Pal Lekaj flet për dorëzimin e Haradinajt dhe marrëveshjen mes dy presidentëve - Bota Sot
Pal Lekaj flet për dorëzimin e Haradinajt dhe marrëveshjen mes dy presidentëve

Intervista

Pal Lekaj flet për dorëzimin e Haradinajt dhe marrëveshjen mes dy presidentëve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 mars 2018 Në ora: 07:39
Ministri Infrastrukturës dhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj

Ministri Infrastrukturës dhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se demarkacioni do të votohet, ndërkaq Kulla dhe Çakorri do të ruhen.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”,  Lekaj ka pohuar se përmes aneks-marrëveshjes së Presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi do të korrigjohen gabimet.

Lekaj gjatë intervistës ka folur edhe për projektet e Ministrisë së Infrastrukturës si dhe bisedimet në mes të saj dhe kompanisë B&E për Autostradën “Arbër Xhafer”.

“Bota sot”: Që nga marrja e mandatit të Ministrit të Infrastrukturës jeni “ankuar” vazhdimisht për kushtet se si e keni gjetur këtë dikaster, a mendoni t’i drejtoheni Prokurorisë për këto akuza?

Pal Lekaj: E kam thënë vazhdimisht se Qeveria duhet të ketë dinamikë, e cila i përmbyllë me saktësi punët dhe nuk i stërzgjatë projektet e filluara. Në këtë kuptim kam deklaruar dhe po e ritheksoj se nuk kam hasur në ndonjë punë të nisur e të përmbyllur ashtu siç duhet. Ndryshe organet e drejtësisë mund ta bëjnë punën e tyre në çdo kohë për secilin projekt, është detyrë e tyre dhe zgjedhje e tyre.

“Bota sot”: Keni deklaruar se jeni në bisedime me kompaninë B&E për autostradën “Arbër Xhaferi” që kjo e fundit të heq dorë nga 63 milionëshi i kërkuar dhe të ketë zbritje shume, a ka ndonjë ndryshim dhe  në rast se jo a është e tepruar kjo shumë për buxhetin e Kosovës?

Pal Lekaj: Është e vërtetë që në ditët e para të marrjes së përgjegjësive tona në Ministrinë e Infrastrukturës jemi përballur me këtë kërkesë (pretendime) të kompanisë që po ndërton Autostradën “Arbën Xhaferi”, për pagesën e shumës prej 63 milion eurove. Për të mos i hyrë historisë të cilën e kam shpjeguar në dhjetëra herë, dëshiroj të them se e kemi negociuar dhe jemi në rrugë të mirë që këto pretendime t’i zbresim nga shuma fillestare dhe besoj që pas takimit të komitetit drejtues ndërministror për këtë autostradë dhe vendimit të qeverisë tonë do të dimë saktë se si do të procedojmë tutje. Por, ashtu siç jemi angazhuar që nga fillimi, do të angazhohem që asnjë cent i taksapaguesve tonë të mos shpenzohet pa e ditur arsyeshmerinë dhe impaktin e tij.

“Bota sot”: Cilat janë projektet të cilat do të realizohen gjatë këtij viti?

Pal Lekaj: Projekte ka shumë, Kosova do të përmbyllet në infrastrukturën e vet rrugore në këtë mandate, sa i përket rrugëve regjionale, nacionale dhe autostradave. Jemi në rrugë të mirë të finalizimit të asaj për Pejë, për Mitrovicë, tashmë kjo për Gjilan janë nënshkruar kontratat me Operatorët Ekonomik, për Merdare, nga Klina për Gjakovë, nga Komorani për në Skenderaj dhe mbi të gjitha një projekt tjetër gjigant, ai nga Istogu deri në Prizren do të fillojë në vitin 2019 dhe kështu do të rrumbullakojmë qarkoren infrastrukturore të rrugë të Kosovës.

“Bota sot”: Qeverisja Haradinaj që nga fillimi i mandatit e deri më tani, ka një numër të madh të zëvendësministrave, Kryeministri shumë prej tyre as nuk i njeh, si e komentoni këtë, a ka nevojë Kosova për një numër të madh të zëvendësministrave?

 Pal Lekaj: Po kjo është pak a shumë edhe nga cili kënd e shohim, kryeministri Haradinaj e ka thënë me të drejtë, duke u nisur nga fakti se Kosova ka ngecur në shumë tema e fusha dhe nuk janë të tepërt të gjithë këta njerëz që (duhet) të angazhohen për t’i përmbyllur shtet ndërtimin dhe forcimin e tij. Pra, kur ia shtojmë kësaj edhe konstelacionin politik të ndërtimit të koalicioneve, besoj që nuk është krejt “faji” i kryeministrit. Do të ketë rezultat, të gjithë nga pak do të bëhet përafërsisht tamam.

“Bota sot”: Keni qenë kundërshtar ndër më të mëdhenj për ratifikimin e këtij version të demarkacionit, ndërkaq tani përsëri marrëveshja e 2015 do të sillet në kuvend për miratim, përse ky ndryshim qëndrimesh?

Pal Lekaj: Demarkacioni do të votohet, kufiri, pikat Kullë dhe Çakorr do të ruhen, konsensusi politik është arritur dhe tani nuk e di se ku është gabimi. Ndryshe, nuk ka ndryshim qëndrimesh, por ka dhe ka pasur angazhim për gjetje të zgjidhjes për këtë temë që ka qenë kusht për t’u arritur liberalizimi i vizave dhe ky kusht duket se është në rrugën e mirë për t’u zgjidhur.

“Bota sot”:  Kryeministri insistonte që në kuvend të sillet edhe raporti i Bulliqit, mirëpo nuk kaloi as edhe një ditë ai u dorëzua karshi opozitës, duke pranuar kushtin e LDK-së që në kuvend të jetë vetëm marrëveshja e vitit 2015 së bashku me aneks-marrëveshjen e presidentëve, sa e mban fjalë Kryeministri për çështjet tjera?

Pal Lekaj: Ashtu siç ka thënë kryeministri Haradinaj, ashtu edhe do të jetë, pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, të gjithë faktorët do të merren për bazë dhe do të gjendet vija e duhur, ajo që ka qenë çdo herë, në mes të dy vendeve tona, Kosovës dhe Malit të Zi. Nuk është dorëzim, është vetëm lehtësim i komunikimit dhe mundësi për zgjidhje me opozitën, kjo është për t’u admiruar.

“Bota sot”: Kryeministri e ka quajtur peder Murat Mehën dhe të gjeturat e tij, a do të duhej t’i kërkonte falje tani?

Pal Lekaj: Ne e kemi bërë punën tonë, Meha të veten (e ka bërë keq) dhe kështu nuk ka qenë e mundur të tolerohet një cenim i territorit të vendit tonë. Nuk duhet të merremi me të kaluarën se si kush kënd e ka quajtur, por me rrjedhën e procesit dhe të ardhmen e tij.

“Bota sot”: Mali i Zi tashmë në Kuvend ka ratifikuar demarkacionin, pa aneks marrëveshjen e Presidentëve, keni pritshmëri që të ndryshojnë qëndrim, apo tashmë kjo o është çështje e përfunduar?

Pal Lekaj: Të gjitha nënshkrimet nga udhëheqësit shtetëror janë valide dhe si të tilla do të respektohen për t’u korrigjuar gjithçka çka është gabim në këtë proces. Kufijtë duhet të shënohen për të ruajtur paqen ndërmjet vendeve e e jo diçka tjetër.

“Bota sot”: Lista serbe ende nuk pranon të votojë demarkacionin, ata kërkojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si do të arrini t’i merrni votat e tyre dhe çfarë do të ndodh me asociacionin?

 Pal Lekaj: Proceset do të ndodhin bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në ligjet që burojnë nga kjo kushtetutë, prandaj edhe Asociacioni do të krijohet bazuar në frymën e kushtetutës së Kosovës. Lista Serbe si partnere e koalicionit besojmë që do të japë kontributin e vet për të dhënë zgjidhje për temat që i prekin edhe qytetarët serbë.

“Bota sot”: Keni realizuar protesta, keni hedhur gazlotsjellës në Kuvend, keni bojkotuar punën në kuvend dhe në rast të mos ndryshimit të marrëveshjes së demarkacionit,  si do ta kompenzoni kohën e humbur për qytetarët e Kosovës?

Pal Lekaj: Të gjitha këto që i përmendni ju kanë bërë që ne sot të flasim për mundësinë e një zgjidhje që pranon korrigjimin e pikave kontestuese. Sikur të mos ishin këto veprime, ne do të ishim këtu duke biseduar për konsekuencat që do të ishim duke i "paguar" si shoqëri. Dinamika e kryeministrit Haradinaj e qeverisë së tij, ka bërë që kjo temë të marrë epilog të shpejt dhe të drejtë.

“Bota sot”: Opozita përmend zgjedhje të reja gjatë këtij viti, si e komentoni këtë?

 Pal Lekaj:  Përveçse këto deklarime, punët i bënë qeveria, ata kërkojnë zgjedhje ne do të vazhdojmë të punojmë. Zgjedhjet e reja organizohen pas 4 viteve, ose kurdo që mund të ketë akordancë të partnerëve të koalicionit, por jo pse këtë e thotë opozita.

“Bota sot”: Nisma e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pas kundërshtimit të ndërkombëtarëve është kundërshtuar edhe nga liderët shtetërorë, a ka hequr dorë Qeveria përfundimisht nga shfuqizimi i kësaj Gjykate?

Pal Lekaj: Qeveria asnjëherë nuk ka bërë diçka kokë me vete, përveç se ka respektuar kërkesën e ardhur nga Kuvendi i Kosovës si sovrani i shtetit. Ne në çdo rast që na kërkohet nga Kuvendi për të vepruar dhe për të shqyrtuar çfarëdo kërkesë që është ligjore dhe bazuar në rregulla na takon dhe jemi të obliguar ta shqyrtojmë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test