Demarkacioni, liberalizimi, Asociacioni, Specialja, Tahiri propozon Qeveri teknike

Intervista

Demarkacioni, liberalizimi, Asociacioni, Specialja, Tahiri propozon Qeveri teknike

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 shkurt 2018 Në ora: 08:43
Ramush Tahiri

Shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale, Demarkacioni e liberalizimi i vizave janë çështje aktuale dhe mjaft të rëndësishme për vendin. Për këto dhe tema të tjera, në një intervistë për gazetën “Bot sot”, ka folur politologu Ramush Tahiri, i cili thotë se duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse, pasi kemi një qeveri që nuk gëzon popullaritet të brendshëm dhe jemi në një izolim ndërkombëtar.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Ramush Tahiri:
Gjendja aktuale politike në Kosovë edhe pse duket e qëndrueshme nuk është e kënaqshme për faktin se kemi në Qeveri të brishtë, që në Parlament mbahet vetëm për një votë më shumë, se kemi një koalicion si thotë populli të zorit, se kemi një Qeveri shumë të madhe në numra, pra me shumë ministra e edhe me më shumë zëvendësministra, me shumë këshilltarë dhe staf mbështetës që i kushton buxhetit të Kosovës por edhe që nuk sjell ndonjë cilësi në punë sepse janë marrë njerëzit sipas përkatësisë partiake dhe janë kryer obligimet e pazaret e partnerëve të koalicionit ndaj njëri tjetrit. Më shume kemi deklarative se sa punë programore dhe më shumë vendime të aty për atyshme se sa vendime të dala nga shkoqitja e një strategjie afatgjate, të zhvillimit apo politike apo tjetër. Kosova ka hyrë si asnjëherë përpara edhe në një mosmarrëveshje apo moskuptim me faktorin ndërkombëtar me BE-në dhe me SHBA-në, kemi deklaratat publike të ambasadave por edhe të përfaqësuesve të lartë shtetërorë, që tërheqin vërejtjen për trendet dhe për kahjet negative dhe jo të dëshirueshme nëpër të cilat po kalon shteti i Kosovës.

“Bota sot”: Së fundmi u tentua të shfuqizohej ligji për Gjykatën Speciale. Si e konsideron një veprim të tillë? A duhet të shfuqizohet ky ligj?

Ramush Tahiri: Tentimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të UÇK-së është ende aktual dhe në procedurë të rregullt. Nuk janë tërhequr nënshkrimet e 43 deputetëve dhe Kryesia e Kuvendit e ka dërguar lëndën për mendim dhe procedim në Qeveri, e cila në Kuvend mundet ta kthejë si Propozim ligj në Kuvend për shfuqizim të Ligjit të mëhershëm të vitit 2015 ose për ndryshim plotësim të Ligjit. Gjasat më të mëdha janë për shfuqizim sepse është më shpejtë, pa lexim të parë dhe të dytë dhe në kuvend duhet të jenë 61 deputetë për kuorum dhe të votojnë për 31 dhe puna kryhet. Opinioni politik është krijuar te këto parti për shfuqizim. E zakonshme do të ishte që Kuvendi të plotësojë e ndryshojë ligjet ose të miratojë ligje të reja sepse kjo edhe është puna e tij themelore por zakonisht kjo bëhet kur ka ndonjë arsye e argument dhe kur synohet të rregullohet dhe të përmirësohet ligji në fjalë ose kur kanë ndryshuar rrethanat dhe ligji duhet t’i përshtatet kohës dhe rrethanave të reja. Për rastin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asgjë të re nga ajo që ka qenë në kohën kur është miratuar, as në argumente, as në procedurë, as në përmbajtje apo në fushëveprim. Në këtë rast po del që vullneti i deputetëve është volontarë, i ndikuar politikisht e emocionalisht. Është në sovranitetin e shtetit dhe në dinjitetin e Kuvendit të merr çfarëdo vendimi, por gjithashtu duhet pasur parasysh pasojat përkatësisht dobitë dhe dëmet që sjellë një vendim i tillë në sferë e brendshme por edhe në planin e jashtëm, sidomos në marrëdhëniet me shtetet e tjera dhe me mekanizmat dhe me faktorin ndërkombëtar, sidomos me Bashkimin Evropian. Kosova ashtu si çdo vend tjetër duhet t’i kryejë obligimet që i ka marrë, aq më parë vullnetshëm.

“Bota sot”: Cilat janë procedurat në bazë të Kushtetutës për të shfuqizuar një ligj në Kuvend, në këtë rast atë të Speciales?

Ramush Tahiri: Procedurat janë të zakonshme si për shfuqizim ashtu edhe për plotësim-ndryshim të Ligjit. Ky është Ligj që nevojitet shumica e thjeshte e numrit të deputetëve gjatë votimit. Kushtetuta nuk preket sepse materia e Ligjit përkatësisht nuk është pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Në Kushtetutë është futur sistemi gjyqësor, pra dhomat e specializuara dhe mundësia e Kosovës për të themeluar një gjykatë të tillë që është permanente dhe parimore.

“Bota sot”: A mund ta destabilizojë kjo Gjykatë vendin?

Ramush Tahiri: Jo, asnjë gjykatë nuk sjellë destabilizim. Përkundrazi. Gjykata procedon dhe iu jep verdiktin ligjor krimeve të caktuara e konkrete dhe individëve të caktuar. Ballafaqimi është në bazë të fakteve dhe provave. Drejtësia duhet të vihet në vend dhe ky është parim themelorë dhe i drejtë që asnjë krim të mos mbetet i pandëshkuar dhe që asnjë kriminel të mos i shpëtojë drejtësisë dhe pa u përgjigjur dhe pa e marrë dënimin e merituar për veprimet e veta. Gjykatat janë të pavarura dhe politika duhet të mbetet jashtë tyre. Gjykata sjellë drejtësinë dhe nuk e qan kokën si thuhet për pasojat apo për ndikimet politike. Askush nuk është mbi ligjin. Asnjë individ që preket nga Gjykata, nuk mund të fshihet prapa politikës e të thirret apo të tentojë destabilizim të rrethanave shoqërore e as të thirret apo të nxisë përkrahjen qytetare e popullore. Provat e ballafaqimi bëhet në Gjykatë e jo në mesin e popullit.

“Bota sot”: Çështja e Demarkacionit vazhdon të jetë e pazgjidhur. Sa ka shpresë që të zgjidhet kjo çështje dhe cila është zgjidhja sipas jush?

Ramush Tahiri: Demarkacioni është një çështje e politizuar skajshëm pa argumente dhe i shfrytëzuar për qëllime meskine. Demarkacioni forcon dhe dëshmon sovranitetin dhe integritetin territorial te një shteti. Nuk ka asnjë interes dhe nuk ka asnjë vullnet e dëshirë që Mali i Zi t’i marr territor Kosovës e as Kosova t’i marrë territor Malit te Zi. Kjo as që është e mundur të bëhet. Këtu po flitet për 82 kilometra katror që kinse i janë marr Kosovës, dhe kjo është shumë si territor për të qenë gabim. Me Maqedoninë ishte çështje tjetër sepse të gjithë ata deputetë që hynë në histori me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës vet e patën një fjali se Kosova e shpall pavarësinë në kufijtë e vitit 1988 përveç pjesës që është sipas marrëveshjes së Jugosllavisë e Maqedonisë në vitin 2001. Pra me vetëdije e pranuan jurisdiksioni e Serbisë dhe Kosovës i humbën territor. E vetmja zgjidhje e drejtë është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin ne Kuvendin e Kosovës. Dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë unanime. Me këtë deputetët dëshmojnë një përkushtim dhe një përgjegjësi të lartë dhe hapin rrugën e plotësimit të njërit prej kushteve për liberalizim të vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës që mbetën padrejtësisht të izoluar.

“Bota sot”: Sa mendoni që ka gjasa të kemi zgjedhje të parakohshme këtë vit?

Ramush Tahiri: Në kushtet në të cilat është tash Kosova, pa një perspektivë të qartë me mospajtimet e thella në shoqëri me një qeverisje që nuk gëzon popullaritet as të brendshëm por veçanërisht në rrethanat e izolimit ndërkombëtar, pas mosmarrëveshjeve e mospajtimeve për demarkacionin për Gjykatën Speciale, duket se zgjidhje do të ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të lira dhe të ndershme që do të nxirrnin një rirenditje të re të partive politike dhe në këtë bazë një koalicion tjetër qeverisës me një legjitimitet më të madh dhe me një përkrahje të njëmendët e të besueshme ndërkombëtare. Mirëpo, për të mundësuar zgjedhjet do të duhej një mirëkuptim ndërmjet të gjitha partive politike në Kuvend, që në zgjedhje të shkohet paqësisht dhe jo me dorëheqjen e imponuar të Kryeministrit ose me rrëzim me votëbesim në Kuvend të qeverisë edhe pse të gjitha këto rrugë janë ligjore dhe proceduralisht në rregull dhe demokratikisht e pranueshme. Sikur të kishte ndërgjegje të mirëfilltë politike, atëherë udhëheqësit, liderët dhe partitë parlamentare do të merreshin vesh për një Qeveri teknike dhe gjithëpërfshirëse. Kjo do të punonte dhe do t’i çonte çështjet përpara sipas një programi efektiv të miratuar nga të gjithë në Kuvend. Duke i përfunduar të gjitha çështjet që tash e sa kohë presin zgjidhje pra demarkacioni, asociacioni, bisedimet me Beogradin, procesin e integrimeve evropiane e liberalizimin e vizave, luftën me sukses kundër krimit të organizuar e korrupsionit, në këtë marrjen e pasurisë së fituar paligjshëm, luftën nepotizmit, ndihmën për funksionalizimin e Gjykatës speciale, mandej strategjinë e zhvillimit ekonomik, të arsimit të shëndetësisë etj. Pra konkret e me afate.

“Bota sot”: Si e mendoni të ardhmen e dialogut Kosovë Serbi, tani që është në nivel presidentësh?

Ramush Tahiri: Dialogu duhet të vazhdojë për aq kohë sa është i vullnetshëm dhe jo i imponueshëm dhe për aq sa është i dobishëm për Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj pa dalim dhe për aq sa është në funksion të paqes dhe të stabilitetit në rajon e më gjerë, për aq sa normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si plotësisht të barabarta, për aq sa i ndihmon qytetarëve të të dyja vendeve, për aq sa është në vazhdën e integrimeve evropiane dhe në harmoni me konventat, ligjet dhe kriteret e standardet e BE. As më pak e as më shumë nga kjo e jo të zhvillohen nën sintagmën se asnjëra palë të mos i fitoj të gjitha dhe asnjëra palë të mos i humb të gjitha. Kjo nuk është në rregull sepse o ka liri o s’ka, o ka të drejta ose nuk ka, o ka marrëveshje ose nuk ka.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale brenda Lëvizjes Vetëvendosje, çka pas zgjedhjes së Kurtit në krye të kësaj partie?

Ramush Tahiri: Vetëvendosje po ballafaqohet me ndarje dhe kjo po duket e pashmangshme dhe mendoj se është mirë që po ndodhë sepse dallimet duhet të thuhen dhe në garë të ndershme e korrekte votuesi të përcaktojë se sa do ta ketë përkrahjen e cili grup. Ndarja momentale dhe raporti i forcave në grupe parlamentare e deputetë sigurisht që nuk do të jetë i njëjtë edhe me votën që do ta marrin nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme. Duket se Albin Kurti është lider i pakontestueshëm i Vetëvendosjes por edhe oligarkia e krijuar, flas ne kuptimin e mirë të organizimit qeverisës, nuk është e pa ndikim dhe nuk është detyrimisht fraksion apo mishi i egër i Vetëvendosjes. Thjeshtë ata mendojnë ndryshe , dhe në këtë kanë të drejtë. A do të zgjedhin të parin ndërmjet tyre por që të mos jetë liderë apo do të drejtojnë si kryesi kolektive atyre ju përket të përcaktohen e të zgjedhin. Skena politike do të jetë ndryshe nëse njeri grup i Vetëvendosjes, e secili do ti ketë së paku 15 deputet ti bashkëngjitet koalicionit qeverisë pra Qeverisë Haradinaj. Kjo do të siguronte votat e nevojshme edhe pa Listën serbe dhe do të krijonte qëndrueshmëri të Qeverisë dhe me lehtësi kalimin e ligjeve në Kuvend...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat