Reka: Ballkani është në një situatë jashtëzakonisht delikate nëse lihet vetëm - Bota Sot
Reka: Ballkani është në një situatë jashtëzakonisht delikate nëse lihet vetëm

Intervista

E shtunë, 20 tetor 2018

Reka: Ballkani është në një situatë jashtëzakonisht delikate nëse lihet vetëm

Më: 28 prill 2018 Në ora: 08:27
Blerim Reka

Për integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet euro-atlantike, për rrezikun e ndikimit rus ndaj Ballkanit, si dhe disa nga sfidat e Maqedonisë drejt Europës, Blerim Reka, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë ka folur në një intervistë për Zërin e Amerikës në New York.

Ai ka thënë se Ballkani është në një situatë jashtëzakonisht delikate nëse lihet vetëm dhe nëse lihet jashtë orbitës euro-atlantike.

Sipas Rekës, stabiliteti i Maqedonisë momentalisht varet nga dy faktorë.

Reka i ka cilësuar si të vështira negociatat e Maqedonisë me Greqinë për emrin.

Kur ka folur për Ligjin për gjuhët, Reka ka thënë se ai ishte një avancim i zgjidhjeve ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe, por nuk është zgjidhja finale e dëshiruar prej shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Profesor Reka, ju keni ligjëruar kohët e fundit në Florida mbi gjeopolitikën e Ballkanit midis Perëndimit dhe Rusisë. Dëgjojmë shumë analistë që paralajmërojnë se Ballkani mund të kthehet në fushëbetejën e një lufte të re të ftohtë mes Perëndimit dhe Rusisë. A jeni dakord me një analizë të tillë?

Blerim Reka: Pikërisht dhe çfarë koincidence! Sot është dita kur dy Koretë nënshkruan për dhënien fund të luftës së vjetër të ftohtë. Ndërkohë Rusia po inauguron një luftë të vjetër të ftohtë, qysh nga fjalimi i presidentit Putin në Samitin e Sigurisë në Munih dhe me aksionet konkrete aneksuese në Gjerorgji, në Ukrainë dhe në Siri. Në vitet e fundit shihet një ndikim dhe një penetrim diplomatik dhe ushtarak dhe energjitik i Rusisë në Ballkan, krahas depërtimit kulturor apo kulturologjik të Turqisë dhe atij ekonomik të Kinës. Mendoj se Ballkani është në një situatë jashtëzakonisht delikate nëse lihet vetëm dhe nëse lihet jashtë orbitës euro-atlantike, siç e thashë para disa ditësh në ligjëratën në Florida. Kjo është koha e fundit që SHBA, NATO dhe BE ta ndryshojnë qasjen e pritjes dhe të jenë më pro-aktivë dhe më të pranishëm në Ballkanin perëndimor.

A janë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni një hallkë e dobët që mund të shfrytëzohet nga Rusia për të sjellë paqëndrueshmëri dhe konflikt, siç veproi ajo në Ukrainë?

Blerim Reka: Stabiliteti i Maqedonisë momentalisht varet nga dy faktorë, apo nga dy shtylla: Shtylla e parë është e brendshme, marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni midis maqedonasve dhe shqiptarëve dhe shtylla e dytë është e jashtme, marrëdhëniet e saj miqësore me fqinjët e saj më konkretisht me Greqinë, sa i takon çështjes së emrit. Vlerësoj se vetëm një politikë, e cila do të arrinte të krijonte një konsensus ndëretnik midis shqiptarëve dhe maqedonasve në këtë shtet do të ishte një garanci për stabilitet të brendshëm dhe njëkohësisht do të ishte si një lloj bilete hyrëse në integrimet euro-atlantike, sidomos në situatën kur ne ende nuk e dimë nëse deri në korrik a do të ketë anëtarësim për Maqedoninë në NATO apo jo. Çfarëdo shtyrje e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO do të ishte katastrofike për Maqedoninë dhe për rajonin, në kohën kur edhe ashtu krerët shtetërorë dhe diplomatikë rusë disa herë gjatë javëve të fundit e bënë të qartë kundërshtimin e tyre për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Me fjalë të tjera, lënia e Maqedonisë në një situatë limbo, apo në një situatë të vakuumit të sigurisë do të kishte pasoja jashtëzkonisht të rrezikshme për tërë rajonin.

Rekomandimi për Maqedoninë nga Komisioni Europian për fillimin e bisedimeve me BE-në, a është mbi baza të meritave për reformat apo një dhuratë për qeverinë e re, që u ndesh me mjaft sfida?

Blerim Reka: Kjo është një kombinim i të dyjave; jo vetëm në rastin e Maqedonisë, por i tërë procesi i zgjerimit është një proces gjeo-politik dhe më pak teknik. Vërtet ka kushte, instrumente dhe kritere që duhet të plotësohen, por Bashkimi Europian qysh nga themelimi udhëhiqte vijën gjeo-politike dhe vetëm atëherë kur rrezikoheshin interesa strategjike i ndryshonte politikën e zgjerimit. Nja 15 vitet e fundit Bashkimi Europian e la Ballkanin perëndimor jashtë orbitës së vet dhe vetëm kur filluan kërcënimet veri-lindore dhe jug-lindore në kufijtë europianë, ai filloi t’irikthehet politikës së zgjerimit. Në këtë kuptim, edhe te Maqedonia vërehet se sot është një-vjetori i ngjarjeve tragjike, që ndodhën në parlamentin e Maqedonisë më 27 prill. Ajo ishte si duket alarmi i fundit, pra 27 prill të vitit të kaluar se deri ku mund të shkojnë infiltrimi dhe ndikimet e shërbimeve të huaja sekrete dhe destabilizimi i Maqedonisë dhe i rajonit. Nga ana tjetër, në rekomandimet, që u dhanë në raportin e progresit për Maqedoninë, u tha shumë qartë se përveç plotësimit të kushteve, që janë të njohura nga "aquis communitaire" për të gjitha shtetet, Maqedonia duhet gjithsesi ta mbyllë problemin me fqinjin e saj jugor Greqinë sa i përket çështjes së emrit. Kohë ka pak; kanë mbetur dy muaj nga Samiti i Këshillit Europian i BE-së, i cili duhet ta vërtetojë apo jo rekomandimin pozitiv për fillimin e negociatave, dhe më pak se 3 muaj nga Samiti NATO-s, ku pritet që Maqedonia më në fund të anëtarësohet në NATO dhe ta mbyllë si të themi vrimën e fundit të krahut jugor të NATO-s në Ballkan.

Problemet e brendshme të vendeve ballkanike, mes tyre edhe Maqedonia, janë të ditura: korrupsioni, kapja e shtetit, mungesa e shtetit ligjor, prirjet autokratike. Sipas jush, a mjafton joshja drejt Bashkimit Evropian që këto vende t’i luftojnë me sukses këto prirje, apo kërkohet një përfshirje dhe një presion më energjik i Perëndimit, siç e shohim për shembull në rastin e ambasadorit amerikan në Tiranë?

Blerim Reka: Kjo i takon shportës së dytë teknike, se pak më lart fola për aspektin gjeopolitik të problemit mbi anëtarësimit të vendeve në BE. Në raportin e BE-së që u botua më 17 prill si dhe në komunikimin e 6 shkurtit nga Komisioni Europian u dhanë dy mesazhe të qarta: Mesazhi i parë i qartë ishte rajonal, se nuk do të pranohet anëtarësim, apo se nuk do të pranohet asnjë shtet i ri anëtar i Bashkimit Europian nga Ballkani perëndimor pa mbylljen e kundërshtive ndërfqinjësore dypalëshe. Kushti i dytë ishte shumë i qartë: dekriminalizimi i shoqërive në Ballkan, që do të thotë, pa prova të sakta për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pa ngritjen e një gjyqësori të pavarur dhe jashtë ndikimeve politike, që në Shqipëri po bëhet përmes 'vettingut' dhe në Maqedoni përmes prokurores speciale, asnjë shtet nuk mund të anëtarësohet në BE. Kjo për arësye se në 7 - 8 vitet e fundit nga shtete post-konfliktuale, të gjitha shtetet e Ballkanit rrëshqitën rrezikshëm në situatën e shteteve të kapura. Por kjo nuk është fundi; rreziku është edhe më i madh. Nëse nuk ndërpritet ky proces tash, ata mund të rrëshqasin në stadin e shteteve të dështuara (failed state). E gjithmonë shtetet e dështuara, në gjithë analizat ndërkombëtare janë treguar si një magnet tërheqës për regjimet autoritare jashtë komunitetit euro-atlantik, që ato të shtrijnë ndikimin e tyre.

Nga vëzhgimet tuaja, cilat janë pritshmëritë në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë?

Blerim Reka: Negociatat po shkojnë vështirë, dhe siç e kam thënë edhe në vitin 2008, frigohem se çështja e emrit është një pretekst nga ana e Greqisë, se sa një shkak i vërtetë për të bllokuar Maqedoninë. Frikohem se me një këmbëngulje të tillë Greqia po luan rolin e një fuqie tjetër, e cila shumë qartë i ka thënë Maqedonisë se është kundër anëtarësimit të saj në NATO. Do të doja që vërtet të gjendej një zgjidhje, por unë mendoj se pa ndikimin dhe pa qëndrimin e prerë të SHBA-ve për ta anëtarësuar Maqedoninë në NATO çfarëdo skenari deri më 7 korrik është i mundshëm, pra edhe skenari i mos-zgjidhjes së çështjes së emrit.

Çfarë epilogu mund të pritet nga proceset gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish-zyrtarëve të lartë qeveritarë përreth tij?

Blerim Reka: Në raportin e progresit besoj se e keni lexuar një fjali kur flitet për gjyqësorin, se kanë filluar reformat, por mbetet edhe shumë punë për të bërë, është liruar pak puna e prokurores speciale, pra nuk i ka më ato obstruksionet siç i pati para dy vitesh, mirëpo përfundon me një fjali shumë të qartë: Kërkojmë prova të sakta të të arrestuarve dhe të dënuarve me vendime të para gjyqësore mbi krimin e lartë të organizuar dhe siç thuhet për peshqit e mëdhenj. Unë shpresoj që nëse gjithçka shkon në rregull në Samitin e NATO-s dhe maqedonia anëtarësohet në korrik, ashti siç e kam paralajmëruar edhe më herët, unë pres jo tashmë një pranverë, por një verë dekriminalizuese në tërë Ballkanin përfshirë edhe Maqedoninë. Me këtë besoj se do të fillojmë të kemi edhe epilogjet e para gjyqësore të rasteve më të rënda për krim të organizuar dhe për korrupsion.

Ligji i gjuhëve i miratuar së fundmi në parlament, nuk po hyn në fuqi, për shkak se presidenti Ivanov nuk e dekreton atë; Çfarë zgjidhjesh mund të ketë për t’u fuqizuar ky ligj dhe për t’u zbatuar në praktikë?

Blerim Reka: Ligji për gjuhët ishte një avancim i zgjidhjeve ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe, por nuk është zgjidhja finale e dëshiruar prej shqiptarëve. Ai ishte si një lloj kompromisi midis forcave politike. Nga ana tjetër, jashtë këtyre negociatave ndërpartiake, faktori i dytë është faktori i presidentit, i cili herën e parë nuk e dekretoi dhe tash e mban peng prej dy muajsh. Unë vlerësoj se kryetari i Kuvendit duhet të shkojë vetë me nënshkrim dhe me dorëzimin e ligjit në Fletoren Zyrtare për botim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test