Zogaj flet për vrasjen e Kolonel Krasniqit, thotë se organizimi institucional i tij, nuk u pëlqente grupeve marksiste-leniniste të Kosovës - Bota Sot
Zogaj flet për vrasjen e Kolonel Krasniqit, thotë se organizimi institucional i tij, nuk u pëlqente grupeve marksiste-leniniste të Kosovës

Intervista

Zogaj flet për vrasjen e Kolonel Krasniqit, thotë se organizimi institucional i tij, nuk u pëlqente grupeve marksiste-leniniste të Kosovës

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 13 shkurt 2018 Në ora: 12:11
Ahmet Krasniqi dhe Skender Zogaj

I emëruar nga presidenti Ibrahim Rugova si përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë, Skender Zogaj është një prej dëshmitarëve të zhvillimeve të viteve 90-ta në Shqipëri. Ai ishte mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova dhe në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur për politikën që bëhej në atë kohë duke e krahasuar me aktualen, duke e krahasuar me këtë aktualen. Zogaj, ka thënë se fatkeqësia më e madhe i ndodhi Kosovës me vdekjen e Presidentit Rugova, arkitektit të pavarësisë. Ai ka folur edhe për raportet ndërmjet Presidentit Rugova dhe komandantit legjendar, Adem Jashari, meqë ishte bashkëpunëtor i tyre i afërt. Meqë ishte pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, Zogaj rrëfen edhe pwr  mënyrën tradhtare se si u vra kolonel Ahmet Krasniqi, i cili vetëm tre ditë më parë kishte strukturuar Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, që menjëherë të nisin veprimet për çlirimin e vendit.

Botasot: Jemi në prag të dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Cilat janë arritjet më të mëdha të Kosovës brenda kësaj dekade?

Skender Zogaj: Kosova e lirë dhe e pavarur është arritja më e madhe historike, me të cilën populli shqiptar i Kosovës ka arsye të ndjehet shumë i lumtur dhe krenar, sepse e ka mposhtur robërinë dhe ka mundësinë e  vetëqeverisjes. Kjo është arritja me fantastike që e madhëron 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, me kurorëzimin e një realiteti të ri historik, që ofron mundësi të jashtëzakonshme për ripërtëritje të plotë kombëtare e gjithëkombëtare. Çlirimi i Kosovës e ka forcuar Shqipërinë dhe ka faktorizuar të gjithë shqiptarët në trojet e veta e kudo në botë, që tashmë e kanë mundësinë reale të bashkëveprimit të koordinuar për të mirën e përbashkët. Kjo është arritje shumë e madhe, është krye vlera e shenjtë që duhet të kuptohet dhe të materializohet.

Botasot: Sipas juve, dhjetë vite pas pavarësisë, a po shkon Kosova në rrugën e saj të duhur, drejt Bashkimit Evropian?

Skender Zogaj: Në 18-vjetorin e lirisë dhe 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke pasur parasysh vuajtjet e ferrit nën okupimin serb, dhe gjakun krua që është derdhur për ta fituar lirinë, atëherë them se ecja e Kosovës lë shumë për t’u dëshiruar.

Sa i përket drejtimit, Kosova e ka shenjëzuar mirë  orientimin e saj sepse pa asnjë dilemë, Bashkimi Evropian është shtëpia e shqiptarëve. Mirëpo, rruga e Kosovës për në BE është me shumë ferra e driza, ndërsa ecja këmbëzbathur, kështu që, vonesa është evidente dhe kjo paraqet rrezik të madh sepse, mund të kapërcejë treni, që do të ishte fatale për popullin shqiptar të Kosovës! Është shumë habitës mos vullneti i skajshëm i klasës politike të Kosovës, që për interesa përfitimesh të grupeve meskine, po e mbajnë Kosovën peng, në izolim të pamerituar. Në këtë gjendje dëshpërimi dhe zhgënjimi masiv i shtetasve të Kosovës mund të jetë shumë i rrezikshëm.     

Botasot: Sipas juve a është Presidenti Ibrahim Rugova arkitekti i pavarësisë së Kosovës?

Skender Zogaj: Fatkeqësia e madhe për vendin dhe popullin e Kosovës ndodhi me vdekjen e Presidentit historik Ibrahim Rugova, mungesa fizike e të cilit e dëmtoi rëndë procesin e shtet bërjes dhe finalizimin e plotë të vizionit të lirisë e të pavarësisë, që pa arkitektin nuk po mund të jetësohen siç e pretendonte burrështetasi mendjendritur, politikani dhe diplomati urtak që gëzonte respektin dhe përkrahjen e diplomacisë botërore, bashkë me të cilën Rugova e kishte projektuar Kosovën të integruar në strukturat euro-atlantike.

Botasot: Pas vdekjes së Presidentit, a ka mbetur Kosova në “duar të sigurta”?

Skender Zogaj: Pas vdekjes së Presidentit Rugova, Kosova mbeti keq, sepse ndodhi stagnimi dhe ngatërrimi i funksionimit të institucioneve shtetërore, të cilat e humbën kredibilitetin duke u bërë strehimore të militantëve partiakë, të cilët pa meritueshëm u futën brenda institucioneve vitale, jo për të kontribuar, por për t’i kapur dhe shantazhuar proceset zhvillimore. Nepotizmi i shfrenuar mbërtheu administratën shtetërore dhe po ndodh ngulfatja e drejtësisë, në të gjitha hallkat e shoqërisë po mbretëron korrupsioni duke ushqyer strukturat e krimit të organizuar, që po e lëndojnë ekonominë, arsimin, shëndetësinë, kulturën. Pra, pas vdekjes së Rugovës ka ndodh degradimi i dukshëm në të gjitha pikëpamjet zhvillimore të Kosovës.

Botasot: Si e vlerësoni qeverisjen aktuale?

Skender Zogaj: Personalisht kam qenë i bindur se Qeveria Mustafa duke qenë rezultat i një koalicioni tepër të panatyrshëm, nuk mund të ishte e duhura për nevojat e Kosovës, kështu që e kam pritur përfundimin e saj të parakohshëm dhe të panatyrshëm. Për fat të keq, edhe Qeveria Haradinaj është rezultat i një koalicioni të ngjashëm, bile edhe më i panatyrshëm se sa i mëparshmi, prandaj, sado që Qeveria e Ramush Haradinajt po shpreh vullnet të mirë dhe angazhim energjik për punë, rezultatet do t’i mungojnë sepse, potenca refuzuese brenda koalicionit është më e madhe dhe në e fortë se sa dëshira e Kryeministrit Haradinaj, që sikurse Kryeministri Mustafa, është nën përgjim të plotë dhe me varg pengesash kushtëzuese.

Botasot: A po rrezikohet e ardhmja e Kosovës duke mos gjetur ende zgjidhje për Demarkacionin?

Skender Zogaj: Po, demarkacioni krijoi një gjendje shumë të rëndë dhe të dëmshme për Kosovën, si në acarimin e marrëdhënieve të brendshme politike e shtetërore, ashtu edhe në planin ndërkombëtar, sepse reagimet e vendeve mike filluan të shprehen me armiqësi, dhe kjo kushton shumë, sepse ka ndikim të keq dhe afatgjatë në botë. Janë edhe 5 vende anëtare të BE-s që po hezitojnë për ta njohur Kosovën, pikërisht për shkak të turbulencave kosovare.     

Botasot: Kush po e bllokon formimin e ushtrisë së Kosovës?

Skender Zogaj: Kosova është shtet i pavarur dhe patjetër do ta ketë ushtrinë e vet. Kjo dihet por, ka njerëz me ambicie të dobëta, hileqarë të luftës, që për qëllime të ulëta përfitimi e kanë sabotuar procesin e transformimit të ushtrisë, nga UÇK-ja deri te FSK-ja, që ka kërkuar spastrime të mëdha. Kjo e ka vonuar bërjen e ushtrisë, sepse egoja e trumcakëve është kundër institucionalizimit të mirëfilltë të ushtrisë. Fjala vjen, logoja FAK (Forcat e Armatosura të Kosovës) e ka heq emrin Republikë, që është shenja kryesore kushtetuese e institucioneve përkatëse shtetërore. Dhe kjo ka ndodh sepse, disa i zë ankthi nga emërtimi FARK (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës) që ua turbullon ndërgjegjen...

Botasot: A është shpresë Gjykata Speciale për zbardhjen e vrasjeve e pasluftës?

Skender Zogaj: Gjykata Speciale është produkt i mosfunksionimit të duhur të drejtësisë kosovare, që nuk ka treguar vullnet për hulumtimin dhe ndëshkimin e krimeve të luftës e të pasluftës, prandaj e ka dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës duke e mbajtur nën hipotekën e krimeve. Për ta tejkaluar këtë gjendje bashkësia ndërkombëtare, me të drejtë, ia ka imponuar Kosovës krijimin e Gjykatën Speciale, e cila shpresohet se vërtetë do të angazhohet seriozisht në zbardhjen e krimeve të luftës e të pasluftës dhe do të dënojë kriminelet.  

Botasot: Sipas juve, a do të ketë lider në Kosovë që do e ndjekin rrugën e Presidentit Rugova?

Skender Zogaj: Presidenti Rugova është vlera e veçantë e një vizioni të pastër dhe origjinal, që ka të bëjë me doktrinën filozofike të kuptimit të lirisë, si mjet i veprimit paqësor politik e diplomatik kundër robërisë! Gjithçka është brenda këtij vizioni. Rugova sloganin “Liri-demokraci” e ka materializuar me sukses të plotë,  duke e diskredituar deri në gjunjëzim regjimin më të egër të Ballkanit. Pra, Rugova përmes mjeteve paqësore e ka demonstruar “artin luftarak” deri te çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Ky është rugovizmi! Prandaj, si i këtillë Rugova është lideri i papërsëritshëm shqiptar e ndërkombëtar, kolosi i shekullit 21. Rruga e tij e vlen të ndiqet sepse, është padyshim, nga më të mirat për mbrojtjen e vlerave të mirëfillta të demokracisë bashkëkohore.   

Botasot: Meqë ishit mik dhe bashkëpunëtor i Presidentit Rugova dhe komandantit Adem Jashari, cilat ishin raportet ndërmjet tyre?

Skender Zogaj: Kam pasur fatin dhe nderin e madh, që me Presidentin Rugova të njihem dhe të bashkëpunoj nga koha e studimeve, kur Rugova redaktonte gazetën “Bota e re”, pastaj në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës , më vonë edhe si President, kur ma fali besimin e tij që të përfaqësoja Zyrën e Republikës së Kosovës në Tiranë, ku në vitin 1993 e njoha dhe u shoqërova edhe me komandantin Adem Jasharin, që në Shqipëri asaj kohe ndodhej për ushtrime ushtarake. Presidenti Rugova dhe Adem Jashari kanë kaluar në amshim, por unë ruaj kujtimin e tyre, sepse u ndodha afër tyre, kur Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari lapsin dhe pushkën po i bënin bashkë, në shërbim të çlirimit të vendit nga okupatori serb. Unë jam njëri nga dëshmitarët e takimit të Ademit me Rugovën.  Sa i përket fotografisë ajo është bërë në takimin e Presidentit me gazetarët në  aeroportin e Rinasit, ku Ademi u ndodh me kërkesën e tij insistuese, për ta takuar “Komandantin” siç e quante gjithnjë Presidentin Rugova. Kjo padyshim që tregon për raportet e mira mes tyre.   

Botasot: Keni punuar në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, a mund të na shpalosni ndonjë kujtim nga ajo kohë?

Skender Zogaj: Që në themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, me ftesën e ministrit Ahmet Krasniqi u bëra pjesë e FARK-ut, në kuadër të Qendrës për Informim, si gazetar-analist politik te “Revista ushtarake”. Ajo që mund të them është se: koloneli Ahmet Krasniqi ishte një strateg i madh ushtarak, i cili për një kohë fare të shkurtër themeloi Ministrinë e Mbrojtjes dhe strukturoi Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, që menjëherë nisën veprimet për çlirimin e vendit. Një numër i madh oficerësh dhe ushtarësh futen në Kosovë dhe gjithçka ishte e gatshme për locimin e gjithë potencialit ushtarak në Kosovë, në krye me komandantin Krasniqi. Mirëpo, kjo nuk ndodhi, sepse ministri, 3-4 ditë para se të merrte udhë për në Kosovë, vritet në Tiranë. Vrasja ishte akt i një tradhtie të rëndë, që kishte për qëllim të pengonte organizimin institucional të luftës profesionale, e cila nuk u konvenonte grupeve kosovare ilegale marksiste leniniste dhe padronëve të tyre në Tiranë, nga radhët e sigurimit të shtetit, që përfituan rastin e zhvatjeve të mëdha materiale, me trafikime armësh dhe atentate të fshehta.    

Botasot: Cili është mesazhi juaj për qeveritarët në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë së Kosovës?

Skender Zogaj: Do të dëshiroja që 10-vjetori i pavarësisë të ishte rast i reflektimit të thellë nga të gjithë liderët qeveritarë e partiakë që ta kuptojnë se janë fajtorët e katandisjes së Kosovës, dhe të heqin dorë nga veprimeve të deritashme, që janë abuzim i idealeve dhe i vlerave të shenjta të gjakut të derdhur për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Kosova nuk e meriton përbuzjen. Kosova ka dhe duhet të tregojë se është vendi i një populli të mirë, të ndershëm dhe të dobishëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test