Plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës është shndërruar në agjendë të Thaçit

Intervista

Plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës është shndërruar në agjendë të Thaçit

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 13 prill 2018 Në ora: 08:19
Rexhep Selimi

Deputeti i zëshëm i Lëvizjes Vetëvendosjes Rexhep Selimi, në një intervistë për gazetën “Bota Sot” ka shpalosur disa të pa thëna deri tash lidhur me largimin e disa deputeteve të Vetëvendosjes, të cilët tash kanë krijuar grup parlamentar të tyre. Po ashtu, ka folur edhe për demarkacionin, që sipas tij tashmë Kosova ka humbur 8200 hektarë të territorit të saj. Ai ka thënë po ashtu, se grupi i organizuar i 13 deputetëve të dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, e mundësoi kalimin e demarkacionit sepse njëri nga ata e përcaktoi votën e 80-të të nevojshme për demarkacionin më Malin e Zi.

Dialogu më Serbinë, vazhdon të jetë i dëmshëm dhe shkatërrim i shtetësisë se Kosovës për të cilën thotë se edhe fundi i dialogut do të jetë në dëme të Republikës se Kosovës.

“Bota Sot”: Aktualisht si e vlerësoni gjendjen politike në Kosovë?

Rexhep Selimi: Gjendja politike dhe e sigurisë ne Kosove është edhe e rëndë, por edhe e ndërlikuar. Kjo është pasojë e mungesës se vizionit të qeverisë Haradinaj dhe rezultat i agjendës së Thaçit në dëm të Kosovës.

“Bota Sot”: Pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e zi, paqartësia nëse vendi ka humbur territor apo jo vazhdon, si e vlerësoni ju këtë situatë?

Rexhep Selimi: Tashme është evidente që Kosova i humbi 8200 hektarë të territorit të saj. Këtë nuk mund ta mohoj as Kryeministri i cili e ka krijuar një shpresë te rrejshme se mund t’i rikthej ato toka.

“Bota Sot”: Po problemi kryesor në vend, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar që është edhe kusht nga BE, mendoni se Kosova do të mund të bëjë diçka në këtë drejtim?

Rexhep Selimi: Përkundrazi, vendi veç sa po zhytet edhe më shumë në korrupsion. Përveç pushteteve paraprake që janë ngopur me korrupsion, tash pushteti i ri sapo ka filluar ta shuaj urinë disa vjeçare. Përshkallëzimi i korrupsionit do të vihet edhe me shumë ne dukje në të ardhmen.

“Bota Sot” : Vetëvendosje se fundmi ka pësuar edhe ndarjen e saj dhe pati një përçarje të madhe, a mendoni se kjo është ndikuar nga dikush dhe kujt i ka konvenuar kjo?

Rexhep Selimi: Në fakt, në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka pasur ndarje por ka pasur dorëheqje. Pavarësisht se nga kush është ndikuar, një gjë dihet; se pa dorëheqjet e një grupi të deputetëve nga GP i LV-së nuk do të kalonte demarkacioni. Grupi i organizuar i 13 deputetëve të dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje e mundësoi kalimin e demarkacionit sepse njeri nga ata e përcaktoi votën e 80-të të nevojshme për demarkacionin me Malin e Zi. 

 “Bota Sot”: Vetëvendosje vazhdimisht ka kërkuar hetim zyrtar të SHIK-ut, pse mendoni se LDK do nuk po ju përkrah në këtë?

Rexhep Selimi: Nuk e di saktësisht pse, por një gjë dihet se hetimi i SHIK-ut është mbajtur peng nga LDK-ja tash e tri legjislatura me radhë. Tashmë e kemi përgjigjen e qartë se LDK-ja nuk do që ta hetojë SHKI-un. Ata e dinë përse!

“Bota Sot”: Keni pasur në Kuvend akuza nga kryeministri i vendit Ramush haradinaj se ju gjatë luftës keni shpëtuar mirë dhe se keni qëndruar në 15 kateshin në Shqipëri. Si e komentoni këtë dhe çka mendoni se Haradinaj ka dashur të thotë më këtë?

Rexhep Selimi: Është mire ta pyesni Haradinajn se çka ka dashur të thoshte më atë. Nëse e ka problem që unë kam shpëtuar nga lufta dhe nga paslufta le ta thotë ai. Jo unë!

“Bota Sot”: Po çështjen e asociacionit të Komunave serbe në Kosovës për të cilën po flitet se Hashim Thaçi është duke vepruar me Listën serbe mendoni se Kosova duhet ta pranoj ketë dhe çka saktësisht duhet bërë për ta kundërshtuar?

Rexhep Selimi: Kalimi i Demarkacionit me Malin e Zi e ka entuziazmuar edhe më shumë Thaçin që të vazhdoje tash edhe me Zajednicen. Plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës përmes Zajednices tashmë është shndërruar në agjendë të Thaçit. Kjo duhet ndalur me çdo kusht.

“Bota Sot”: Është fol e përfol shumë Formimi i Ushtrisë se Kosovës, a mendoni se Qeveria e Kosovës do të veproj diçka për këtë kur dihet se janë në bashkëqeverisje më Listën serbe kundërshtaret kryesor të ushtrisë së Kosovës?

Rexhep Selimi: Tash e katër vite ka vetëm fjalë dhe asgjë më shumë për Ushtrinë e Kosovës. Formimin e Forcave të armatosura të Kosovës nuk mund ta bëjnë ata që iu nënshtrohen kushteve të Beogradit. As Thaçi, as Mustafa e as Haradinaj nuk mund ta bëjnë Ushtrinë e Kosovës përderisa iu nënshtrohen kushteve te Serbska-s.

“Bota Sot”: Cilat janë pritjet tuaja për fazën e fundit të dialogut me Serbinë?

Rexhep Selimi: Dialogu/negociatat me Serbinë i kanë sjellë vetëm dëme dhe shkatërrim shtetësisë se Kosovës. Edhe fundi i atij dialogu s’ka se si të jetë ndryshe përveçse i dëmshëm për Kosovën.

“Bota Sot”:  A keni shikuar ndonjë mundësi që edhe ju si opozitë të jeni pjesë e dialogut, për të monitoruar më afër marrëveshjet që bëhen?

Rexhep Selimi: Nuk mund te jemi pjese e atij procesi për të cilin qe ne thelb ne jemi kundër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat