Një ish- gjykatësi i është konfiskuar pasuria në vlerë 1 milionë euro

Intervista

Një ish- gjykatësi i është konfiskuar pasuria në vlerë 1 milionë euro

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 9 maj 2018 Në ora: 09:54
Shqipdon Fazliu

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth statistikave për zyrtarët e lartë të akuzuar për korrupsion, për konfiskimin e pasurisë së tyre dhe shumën që është konfiskuar deri më tani. Fazliu ka dhënë mendimin e tij edhe sa i përket idesë për krijimin e një Gjykate Speciale kundër korrupsionit dhe vettingun në organet e drejtësisë, duke thënë se ka shumë variante që do të na mundësojnë  një sistem juridik shumë më të fortë, efikas dhe llogaridhënës

“Bota sot”: Z. Fazliu çfarë thonë statistikat tuaja lidhur me zyrtarët e lartë të akuzuar për korrupsion, sa është numri i tyre nga viti i kaluar deri më tash?

Shqipdon Fazliu: Ju lutem të vini re se KPK ka emëruar Komisionin Mbikëqyrës në përbërje prej tre prokurorëve të cilët janë autorizuar për të punuar në rastet e veprave penale nga kapitulli i veprave penale kundër korrupsionit zyrtar dhe detyrës zyrtare. Andaj këto statistika mund ti merrni nga ky komision. Megjithatë, puna ime si KKLKE-së përfshin të gjitha veprat penale ku ka konfiskim potencial, edhe rrjedhimisht edhe vepra të tilla penale. Nga kjo pikë, mund të them se tashmë ka mjaft raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion. Mbetet të presim vendimet e gjykatave për të vlerësuar më pas suksesin apo jo të akuzave të ngritura. 

“Bota sot”: Cilat janë raportet ndërmjet Gjykatës dhe Prokurorisë lidhur me këto raste?

 Shqipdon Fazliu: Nëse shohim aspektin ligjor e procedural, raportet mes prokurorisë dhe gjykatës janë raporte zyrtare të rregulluara mes Kodin e Procedurës Penale dhe nuk mund të ketë raporte tjera.

“Bota sot”: Së fundi kemi parashkrimin e lëndës së ish- Kryetarit të Kaçanikut Xhabir Zharku, i cili i shpëtoi burgut pasi u arratis, a ka ndonjë formë për ndërprerjen e parashkrimit z. Fazliu?

Shqipdon Fazliu: Pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, është gjykata ajo që duhet të kujdeset që personi në fjalë të dërgohet në vuajtje të dënimit. Andaj mendoj se përgjigjen në fjalë duhet ta kërkoni nga gjykata kompetente mbi arsyet përse ka ndodhur një gjë e tillë.

“Bota sot”: Cila është forma më e mirë për t`u pastruar gjyqësori nga ndikimet politike?

Shqipdon Fazliu: Një gjyqësor i fortë nuk do të lejonte politikën të ndikojë, por për sa kohë që kemi një gjyqësor të brishtë, atëherë edhe percepcioni se ka ndikim politik do të vazhdojë të zotërojë, si në opinionin vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar.

“Bota sot”: Sa do të ndihmonte në këtë rast një proces vettingu, që megjithatë është vlerësuar i panevojshëm nga Ministri i drejtësisë?

Shqipdon Fazliu: Më lejoni të theksoj se ka disa mënyra për të avancuar përmirësimin e sistemit të drejtësisë (që përfshin të gjitha organet ligj zbatuese si policinë, prokurorinë dhe gjykatat) dhe një nga këto mënyra është edhe procesi i vettingut. Unë nuk kam njohuri se si është deklaruar Ministri i Drejtësisë, por e di se është në proces e sipër Rishikimi Funksional i Sundimit të Ligjit. Ka të ngjarë që MD e sheh zgjidhjen e problemeve përmes një rishikimi të tillë.

Personalisht, si prokuror dhe KKLKE- mendoj se ka shumë variante që do të na mundësojnë  një sistem juridik shumë më të fortë, efikas dhe llogaridhënës.  Një nga këto mënyra, ashtu sikur e thashë më lartë, është edhe procesi i vettingut dhe unë e përkrah plotësisht çfarëdo iniciative që ka si qëllim një sundim të mirëfilltë të ligjit në Kosovë. Nëse këtë qëllim e siguron vettingu, atëherë unë e përkrah plotësisht këtë proces. Mirëpo nuk duhet të harrojmë se ka edhe shumë mënyra tjera të përmirësimit të efikasitetit dhe këtë e kemi potencuar në të gjitha raportet tona. Ajo që mbase është definitive dhe që është korrekte të thuhet, është fakti se ka nevojë për ndryshime thelbësore.

“Bota sot”: Cila është shuma e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar në periudhën e fundit?

Shqipdon Fazliu: Gjatë vitit të fundit kemi pasur shifra rekorde në konfiskimin e pasurive të fituara me vepër penale dhe kështu gjatë vitit 2017 kemi më tepër se 1.2 milionë euro pasuri të konfiskuar përfundimisht, ndërkohë që kemi pasur mbi 15 milionë pasuri të ndryshme të ngrira apo të sekuestruara.

“Bota sot”: A i është marrë pasuria ndonjë zyrtari të lartë?

Shqipdon Fazliu: Ndër rastet që kanë përfunduar me konfiskim përfundimtar, në vlerë prej rreth 1 milion euro, është edhe rasti i një ish- gjykatësi, ku pasuria e konfiskuar përfshin edhe pasurinë që i njëjti e ka në vend dhe jashtë vendit.

“Bota sot”: Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është kushti i fundit për liberalizimin e vizave, sa keni bërë ju si institucione për ta përmbushur edhe këtë kusht që ka mbetur?

Shqipdon Fazliu: Mendoj se përgjigjen në fjalë duhet ta kërkoni nga mekanizmat përgjegjës si Kryeprokurori i Shtetit, KPK dhe KGJK si institucionet kryesore në luftimin e krimit.

“Bota sot”: Po flitet se liberalizimi mund të ndodhë deri në fund të vitit, çfarë rezultate pretendoni t`i sillni BE-së si dëshmi se keni luftuar korrupsionin?

Shqipdon Fazliu: Tashmë, kanë ndodhur takimet me zyrtarë të BE-së dhe mendoj se megjithatë ka një progres që mund të jetë i mjaftueshëm sa për të marrë liberalizimin e vizave. Është çështje tjetër se sa  është kjo e mjaftueshme në rrafshin vendor dhe pritjet e drejta të opinionit vendor në luftimin sidomos të korrupsionit.

“Bota sot”: A po hetoni pasurinë e zyrtarëve të lartë dhe si po ecën puna në këtë drejtim?

Shqipdon Fazliu: Në këtë pyetje mund të përgjigjen vetëm prokurorët e rasteve.

“Bota sot”: Si e komentoni ju idenë për krijimin edhe të një Gjykate Speciale që do ta luftonte korrupsionin?

Shqipdon Fazliu: Ashtu sikur e thamë më lartë, parimisht çdo gjë që synon të luftojë korrupsionin, është ide e mirëpritur. Por, sa do të jemi të suksesshëm nëse vazhdojmë me metoda të njëjta dhe me njerëz të njëjtë ta luftojmë korrupsionin, kjo mbetet për t'u parë, por që unë nga kjo pozitë nuk mund të shprehem optimist se gjërat do të ndryshojnë në mënyrë thelbësore, në kuptimin pozitiv.

“Bota sot”: A do të arrinte kjo Gjykata t’i trajtonte rastet e krimeve të rënda të cilat drejtësia në Kosovë nuk ka arritur t’i përfundojë?

 Shqipdon Fazliu: Nuk e kam të qartë nëse po flisni për një Gjykatë Speciale ekuivalente të PSRK-së apo për krijimin tashmë të Gjykatës Speciale ndërkombëtare?

“Bota sot”: Është shpallur i jashtëligjshëm vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë, si e komentoni ju këtë?

Shqipdon Fazliu: Nuk kam ndonjë koment për këtë situatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat