Deputeti i Vetëvendosjes tregon prapaskenat e përçarjes, konfirmon ndarjen në dy grupe - Bota Sot
Deputeti i Vetëvendosjes tregon prapaskenat e përçarjes, konfirmon ndarjen në dy grupe

Intervista

Deputeti i Vetëvendosjes tregon prapaskenat e përçarjes, konfirmon ndarjen në dy grupe

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 29 janar 2018 Në ora: 07:53
Faton Topalli

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli, tregon se partia e tij nga e cila kohë më parë dha dorëheqje nga të gjitha pozitat në kryesi, është duke shkuar drejt ndarjes. Topalli, po ashtu ka treguar se mënyra se si u trajtuan dorëheqjet nga postet brenda partisë, vrazhdësia dhe fyerjet që u bënë të dorëhequrve, tregon nëse vërtet ka pasur dhe ka vend për tu trajtuar pakënaqësitë dhe për tu zhvilluar reformat brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka mohuar se ekziston grupi i Dardan Molliqajt, por nuk e ka mohuar edhe idenë e krijimit të grupit parlamentar të vetëm të deputeteve, të cilët kanë dhënë dorëheqje nga pozitat në parti por jo edhe nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Bota sot: Na thoni si erdhi deri tek përçarjet në Vetëvendosje dhe a ekziston me të vërtetë grupi i Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt?

Faton Topalli: Ka kohë që në Lëvizjen Vetëvendosje, si brenda Kryesisë ashtu edhe Grupit Parlamentar ka pasur pakënaqësi për çështje të ndryshme. Mjerisht nuk janë krijuar asnjëherë kushte që këto pakënaqësi të adresohen. Sikur të kishte pasur vullnet politik për t’i zgjidhur ato, dallimet nuk do të ishte dashur të nxirreshin në publik. Mënyra se si u trajtuan dorëheqjet nga postet brenda partisë, vrazhdësia dhe fyerjet që u bënë të dorëhequrve, tregon nëse vërtet ka pasur  dhe ka vend për tu trajtuar pakënaqësitë dhe për tu zhvilluar reformat brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Grupi i Dardan Molliqajt nuk ekziston. Ekziston një numër i konsiderueshëm deputetësh dhe anëtarësh të kryesisë që nuk pajtohen me zhvillimet dhe që duan reforma. Këta aktualisht nuk janë grup, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëhen i tillë.

Bota sot: Ju keni dhënë dorëheqje nga gjitha pozitat në kryesinë e Vetëvendosjes, na tregoni pse erdhi deri tek kjo dhe çka saktësisht keni menduar më këtë?

Faton Topalli: Unë nuk kam qenë anëtar i Kryesisë, por Drejtues i Komitetit për Politika Sociale. Në kohën kur unë kam dhënë dorëheqje është folur shumë se ne gjoja e kemi vetëm për pushtet. Në fakt është e kundërta. Me dorëheqjen time kam dashur tu them të gjithëve se nuk e kam për pozitë. Ju që i doni pozitat, merrini. Në të njëjtën kohë kam dashur të jap sinjale se jam i pakënaqur me zhvillimet, se ka nevojë për demokratizim, ka nevojë për reforma. Me këtë kam dashur ta shtoj presionin ndaj të gjithë atyre që nuk duan ndryshime, që nuk duan reforma. Se çfarë do të thotë të mendosh ndryshe brenda Lëvizjes Vetëvendosje, sa kanë vend mendimet ndryshe u pa nga reaksionet që erdhën pas dorëheqjes së Aida Dërgutit dhe dorëheqjeve të mëvonshme.

Bota sot: Ju keni qenë ndër të parët që keni reaguar kundër linçimit të Aida Dergutit, na thoni keni qenë në krahun me Aides apo pse e keni mbrojtur?

Faton Topalli: Aida nuk ka pasur krah politik. Prandaj dhe nuk mund të thuhet se kam qenë krahu i sajë. Unë kam reaguar sepse nuk kam mundur ta duroj padrejtësinë. Në fakt nuk e kam mbrojtur fjalorin e saj karshi Albin Kurtit, ashtu siç nuk e ka mbrojtur as ajo vet. Unë kam dalë në krah të Aida Dergutit dhe mbështetje të saj karshi atyre që e kanë fyer, sharë në mënyrë të tmerrshme. Kjo është më së paku që kam mundur të bëj në shërbim të drejtësisë.

Bota sot: Na shpjegoni a ekziston mundësia që ju që keni të keni dhënë dorëheqje nga pozitat brenda LVV-së, por që vazhdoni të jeni deputetë dhe të bëni grup parlamentar?

Faton Topalli: Në pozitat brenda Partisë jemi zgjedhur me vullnetin e aktivistëve. Si deputet jemi zgjedhur me vullnetin e qytetarëve. Kjo është edhe arsyeja pse unë do ta mbaj pozitën e deputetit.  Se a do të krijojmë një grup parlamentar varet se sa dhe si do të koordinohemi. Gjasa që të themelojmë një grup të ri parlamentar është e madhe.   

Bota sot: Ka pas dhe vazhdon të këtë kundërthënie  në deklaratat e zyrtareve të Vetëvendosjes sa i përket kandidimit të Albin Kurtit, çka mendoni ju për ketë, a mund të jetë Kurti i pa zëvendësueshëm?

Faton Topalli: Sikur ta pyesni Albin Kurtin se a është i pa zëvendësueshëm, për aq sa unë e njoh, jam shumë i sigurt se ai do të ju thoshte se secili njeri është i zëvendësueshëm. Pra edhe z. Kurti është i zëvendësueshëm. Për tri vite ai nuk ishte në krye të Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë kësaj kohe nuk ndodhi asnjë e keqe, përkundrazi ne u rritëm 100%. Albin Kurti mund të ishte i pazëvendësueshëm në ndalimin e linçimeve publike dhe në ruajtjen e unitetit brenda LVV. Nuk do të ishte përmbysur bota politike e askujt nëse ai, për shkak të rrethanave do ta këmbente të qenurit kryetar me një lëvizje të bashkuar dhe reformuar. Kjo vetëm sa do të ja rriste kredibilitetin dhe besueshmërinë politike. Por ndodhi ajo që unë nuk e prisja. Albini kandidoi nga burgu dhe pa bashkërenditur veprimet me ata me të cilët kishte vepruar bashkë për më shumë se 10 vite. Albini heshti dhe nuk u distancua nga ata që linçuan publikisht kuadrot kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje. Dhe më e keqja, për mendimin tim, e pat më të lehtë ndarjen, dobësimin e Lëvizjes Vetëvendosje, se sa heqjen dorë nga posti i Kryetarit.

Bota sot: A mendoni se krizat dhe përçarjet brenda VV-së mund të ndikojnë shumë në numrin e votuesve tuaj?

Faton Topalli: Nuk e di. Nëse kemi ndarje, besoj që numri i përgjithshëm i njerëzve të pakënaqur që përkrahin subjekte si LVV apo të ngjashme do të rritet. Ndarja do të ndikoj që asnjëri nga dy subjektet e mundshme të mos jetë i pari, por që të dy subjektet së bashku të kenë vota më shumë se aktualisht Lëviza vetëvendosje.

Bota sot: Në kohen kur Vetëvendosje nuk është duke kaluar ditët e saj më të mira, a mendoni se deputetët e saj, janë të gatshëm të kundërshtojnë çështje të mëdha në Kuvend si demarkacioni apo asociacioni i komunave serbe?

Faton Topalli: Unë kam besim se në çështjet madhore qëndrimi do të jetë i njejtë.

Bota sot: Si e sheh të ardhmen e vetëvendosjes në tersi?

Faton Topalli: Lëvizja Vetëvendosje po shkon drejt ndarjes. Kjo është e dhimbshme sepse po ndodh në kulmin e rritjes së saj. Shpresoj dhe uroj që Lëvizja Vetëvendosje, me mua, apo pa mua, të reformohet sepse ka nevojë për reforma. Pa reforma ajo do të vjen vazhdimisht duke u zvogëluar.

Bota sot: Çfarë mendimi keni sa i përket tentimit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Faton Topalli: Ishte një aksion i pa menduar mirë dhe i koordinuar keq. Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet sepse z. Thaçi e siguroi veprimin e saj duke e bërë element të kushtetutës.  Për themelimin e saj ai mori mbështetjen e minoritetit serb. Këtë mbështetje nuk e ka për shfuqizimin e saj, prandaj dhe reagimi vjen i vonuar dhe me pasoja të rënda për vendin.   

Bota sot: A është Vetëvendosje e ndarë në dysh edhe sa i përket kësaj çështjeje?

Faton Topalli: Mendoj që nuk ka mendime të ndryshme edhe pse Kryesia dhe Grup Parlamentar nuk kanë votuar lidhur me këtë çështje.  Me sa shoh unë nuk do të ketë nevojë, pasi që Gjykata Speciale është dërguar në qeveri për mendim  nga Kryesia e Kuvendit dhe si duket qeveria do të shprehet kundër tërheqjes së ligjit.

Bota sot: Sa jeni të koordinuar me pjesën tjetër opozitare,kundrejt veprimeve të Qeverisë?

Faton Topalli: Mendoj që a shumë vend për një koordinim më të mirë. Kësaj radhe potenciali i opozitës është shumë i madh. Në rrethanat ekzistuese opozita ka mundësinë që ta detyojë qeverinë që të lëshoj pe në shumë çështje dhe këtë mund ta realizoj vetëm nëse koordinohet mirë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test