Majlinda Kelmendi flet për ofertat milionëshe, pendimin e saj dhe për të ardhmen që e pret në xhudo

Intervista

Majlinda Kelmendi flet për ofertat milionëshe, pendimin e saj dhe për të ardhmen që e pret në xhudo

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 25 prill 2018 Në ora: 11:34
Majlinda Kelmendi, e kurorëzuar me titullin kampione bote dhe kampione olimpike

Xhudistja Majlinda Kelmendi, e kurorëzuar me titullin kampione bote dhe kampione olimpike është vajza që më e suksesshme në fushën e sportit, e cila bëri që shtetin e Kosovës ta njohë e gjithë bota.

Majlinda Kelmendi në një intervistë ekskluzive për gazetën kombëtare "Bota sot”, ka treguar se sa krenare ndihet me shtetin e saj. Ajo shpalos planet për të ardhmen, për ofertat milionëshe e shumëçka tjetër.

“Bota sot”: Si fëmijë ke menduar që një ditë do të arrish këtu në majat e sportit botëror?

Majlinda Kelmendi: Jo, si fëmijë ndoshta jo, por kur jam bërë 15 vjeç kam filluar të mendoj më seriozisht për karrierën time.

“Bota sot”: A ndihesh krenare teksa dëgjohet himni i flamurit në ndeshjet që merr pjesë?

Majlinda Kelmendi: Sigurisht që jam krenare sa herë që dëgjohet himni i Kosovës në ndonjë shtet tjetër, e sidomos në vendet që nuk na kanë njohur.

“Bota sot”: Ju jeni e kurorëzuar me titullin Kampione Bote dhe Kampione Olimpike, a do të ndaleni me kaq?

Majlinda Kelmendi: Kam fituar gjithçka që mund të fitojë një sportist, por ende nuk e kam thënë fjalën e fundit.

“Bota sot”: A keni përkrahje nga MKRS-ja?

Majlinda Kelmendi: Ligji për sport është aprovuar kështu që tani gjithçka varet vetëm nga vetë sportistët, nëse fiton në Kampionate të pret ajo çka të takon me ligj.

“Bota sot”: Përvojën tënde je duke e përcjellë te vajzat e reja. U fsheh ndonjë gjë atyre, ua mëson të gjitha taktikat që i di?

Majlinda Kelmendi: Kam shumë dëshirë që përvojën dhe dijen time t'ua përcjellë gjeneratave te reja, nuk fsheh asgjë.

“Bota sot”: A do të ndaloni të merreni me xhudo?

Majlinda Kelmendi: As nuk e kam menduar se kur do të ndaloj të merrem me xhudo.

“Bota sot”: A jeni penduar që i keni refuzuar ofertat milionëshe nga Azerbajxhani dhe Turqia?

Majlinda Kelmendi: Jo nuk jam penduar që i kam refuzuar ato oferta, edhe po të isha milionere do të bëja te njëjtën jetë që bëj tani, mjafton që të kem një jetë të qetë dhe të mirë me njerëzit që i dua.

“Bota sot”: Cilat janë planet e Majlindës për të ardhmen?

Majlinda Kelmendi: Plani kryesor- Të kthehem sa më shpejt në gara-më mungon vatani dhe vendi ku dua të jem.

“Bota sot”: Cila është porosia juaj për të rinjtë dhe të rejat?

Majlinda Kelmendi: Porosia ime për të rinjtë është që t’i ndjekin ëndrrat e tyre dhe ti bëjnë ato realitet pa marrë parasysh se sa e vështirë do të jetë rruga që duhet të kalojnë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat