Armend Zemaj flet për dëshminë tronditëse të Shkumbin Mehmetit, tregon çfarë pret nga Gjykata Speciale

Intervista

Armend Zemaj flet për dëshminë tronditëse të Shkumbin Mehmetit, tregon çfarë pret nga Gjykata Speciale

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 4 shkurt 2018 Në ora: 15:31
Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, konsideron se tendenca që të shfuqizohet Ligji për Dhomat e Specializuara, pa dyshim se është çështja më e dëmshme që po i ndodh Kosovës që nga pas lufta. Gjatë një interviste ekskluzive për Gazetën “Bota sot”, Deputeti Zemaj, thotë se koalicioni aktual qeverisës nuk do të mund të mbijetojë gjatë.

Duke folur lidhur me dëshminë e dëshmitarit Shkumbin Mehmeti, Deputeti Zemaj, thotë është tronditëse për një shtet që pretendon të jetë ligjor kur ka dëshmi publike, ndërsa në anën tjetër duket se tentohet të krijohet heshtje dhe anashkalim i vërtetësisë se këtyre dëshmive.

“Bota sot”:  Z. Zemaj, na thuaj diçka aktualisht për veten tuaj. Si e shihni kontributin e juaj në legjislativin e vendit? A keni dhënë maksimumin si deputet por edhe si LDK?

Armend Zemaj: Pozita e deputetit është pozitë shumë dimensionale dhe kërkon punë, angazhim dhe përkushtim. Kjo gjithmonë duke pas parasysh se pozita e tillë paraqet edhe detyrimet si përfaqësues i qytetarëve të vendit. Andaj, çdo angazhim qoftë në aspektin e ligjvënësit, përfaqësuesit dhe mbikëqyrësit të ekzekutivit dhe organeve të cilat janë në kompetencë të Kuvendit konsiston në atë se nuk matet me minimum apo maksimum por me përgjegjësi permanente në përmbushjen e obligimeve para qytetareve të vendit për një jetë më të mirë, por edhe për një Kosovë më të fuqishme në të gjitha sferat. Personalisht, nuk mendoj se duhet të bëj unë vlerësimin për veten, janë qytetarët, votuesit ata që japin ketë mendim. Unë mendoj se puna jonë tani më është më e strukturuar si Grup parlamentar i LDK-së, është me dinamike, me shumë vlerë dhe konsistencë politike për të ndryshuar gjendjen për së miri por edhe për të dhënë alternativa që përmirësojnë atë që ne e theksojmë si mungesë dije e kësaj qeverie që të bëj punë të mira për vendin tonë.

“Bota sot”:  A janë krijuar kushtet që LDK-ja të rikthehet fuqishëm si partia e parë në pushtet, pas përçarjes së VV-se, fillimit të përçarjes në PDK?

Armend Zemaj: Lidhja Demokratike e Kosovës, nga zgjedhjet e fundit ka dalë subjekti më i votuar në vend, kjo është tregues se besimi i qytetareve të Kosovës po rritet karshi saj. Kohëve të fundit vërehet edhe motivimi i elektoratit të LDK- së duke parë kompaktësinë e GP të LDK- së , reflektimin e qëndrimeve të cilat tregojnë strategji mobilizuese dhe efikase për një Kosovë e cila do duhej të dukej ndryshe nëse udhëhiqej nga LDK – ja. Si grup parlamentar kemi shtuar angazhimin tonë në mënyrë që LDK- ja të ecë me ketë dinamikë e cila sigurisht fuqishëm do renditet si subjekti më i përkrahur në të ardhmen e afërt. Thënë më ndryshe LDK –ja tani më është e vetmja alternativë serioze që duhet të udhëheqë me vendin.

“Bota sot”: Në agjendën e kuvendit ka një tentativë që sërish të futet Gjykata Speciale. Sa mund ta dëmtojë kjo vendin?

Armend Zemaj: Tendenca që të shfuqizohet Ligji për Dhomat e Specializuara pa dyshim se është çështja më e dëmshme që po i ndodh Kosovës që nga pas lufta. Tendenca e tillë, pa dyshim se ka edhe konsekuenca ndërkombëtare, por, kjo tregon edhe se kjo mazhorancë nuk ka aftësi të trajtoj çështje të ndjeshme. Për më tepër, kjo qeveri nuk ka guxim të tregoj se ky vend përballet me çfarëdo lloj drejtësie dhe nuk frikohet nga e kaluara. Nëse vazhdohet me atë çka kemi parë natën e 22 dhjetorit atëherë është më se evidente se këta individ që bartin përgjegjësin e udhëheqjes së institucioneve kanë vënë interesat individuale para interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kosova nuk ju ka borxh këtyre njerëzve, e aq më pak populli i cili vuan nga zhvatja, korrupsioni dhe pasurimi pikërisht i këtyre njerëzve që tentojnë të rikthejnë ligjet duke ju përshtatur interesave të tyre. LDK ka treguar kujdes dhe maturi ndaj këtyre veprimeve të papërgjegjshme, të ndikuara dhe të cilat kanë krijuar klime mosbesimi edhe nga partnerët e fuqishëm ndërkombëtar.

“Bota sot”: Mendoni se mandati i kësaj legjislature do të shkojë deri në fund?

Armend Zemaj: Është situate goxha komplekse. Nëse shohim se si është formuar ky koalicion dhe se si po udhëheq me vendin do të ishte dashur të dorëhiqej qysh moti. Marrja e shumë vendimeve të paligjshme, krijimi i një klime të disfavorshme për biznes dhe investime dhe mbi te gjitha krijimi i një qeveri megalomane, e cila është vetëm gangrenë e buxhetit te Kosovës e jo qeveri e cila zhvillon vendin tregon për mënyrën e qeverisjes së këtij koalicioni. Rrjedhimisht, ky koalicion nuk do mund të mbijetoj deri në fund. Por, ekziston edhe ana tjetër e medaljes, plotësimi i interesave të ngushta të lidershipit të koalicionit mbi bazën e të cilave edhe kanë formuar këtë koalicion mund të vazhdoj deri në përmbushjen e tyre dhe kjo sigurisht paraqet fatkeqësi për vendi dhe qytetarët.

“Bota sot”: Sa janë reale mundësit e rrëzimit të kësaj Qeverie bashkë me LV kur në këtë të fundit vërehet një ndarje e brendshme?

Armend Zemaj: Mendoj se duhet të ketë koordinim më të shtuar opozitar, është e vërtetë se zhvillimet në VV kanë bërë që të duket se janë zmbrapsur nga krijimi i një fronti opozitar te përbashkët për shkurtimin e jetës së kësaj qeverie të keqe, andaj shpresoj se në ditët në vijim do kemi hapa me të koordinuar dhe njëherit të qartësuar se a janë të gatshëm të jenë pjesë e këtij angazhimi çfarë pasqyron LDK-ja.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga Gjykata Speciale?

Armend Zemaj: Ka pas dhe ka shumë paqartësi se çka në të vërtetë do ketë në juridiksion një gjykatë e tillë. Paqartësi kjo e cila vjen si pasojë e mos informimit të duhur nga institucionet relevante. Ajo çka e ka sjellë gjykatën speciale është edhe tregues se cilat janë edhe pritjet tona. Ndikimi politik në organet e drejtësisë, mos marrja e përgjegjësisë nga institucionet tona që të trajtojmë krimet e supozuara gjatë dhe pas luftës janë edhe faktor i cili e ka sjelle këtë gjykatë. Andaj ne kemi kërkuar që kjo gjykatë të trajtoj me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm atë qe e ka dëmtuar me së shumti Kosovën e pasluftës, vrasjet me motive politike të zyrtarëve, ushtarakëve dhe njerëzve te LDK-së. Ne mbetemi me shprese që më në fund ata që kanë kryer këto krime makabre të vihen para drejtësisë. Në rast se kjo  nuk ndodh kam frikë se Kosova prapë do të përballet me mosbesim, konflikte të brendshme dhe pasiguri.

 ”Bota sot”: Pas tentimit të shfuqizimit te Gjykatës Speciale, a po mbetet LDK-ja partia e vetme pro - perëndimore?

Armend Zemaj: LDK është me përcaktim proeuropian që në themelet e saj, është fat i mirë se kjo logjikë dhe trashëgimi bartet si pjesë e filozofisë së saj. Jo vetëm në këtë rast por në përgjithësi ne e shohim ecjen e Kosovës me miqtë tanë e atë sidomos me SHBA- atë dhe shtetet perëndimore si jetike . Asnjë veprim nuk na luhat nga ky rrugëtim sepse është edhe synim i jonë politik në integrimin e shtetit të Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

“Bota sot”: Si e komentoni deklaratën e dëshmitarit të Prokurorisë Speciale, se njerëz nga politika kanë ndikim në sistemin gjyqësor? A ka penguar kjo në zbardhjen e vrasjeve politike?

Armend Zemaj: Është mëse evidente se ndërhyrja në drejtësi është faktori kryesor i mos zbardhjes se vrasjeve me motive politike, edhe nga kjo dëshmi publike është treguar brishtësia e sistemit tonë të drejtësisë të cilat duken se nuk kanë guximin e ballafaqimit me hetimin dhe gjykimin e këtyre rasteve. Është tronditëse për një shtet që pretendon të jetë ligjor kur kemi dëshmi publike ndërsa në anën tjetër duket se tentohet të krijohet heshtje dhe anashkalim i vërtetësisë se këtyre dëshmive. Nuk mund të përkthehet ndryshe, vetëm si dështim nga i cili del treguesi se kriminelet që mund të shëtisin lirshëm në Kosovë janë më të fort se ligji. Kjo dëshmi duhet të marrë përgjigje nga organet e hetuesisë dhe sa më shpejtë të tregohen rezultatet e këtyre hetimeve.

“Bota sot”: Cilat janë gabimet dhe rezultatet e kësaj Qeverie sipas jush?

Armend Zemaj: Gabimet janë të shumta, është mungesa e pjesës programore, marrja e vendimeve Ad hock, shkelja e shumë ligjeve në fuqi nga vendimet skandaloze, sidomos me shpenzimin e parasë publike pa ndonjë kriter të rregullave financiare. Këto janë vetëm disa nga gabimet për cilat do të duhet të kishte edhe hetime penale. Shumë do dëshiroja që të renditja ndonjë rezultat i cili do kishte impakt në zhvillimin e Kosovës, por fatkeqësisht nuk ka. 

”Bota sot”: A duhet të ketë kushte të reja në rifillimin e dialogut të Brukselit?

Armend Zemaj : Duhet strategji e qarte, transparencë për bisedime por edhe afate nga te cilat do kishim një përfundim të implementimit të marrëveshjeve te arritura. Kemi shembuj nga e kaluara se marrëveshjet e arritura nuk janë implementuar. Andaj, nëse nuk përcillen këta hapa atëherë edhe rezultatet do mungojnë sidomos duke njohur rolin destruktiv te palës serbe ne këtë dialog.

“Bota sot”:  Asociacioni, Demarkacioni, dhe Dhomat e Specializuar janë lakuar që i janë vënë Kosovës në fyt. Si të zgjidhen këto probleme kur dihet se këtu gërshetohen plot interesa tjera që nuk janë në funksion të Kosovës?

Armend Zemaj: Janë të dukshme edhe në këtë formë, por janë obligime që duhet kryer në fuqizimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës. Kërkesa për konsensus nacional në temat që janë të interesit të përbashkët të Kosovës janë e vetmja mënyrë e zgjidhjes së tyre, ne jemi të vëmendshëm dhe insistues në këtë dhe se duhet lënë anash interesat e ngushta politike në raport me këto tema përndryshe edhe zgjidhja e tyre do jetë më e vështirë kushdo që do të jetë pjesë e vendimmarrjes.

“Bota sot”:  Kemi plote probleme që nuk po kanë zgjidhje, si situata e sigurisë, zhvillimi ekonomik, papunësia, korrupsioni, etj. Si e shihni ju dhe LDK-ja rrugëdaljen?

Armend Zemaj: Personalisht jam insistues se sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioritet nacional që të kemi Kosovë të sigurt dhe të zhvilluar, nga e cila do avancohej edhe ekonomia do ulej papunësia dhe do minimizohej korrupsioni, në kuadër te kësaj do krijohej imazh pozitiv se Kosova është vend i sigurte për të investuar. LDK po angazhohet që punët e mira nga qeverisja e kaluar të shtohen ndërsa po ashtu po insistojmë që përmes legjislacionit të krijojmë kushte më të favorshme për një shtet të zhvilluar. Por mendoj se e vetmja rrugëdalje është largimi i kësaj qeverie për të krijuar mundësinë që të vijnë në udhëheqje njerëz të dijshëm, profesional dhe pa hipoteka të këqija nga e kaluara, me një fjale njerëz me duar të pastërta.

“Bota sot”:  Vrasja e Ivanovçit e lëkundi sigurinë në Kosovë. Por a e meriton që të nderohet krimineli nga Qeveria Haradinaj?

Armend Zemaj: Çdo vrasje duhet dënuar, pa marrë parasysh se çfarë nacionaliteti bëhet fjalë, sikurse çdo krim duhet hetuar dhe dënuar në qasjen e njëjte. Është parë si vrasje, e cila ka pas tendencë që pjesa veriore e Kosovës të paraqitet si pjesë problematike në integrimin e saj, apo edhe elemente kriminale të japin mesazh se janë ata faktor që kontrollojnë atë pjesë të Kosovës. Ne duhet të insistojmë në zbardhjen e këtij rasti që së paku mos të lejojmë faktorët  anti-Kosovë që të paraqesin vendin tonë si të pasigurt për të jetuar, sidomos për komunitetet pakicë që jetojnë këtu.  Kjo qeveri tani me e ka humbur sensin se kënd duhet nderuar dhe kënd duhet respektuar, këtë dallim këta njerëz e kanë vështirë ta bëjnë duke marrë për baze interesat që ndajnë si koalicion qeveritar.

“Bota sot”:  Z. Zemaj sikur ju të zgjidheshit kryeministër, çka do bësh me pagën, a do ta rritësh edhe më tutje, apo do ta kthesh në nivelin e mundësive që ka buxheti i Kosovës, duke e ditur se gati 20% e popullatës jetojnë në varfëri të skajshme?

Armend Zemaj: Vendimi për rritjen e pagave të qeverisë në këtë forme tregon logjiken se si e trajton paranë publike kjo mazhorancë. Rritja e pakontrolluar e një burimi të pagave që shihet si luks qeveritar e dëmton vete institucionin por edhe krijon mosbesim në politikën tonë. Ky veprim mendoj se duhet të ndalohet, përndryshe do jetë njolla më e keqe e kësaj qeverie sidomos në aspektin e barazisë sociale. Mendoj se Kuvendi duhet të jetë me pro aktiv në parandalimin e këtij vendimi antiligjor të palogjikshëm dhe i cili është edhe i dëmshëm për krejt institucionet e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”:  Ku është LDK tani aktualisht brenda LDK-së? A rrezikoheni me mospajtime për kandidatët e mundshëm për të parin e partisë?

Armend Zemaj: LDK është stabile, e përkushtuar maksimalisht në fuqizimin e saj, me solidaritet të ndërsjelle dhe me krijimin e punës ekipore në të gjitha nivelet.

Nga kjo tregohet vlerë edhe kur vijë koha për kandidatë të mundshëm për të parin e partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat