Ajnishahe Halimi tregon përjetimet e saj nga varrimi i familjes Jashari - Bota Sot
Ajnishahe Halimi tregon përjetimet e saj nga varrimi i familjes Jashari

Intervista

E enjte, 18 tetor 2018

Ajnishahe Halimi tregon përjetimet e saj nga varrimi i familjes Jashari

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 prill 2018 Në ora: 11:39
Ajnishahe Halimi

Ish- aktivistja e KMDLNj-së, Ajnishahe Halimi, ka rrëfyer në një intervistë për “Bota sot”, lidhjet e saj me familjen Jashari, karakteristikat e Adem dhe Hamzë Jashari si dhe,  vështirësitë që janë hasur gjatë varrimit të tyre. Halimi ka folur edhe për muzeun në Drenicë, vizitorët të shumtë dhe gjërat të cilat u intereson atyre më shumë.

“Bota sot”: Cila është lidhja juaj me familjen Jashari?

Ajnishahe Halimi: Me familjen Jashari nuk kam ndonjë lidhje farefisnore, as lidhje krushqie. Me këtë familje, e sidomos me Hamzën dhe Ademin njihem nga fundi i viteve ‘80. Ata ishin aktivë në protestat që zhvilloheshin asokohe kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës. Si shumë të tjerë, aktive isha edhe unë. Këto ishin aktivitetet e tyre të fundit paqësore, kundër pushtuesit serb. Pastaj, filluan aktivitetet e armatosura dhe vepronin në ilegalitet.

“Bota sot”: A i keni njohur Jasharët edhe para luftës, si i kujtoni ata para dhe gjatë kohës së luftës?

Ajnishahe Halimi: Më 30 dhjetor 1991, ndodhi rrethimi i parë nga forcat serbe i kësaj familjeje. Mund të them se kam shkuar ndër të parët, në cilësinë e aktivistes së KMDLNJ-së, e shoqëruar me një aktivist tjetër nga LDK-ja. Ai ishte Xhafer Murtezaj. Në këtë rast nuk i kam takuar asnjërin, as Ademin, as Hamzën. Ndonëse ishin në ilegalitet të plotë, me Hamzën kemi pasur rast të takohemi, sepse ai ka ardhur për ndonjë rast në familjen tonë.

Ndërsa me Ademin nuk jam takuar më, deri në sulmin e dytë që iu bë kësaj familjeje, më 22 janar 1998. Këtë familje, mund të them se e njoh mirë që nga sulmi i parë, kur hyra në shtëpi dhe fola me të gjithe sa ishin aty: me gratë, me fëmijët. Ishte një familje e madhe në kuptimin e plotë të fjalës. Ishte e madhe edhe numerikisht. Jetonin bashkë 30 anëtarë.

Kishin shumë fëmijë. Dhe, të gjithë ishin të shëndetshëm dhe shumë të bukur. Vetëm Hamza i kishte nëntë. 

“Bota sot”: Na tregoni ndonjë detaj që i karakterizonte Adem e Hamëz Jasharin?

Ajnishahe Halimi: Disa karakteristika të Ademit dhe të Hamzës. Me Ademin nuk kam pasur rast të bisedoj gjatë, prandaj e njoh më shumë, sipas përshkrimit të familjarëve të tij. Pas luftë kam qëndruar shumë në familjen e tyre, sepse punoja cicerone në Kompleksin Përkujtimor "Adem Jashari". Atë e përshkruajnë, si shumë të sjellshëm, të dashur, e të butë në familje. Ka folur pak, por ka qenë i prerë në atë që ka thënë. Ndërsa me Hamzën kam pasur rast të rri, e të bisedoj. Ka qenë shumë komunikues, i përshtatshëm për bisedë, i arsyeshëm, e i mençur.

“Bota sot”: Sa ka qenë e vështirë për ju momenti kur keni kuptuar për rrethimin e kullës së Jasharajve dhe pastaj për vdekjen e tyre?

Ajnishahe Halimi: Pas rrethimit të dytë, më 22 janar 1998, po ashtu kam shkuar në këtë familje dhe i kam takuar të gjithë, pra edhe Hamzën e Ademin. Me gratë, e vajzat tashmë njihesha me të gjitha. Në këtë rast plagosen dy vajzat: Iliriana e Selvetja. Rrethimi i tretë, ai i 5,6,7 marsit ishte fatal për këtë familje si dhe për shumë familje të tjera të lagjes Jashari. Pasojat tashmë dihen. Brenda rrethit ka qenë edhe lagjja ku banonim, se është në afërsi të lagjes Jashari. Ka qenë një përjetim i tmerrshëm! E kam përshkruar në një ditar - 'Ditari i një rrethimi'- që e kam mbajtur ato tri ditë dhe është botuar diku. Meqë i njihja të gjithë, e përjetoja rënd. Me brengoste sidomos fati i fëmijëve dhe grave. Nuk dinim se ç'po ndodh dhe çfarë do të jenë pasojat e këtij sulmi barbar. Kur përfundoi gjithçka, u morë vesh se vetëm nga familja e Shaban Jasharit,  ishin vrarë 20 veta - që nga Blerina shtatëvjeçe deri te Shabani, mbi 70 vjeç. Vetëm Hamzës iu vranë 7 fëmijë. Nga familja e ngushtë e tij, shkoi vet i nënti!

“Bota sot”: Cilat kanë qenë vështirësit që keni hasur gjatë varrosjes së tyre, si dhe keni deklaruar se gjatë kohës kur i keni shkruar kufomat, kartoni është vjedhur, përse ka ndodhë kjo, a keni dyshime se kush mund ta ketë marrë?

Ajnishahe Halimi: Erdhën mbi 50 kufoma. Shumë prej tyre nuk po mund të identifikoheshin edhe për faktin se të afërmit e tyre nuk ishin të pranishëm, edhe për faktin se disa ishin të dëmtuara shumë (të karbonizuara etj). Më dhjetë mars, derisa ndodhesha bashkë me nja 10-12 veta të kufomat, erdhi policia dhe na detyroi që t’i përgatisim kufomat, t’i vendosim nëpër arkivole dhe ata i bartnin me kamion tek varrezat. U errësua. Morëm vesh se ata vetëm i kanë hedhur si kanë mundur nëpër varre dhe kanë bërë përpjekje që t’i mbulojnë me një eskavator, por nuk ia kanë arritur. Prandaj, të nesërmen u desh të merrnim leje nga policia (Skenderaj ishte në shtetrrethim të plotë!) që të shkonim e t'i rregullonim varret. Ata na lejuan me kusht që të mos shkojmë shumë njerëz dhe të mos ua ndërrojmë vendet kufomave. Nuk u përfill asnjëri nga kushtet. Erdhën shumë njerëz - sepse me pak njerëz nuk mund të kryhej gjithë ajo punë: duhej të hapej secili varr, të kthehej arkivoli mbarë, e të mbyllej sërish. Ishte ftohtë dhe sidomos baltë. Edhe renditjen e ndërruam, por bëmë pak ndryshime: Në fillim u vendos axha Shaban, i dyti Hamza, i treti Ademi - sipas moshës, të tjerët u lanë ashtu si ishin. Por, po të mos bëhej një veprim i mençur nga im shoq, në mund të ktheheshim në shtëpi dhe përveç këtyre treve, nuk dinim kush ku është varrosur. Ishin 53 varre. Ai e gjeti një paketë kartoni, të cilën era e kishte hedhur pranë një gardhi, e mori dhe në të e bëri një skicë, ku i shënjoi të gjitha varret, me emrat apo numrat e të vrarëve. Kufomat kishin nga një numër, që ua kishin vënë vrasësit. Ky karton ka shërbyer si dokument bazë për të bërë, pastaj identifikimin edhe në bazë të fotografive dhe për të ditur se kush ku është varrosur. Ky karton është marrë nga dikush pas luftë... Urojmë të jetë diku, sepse është dëshmi e përpjekjeve edhe në ato rrethana që të punohet diçka si duhet. Ky do ta kishte vendin në Muzeun e Kompleksit...

“Bota sot”: Si ka lindur ideja për formimin e një muzeu në Drenicë, sa është numri i të interesuarve dhe çfarë i duket  vizitorëve më interesante?

Ajnishahe Halimi: Edhe tash, vazhdimisht, shumë vizitorë. Ata janë më të shumtë nëpër përvjetore. Gjatë kohës sa kam qenë cicerone (fundviti 99 dhe 2000) numri i vizitorëve ka qenë i pallogaritshëm. Kishte edhe shumë të huaj. Iu interesonte gjithçka. Nuk mund ta merrnin me mend se në fund të shekullit 20 çmendia mund të arrinte deri aty sa me topa të vriten gjithë ata fëmijë, gra e burra të paarmatosur! Njerëzit merrnin gjësende të ndryshme, një copë tulle, një copë thëngjilli e çka jo, si relikte... Prandaj lindi nevoja që të shkruhej diçka e t'u jepej në dorë vizitorëve të shumë interesuar. Komuna mbuloi shpenzimet  e botimit, ndërsa unë, e bashkëshorti im e shkruam një libër të vogël, por me mjaft informacione për Jasharët, për luftën e tyre. "Jasharët - histori e një qëndresë" u ribotua disa herë dhe janë shitur përmes Kompleksit, tek i cili kanë shkuar të gjitha të ardhurat nga shitja, në dhjetëra mijëra kopje; ndoshta mbi njëqindmijë. Tash nuk e ribotojnë më…

Fill pas luftë është bërë një ndërhyrje emergjente për t'i mbrojtur shtëpitë nga rrënimi. Ka qenë një mbulojë, e cila është ende sot, dhe është menduar të jetë për një kohë të shkurtër. Pas kaq vitesh, ajo mbuloj ka rrezik të shembet, sepse shtyllat metalike janë të mbështetura mbi dërrasa. Besoj se tashmë ato janë kalbur.

“Bota sot”:  Kulla e Jasharajve ka rrezikuar të shembet, por tashmë Qeveria ka ndarë një fond për këtë, përse duhej të pritej të rrezikohej kjo pjesë dhe a është mjaftueshëm buxheti i ndarë?

Ajnishahe Halimi: U tha se në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari" janë investuar deri tani 9 milionë euro. Është e vërtetë se janë bërë shumë punë, por gjithashtu është e vërtetë se 9 milionë është para e madhe! Për të shmangur çdo keqkuptim, dua të theksoj se në këto investime familja Jashari as ka pasur qasje, as s’është përzier gjë. Tash u tha se do të ndahen edhe 6 milionë. Nuk di a janë pak apo shumë, por dëshira, e të gjithëve është që të shihen edhe punë të mëdha, jo vetëm shifra të  mëdha...

“Bota sot”:  Zonja Halimi, nëse do të ishte gjallë Adem e Hamzë Jashari, për çfarë do të ishin krenarë në Kosovë dhe për çfarë do të "turpëroheshin"?

Ajnishahe Halimi: Se si do të ndjeheshin Ademi e Hamza vetëm mund të supozoj... Dhe ka rrezik se mendimin e tyre do ta projektoja përmes mendimit tim. Mendoj se ata do të ndjeheshin krenarë vetëm që çizmja e pushtuesit shekullor u shporr nga trojet tona. Për të gjitha të tjerat do t'u vinte turp!

“Bota sot”: A është kjo Kosova për të cilën kanë luftuar ata?

Ajnishahe Halimi: Jam e sigurt se kjo nuk është Kosova për të cilën ATA kanë  luftuar dhe janë flijuar më të madh, e të vogël, si thuhet!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test