmë përderisa drejtësia ndërkombëtare nuk e merr në dorën e saj dhe në bashkëpunim me vendorët të kryejë këtë mision të shenjtë, si duket vendimtar për të ardhmen tonë dhe të vendit.

”Bota sot”: A nevojiten reforma në LDK për të dalë partia e parë në vend?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Reformat në LDK janë imperativ i kohës. Vetëm LDK si parti e dëshmuar institucionale, akademike dhe shtet formuese është në shërbim të vendit dhe zhvillimit të saj. Mos të harrojmë, se përgjatë ecjes së saj ajo pati shumë barrikada, vrasjet dhe atentatet ndaj kryetarit historik Ibrahim Rugova dhe veprimtarëve tjerë asnjëherë nuk e thyen, asnjëherë nuk e zmbrapsen edhe pse e dëmtuan. LDK me vdekjen e kryetarit Rugova humbi primatin si parti e parë përkohësisht dhe bëri reforma brenda saj, në lidershipin e saj. Ajo mbetet parti e hapur për njerëzit e rinj inovativ dhe të dëshmuar të cilët kanë hapësirën e tyre brenda orientimit të saj. Statusi i LDK dhe programi i saj nuk lejon që të dilet nga fryma zhvillimore, shtet ndërtuese dhe avancuese. Hierarkia e LDK -së punon vazhdimisht që organet e saj, trupat strukturale dhe Këshilli i përgjithshëm të freskohet me anëtarë të rinj të cilët e ruajnë identitetin e saj nëpër epoka të ndryshme. LDK është dhe do të mbetet parti e parë në vend në interes të qytetareve dhe kjo është dëshmuar ne kontinuitet.

”Bota sot”: Çka ndikoi që LDK-ja të dalë e para në zgjedhjet lokale, me gjithsej 8 komuna të fituara?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Ishte vendim i kryetarit Mustafa dhe kryesisë që kryetarët e komunave ku qeverisen mire dhe patën perfomancë të shkëlqyeshme të vazhdojnë edhe për një mandat te ri. Ishte vendim i qëlluar sepse kandidatët e LDK-së ishin pa asnjë afër korruptove, pa asnjë vërejtje serioze dhe arsyetuan punën e tyre nëpër komuna. Realisht kemi pritur rezultate edhe më të mira por qytetaret dhanë verdiktin e tyre. LDK mbeti partia më e madhe në vend në zgjedhje lokale me 8 komuna. Prishtina gaboi që nuk zgjodhi një kandidat të ri të dëshmuar edhe pse fitues moral ishte Arban Abrashi. Na mbetet të punojmë për alternativat e reja në zgjedhjet e ardhshme.

”Bota sot”: Cili është qëndrimi i LDK-se për demarkacionin dhe cilin version do ta votoje kjo parti?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Grupi Parlamentar  i Lidhjes Demokratike të Kosovës në koordinim do ta shqyrtojnë propozimin e qeverisë Haradinaj për Demarkacionin dhe do të vendos njëzëri. Një dihet se demarkacioni tashmë i famshëm ishte alibi për ardhje në pushtet e z. Haradinaj dhe jo patriotizëm i shpërfaqur sikur aludohet. Ne nuk kemi iniciuar dhe as përgatitur propozimin e komisionit të kaluar. Kjo dihet se ka ardhur nga z. Thaçi dhe pas analizave të detajuara ishte dashur të votohet nga deputetet e mandatit te kaluar. Ndodhen ngjarjet tashme të ditura për opinionin dhe demarkacioni si shumë çështje tjera me rëndësi për vendin kanë mbetur pezull, jo për LDK-në. LDK asnjëherë nuk do të bllokojë çështjet vitale në interes të vendit dhe asnjëherë nuk mund të bëhet kurban i dëshirave personale të cilitdo politikan në dëm të popullit.

”Bota sot”: Buxheti i vitit 2018 nuk pati shume përkrahje për regjionin e Anamoraves, si komentohet kjo?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Me ndërrimin e qeverise ndërruan edhe projektet te cilat u iniciuan nga qeveria Mustafa ne drejtim te Anamoravës.Si deputete nga kjo ane ngrita zërin aty ku pata mundësinë dhe  megjithatë me përkrahjen edhe te disa tjerëve u munduam te marrim atë që meritojmë. Anamorava nuk mund të anashkalohet si regjion sepse nuk është e drejte kur dihet kontributi i qytetarëve të kësaj ane .Ka kaluar koha e rajonalizmit të vendit dhe ndarjes së padrejtë të buxhetit. Megjithatë, Gjilani dhe Anamorava presin që qeveria të kryeje obligimet e saj ashtu siç janë zotuar dhe detyrimet tona si deputetë nuk do të mungojnë do të vazhdojmë të mbesim zëri i arsyes dhe mbrojtjes së barazisë buxhetore në kuvend.

”Bota sot”: LDK-në Gjilan e fitoi bindshëm komunën me një rezultate te larte, a ndikoi puna e vazhdueshme e Lufti Hazirit në këtë komunë?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Kryetari Haziri me punën e tij mori edhe një mandat qytetar. Angazhimi i tij është i pamohueshëm dhe fitorja në Gjilan ishte e pakontestueshme. Gjilani pret që në mandatin e radhës ti prek frytet e punëve të mira ne Gjilan, investimet kapitale dhe orientimi kah një Gjilan Evropian janë synime ne mandatin e radhës. Gjilani vazhdon të mbetet kryeqytet i kulturës, sportit dhe qetësisë ndëretnike. Gjilani vazhdon të jetë qytet i bashkëpunimit me qendrat e mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjilani vazhdon të mbetet qytet i LDK-së dhe i qytetarëve që jetojnë e veprojnë në të.

”Bota sot”: A është e kapur drejtësia nga pushtetarët znj. Rexhepi pasi qe ajo nuk po merret me vrasjet e pasluftës?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Drejtësia nuk guxon të kapet as nga pushteti as nga pushtetarët. Vrasjet e pasluftës janë njolla e zeze e vendit. Këtë njollë nuk mund ta largojnë ata që kanë bërë krime dhe sot janë në pushtet. Përderisa ende nuk është zbardhur as edhe një rast i vrasjeve politike, humbja e besimit qytetarë dhe  faktorit ndërkombëtar si dhe mundësisë së punës së pavarur nga organet gjyqësorë, e pandikuar nga politika dhe pushteti, konform kushtetutës së vendit. Drejtësia mund të bëhet promotori i kthimit të shpresës së venitur të këtij vendi gjithmonë nëse pushteti largon duart nga ndikimi dhe veprimi në punën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat