Pakti me Greqinë ende larg?! Bushati zbulon se kur do të bëhet takimi Rama- Tsipras - Bota Sot
Pakti me Greqinë ende larg?! Bushati zbulon se kur do të bëhet takimi Rama- Tsipras

Intervista

E martë, 20 nëntor 2018

Pakti me Greqinë ende larg?! Bushati zbulon se kur do të bëhet takimi Rama- Tsipras

Më: 29 mars 2018 Në ora: 20:20
Ditmir Bushati

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një intervistë ekskluzive për Ora News, ka treguar se çfarë ka ndodhur në takimin e sotëm tri orësh mes tij dhe kryediplomatit greke, Nikos Kotzias.

Bushati paralajmëron se është çështje ditësh, diskutimi me palën greke për delimitimin e hapësirës detare, duke nënvizuar se parimi i baraslargësisë nuk është ndihmues për relievin gjeografik Shqipëri-Greqi.

Kryediplomati shqiptar thekson se dy vendet do të kenë një kalendar për dokumentin e ri strategjik dhe se viti 2018 hap një fazë të re në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Ai nënvizon se brenda ditësh, pala greke do të njohën lejet e drejtimit të automjeteve.

Sa i përket çështjes çame, Bushati thotë se palët kanë qëndrime të ndryshme.

Për sa i përket vizitës së kryeministrit greke, Aleksis Tsipras, Bushati paralajmëron ardhjen e tij gjatë verës, ndërsa shton se vonesa për negociatat ishte arsyeja e shtyrjes së vizitës.

I pyetur nëse kishte arsye konkrete për dëbimin e dy diplomatëve rusë nga Shqipëria, Bushati thotë se ata e kishin tejkaluar statusin e tyre diplomatik dhe se ky dëbim është bërë në bashkëpunim me NATO-n dhe BE-në. Ai thotë se Moska paragjykuese ndaj rolit të Shqipërisë në Ballkan

Duke folur për hapjen e negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Evropian, Bushati thotë se Shqipëria është optimiste se mund të marrë një vendim pozitiv më 17 prill. Ai thotë se tre vende të BE-së, Gjermania, Franca dhe Holanda duan rezultate.

Intervista e plotë: 

Pse erdhi ministri Kotzia sot në Tiranë dhe çfarë diskutuat me të?

Bushati: Morëm në shqyrtim progresin e rritur në kuadër të mekanzimit të dialogut dypalësh që ka dy vite e pak që funksion. Sic dihet janë bërë disa hapa përhapa në fushën e rishikimit të tekstit shkollor, në heqjen e aplikimit të vulës apostile, cka ka një impakt të prekshëm për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe në fushën e gërmimeve që po bëhen për dëmet grekë gjatë luftës italo-greke. Nga ana tjetër morëm në diskutim dhe disa prej hapave që do hedhim ditët në vijim, përfundimin e marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit të automjeteve, cka besoj unë që do të clirojë energji pozitive dhe do ketë një efekt praktik për shtetasit shqiptarë dhe grekë. Në diskutimet që do të bëhen, kemi një teknikë pas autorizmit kam marrë nga Presidenti i Republikës rreth plotfuqishmërisë që ka lëshuar për çështjen e kufizimit të zonave detare. Diskutuam gjithashtu për të gjithë cështjet që përmban paketa, e cila në gjykimin tonë dhe të palës greke do të duhet të konkludohet me një dokument të karakterit strategjik që mund të konsiderohet si një deklaratë e partneritetit strategjik që merr në konsideratë të gjitha zhvillimet në këtë fushë, arritjet dhe krijon mundësinë për të na ofruar një perspektivë më strategjike të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Në shtypin vendas ka dalë një deklaratë që është thënë në takimin tuaj me Kotzias se ai ka kërcënuar se do të largohet nga takimi nëse ju përmendni çështjen çame. Ka ndonjë të vërtetë këtu?

Bushati: Nuk ka asnjë të vërtetë, është një nga ato lajmet e shumta që sajohen apo trillohen dhe për fat të keq, natyra njerëzore është kurioze për të kuptuar vërtetësinë apo jo të një lajmi të tillë sepse për këtë çështje është diskutuar disa herë dhe dihet cili është qëndrimi i palës shqiptare. Jo vetëm kaq, por takimi me homologun Kotzias ka qenë rreth 3 orë e pak, çka e vërteton se ajo çka ka dalë në një media të caktuar është totalisht e pavërtetë.

A ka një ndryshim në qasjen e Greqisë ndaj çështjes çame në momentin kur të dy palët janë në bisedime?

Bushati: E kam thënë dhe herë të tjera që qëllimi ynë dhe objektivi ynë nuk është për të rishkruar historinë sepse palët kanë qëndrime të ndryshme mbi ngjarje të caktuara historike. Misioni ynë është për të gjetur zgjidhje të cilat i afrojnë pikëpamjet e palëve dhe përpiqen për të adresuar planet e së kaluarës me një kontekst të ri të zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare sepse jetojmë në shekullin e 21 dhe Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të shumë organizatave ndërkombëtare dhe një pjesë të mirë të cështjeve të cilat kanë kohë që diskutohen në paketën e madhe që i kemi përfshirë, pavarësisht specifikave të ndryshme, synojmë që si palë ti zgjidhim këto cështje në përputhje me instrumentet dhe modelet që na ofron e drejta ndërkombëtare.

Çfarë ndodhi me vizitën e kryeministrit Tsipras? U tha se do të vinte në Tiranë për pashkët, në fakt sot dhe dje ka qarkulluar lajmi se ai nuk do të vijë, e anuloi vizitën e tij në Tiranë.

Bushati: Natyrisht ne sot kemi diskutuar dhe për vizitën e pritshme të kryeministrit grek në Shqipëri. Për shkak të një lloj vonese nga pikëpamja e bisedimeve me Greqinë, kjo vizitë do të riplanifikohet për një periudhë të mëvonshme. Ishte planifikuar fillimisht të ndodhte në pranverë. Tani besojmë se do kryhet brenda këtij viti dhe ne besojmë që janë mundësitë që kjo vizitë të kryhet brenda verës.

Në njoftimin për shtyp që shpërndatë menjëherë pas takimit me homologun tuaj Kotzias thuhet se keni rënë dakort për hapat e mëtejshme, jeni dakordësuar me të. Cilat janë këto hapa të mëtejshëm në lidhje me zgjidhjen e cështjeve dypalëshe? Pra, kemi një kalendar?

Bushati: E para, kemi rënë dakord për kalendarin e takimeve që do zhvillojnë ekspertët përsa i përket ambicies të të dyja palëve për të arritur një marrëveshje të re për kufizimin e zonave detare. E dyta, për të vijuar me mbylljen e të dy marrëveshjeve tjera që kanë të bëjnë me regjimin kufitar tokësor. E treta, për të konkluduar në një periudhe shumë të shpejtë, çështje javësh, edhe marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit. Më pas për shfuqizimin e ligjit të luftës dhe të gjitha pasojave ligjore që burojnë nga ky hetim dhe për të punuar drejt dokumentit të ri të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona. Natyrisht pjesë e këtij kalendari do të jetë dhe vizita e kryeministrit grek në Shqipëri apo aktivitetet promovuese që do organizojë Greqia në mbështetje të fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Shqipërinë.

A keni lënë një datë tentative për këtë dokument, për këtë finalizim të partneritetit strategjik?

Bushati: Ka.

Cila është ajo?

Bushati: Natyrisht po flasim për kalendar, ka një afat të brendshëm. Nuk është cështje besëtytnie, por mendoj që është mirë që ky kalendar i brendshëm që është tentativ të mbetet mes dy delegacioneve respektive. E rëndësishme është që vullneti për të dyja palët është i palëkundur për të ecur më tej në këtë proces dhe për të thelluar këtë marrëdhënie të re.

Kur do fillojnë negociatat teknike për delimitimin e detit?

Bushati: Është thjesht cështje ditësh. Duke qenë se po i afrohemi periudhës së pashkëve, është thjesht cështje ditësh dhe kemi punuar për një kalendar se kur dhe ku do të mblidhen apo ku do zhvillohen takimet. Natyrisht në Shqipëri dhe në Greqi, dhe mbi bazën e një praktike reciprociteti sic ndodh në raste të tilla.

A do ketë një takim zyrtar mes dy delegacioneve tashmë me plotfuqishmërinë që kanë marrë negociatorët?

Bushati: Nuk do të ketë një takim. Do ketë takim vetëm në nivel teknik. Gjithë puna politike, takimet eksporative janë zhvilluar, sidomos me një intensitet mjaft të madh dy vitet e fundit që kulmoi me takimin e Kretës dhe Korcës. Tanimë është në duart e ekspertëve, flet autorizimi i lëshuar nga Presidenti i Republikës, e përcakton qartë mandatin, parimet mbi të cilat grupi i ekspertëve teknikë ulet në tryezën e bisedimeve. Shpresoj, dëshiroj dhe uroj që të gjendet gjuha e përbashkët në mënyrë që të kemi një marrëveshje të re, më të drejtë dhe më të ndershme se ajo e vitit 2009.

Si janë marrëdhëniet tuaja me Presidentin e Republikës pas atij autorizimi të mundimshëm që morët?

Bushati: Janë marrëdhënie korrekte. Natyrisht që fillimi i letërkëmbimeve u duk sikur po ndodhte në një atmosferë të tendosur, por besoj se i jemi përgjigjur të gjitha pyetjeve, të gjitha shqetsimeve që janë ngritur nga ana e Presidentit të Republikës dhe jemi përpjekur për ta konceptuar gjithë bashkëpunimin ndërinstitucional si pjesë të një skuadre. Por, gjithnjë duhet pasur parasysh që pala shqiptare në këto bisedime ka një avantazh sepse ka bërë disa gabime në të shkuarën. Ka një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ofron zgjidhje, por përcakton një libër të qartë rregullash të cilat duhet të jenë parasysh nga ekipi teknik në përfundimin e kësaj marrëveshje. Besoj që ky libër rregullash që është shkruar nga ana e Gjykatës Kushtetuese është pasuruar dhe falë ndërveprimit institucional mes qeverisë dhe Presidentit të Republikës gjatë këtyre dy muajve.

Si do vazhdojë ky komunikim? Do ta mbani ju nivelin e komunikimit me Presidentin apo ai e ka përfaqësuesin e tij në grupin negociator? Sa vetë janë në grupin negociator në Greqi?

Bushati: Me Presidentin e Republikës do vazhdoj komunikimin, konsultimi për këtë cështje. Dihet që Presidenti i Republikës autorizon në një marrëveshje të tillë edhe firmosjen e kësaj marrëveshje sikundër në cdo moment ka të drejtën të kërkojë informacion mbi ecurinë e procesit në kuptimin teknik të fjalës. Numri i pjesëtarëve që janë në këtë trupë negociatore mendoj që është në përputhje me gamën që marrëveshje të tilla paraqesin, por nuk diskutohet që brenda skuadrës apo ekipit negociator ka dhe një bërthamë, e cila ka punuar gjatë shumë viteve për këto cështje. Është pasuruar natyrisht ekipi edhe pas konsultimeve me Presidentin e Republikës.

Zt.ministër ju e keni thënë edhe në dalje të tjera që marrëveshja me Greqinë do të jetë më e drejtë dhe më e ndershme. Pse do të jetë e tillë në krahasim me 2009-n kur atëherë mbështetej mbi parimin e baraslargësisë. Po kjo aktuale ku do të mbështetet?

Bushati: Mbase do të jetë diskutim teknik për opinionin publik, por ia vlen të theksohet që në rastin e një marrëveshje të mundshme të re me Greqinë, aplikimi i vetëm parimit të baraslargësisë nuk është domosdoshmërish ndihmues për relievin gjeografik që ka Shqipëria dhe Greqia. Gjykata Kushtetuese bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare ka nënvizuar gjithashtu edhe domosdoshmërinë e aplikimit të parimeve të tjera, sidomos në ato zona që konsiderohen me një reliev gjeografik të diskutueshëm për palët dhe kjo është një nga arsyet që na shtyjnë të besojmë që marrëveshje e re të jetë më e ndershme për të dyja palët, sepse në fund të këtij procesi është e rëndësishme që të dyja shtetet të dalin të kënaqura nga procesi i negociatave dhe nga rezultati final i tyre çka nuk ka ndodhur në 2009.

Kryeministri Tsipras ka thënë se në negociatat do të hapen vetëm nëse plotësohen kriteret e vendosura për vendet aspirante. Si e lexuat ju këtë mesazh nga Athina?

Bushati: Një mesazh normal që përgjithësisht e thonë të gjitha kryeqytet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

A është e kushtëzuar marrëveshja me Greqinë me hapjen e negociatave të Shqipërisë?

Bushati: E kam përsëritur disa herë që nuk ka kushtëzime dhe nuk ka lidhje ndërmjet një elementi që ne sot për sot jemi duke diskutuar me Greqinë dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim. Nga ana tjetër, e tha presidenti i Komisionit Evropian, Juncker gjatë vizitës së tij në Tiranë, e thotë shumë qartë strategjia e zgjerimit e publikuar nga ana e Komisionit Evropian në shkurt të këtij viti që çështjet dypalëshe, mosmarrëveshjet apo çështjet e hapura midis dy vendeve, duhet të zgjidhen në një fazë sa më të hershme, në mënyrë që vet BE-ja mos të ketë brenda gjirit të vet çështje të pazgjidhura duke qenë se vetë BE ka nxjerrë disa mësime në procesin e zgjerimit. Është rasti i Qipros, që është jashtëzakonisht i njohur jo thjesht për vendet e BE, por edhe për që aspirojmë integrimin, është çështje e hapur mes Sllovenisë dhe Kroacisë në detin Adriatik, e cila gjithashtu krijon një lloj ndjenje pasigurie të Bashkimit Evropian për sa i përket mënyrës se si duhet zgjidhur dhe në çfarë momenti duhen zgjidhur çështjet dypalëshe. Kjo është arsyeja që Komisioni Evropian, Bashkimi Evropian nxit adresimin, kapërcimi e të gjitha ngërçeve ndërmjet dy vendeve në një fazë të hershme. Në këtë kontekst, besojmë se adresimi i kësaj çështjeje përveç se i një rëndësie për marrëdhëniet dypalëshe, do t'i japë një shtysë procesit të integrimit në BE.

 Zt.ministër, a besoni që u humb ai momentum kur mund të ishim shumë afër arritjes së një marrëveshjeje dhe tani do të na duhet një kohë që ju e mbajtët në një far mënyre konfidenciale. Jeni ende optimist?

Bushati: Jam optimist që 2018-ta do të mund të shënohet edhe si një vit i adresimit të çështjeve të mbartura me Greqinë sepse është bërë një punë voluminoze në këtë drejtim. Mendoj se janë pjekur kushtet në të dyja vendet për të ecur me vendosmëri përpara. Natyrisht do të na duhet punë për të eliminuar apo për të evituar të gjithë atë retorikë apo lajme si ai që më pyetët pak më parë që nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve dhe mendoj se nuk ka asnjë arsye për të qenë pesimist që 2018-ta të jetë një vit ku marrëdhëniet shqiptaro-greke, të njohin një fazë të re të zhvillimit të tyre.

Dëbimi i dy diplomatëve rusë 

Përse i dëbuat ju dy diplomatët rusë nga Shqipëria? Ishte vetëm një shenjë solidarizimi me vendet e BE-së dhe NATO-s, apo për shkak të veprimtarisë së tyre në Shqipëri?

Bushati: Ka qenë një vendim apo veprim i koordinuar me një mazhorancë të vendeve anëtare në NATO dhe BE. Shqipëria është e njohur për qartësinë e saj në orientimin e politikës së jashtme në përputhje me vlerat që mëshirojnë NATO dhe BE. Nuk ka qenë një qëndrim thjeshtë dhe vetëm i Shqipërisë dhe për t'iu përgjigjur edhe më drejtpërdrejt pyetjes suaj, kombinohen të dy elementët. Sinkronizimi me aleatët e Aleancës së Veriut dhe me partnerët tanë në BE dhe fakti që edhe në përputhje me veprimtarinë dhe ndërveprimin me anëtarë të ndryshëm të Aleancës, rezulton që dy diplomatët në fjalë, aktiviteti i tyre shkon përtej cakut të diplomatit.

Çfarë do të thotë kjo? Kush shkon?

Bushati: Kjo do të thotë atë që unë thashë pak më parë.

Nuk doni ta shtjelloni më tej çfarë do të thotë veprimtari që nuk përputhet me statusin e tyre si diplomatë. Ishin agjentë?

Bushati: Besoj që legjislacioni ndërkombëtar, tërësia e marrëdhënie ndërkombëtare që rregullon veprimtarinë e ushtrimit të profesionit të diplomatit në një vend të huaj, është i qartë për sa i përket kufizimeve që diplomatët kanë.

Çfarë prisni tani nga Rusia pas premtimit që bëri Moska se do të kundërpërgjigjet ndaj këtij vendimi?

Bushati: Marrëdhëniet tona kanë vite të cilat nuk po ngrihen dot në një lloj pike shumë të ulët, qoftë për sa i përket këndshikimeve diametralisht të ndryshme për zhvillimet në Ballkan dhe sidomos qëndrimit refraktar të Moskës dhe në disa raste paragjykues ndaj rolit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan. E kam thënë edhe në takime zyrtare pavarësisht këndshikimeve të ndryshme për shumë prej zhvillimeve ndërkombëtare, e kam konsideruar anomali faktin që marrëdhëniet tona janë në këtë pikë dhe faktin që Moska zyrtare nuk lë rast pa shigjetuar Shqipërinë dhe shqiptarët për zhvillimet në Ballkan. Nuk mendoj se është në interesin e Shqipërisë sado që është një prej aktorëve kryesor në skatierën ndërkombëtare dhe nuk është në interesin e Shqipërisë për të patur një marrëdhënie anormale me asnjë vend dhe aq më tepër me Rusinë, kur dihet pesha e saj në raportet ndërkombëtare.

Problemi që ka Moska është në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët, apo me Tiranën zyrtare apo me Prishtinën?

Bushati: Kjo është një pyetje që mund t'ia bëni autoriteteve të Moskës, por qëndrimi ynë është ai që thashë pak më parë që me keqardhje konstatojmë që Moska zyrtare nuk lë vend dhe rast pa shigjetuar Shqipërinë dhe shqiptarët për çdo lloj zhvillimi në Ballkan, çka është totalisht në gjykimin tonë e papranueshme dhe nuk ndihmon ringritjen e marrëdhënieve tona.

Megjithatë, kjo nuk ka penguar në marrëdhëniet tona shumë të mira me Serbinë, me presidentin Vuçiç, pavarësisht se pas arrestimit të Marko Gjuriç të parën telefonatë ai e pat me Putin.

Bushati: Kjo është arsyeja që thashë pak më parë. Ne me Rusinë kemi këndvështrime të ndryshme qoftë për sa i përket rolit të NATO-s, mjedisit të sigurisë dhe platformës euro-atlantike. Kemi këndvështrime krejt të ndryshme për Kosovën apo për shumë prej zhvillimeve në Ballkan. Nga ana tjetër na ka penguar për t'u ulur në tryezën e bisedimeve dhe për të gjetur pika të përbashkëta që krijojnë atmosferë pozitive, më stabël në Ballkanin perëndimor.

Arrestimi i Gjuriç ka bërë që situata të tensionohet midis Beogradit dhe Prishtinës, madje dje avionë luftarakë kanë fluturuar shumë afër territorit të Kosovës. Cili është qëndrimi i Shqipërisë për këtë?

Bushati: Ka disa kohë që ne po përballemi me situata provokuese në veriun e Kosovës. Kujtoj këtu incidentin me trenin e famshëm që u nis nga Serbia dhe kishte destinacion Kosovën, parullat provokuese, vrasjen e Oliver Ivanoviçit, pikëpamjet e të cilit nuk korrespondonin asesi me pikëpamjet e Beogradit zyrtare dhe e fundit ngjarja e para pak ditëve, e cila u pasua edhe me arrestimin dhe dëbimin nga Kosova për në Serbi. Mendoj se këto të tria këto ngjarje janë provokime të panevojshme. Qëndrimi i Tiranës zyrtare është në linjë të plotë dhe konsistent me inkurajimin e dialogut konstruktiv mes Kosovës dhe Serbisë dhe presim që procesi teknik të vijojë të sjellë fryte konkrete për shqiptarët dhe serbët dhe pse jo të konkludohet me një marrëveshje e cila do t'i krijonte mundësi procesit të pajtimit midis Kosovës dhe Serbisë për hedhur rrënjët e tij. Askush sot nuk flet për fat të keq për procesin e pajtimit. Për fat të keq, vëmendja është ose tek disa detaje teknike te të ashtuquajturit proces të Brukselit apo tek mënyra se si palët mund të njohin njëra-tjetrën si shtete të pavarura dhe sovrane, çka do të ishte një zhvillim shumë pozitiv, por mendoj që do duhet të kemi një vizion strategjik për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në procesin e ripajtimit çka do të kishte pasoja dhe efekte të pritshme pozitive për të gjithë rajonin.

Ndërkaq, Serbia është përpara nesh sa i përket procesit të anëtarësimit në BE, meqë se janë duke mbyllur kapituj për negociatat. Si është situata me Shqipërinë? Ju keni thënë se nuk prisni dhurata. Por çfarë mund të presin qytetarët në prill?

Bushati: Ne besojmë që Komisioni Evropian do të propozojë nisjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë. Ky besim bazohet në radhë të parë tek kursi i reformave të ndërmarra dy vitet e fundit, tek logjika e rekomandimit kushtëzues që pasoi në mbështetjen që dhanë vendet anëtare të BE, tek lidhja që ju bë hapjes së negociatave me zbatimin e reformës në drejtësi, posaçërisht ligjit të vettingut. Gjithashtu besojmë që 2018-ta, duhet të shoqërohet me një vendimmarrje nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Kjo është pritshmëria. Ky proces natyrisht është një proces i vështirë, kompleks, sfidues, sepse kërkon reforma të thella, të cilat hasin në rezistencën nga segmente të shoqërisë, politikës, grupe të ndryshme të interesit. Është bërë një punë kolosale për sa i përket procesit të reformës në drejtësi. Natyrisht, ky proces përballet me rezistencë por edhe me të panjohura. Meqë folët për faktin që një vend është më përpara apo një vend është më mbrapa në këtë proces...

Ne konkretisht!

Bushati: Nuk do të habitemi që në rast se vazhdojmë me këtë ritëm të zbatimit të vettingut që do të kthehet në një model edhe për vende që mund të jenë në tryezën e bisedimeve siç është Serbia apo Mali i Zi.

Burime të besuara edhe të Ora News, thonë se Gjermania posaçërisht Bundestagu ka probleme për sa i përket hapjes së negociatave të Shqipërisë për shkak të luftës ndaj kriminalitetit, korrupsionit dhe ndëshkueshmërisë. Flitet se do të ketë një takim mes kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel. Ku do të bëhet ai?

Bushati: Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha nivelet e qeverisjes në Gjermani, është një vend i cili ka peshë shumë të madhe në BE, një vend që ka investuar për stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe Ballkanit. Do të ketë takime me të gjitha nivelet e autoriteteve gjermane.

Cilat janë shqetësimet e tyre kryesore?

Bushati: Kam pasur diskutime me deputetë të ndryshëm, në komisionin e politikës së Jashtme, komisionin për çështje evropiane, komisionin e sigurisë, dhe natyrisht që ka një mbështetje të madhe sa i përket gjithë procesit të reformave që ka ndërmarrë Shqipëria. Gjermania është një partnere e ndershme dhe kritike e rreptë jo vetëm sa i përket reformave në Shqipëri, por edhe për vende që sot për sot janë anëtarë në BE.

Konkretisht çfarë problemesh ka me Shqipërinë?

Bushati: Nuk mendoj se ka probleme konkrete në lidhje me Shqipërinë por natyrisht që ka një vëmendje të shtuar për qëndrueshmërinë e procesit të reformave, për qëndrueshmërinë për zbatimin e ligjit të vettingut bie fjala, që do të arrinte në pikën e mos kthimit pas. Ka një mbështetje të madhe për veprimet që kanë bërë agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri si për sa i përket luftës kundër kanabisit, trafikimit të lëndëve narkotike, betejës kundër krimit të organizuar, vettingut në polici por nga ana tjetër, me të drejtë, ka gjithmonë nevojë për informacion shtesë apo për një kohë për të kuptuar që realisht këto reforma e kanë çuar vendin në pikën e mos kthimit pas. Mendoj se është një qëndrim i ndershëm, i cili ndihmon vendin, në rastin në fjalë Shqipërinë, për të vijuar me procesin e reformave. Nga ana tjetër në çdo vend që BE-së që kam pasur mundësi të vizitoj gjatë kësaj periudhe, nuk kam gjetur ende një alternativë të tavolinës së negociatave, si një mundësi për të influencuar në zhvillime edhe më pozitive, me reforma edhe më të thella edhe në Shqipëri.

Takimi Rama-Merkel kur do ndodhë? Është vizitë zyrtare?

Bushati: Takimi i kryeministrit Rama me kancelaren Merkel do të ndodhë brenda pranverës.

Ne përmendëm Gjermaninë tani por gjithashtu Holanda ka të njëjtat rezerva nga burime të besuara dhe Franca gjithashtu. A janë të njëjtat shqetësime si ato të Gjermanisë apo kanë specifika të tjera?

Bushati: Tre vende të cilat ju përmendët përballen me dinamika të brendshme të ndryshme. Në Holandë kemi një koalicion i cili qëndron në këmbë në kuptimin figurativ falë një vote diferencë me forca të cilat nuk e kuptojnë qeverinë. Në Gjermani kemi një prani më të shtruar të Partisë së Ekstremit të Djathtë, në Francë kemi lëvizje krejtësisht të re, centriste por me një frymëzim pro evropian. Nga ana tjetër, dihet që shqetësimet kryesore të partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë të cilët reflektojnë dhe në strategjinë e zgjerimit që publikoi Komisioni Evropian kanë të bëjnë me stadin e reformave në fushën e studimit të së drejtës në ekonomi. Me Francën, çështjet që rroknin emigracionin e paligjshëm janë adresuar në një mënyrë të qëndrueshme, të qenësishme dhe bashkëpunimi policor në këtë drejtim, ka prodhuar rezultate pozitive të prekshme dhe të pranuara, jo thjesht nga Franca dhe Shqipëria që prekeshin nga ky fenomen, por edhe nga partnerët e tjerë evropianë. Dihet që përgjithësisht vende si Franca dhe Gjermania që kanë peshë në vendimmarrjen e Bashkimit Evropian janë ato vende që e thonë të fundit fjalën përsa i përket anëtarësimit apo fazave të ndryshme të anëtarësimit të një vendi në BE. Mund t'ju siguroj që edhe në raport me Francën, kontaktet dhe bashkëpunimi do të vijë, vec se rritje gjatë javëve në vijim.

Do të kemi një vizitë të Ramës?

Bushati: Do të kemi një vizitë së pari të Ministrit të Jashtëm të Francës në Shqipëri ku do kemi mundësi për të diskutuar për këtë progres dhe gjithashtu për të identifikuar mënyrën se si mund të tejkalojmë disa sfida të tjera. E kemi thënë publikisht nëpër takime zyrtare që jo vetëm presim dhurata, se e kuptojmë që ky proces nuk ka të bëjë me dhuratat, por nga ana tjetër e dimë që po kërkojmë të ulemi në tryezën e bisedimeve për anëtarësim për të filluar një proces i cili nuk do të jetë i lehtë, nuk do të jetë i shkurtër në kohë, por nga ana tjetër e dimë që është e vetmja mundësi dhe i vetmi ilac për modernizimin e vendit.

Të tre vendet që ne përmendëm por dhe ju i konfirmuat, Gjermani, Hollandë dhe Francë janë përvec se vende themeluese, Gjermania është lokomotiva aktuale e BE. Cili është skenari më i keq për moshapje të negociatave në qershor dhe cili është skenari më i mirë që mund të ndodhë për të cilin jeni ju më shumë optimist?

Bushati: Në politikë është shumë e vështirë të flasësh me nëse. Edhe aq më tepër ti komunikosh opinionit publik, teza apo skenarë që lidhen me nëse. Pra nuk mund të flitet në mënyrë hipotetike. Stacioni i parë për ne është 17 prilli, dita kur Komisioni Europian do publikojë paketën e zgjerimit. Ne jemi me një shpresë të plotë që Komisioni Europian do dalë me një rekomandim për fillimin e bisedimeve për anëtarësim

I cili duket se nuk do të jetë problem, të paktën nga konfirmimi i Mogherinit.

Bushati: Ne presim gjithashtu që Komisioni Europian të përshkruajë në mënyrë sa më të besueshme të mundshme të gjithë procesin e reformave dhe të transformimit që ka ndodhur edhe gjatë këtyre dy viteve, pra nga koha që kur është publikuar raporti i 2016 dhe deri tek ky i 2018. Gjithashtu është normale që të presim dhe kritikat nga ana e raportit të Komisionit Europian, kritika të cilat do duhet që të adresohen në masa konkrete nga ana e institucioneve shqiptare. Më pas do të jetë Samiti i Sofjes që do të ketë një fokus më të posacëm tek cështjet e konektivitetit, ndërlidhshmërisë dhe vendeve anëtare ku duhet të përcaktojnë. Ne besojmë se do jenë në qershor, momenti kur do merren në shqyrtim raporti i Komisionit apo raportet e Komisionit Europian për të gjitha vendet që janë në procesin e zgjerimit. Të fokusohemi tek hapi i parë. Hapi i parë është rekomandimi, deri më sot mund të jemi në nivelin e hamendësimeve, testimeve që mund të bëjnë vende të ndryshme, që mund të bëjë qeveria dhe institucionet shqiptare me vende të ndryshme. Në kushtet kur ende nuk kemi dokument zyrtar sic do të jetë dokumenti që do të publikohet në 17 prill. Më pas do të fillojmë të numërojmë vendet të cilat janë totalisht mbështetëse. Vende të cilat mund të kenë dyshime për cilësinë e disa proceseve të caktuara dhe që synojnë së bashku të marrin masa korrektuese apo vende të tjera, të cilat mendojnë që tryeza e bisedimeve për anëtarësim mund të jetë vendi i duhur dhe i artë për marrjen e këtyre masave.

Mesa kuptoj, do jetë një betejë diplomatike deri në minutën e fundit për të mundësuar hapjen e negociatave.

Bushati: Absolutisht. Në radhë të parë, është një zgjedhje dhe një transformim shoqëror e cila është një proces. Pra në rast se shohim rastin e Shqipërisë, e krahasojmë me Serbinë dhe Malin e Zi pa dashur për ta krahasuar me Kroacinë apo vende të tjera, ne po bëjmë në një fazë paraprake shumë gjëra, të cilat për ato vende kanë qenë të paimagjinueshme në atë periudhë kohe sepse vetë dinamika e procesit të zgjerimit ta imponon një gjë të tillë. Vetë BE ka nxjerrë mësime dhe tek e fundit, këto janë procese shumë të nevojshme për Shqipërinë, edhe sikur të mos ekzistonte larg qoftë kjo perspektivë dhe këto instrumente transformues, besojmë se gjithë biem dakord që Pallati i Drejtësisë ka nevojë për një shkundje. Tanimë, krahas shkundjes, kur të ulemi në tryezën e bisedimeve për anëtarësim do të mendojmë dhe për strategjinë e burimeve njerëzore, se çfarë institucionesh do të ndërtojmë. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për çështje apo fusha të ndryshme që mbulojnë të gjitha kapitujt e atij vendi. Pra është një çështje që ka të bëjë me revolucionin shoqëror, është një kuptivë kombëtare që është kënaqësi të konstatosh një Shqipëri e ndarë në të gjitha forcat politike. Natyrisht nuk mund të pyetet për çështjet e klimës politike, kompromisit politik që do duhet ta ndihmojnë këtë proces.

E ndihmojnë në fakt, kanë bërë një thirrje publike. Opozita e bashkuar, PD, LSI, aleatët e tyre kanë dalë dhe kanë bërë kërkesë publike që të hapen negociatat.

Bushati: Në momentin që vendi do të jetë anëtar në BE, vendit do ti duhet t bëjë kompromise të përditshme me gjitha vendet e tjera që ulen në këtë organizëm të madh. Sa më shpejt të kuptojmë gjithë ne që jemi aktorë politikë, që duhet ta ngjizim kulturën e kompromisit politik, e rënies dakord me njëri-tjetrin, aq më mirë reflektohet dhe në politikë të jashtme, dhe në veprimin diplomatik, dhe nesër pasnesër kur vendi të jetë anëtar i BE.

E keni një vlerësim për opozitën dhe për qëndrimin që po mban në lidhje me procesin e negociatave?

Bushati: Në çdo rast, vlerësimi i anëtarit të kabinetit për opozitën do të ishte paragjykues dhe nuk kam ndonjë dëshirë që të komentoj opozitën. Është më tepër thirrje për reflektim për të gjithë ne.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test